Flonja Haxhaj
“Vizatimet janë bërë në fillim të luftës nga motra ime, Aida Mehmedagie. Jetonim pranë spitalit të qytetit, në një lagje që ishte objekt i shpeshtë i granatimeve. Ishte shumë e rrezikshme të dilnim dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonim në shtepi ose në bodrum. Ajo në njëfarë mënyre mbante gjithmonë një libër ose ngjyra në duar. I pëlqente të vizatonte, ishte e talentuar dhe shpesh krijonte vepra te vërteta artistike nën dritat e Ilambave! Ndonjëherë ajo shkruante letra drejtuar shoqes por në fakt ato ishin një lloj ditari per shënime.
Së shpejti pas këtyre letrave dhe pak pas ditëlindjes së saj te shtatëmbëdhjetë, një mbrëmje relativisht te qetë, dikush trokiti në derë. Ne ishim vetëm në shtëpi. Babai ishte te komshiu lart, luanin shah, dhe nëna ishte në detyrë në punë. Ishte njëra nga shoqet e motrës. Një ditë më parë kishin pasur një debat dhe i ka bërë thirrje të ‘pajtohen’. Motra mbeti në pragun e gjerë para derës dhe unë hyra në kuzhinë me qellim qe t’iu bashkohesha atyre së shpejti. Papritur u dëgjua një zhurmë e fortë, e gjithë shtëpia u dridh dhe gjithçka u mbulua nga pluhuri. Dëgjova britma dhe zërin e babait. U ula, pa mundur të lëvizja nga tronditja. Menjëherë pas kësaj, babai hyri në dhomë, krejtësisht i shqetësuar dhe mori vetëm batanijen! Nuk e pashë më Aidën time.”, thuhet në rrëfimin e Selmas nga Bosnja, rrëfim ky i bashkëngjitur me vizatimin e motrës së saj e që u ekspozuan në mesin e shumë objekteve dhe rrëfimeve të tjera në ekspozitën e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës që u hap dje për herë të parë në Prishtinë, përcjell KultPlus.
Kjo ekspozitë paraqet objekte dhe rrëfime nga fëmijë që kanë përjetuar luftën në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë.
Në mesin e shumë objekteve, në këtë muze paraqitet edhe bluza e Edonit 3 vjeç e gjysmë i cili ishte vrarë gjatë luftës në Kosovë së bashku me shumë fëmijë të tjerë, e rrëfimin për historinë e tij e sjell kushëriri i tij, Blinori.
Në rrëfimin e tij, ai shpjegon se si së bashku me nëntë shokë të tjerë gjatë lojës në fushë hasën në një objekt të pazakontë e i cili u nxiti kureshtje për të ditur se çka është. Përderisa ai vrapoi për t’i kontrolluar kafshët, Blinori tregon se dëgjoi një shpërthim në vendin ku ndodheshin shokët e tij.
“I pashë miqtë e mi të shtrirë përtokë, me fytyra të nxira dhe të mbuluar me gjak Me kujtohet frika dhe një ndjenjë ç’ orientimi. Nuk dija si të kthehesha në shtëpi, por gjithsesi fillova të ecja. Rrugës takova një kushëri timin. U përpoqa t’i tregoja se kishim gjetur një objekt të çuditshëm, se nga ajo gjë ishte dëgjuar një ‘bum’ dhe se i kishte vrarë të gjithë, por nuk mund të flisja. Unë isha në lidhje familjare me shumë fëmijë që vdiqën atë ditë. Fisniku ishte 9 vjeç, Burimi dhe Osmani 13 vjeç dhe Valdeti 15 vjeç. Edoni i vogël ishte vetëm 3 vjeç e gjysmë. Ai ishte djali i xhaxhait tim, kushëriri im i parë. Kjo është bluza e tij.”, përfundon rrëfimi i Blinorit.
Këto dhe shumë rrëfime të tjera do të jenë të ekspozuara deri më 30 prill në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Në hapjen e kësaj ekspozite, e cila vjen për herë të parë në Kosovë, foli Amina Krvava, drejtoreshë ekzekutive e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës e cila fillimisht falënderon ata që e mundësuan realizimin e kësaj ekspozite në Prishtinë.
