Muhamer Ibrahimi: Gjeneratat më të vjetra e kanë vështirë të krijojnë lidhje emocionale ndaj simboleve të reja, gjeneratat e reja e kanë përqafuar tanimë flamurin

Sarandë Selimi

Kaltër, verdhë e bardh. Tri ngjyra që nga 17 shkurti i vitit 2008-të, u bënë ngjyrat identifikuese të shtetit më të ri në botë Kosovës. Tri ngjyra, që na dhanë emocion, lot e krenari tash 10 vjet valëvitën në Flamurin e Republikës së Kosovës.

Konkursi për simbolet e Republikës së Kosovës, ishte hapur në qershor të vitit 2007. Por krijuesi i Flamurit, Muhamer Ibrahimi, kishte nisur qysh moti të mendojë se si do të dukeshin simbolet e shtetit të Kosovës.

Pas 10 vitesh, Muhamer Ibrahimi vjen në një rrëfim për KultPlus, duke treguar disa detaje ta pathëna deri më tani.

“Emocionet padyshim që janë çdo herë të forta, e më të forta bëhen gjatë festave dhe kur valëvitet dhe ngrihet në fitore. Në këtë 10 vjetor jubilar në këtë atmosferë festive emocionet janë edhe më të mëdha. Më gëzon fakti se ky 10-vjetor ka një atmosferë më të dukshme festive se vitet e kaluara”, ka thënë fillimisht Ibrahimi për KultPlus.

Konkursi i shpallur në vitin 2007-të, kishte disa kritere të cilat padyshim që e kishin kufizuar shumë Muhamerin e poashtu edhe dizajnerët e tjerë të cilët kishin aplikuar.

“Konkursi për simbolet e shtetit të Kosovës është organizuar nga institucionet e Kosovës e ka shpallur Ekipi i Unitetit, ka qenë i publikuar në mediet e shkruara dhe elektronike në qershor të vitit 2007. Konkursi i publikuar ka qenë me disa kritere që nuk duhet t’i përngjajë flamujve të shteteve tjera, flamujve të ndonjë partie politike, nuk duhet të përdorim simbole si shqiponje, nuk duhet të përdorim kombinime të ngjyrave të flamujve kuq e zi ose trengjyrëshe sllave apo të ndonjë etniteti tjetër. Konkursi si i tillë me kushtëzime padyshim se na ka kufizuar edhe hapësirën, përdorimin e ngjyrave dhe kombinimeve të mundshme të elementeve që do të mund të përdornim për të qenë sa më shumë kreativ”, është shprehur ai.

Pas kësaj, vjen rrëfimi rrëqethës i Muhamer Ibrahimit. Ai në studion e tij kishte punuar gjithsej 5 propozime për flamur dhe 7 për stemë. Muhamer Ibrahimi, është kontaktuar vetëm në fillim të shkurtit, duke i thënë nga Ekipi i Hartimit të simboleve të shtetit që të shkojë në një takim, ku aty i është kumtuar lajmi se është finalist, por vetëm kaq. Më 17 Shkurt 2008, Muhamer Ibrahimi kishte parë flamurin e krijuar nga ai duke u shpalosur në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Edhe para shpalljes së konkursit kam menduar në vete disa ide, disa koncepte se si do të dukej flamuri i vendit, por pas shpalljes së konkursit shumëçka është qartësuar sa i përket konceptit të mundshëm të flamurit. Në studion time të dizajnit ku punoja atë kohë fillova punën në dizajnet me kritere sipas konkursit të publikuar. Gjithsej punova 5 propozime për flamur dhe 7 për stemë, dizajnet e shtypura në letër sipas kërkesës në konkurs i dërgova ditën e fundit të konkursit në zarf të mbyllur dhe me shifër pa emra mbiemra apo ndonjë informatë tjetër personale, në zarfe ka qenë i shkruar vetëm kodi i konkurruesit. Në fillimin e shkurtit 2008 kam pasur një telefonatë nga Ekipi i hartimit të simboleve të shtetit dhe më është kërkuar të jem prezent në takim, më është kumtuar se jam njeri ndër finalistët. Më janë kërkuar punimet në CD dhe është kërkuar që të mos publikojmë informacione në media. Dhe më 17 shkurt flamuri është shpalosur në Kuvendin e Kosovës në momentin pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë Muhamer Ibrahimi.

SONY DSC

Ndërkohë, Muhamer Ibrahimi tregoi për KultPlus se cili ka qenë momenti më emocionues për të gjatë këtyre 10 viteve.

“Momente interesante dhe më krenare kur flamuri është ngritur triumfues në Moskë kur xhudistja jonë Majlinda Kelmendi na ka bërë krenar të gjithëve. Në ato momente emocionet kanë qenë të papërshkrueshme”, pohoi ai, duke vazhduar të komentojë deklaratat e tij të më hershme, kur pati thënë se e dinë që jo të gjithë do ta duan flamurin.

“Po gjatë disa intervistave më herët e kam thënë së nuk do ta duan flamurin të gjithë, dihet se çfarë kemi kaluar dhe çfarë kemi përjetuar me flamurin kombëtar, ndjenjat aq të forta kemi pasur me flamurin kombëtar. Të kalohet në një flamur me dukje krejt tjetër me ngjyra krejt tjera, duke ditur lidhjen emocionale aq e madhe me flamurin kombëtar e kam ditur që nuk do të jetë lehtë i pranueshëm të një mase. Gjeneratat më të vjetra e kanë shumë më vështirë që të krijojnë lidhje emocionale ndaj simboleve të reja, por gjeneratat e reja tanimë flamurin e kanë përqafuar dhe janë duke u rritur me të edhe emocionalisht. Ndërsa sa i përket minoritetit serb ky fakt është i ditur se ata nuk do ta pranojnë çfarëdo simboli që do ta përfaqësonte shtetin e pavarur”, ka thënë Muhamer Ibrahimi.

Ai krejt në fund të këtij rrëfimi, ka thënë se ndjehet shumë krenarë që propozimi i tij ka fituar në një konkurrencë aq të madhe me mbi 1mijë propozime.

“Krenarë kur e shohë duke u valëvitur i barabartë me flamujt e shteteve të tjera dhe krenar kur ngrihet triumfues”, përfundoi Muhamer Ibrahimi./ KultPlus.com