Ministrja e Kulturës, Margariti, e ka mbyllur “muajin e fotografisë” përgjatë të cilit eksploruam një pjesë nga vepra e fotografëve shqiptarë që lanë gjurmë në historinë e fotografisë.
Fotoja që përmbylli vazhdën e përshëndetjeve mëngjesore përmes fotografisë, sjell imazhin e ngritjes së Kishës së Madhe, në Shkodër. Ajo është e realizuar nga “mjeshtri që themeloi dinastinë më të famshme të fotografëve, Pjetër Marubi”, shkruan ministrja Margariti në rrjetet sociale. Fotoja mban diçiturën “punëtorë shqiptarë e të huaj duke punuar tek Kisha e Madhe e Shkodrës”.
Pjetër Marubi, ishte një italian nga Piacenza, i cili pjesën më të madhe të aktivitetit të tij artistik e zhvilloi në qytetin e Shkodrës.
Me ardhjen në Shqipëri, ai hapi të parën studio fotografike, të cilën e emërtoi “Dritëshkronja”, duke sjellë shqip fjalën fotografi, pra të shkruash me dritë. Studioja u themelua më 1856 e sot mban emrin Fototeka Kombëtare “Marubi”.
Pjetër Marubi përveç se fotograf, ishte edhe skulptor, arkitekt e piktor.
Ai la një trashëgimi të pasur fotografike, e cila përtej vlerave artistike, ka vlera dokumentare e historike që dëshmojnë për periudhën në të cilën ai jetoi e veproi./ KultPlus.com
Pjetër Raboshta, fotografi shkodran numëron në fondin i tij të ruajtur në muze mbi 16.000 poza të shkrepura në film.
“Në vitin 1970, Pjetër Rraboshta i dhuroi shtetit arkivin e tij prej 16.196 imazhesh të realizuara në film”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila përgjatë gjithë muajit gusht ka zgjedhur të postojë foto të mjeshtrave shqiptarë, në kuadër të “Muajit të Fotografisë”.
Pjetër Rraboshta lindi në Shkodër, më 1917-ën. Mbasi kreu gjimnazin në Shkodër, shkoi si nxënës në studion e fotografit Kel Marubi. Rreth moshës 20 vjeç shkoi ushtar në Gjirokastër ku ushtroi profesionin e fotografit. Mbas mbarimit të shërbimit ushtarak rikthehet pranë Dritëshkrojës “Marubi” si nxënës bashkë me djalin e Kelit, Gegën.
Falë aftësive të tij, mjeshtri e aktivizon si ndihmës deri në vitet 1940. Rreth viteve 1942-1943 hap studion e tij “Foto Rraboshta” në rrugën kryesore të qytetit. Ishte një studio e plotë me mjedisin e fotografimit dhe laboratorin e larjes së filmave dhe të fotografive. Krahas punës në studio, fotografon edhe në lulishten e qytetit, ndjek aktivitetet fetare, tregtare, sportive, manifestimet politike e të tjera.
Mbas Çlirimit ka punuar shumë edhe si fotograf i dokumenteve të letërnjoftimeve. Njerëzit e quanin “Rraboshta i fëmijëve” pasi filloi të fotografonte kryesisht fëmijë. Në filmat e tij të ruajtur në arkivën Marubi gjenden shumë fotografi të fëmijëve në çaste të ndryshme si dhe në ditën e krezmimit. Ishte fotografi që solli një imazh ndryshe nga Marubët, më realist, e herë herë dramatik.
Rreth vitit 1963, me mbylljen e aktiviteteve private hyri në repartin e fotografëve pranë Ndërmarrjes së Riparim-Shërbimeve. Në vitet `70 dorëzoi arkivin e vet fotografik (filma e foto të formateve të ndryshme). Fondi i tij i ruajtur në muze numëron mbi 16.000 poza të shkrepura në film. / atsh / KultPlus.com
“Muaji i Fotografisë” përcolli këtë të hënë një foto të nxjerrë nga fondi i fototekës “Marubi”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi foton me autor Angjelin Nenshatin, e shkrepur në Shkodrën e vitit 1981 dhe që dëshmon për atmosferën e krijuar në qytet, ndërsa përurohej “Ekspozita Kombëtare e Kulturës”. Siç shkruan edhe Margariti në rrjetet sociale, dikur, hapja e një ekspozite ishte festë.