“Muzeu i Fëmijërisë së Luftës ka filluar si një platformë në të cilën njerëzit, fëmijët e asaj kohe që tani janë të rritur, kanë mundur të flasin dhe të shprehnin ndjenjat e tyre, të ndihen të sigurte dhe të kenë një vend ku ata mund të flasin për historitë e tyre meqë i gjithë ekipi i muzeut që kanë ardhur në Kosovë janë vetë fëmijë që e kanë përjetuar kohën e luftës. Me kalimin e vitit, kjo platformë ka fillu me u rritë më shumë edhe më pas është marrë iniciativa me u shndërru në muze. Në bashkëpunim me një profesor nga Prishtina kanë marrë edhe tregime të fëmijëve të kohës së luftës në Kosovë, të cilat më pas kanë vendosur t’i prezantojnë në vendin tonë dhe të bëhet një bashkëpunim ku do të mund të tregohen ngjarjet dhe ndodhitë e viteve të 90-ta të luftës në Bosnje dhe të viteve 98/99 të luftës në Kosovë.”, thotë Krvava, e cila shton se përveç historive të luftës në Bosnje e Kosovë, ky muze paraqet edhe tregime të fëmijëve të luftërave që tani janë edhe aktuale si në Palestinë, Ukrainë dhe në shumë regjione të tjera.
I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit në Kosovë, Hajrulla Çeku i cili vlerëson se Muzeu i Fëmijërisë në Bosnje është një shembull shumë i rrallë i muezealizimit të vuajtjeve të fëmijëve në situata të luftës.
“Çmimet ndërkombëtare që i ka fituar ky muze, shtrirja e tyre, koncepti dhe mënyra se si evoluojnë gjatë gjithë kohës, tregojnë se ky nuk është një muze statik, por është një mundësi e jashtëzakonshme edhe për ne, për të fituar nga kjo përvojë”, thotë ministri Çeku i cili shton se është dakorduar me drejtoreshën Krvava që edhe Kosova ta ketë institucionin e vetë ku muzealizohet fëmijëria e luftës.
“Storjet tona janë ende të freskëta, vuajtjet tona janë të dokumentuara deri diku por kemi nevojë edhe më shumë të bëjmë dokumentim. Kemi organizata, individë e artistë që kanë punuar në Kosovë gjatë këtyre viteve për ta dokumentuar dhe ekspozuar këtë pjesë të dhimbjes tonë, vuajtjet e fëmijëve të luftës së fundit dhe në bashkëpunim me Muzeun e Fëmijërisë së Luftës dhe institucionet përgjegjëse, shpresojmë që Kosova shumë shpejt ta ketë muzeun e vetë kushtuar fëmijëve në rrethana të luftës”, vazhdon Çeku.
Në fund foli edhe profesori, Atdhe Hetemi i cili ka ndihmuar që Muzeu i Fëmijërisë së Luftës të ketë edhe rrëfime dhe objekte që tregojnë për vuajtjet e fëmijëve gjatë luftës në Kosovë.
“Në pamundësi për t’i përfshirë të gjithë ata fëmijë që kanë tregimet e tyre për t’i ndarë, unë jam munduar që përzgjedhjen ta bëj në atë formë që do të jepte mesazhe që në tërë territorin e Kosovës, fëmijët që kanë jetuar këtu gjatë viteve 1997, 1998 dhe 1999 kanë pësuar traumat e veta”, thotë Hetemi.
Muzeu i Fëmijërisë së Luftës është një muze historik në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë që u hap në janar 2017. Muzeu paraqet përvojat e fëmijëve që jetuan luftën në Bosnje, Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë, të treguara përmes objekteve, dëshmive video dhe fragmente nga historitë gojore. Çmimi i Muzeut të Këshillit të Evropës 2018, një nga çmimet më prestigjioze në industrinë e muzeve, iu dha Muzeut të Fëmijërisë së Luftës si pjesë e Çmimit të Muzeut Evropian të Vitit 2018./ KultPlus.com