Muaji nëntor konsiderohet si muaji i isopolifonisë pasi në 25 nëntor të vitit 2005 kjo mrekulli e kulturës shqiptare është përfshirë në listën e pasurive gojore të njerëzimit, të mbrojtura nga UNESCO.
DRTK Gjirokastër si një ndër promotoret, mbështetëset e kulturës dhe elementeve kulturore, organizoi sot një takim me mjeshtrin e isopolifonisë, Roland Cenko, i dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh i Isopolifonisë” si dhe me fëmijë të shkollës “Naim Frashëri”, si një ndër shkollat që ka nxjerrë ndër vite breza të cilët e duan isopolifoninë.
Në fjalën e tij, drejtuar të rinjve, mjeshtri u shpreh se isopolifonia është e vjetër sa vetë historia jonë. “Është folur e përmendur nga shumë njerëz që e kanë dashur vendin tonë. Është studiuar nga gjuhëtarë e mbledhës folklori, dhe sot mund të themi se është një ndër krenaritë dhe pasuri e rrallë e jona”, tha mjeshtri Cenko, duke bërë thirrje që brezat ta çojnë para me punë, vullnet dhe dashuri.
“Isopolifonia popullore shqiptare” është në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO. Juria Ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, shqyrtoi mbi 60 kandidatura të propozuara për t’u përfshirë në listën “Kryevepër e njerëzimit”, propozime të bëra në rrugë zyrtare nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës duke plotësuar dosjet dhe kriteret e shpallura për këtë qëllim. /atsh / KultPlus.com