Antigona e kujton Muharrem Qenën në përvjetorin e vdekjes

Vajza e tij e ka kujtuar sot në mëngjes me një gjest që nuk krahasohet me emocionin e vërtetë.

Antigona Qena, vajza e Muharrem Qenës, sot e ka kujtuar legjendën e artit shqiptar, në përvjetorin e vdekjes.

“Momenti shkrihet në kujtime,mallëngjyese në një ditë si kjo.
Një jetë e pasur nuk shuhet,vetëm se admirohet, por … sa herë lagjës kalojë nuk mundem pa u pikëllu…” ka shkruar Antigona Qena.

Me 25 shtator të vitit 2006 Muharrem Qena ndërroi jetë në Prishtinë.

Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist. / KultPlus.com

“Ku janë ato fusha ku ato kaçuba, vajza të bukura si n’vendin tim kund nuk ka”

Ka kaluar pothuajse një dekadë nga ikja e artistit të rrallë, Muharrem Qenës. Krijimtaria e tij artistike është e pasur me këngë të cilat edhe sot dëgjohen e si të tilla i kanë rezistuar kohës.

Sot po e kujtojmë artistin Muharrem Qena me këngën “Mallengjimi”, një prej këngëve më të bukura të bagazhit të tij muzikor, e cila flet për dashurinë ndaj vendlindjes.

Muharrem Qena vdiq më 24 shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe mëse 200 shfaqje teatrale./ KultPlus.com

Çdo gjë kalon në jetë, atëherë dhe dielli kur të lind… (VIDEO)

Muharrem Qena, një shpirt i veçantë që krijoi art në fusha të ndryshme, me zërin e tij na la disa këngë të cilat dëgjohen edhe sot.

Përtej këngëve, tekstet e tyre të cilat shpesh i shkroi ai vet kanë vlerën e tyre dhe tej emocionit janë edhe të thella dhe poetike.

A thu asht ma lehtë pa dhimbje
A thu ma bukur pa lot
A thu ti ke me u kthye
Dhe prapë me qenë na të dy
A thu me është fati i tillë
A thu gjithmonë me vuajtje
A thue ti dot më kthehesh
Dhe prapë me qen na të dy

Çdo gjë kalon në jetë
Atëherë dhe dielli kur të lind
Mbas diellit prapë shi do t’ ketë
Kështu asht me të vërtetë

Ndoshta të tillë e kam fatin
Ndoshta gjithmonë me vuajtje
Ndoshta ti kurrë s’do t’më kthehesh
Edhe kjo ngjan në këtë jetë. /KultPlus.com

‘Lamtumirë oj syzezja e ime, s’të harroj do t’më jesh në kujtime’ (VIDEO)

E shtuna është gjithmonë nostalgjike, dhe i njëjtë është kujtimi për Muharrem Qenën.

Një artist i kompletuar, Muharremi na la këngë të bukura të cilat duket se i rezistojnë kohës dhe viteve që ikin.

Sot po e kujtojmë artistin Muharrem Qena me këngën “Lamtumirë”, një prej këngëvë më të bukura të bagazhit të tij muzikor.

Muharrem Qena vdiq më 25 shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari.

Lamtumirë ti o e bukura vashë
unë do të vet tash o n nij o vend të largët.

Më vjen keq vasho që nuk u pamë
dhe pa m`dhanë besë vashë
na duhet të ndahemi,
por besoj se netët nuk na janë harru
t’përqafum që i kemi kalu.

Lamtumirë oj syzezja e ime
s`të harroj do t`më jesh në kujtime

por besoj se netët nuk na janë harru
t`përqafum që i kemi kalu

Lamtumirë ti o e bukura vashë
unë do të vet tash o nij o vend të largët.

Fotografi e rrallë e Muharrem Qenës dhe Melihate Ajetit (FOTO)

Muharrem Qena dhe Melihate Ajeti janë çifti i njohur shqiptar që i kanë kushtuar pothuajse tëre jetën e tyre skenës artistike, shkruan KultPlus.

