Kalendari artistik i TKOB për muajin janar

TKOB premton që festimet nuk do të përfundojnë me mbylljen e sezonit të festave. Ato do të vijojnë në vitin e 70-të të TKOB-së, duke çelur siparin e Kalendarit Artistik 2024, me një muaj të pasur me evente. I pari prej tyre do të jetë koncerti simfonik me muzikë shqiptare, “Simfonitë e Shpirtit”, të kompozitorëve të mirënjohur, Feim Ibrahimi dhe Aleksandër Peçit. Ky koncert do të vijë më 13 janar.

Më pas vijon koncerti i  Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore i titulluar “Jehona tonë”. Më 20 dhe 21 janar TKOB sjell kompozimet e grupit legjendar “Queen”, që ndryshuan historinë e muzikës botërore, interpretuar nga Orkestra Simfonike e TKOB-së.

Ndërsa fundin e muajit, do ta presim nën tingujt e pianos së të madhit Stefano Bollani, në një koncert vokalo-simfonik./atsh/KultPlus.com

Shkencëtarët europianë: Korriku, muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë

Një rekord me “pasoja katastrofike” për botën: Korriku i vitit 2023 ishte me të vërtetë muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë. Konfirmimi ka ardhur nga shërbimi evropian Copernicus, duke renditur të dhënat që kanë “çmendur” të gjithë matësit.

Muaji i kaluar, i shënuar nga valët e të nxehtit dhe zjarret në të gjithë botën, ishte 0.33 gradë Celsius më i ngrohtë se muaji i mëparshëm i rekordeve (korrik 2019, i cili ishte mesatarisht 36.63 gradë Celsius). Temperatura atmosferike ishte gjithashtu 0,72 gradë Celsius më e ngrohtë se mesatarja (1991-2020) për korrikun.

Që në 27 korrik, para se të mbaronte muaji, shkencëtarët e kishin konsideruar “jashtëzakonisht të mundshme” që korriku 2023 të ishte muaji më i nxehtë i regjistruar.

Këto të dhëna e shtynë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres të thoshte se njerëzimi kishte dalë nga epoka e ngrohjes globale dhe kishte hyrë në atë të “vlimit global”.

Oqeanet po dëshmojnë gjithashtu këtë zhvillim alarmues, me temperatura jashtëzakonisht të larta të sipërfaqes që nga prilli dhe nivele rekord në korrik. Një rekord i të gjitha kohërave u vendos më 30 korrik në 20,96 gradë Celsius.

Copernicus raporton gjithashtu se akulli i detit të Antarktidës u tkurr në korrik më shumë se kurrë që nga fillimi i vëzhgimeve satelitore dhe ra 15% nën mesataren e muajit.

Ndoshta viti 2023 nuk do të ndalojë së thyeri rekorde.

“Ne presim një fundvit relativisht të ngrohtë për vitin 2023 për shkak të zhvillimit të fenomenit El Niño”, kujton Copernicus.

Ky fenomen ciklik klimatik mbi Paqësorin është me të vërtetë sinonim i ngrohjes së mëtejshme globale./A2CNN/KultPlus.com

3 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara

Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara shënohet çdo vit në 3 dhjetor dhe ka për qëllim promovimin e një pjesëmarrjeje të plotë dhe të barabartë të personave me aftësi të kufizuara dhe ndërmarrjen e aktiviteteve për përfshirjen e këtyre personave në të gjitha aspektet e shoqërisë, shkruan KultPlus.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë më shumë se një miliardë njerëz ose rreth- rreth 15% e popullsisë së botës – jetojnë me ndonjë formë të kufizimit të aftësive të tyre.

Kjo shifër pritet të rritet me plakjen e popullatës dhe përhapjen e sëmundjeve joinfektive.

Personat me aftësi të kufizuara nuk i kanë përparësitë që i kanë të gjithë të tjerët, por kjo nuk do të thotë se kështu është për të gjithë.

Një gjë e tillë varet shumë nga konteksti në të cilin ata jetojnë dhe nëse, ndër të tjera, kanë qasje të barabartë në shëndetësi, arsim dhe punësim. /KultPlus.com