Në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të mërkurën, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë promovoi botimet “Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Europës Veriore” dhe “Bota letrare” të autorit Muhamet Hamiti.
Botimet e fundit të Hamitit, të pranishmit i vlerësuan me një rëndësi të madhe, e për të njëjtat botime, Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës ka vlerësuar se “Bota Letrare” e Muhamet Hamitit është një testament për fuqinë e letërsisë në ndërtimin e urave kulturore dhe nxitjen e mirëkuptimit ndërkombëtar.
“Puna e tij shërben si një frymëzim për studiuesit e ardhshëm dhe thekson rëndësinë e vazhdueshme të identitetit kulturor në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur”, ka vlerësuar Rama.
Kurse vet autori i botimeve, Muhamet Hamiti është shprehë të jetë i nderuar se puna e tij është botuar prej AShAK
“Këtu ka shkrimtarë në zë, por edhe të tjerë që s’janë këtu, për të cilët kam pasur kënaqësinë të shkruaj. Leximet e mia kritike të një pjese të kësaj letërsie shqipe përmblidhen në këtë libër që rroket me letërsi të përgjithshme, angleze dhe shqipe, shpeshëherë në ndërlidhní. Janë pjesë e botës sime letrare”, ka thënë mes të tjerash Hamiti./ KultPlus.com
Është botuar vepra studimore me titull: “Bota letrare” (2024) e Prof. dr. Muhamet Hamitit.
Vepra studimore “Bota letrare” e Hamitit u botua nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë së ASHAK-ut dhe ka 453 faqe.
Në vazhdim po e japim të plotë vlerësimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Vepra studimore “Bota letrare”
Kjo vepër është një studim substancial filozofik-teorik, analizues-hermeneutik, krahasues e vlerësues e mbi të gjitha insistues në shpjegimin e ligjësive specifike të botës letrare, gjithnjë të kundruara në ndeshje me botët e jashtme, qofshin ideore, ideologjike-politike apo identitare.
Në katër kapitujt themelorë: I. Përgjithësime, II. Letërsi angleze, III. Letërsi botërore, IV. Letërsi shqipe, Muhamet Hamiti trajton kanonin letrar perëndimor, spektrin e ndikimit filozofik-kulturor në civilizimin letrar botëror, si rrjedhojë edhe ndikimin e tij në kulturën dhe në letërsinë shqipe.
Muhamet Hamiti, në këtë vepër, merret me tema substanciale filozofike-letrare, siç janë: literariteti e identiteti, religjiozja e religjioni në literaturë, historia letrare e klasikët e letërsisë, evolucioni letrar, bota e mistershme poetike e narrative e autorëve të kanonit anglo-sakson si dhe të kanonit perëndimor, pastaj ndërlidhet me diskutimet për dualitetin e traditës në raport me presionin e së resë ideologjike, politike e globaliste, për të vijuar me analiza konceptuale të letërsisë shqipe, të cilat dëshmojnë një lexim të mprehtë të klasikës letrare dhe të produksionit letrar shqiptar.
Në strukturën e këtij libri gjejmë interpretime filozofike-letrare për Platonin, Aristotelin, Shën Augustinin, Martin Hajdegerin, etj., të cilat ndërlidhen me konceptet e letërsisë metafizike të Tomas Manit, Marsel Prustit, transcedentales së Shekspirit, Foknerit, Borhesit e Markesit. Poashtu, Muhamet Hamiti i diskuton konceptet e letërsisë nacionale në raport me letërsinë e përgjithshme me shembujt klasikë të Gëtes e të Xhojsit.
Libri i tij ngulmon në mbrojtjen e ligjësive specifike të artit letrar, siç e cilëson autori “të botës letrare” dhe në këtë proces analize trajton veprat studimore të Arnoldit, Eliotit, Frajit, Bruksit, konceptet e të cilave i aplikon në veprat letrare të Miltonit, Xhojsit, Dostojevskit, Borhesit si dhe, në kuadër të letërsisë shqipe, në veprat e Sabri Hamitit e të Zejnullah Rrahmanit.
Libri i Hamitit trajton edhe fenomene e vepra të veçanta të autorëve të kulturës angleze si Bajroni, Konradi e Forsteri, pastaj veprën e shkrimtarit irlandez Shejmës Hini si dhe veprat e autorëve Kavafi e Kucie.
Muhamet Hamiti te vepra studimore “Bota letrare” (2024) ruan konceptin horacian “dulce et utile” ngase kur shkruan për fenomenet, autorët e veprat e mëdha të kanonit perëndimor, gjithnjë reflekton për ndikimin e tyre në botën specifike letrare shqipe. Vizioni për njohje të modeleve të forta artistike, të cilat nëpërmjet procesit të autentizimit shndërroheshin në kulturë letrare shqiptare, e përshkon intencën studimore të Muhamet Hamitit. Pra, libri “Bota letrare” (2024) merr edhe karakter komparatist.