Muharrem Qena ka shkrirë talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Karriera e tij regjisoriale numëron deri në 200 shfaqje teatrale. Bashkëshortja e tij, Melihate Ajeti- Qena ka qenë një figurë e shquar për bukurinë e talentin e saj të rrallë në aktrim, të cilin e demonstroi në teatër e film për 60 vite.

Ata të dy i kanë dhënë aq shumë artit shqiptar sa që edhe sot kujtohen për veçantitë e tyre artistike. KultPlus ju sjellë një fotografi të rrallë të këtij çifti./ KultPlus.com

Shfaqja e parë e luajtur në Prishtinë dhe fuqia e disa aktoreve (FOTO)

Në Prishtinë, teatri profesional (sot Teatri Kombëtar) është themeluar përfundimisht më 1948, ndërsa me 1949 ka filluar programi i rregullt, me dy-tri premiera shqip e serbisht.

Shfaqja e parë e luajtur në teatrin e Prishtinës është “Personi i dyshimtë” i Nushiqit, e përkthyer. Nushiqi nënën e ka pasur shqiptare, të grabitur prej një serbi të Maqedonisë. Serbët thonë se është serb, maqedonasit se është maqedonas, ne themi se e ka marrë mbiemrin e së ëmës – Nushës, një bareshë e bukur, e re, e rrëmbyer nga kaçakët, – rrëfen Vehap Shita, kritiku më i njohur i teatrit, që nga ditët e para të themelimit të tij, gazetar shumëvjeçar dhe përkthyes.


Lajde Sopi, Meli, Meribane Shala, Katarina Josipi

– Unë, kur kam shkruar për zhvillimin e teatrit, e kam marrë vitin 1930. Edhe atëherë janë dhënë shfaqje teatrale në gjuhën shqipe nëpër shtëpi nëpër oborre, kopshte.. Teatro amatore ka pasur edhe gjatë okupacionit. Në Prizren, për shembull, kanë qenë Tajar Hatipi, Mysafere Gjinali, Nuhi Sherifi, Xhemil Doda…

Në Prishtinë, rolin e parë kryesor e ka luajtur Shani Pallaska, amator i thjeshtë i ardhur nga Gjakova. Shaniu ka kënduar bukur dhe i ka rënë kitarës. Aktorët Abdurrahman Shala e Muharrem Qena kanë ndjekur Shkollën e Teatrit në Beograd, me profesorë shumë të zotët. Fillimisht regjisorët vinin nga Beograd. Muharrem Qena, në fakt, aktrimit ia ka nisur në Mitrovicë, mandej ka ardhur në gjimnazin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

E para aktore e Teatrit të Prishtinës ka qenë Meriban Shala, mandej Katarina Josipi, Melihate Ajeti, Musherefe Preka. / KultPlus.com

Burimi: Sanije Gashi – “Prishtina e fëmijërisë sime”

Katër fotografi të Muharrem Qenës, katër momente të dokumentuara të njeriut plot shpirt

Sot shënohen 11-të vite nga vdekja e Muharrem Qenës.

Një këngëtar, regjisor, shkrimtar e aktor, Qena la pas vetes një numër të madh të këngëve të cilat sot gjeneratat e ndryshme i dëgjojnë dhe i kultivojnë.


Saktësisht para 1 viti, Rebeka Qena – një prej vajzave të Muharrem Qenës, në një kërkesë të KultPlusit na dërgoi këto katër fotografi të Muharremit në etapa të ndryshme të jetës së tij.

Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist. Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930 në një familje që kontribuoi shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Qena ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale.

Kënga “Kaqurrelja” është kënduar për herë të parë nga Muharrem Qena dhe më vonë (80-ta) janë krijuar versione tjera të saj.