Fotografi Angjelin Nenshati, lindi në Shkodër në vitin 1929. Studimet e para i kreu në Kolegjin Saverian e mbas mbylljes së tij, në gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër. Formimi i tij zë fill në mënyrë autodidakte. Impakti me fotografinë erdhi nga rasti fatlum i të rënit në dorë që herët i një aparati fotografik, me të cilin bëri shkrepjet e para në kontekstin e një qyteti me traditë në këtë fushë. Me vendosjen e regjimit komunist, për t’iu shmangur disi persekutimit për prirjet e tij demokratike e fetare, nga viti 1948 kur vendoset në Pukë e deri në 1957, është arsimtar pranë shkollave të ndryshme, por kjo nuk e pengon të punojë edhe në fushën e fotografisë. Që herët, edhe falë lidhjeve familjare, ai qëndron pranë fotografit të njohur në Shkodër, Pjetër Rraboshta, gjë që e plotësoi formimin e tij në drejtim të proçeseve të laboratorit. Në vitin 1958 hyn në kooperativën shtetërore ku punon si fotograf. Në vitet ’70 i bashkohet Gegë Marubit në aktin e dhurimit të fondit fotografik personal. Ky fond i ruajtur në Fototekën Marubi dhe i pasuruar më tej prej tij, numëron mbi 228.000 imazhe të shkrepura në film rul 24x36mm.
Angjelin Nenshati ishte fotografi që ndiqte eventet social-kulturore të vendit, por edhe familjet qytetare në ritualet e ndryshme të jetës së tyre. Aktiviteti i tij u realizua më shumë jashtë studios se brenda saj.
Punoi në repartin e fotografëve deri sa arrin moshën e pensionit në vitin 1989. Realizoi fotografi të zhanreve të ndryshme, por është shumë afër atij të reportazhit. Krahas fondit të tij në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, famija zotëron një fond të pasur me fotografi, kryesisht me ngjyra.
Ai ishte autori që ndoqi nga afër ngjarjet më të rëndësishme të qytetit, lëvizjet e ndryshme demokratike të viteve ’90, momentet e kthesave të rëndësishme, rifillimin e kremtimeve fetare, rihapjen e kishave e xhamive. Më 1993 fotografoi vizitën e Papa Gjon Palit II dhe Nënë Terezës së Kalkutës në Shqipëri. Më 1996 bashkë me djemtë e tij hap studion fotografike “Nenshati”. Angjelin Nenshati u nda nga jeta në vitin 2008. /atsh / KultPlus.com
Nga fototeka e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, ministrja e Kulturës, ka veçuar për sot, një foto të Lekë Vocit. Kështu “Muaji i Fotografisë” vijon me një imazh të kapur në Shkodrën e vitit 1975, ku dallohen një grup alpinistësh gjatë stërvitjes.
Fotografi Lekë Voci lindi në vitin 1938 dhe ndërroi jetë në 2010-ën.
Ishte i pari ndër shtatë fëmijët e një familjeje të varfër malësore nga fshati Shllak i Dukagjinit. Njohjen me mjeshtërinë e fotografisë e nisi me Pjetër Rraboshtën, por miqësinë më të madhe ai do ta kishte me Dedë Jakovën, i cili do t’i mësonte atij fotografinë.
Pavarësisht kësaj, ai në mënyrë të fshehtë si shumë prej fotografëve punonte edhe privatisht. Gjatë kohës së punës në Ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve ai punoi më së shumti me aparatet “Praktika” dhe “Kodak”. Fillimisht u mor me fotografimin për regjistrimin e popullsisë dhe më pas me fotografinë e natyrës, dasmave dhe aktiviteteve të ndryshme të kohës.
Ashtu si fotografë të tjerë të qytetit të tij, edhe Lekë Voci la një arkiv fotografik të pasur. Në fototekën “Marubi” ruhen mbi 800 poza të shkrepura në film. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës e ka “pagëzuar” gushtin si “Muajin e fotografisë”, pasi përkon edhe me Ditën Botërore të Fotografisë.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Kulturës Elva Margariti uron fillimin e muajit me një foto të një rruge në Shkodër, e fiksuar nga mjeshtri Kolë Idromeno.
I lindur në 1860, në Shkodër, Idromeno ishte nxënës i fotografit Pietro Marubi. Në moshën 16 vjeçare shkoi në Venecia, ku nisi studimet në Akademinë e Artit. Përveç se për fotografinë, Kolë Idromeno, ka hyrë në histori si piktor, arkitekt, kompozitor, skenograf e urbanist.
Në fushën e pikturës ai njihet për punë të tilla si “Motra Tone” e “Dasma shkodrane”, të vlerësuara si kryevepra të artit figurativ shqiptar. Ndërsa sa i përket arkitekturës, ndër veprat e tij përmenden banka, kinema Rozafat e “Kafja e Madhe” e Shkodrës. / KultPlus.com