Maji, muaji i regjisorit Muharrem Fejzo

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ia ka dedikuar muajin maj, nderimit të figurës së kineastit Muharrem Fejzo. Nesër mbushen plot 91 vite nga lindja e tij dhe pas premierës së filmit të restauruar “Gunat përmbi tela”, do të vijë një tjetër premierë në nder të artistit shumëplanësh të artit shqiptar.

Muharrem Fejzo-In Memoriam, është titulli i dokumentarit që regjisori Namik Ajazi ia ka kushtuar regjisorit Fejzo.

Dokumentari është realizuar në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe do ta ketë premierën ditën e nesërme në Kinema Millennium.

Regjisori Muharrem Fejzo u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare si pasojë e COVID-19.

Përveç se regjisor, ai ishte edhe skenarist e piktor dhe la pas një pasuri të jashtëzakonshme, që do t’u flasë brezave. Ka xhiruar 14 filma artistikë, midis të cilëve: Operacioni “zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979), “Muri i gjallë”./atsh/KultPlus.com

Reshat Arbana për vdekjen e Muharrem Fejzos: U shkëput një gjerdan i kinemasë

Aktori dhe interpretuesi i njohur, Reshat Arbana vdekjen e mikut dhe kolegut të tij në moshën 87 vjeçare, Muharrem Fejzos e ka cilësuar si një humbje të madhe për artin, shkruan KultPlus.

Përveç që i ka bashkuar rrugëtimi kinematografik, ata ishin edhe miq të mirë, duke ndarë edhe një skenë të përbashkët. Madje, Arbana regjisorin Fejzo e cilësoi si “gjerdan të kinemasë shqiptare”.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Reshat Arbanës:

“Humbja e tij, lajm i trishtë për artin. U shkëput një gjerdan i kinemasë shqiptare. Me Muharremin, kam luajtur te ‘Fijet që priten’. Ngushëllime familjes dhe të gjithë miqve të tij. Fejzo ishte një prej regjisoreve më të mirë shqiptarë. Ka qenë një prej miqve të mi më të mirë”, tha aktori Arbana./ KultPlus.com

​Vdes regjisori shqiptar Muharrem Fejzo, mjeshtri i filmit “Mësonjtorja”

Regjisori i njohur Muharrem Fejzo është shuar në moshën 87-vjeçare nga COVID.

Lajmin e trishtë e ka dhënë djali i tij, Joe Artid Fejzo me anë të një postimi në rrjete sociale.

“Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e stë dhashë dot një got uje, nuk mertiton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”,  shkruan ai.

Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Fejzo bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Ai gjithashtu kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit.

Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989./ KultPlus.com