Muharrem Qena: Më leqitën për së gjalli

Intervistë e botuar në revistën “Fjala” më 1 janar 1982 :
Foto:Fahredin Spahija, realizuar në vitin 2006
“Për teatrin dhe për shumë gjëra të tjera”
Me Muharrem Qenën bisedoi Abdyl Bunjaku

I bindur se nuk ka nevojë të bëhet ndonjë prezentim i posaçëm, ngase mendoj se Muharrem Qenën, e njohin Iexuesit tanë, po edhe nëse ndodh që ndonjëri prej tyre mos të njohë Muharremin si aktor dhe regjisor të shumë pjesëve të Iuajtura në Mitrovicë, Prishtinë, Gjakovë, Prizren e gjetiu, edhe nëse nuk e njohin si autor të dramës “Bashkëshortët”, na e merr mendja se e kanë dëgjuar bile si këngëtar, duke kënduar këngën shumë të njohur ndër ne, “KaçurrjeIja”, ose ndonjë tjetër. Pra, po ia fillojmë me pyetje:
Çka do të thotë kjo heshtje: një njeri që shumë vjet ishte aktor, regjisor i dalluar, këngëtar dhe autor i një drame, kohët e fundit emri i tij figuron vetëm si redaktor i emisioneve humoristike në TVP. Edhe kjo nuk është punë e vogël, por a mos do të thotë kjo se “heroji është i lodhur” ?

Si ta marrësh: sa për fillim po them se njeriu si unë nuk mund “të heshtë” edhe pse po hasi në shumë pengesa, nuk mundem pa “çourdhitur”. Unë, sa për informim, para disa ditësh u ktheva nga xhirimi i filmit “Lepuri me pesë këmbë”, ku e luaj rolin e Dervishit. Pra nuk është heshtje totale. Nuk janë të pakët ata që pritojnë të punojnë me mua, sidomos shokët e TPK, sepse unë nuk i zvarris punët. Mua më lodh vetëm papunësia, sidomos kur duhet të punojë diçka që nuk ka të bëjë me krijimtari. Unë dhe zyrja — diçka apsurde! Po — kjo bënë të thuash “heroi është i lodhur”.

Po mirë, pse të mos i përmendim këto pengesa: cilat janë dhe kush i vë në rrugë?
Në rend të parë disa nga TPK, të cilët jo vetëm i harruan të vdekurit, ata që kanë merita për këtë teatër, por edhe të gjallët, si, bie fjala, Shaban Domin, i cili si pionier i këtij Teatri kontribuojë shumë, sa diti dhe sa mundi, në afirmimin e kësaj shtëpie, mandej disa shokë të Dramës serbe, e cila lash, mjerisht, është nën nivelin e lejueshëm për një Teatër profesionist, kur dihet se dikur ishte ndër dramat më të njohura në Serbi, siç janë Millutin Jasniqi. D. Radepkoviqi, D. Todiqi e të tjerë, të cilët ishin pedagogë dhe mësues tanë, regjisorët e parë që punuan me ne. Ndër të harruarit, pra, më shpallën edhe mua, dhe kështu më leqitën për së gjalli.

Teatri për mua ishte dhe mbeti dashuria ime e madhe. Punën në teatër e fillova në moshën kur njeriu ka shumë ëndrra, shumë dëshira dhe punën e merr me shpirt e pahile. Të gjitha planet e mia i lidha me Teatrin Krahinor, ku gati si fëmijë, më sollën si talent të dalluar, si njeri të nevojshëm, duke ma ndërprerë kështu shkollimin e filluar në Beograd. Pra edhe unë jam ndër të parët që ia filluam punës në Teatrin Krahinor në Prishtinë. Po theksoj — në Prishtinë, ngase shpesh harrohet se ky Teatër ka punuar edhe në Prizren. Sot, kur e kujtoj atë rrugë jetësore, takimin me Teatrin, me çfarë dashurie e entuziazmi punonim unë dhe shokët e mi, bëj krahasime dhe ndjej dhembje kur shof se ka shumë aktorë të rinj që bjerrin kohën kot dhe kënaqen vetëm me faktin se gjenden në TPK, pa marrë parasysh se ka aktorë që nuk kanë luajtur asnjë rol pesë gjashtë sezona.

Një detaj nga puna e atëhershme?
Pas premierës “Zjarri dhe hiri” të M. Pucit, në regjinë e A. Shalës, pra, ishte sezoni 1950/51, unë dola prapa skenës dhe fillova të qaja. Erdhi dhe më gjeti drejtori atëhershëm, M. Jasniqi, dhe u habit për këtë mbasi unë kisha luajtur një rol të mirë. I përlotur e shikova dhe i thashë: deri kur do të luajmë para kaq pak vetësh, sepse i pata numëruar shikuesit në sallë ishin vetëm 52 vetë. Ai nuk u habit për gjestin tim por ma ktheu: “Do të vijë dita Muharrem kur edhe anëtarët e Dramës shqipe të kenë sallën plot e përplotë. Asokohe Drama serbe kishte sallën plotë kurse ne vetëm 50-60 vetë, bile ,edhe shumë prej tyre nuk e dinin gjuhën por vinin të shihnin si Iuajmë. E, ku e ka zanafillën kjo mosmarrëveshja me Teatrin Krahinor. Pse qe disa vjet nuk jeni i pranishëm aty? — Është thënë: i patalentuari është i talentuar për të penguar të talentuarin. Edhe unë hasa shumë pengesa giatë punës në Teatër dhe, mjerisht, pengesa këto të kurdisura nga kolegët, nga shokët me të cilët jam përpjekur të ndajë të mirën dhe të keqën. Banale janë disa arsyetime: “Muharremi është i talentuar por pi” flitej e kur e lash alkoholin: “Muharremi nuk po pi dhe nuk mund të krijojë” —flitej. Thuase duhet të pish për të krijuar. Paradoks apo jo! Njëherë më patën larguar nga Teatri laramanët, ata që i pengoja. ngase nuk di dhe nuk mund të pajtohem me padrejtësitë dhe dallaveret që bëhen. Këtë kohë unë shkova në Mitrovicë herën e dytë, po të njëjtit ma prunë punën aq ngushtë, sa u detyrova ta lëshoja këtë teatër të shkoja në Prizren, ku, dihet, u nisa me shumë plane dhe dëshira. Mjerisht, në Prizren nuk më doli puna ashtu si shpresoja dhe si më premtuan kështu që edhe një komunë me madhe siç është Prizreni nuk pat mundësi ta mbante një teatër të vogël. U detyrova të kthehesha në Prishtinë dhe të përpiqesha disi të gjendesha. Asokohe kisha oferta të shkoja në punë në disa Teatro në Jugosllavi, e bile edhe në Kajro. Unë, dihet, mbeta në Prishtinë.

Po, mirë, ndodhi çka ndodhi, veç pas kthimit nga Prizreni është dashur të trokisësh në dyer e Teatrit?
Diçka e pamirë ngjau me Qenajt: E vetmja aktore që ka kryer akademinë është motra ime, M. Qena e për të, në atë kohë, për shkakun tim, nuk u gjet vend në Teatër, ndërsa pranoheshin fillestaret. Kështu ndodhi edhe me gruan time: ajo pas kryerjes së shkollës për aktore u bë anëtare e këtij kolektivi e pastaj ia mbyllën derën edhe asaj dhe nja 4-5 vjet mbet jashtë teatri. Tash punon aty, por, mjerisht, si shumë aktorë të tjerë, nuk angazhohet sa duhet. Unë, ç’është e vërteta, edhe sot e kësaj dite nuk shof këtu atmosferë pune krijuese. Punët kryhen vetëm sa për të thënë se janë kryer. Bëhen improvizime vetëm sot për nesër.

Ndoshta do të duhej që deklaratat e herëpashershme të faktorëve të Teatrit se Muharremi do të kthehet në Teatër të mirren edhe si mirënjohje për punën që ke bërë aty. Po përmendim vetëm faktin se ti je i vetmi fitues i Shpërblimit në Sterje, ku përkundër shumë përpjekjeve – as nuk mundën të marrin pjesë pastaj “Erveheja” e të tjera. Këto duhet të jenë cytje për bashkëpunim ?
Më duhet të them se është bërë fjalë për bashkëpunim por kanë mbetur velëm fjalët. Njëri nga drejtorët e Teatrit njëherë pat shprehur dëshirën që unë të punoja diçka në TPK. Asokohe isha në Prizren dhe pa përtesë me shumë dashuri e dëshirë u gjenda në Prishtinë. Shokun drejtor e prita tetë orë në vendin e caktuar e ai shëtiste me një shok tjetër atypari dhe gjoja nuk gjente kohë për të biseduar me mua, për atë për të cilën duhej të ishim të interesuar të dytë. Merrnie me mend këtë situatë! Edhe të tjerët kanë deklaruar se duan të bashkëpunojnë me mua e unë mendoj se këtë e kanë bërë për hir të disa aktorëve që përherë janë të gatshëm të luajnë në pjesët që i përgatisë unë.

Më vjen keq për këto që kanë ndodhur, po tash kisha dashur ta lëmë pak anash qëndrimin e disave të TPK ti flasim përgjithësisht për, situatën në dy teatrot tona, pasi dihet se Teatri i Gjakovës edhe ka startuar me ty?
Përgjithësisht mendoj se mungon puna permanente. Disi frikësohen se mos ndonjë aktor me një rol do të bëhet yll i Teatrit. E dihet, se aktori gjatë një sezoni duhet të luajë katër pesë role. Edhe sa i përket publikut – nuk është shtuar numri i spektatorëve, bashkë me shtimin e numrit të intelektualëve.

Pse është kështu?
Mendoj se kjo është pasojë e faktit se teatri ka caktuar një rrugë të veten, e cila nuk është edhe rrugë e publikut, e mjedisit në të cilin punon ky teatër. Në teatër nuk duhet të përgatitej një pjesë vetëm për shkak se një aktor dëshiron la luajë rolin kryesor në të. Gjatë caktimit të repertorit shpesh shprehen edhe disa “apetite” të mëdha. Gjithkush don që në skenë të vërë një vepër të ndonjë shkrimtari të njohur, ndërsa nuk mendon se a ka “kaçik” ta luajë atë, se a ka publik që do ta pranonte dhe kuptonte atë eksperimentim, i cili për mua nuk është gjë tjetër pos – ikje nga kualiteti. nga puna serioze. Është edhe një e vërtetë tjetër që është lënë aq herë, sa sot na duket banale: mungesa e teksteve origjinale. Një mijë herë është thënë dhe është vërtetuar se – një teatër nuk mund të afirmohet, nuk mund ta ketë publikun e vet pa i siguruar edhe tekstet origjinale. Unë, si regjisor jam përpjekur të bëj diçka në këtë drejtim dhe kështu i vura në skenë pjesët “Sikur t’isha djalë”, “Besa”, “Nuk martohem me para”, “Erveheja”, e të tjera. Mund të them se publiku i ka pritur shumë mirë këto tekste, por unë mendoj se nuk janë shfrytëzuar mirë as ato që i kemi. Nuk i kemi stimuluar shkrimtarët të shkruajnë, nuk i kemi afruar ata që ta njohin më mirë teatrin. Prapë po them se Teatri Krahinor duhet ta ketë një “Hotel Kashta”, një “Kryet e hudhrës”, por nuk duhet të mbesë në nivel të tyre.
Mirëpo, flitet edhe për krizën e teatrit. Thonë se filmi, e sidomos televizioni, ia mbylli derën teatrit?
Për krizën e teatrit është folur dhe para paraqitjes së filmit dhe televizionit. Është temë e vjetër kjo. Mendoj se teatri e ka vendin e vet edhe pas zhvillimit të këtyre mediumeve, ngase është i vetmi art që sublimon, që sintetizon të gjitha artet e tjera dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë komunikon me publikun, pra bën ndikim te shikuesit si asnjë tjetër.
Njëherë, jo fort moti, kemi pasë biseduar lidhur me teatrin për fëmijë. Pate thënë se ky është borxhi ynë i madh ndaj fëmijëve në Prishtinë?

Ashtu them edhe sot dhe e përsëris një gjë që më habit shumë: e kishim teatrin e fëmijëve në atë kohë kur ishim shumë më të varfër me mjete dhe kur për kulturën tonë ndanin shumë pak mjete. Pse nuk e kemi sot? Pa teatër për fëmijë nuk mund të kemi as teatër, si duhet, për të rritur. Ai edukon brezin e ri për ta dashur dhe çmuar artin e skenës. Dhe, çka është më e çuditshme të gjithë e njohim këtë nevojë e askush nuk thotë se koha është ta formojmë këtë teatër! Forca ka por lipset organizim, në mënyrë që në të, në teatrin e fëmijëve, të gjejnë punë ata që e duan punën e jo vetëm udhëheqjen.

Folëm për tekstet origjinale të teatrit. Këto ditë del nga shtypi drama jote, dikur e shpërblyer në konkursin anonim të revistës “Jeta e re” – “Bashkëshortët”. Pse nuk e vazhdove këtë rrugë?
Më vjen mirë që po botohet kjo dramë, por do të më vinte shumë më mirë sikur të kisha botuar ndonjë tekst të ri. Sa për “Bashkëshortët” – që janë luajtur në Mitrovicë, Prishtinë, Shkup, Ferizaj e në qytete të tjera, sot me siguri do të ndryshoja shumë gjëra sikur unë ta vënia në skenë. Por, nejse. Pse nuk vazhdova: po filluan të shkruajnë shumica e njerëzve që i dinë 36 gërma… Po mahitem pak…Vërtet. Pata filluar të shkruaja por që në fillim hasa në disa pengesa e tash, sa më i pjekur që jam, aq më autokritik jam dhe disi më mungon guximi ti publikojë ato tekste që i kam, siç është një dramë e titulluar “Hoxha me tri fletë” e të tjera. Ka kohë që më mundon një temë që si ta them, e përjetova unë vetë: alkoholizmi. Kush e di çka do të bëhet prej saj.
Biseduam për teatrin dhe për shumë gjëra të tjera rreth tij. Mendoj se është mirë la përmendim edhe — muzikën. Ti edhe në këtë lëmë ia pate filIuar punës?
E desha dhe e dua — kitaren. U mësova të luaja në të, ashtu si pahiri, dhe duke u bazuar në melosin e popullit i komponova disa këngë. Edhe ato pa i ditur notat. Ato edhe i këndova. si zakonisht, në shoqëri, kafene, ndenja e edhe në radio. I dua ato këngë dhe i këndoj me kënaqësi të posaçme. Më vjen keq që nuk janë inçizuar si disqe. U kanë pëlqyer edhe njerëzve dhe më ka ndodhur shpesh ti dëgjoja ata duke i kënduar apo – fishkëlluar. Le të fishkëllojnë…

Në fund, duke të falenderuar për bisedë, më intereson ta di mos ke ndonjë dëshirë, kërkesë?
Shpresoj se nga gjithë kjo bisedë e gjatë do të herren disa gjëra për – gazetë. Shumë gjëra folëm, shumë dukuri i përmendëm dhe e keqja është që shumë probleme që i përmendëm sot i kemi përmendur edhe më parë, dhe jo vetëm ne, por të gjithë të tjerët. Megjithatë mendoj se bëmë mirë që folëm për to pasi duhet të shpresojmë se do të bëhen ndërrime që do të shpiejnë një hap përpara kulturën tonë, e posaçërisht jetën tonë teatrore./KultPlus.com

Me këngën “Oj Hanë” përkujtohet Muharrem Qena (VIDEO)

Kënga “Oj Hanë”, e kënduar nga Muharrem Qena është risjellë edhe nga familja Qena, vite më parë, dhe po me këtë këngë, kjo familje kujton ikjen e aktorit të njohur, qysh në vitin 2006, shkruan KultPlus.

“Nuk i ke dashur përkujtimet e zakonshme, por nuk ke qenë njeri i zakonshëm. Të kujtojmë dhe të duam përgjithmonë; familja, ëndërrimtarët, të dashuruarit, të mallëngjyerit, ata që shijuan pjesë të krijimtarisë tënde apo ata që patën nderin të njohin copëz të shpirtit tënd të ndritshëm…

Muharrem Qena 22.06.1930 – 25.09.2006”, kanë shkruar familjarët e Muharrem Qenës. Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist. Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930 në një familje që kontribuoi shumë për artin kosovar.

Regjisor i shumë dramave, e filmave dokumentarë e televizivë. Muharremi ishte nismëtar i punës së teatrove në Prizren, Gjakovë, dhe Gjilan. Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese në frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan dhe u falën kënaqësi shumë brezave. Ka tri vajza, një djalë dhe pesë nipa. /KultPlus.com