Nga Isak N. Bilalli
Muharrem Sylejmani (1954-2021)
Aspak e lehtë, të shkruash dhe të shpalosësh krijimtarinë e bohemit të heshtur Muharrem Sylejmani, një nga mjeshtërit e mëdhenj të fjalës në skenë, si aktor e regjisor i dalluar për mprehtësi dhe elokuencë i cili prodhoi art cilësor deri në grahmën e fundit. Përkalimi i tij në amshueshmëri, vazhdon të përçojë nostalgji tek të gjithë ata që e kanë njohur, por boshllëku më së shumti ndjehet në Teatrin e Qytetit që frymon me mungesën e liderit të tij, respektivisht pa mjeshtrin e madh të skenës.
Skenës vërtetë i mungon Muharrem Sylejmani
Për zbrazëtinë që ka krijuar i ndjeri, të gjithë pa përjashtim sikur ndalen dhe marrin frymë thellë apo kërkojnë fillin për të vërtetuar që Muharremi apo Muja, siç e kanë thirrur shumica e anëtarëve te shtëpisë/teatrit, ishte i përmasave jo të zakonta dhe sikur ndjehet që pa të gjerat janë më të vështira, fakt i pranuar katërçipërisht. Fakt tjetër është që komuniteti artistik shprehet borxhli ndaj krijimtarisë së tij, jo vetëm tani por edhe sa ishte gjallë, që nuk ia bëri sajginë mjaftueshëm maestros së skenës, i cili nga dita e parë që shkeli dërrasat e teatrit, dhuroi edukatë, kulture, e art të mirëfilltë. Muja, ishte kërkues pasionant, vrojtues i heshtur dhe njeri shumë fisnik, që vazhdimisht ka reflektuar qytetari dhe vlera të larta njerëzore dhe këto virtyte i gërshetonte me punë të vazhdueshme pa bërë zhurmë, duke qenë i prirur të mbetej gjithmonë modest deri ne skajshmëri.
“Modestia është virtyti më i lartë njerëzor që kultivohet dhe jetësohet më së miri përmes artit”, ishte një farë mënyre postulat i tij që e kam shkoqitur nga bisedat e gjata që kam pasur me të ndjerin në përpjekje për ta kuptuar më mirë frymëzimin e tij si artist, krijues, mësuese mik, nga e cila shprehje bazuar në njohjen personale dhe lojën në skenë, po mundohem ta shtjelloj dimensionin e trashëgimisë që ka lënë pas ky mjeshtër i madh i skenës. Muharrem Sylejmani ishte një artist me shpirt të madh, njësoj siç është dhe krijimtaria e tij.
Çfarë e ka bërë të ndjerin të ishte artist i kalibrit të lartë?
Serioziteti, pasioni dhe pedanteria në punë, kanë qenë binarët mbi bazën e së cilës i ndjeri ka krenuar rolet e tija, veçori që e kanë bërë atë të jetë ndryshe nga të tjerët por më e rëndësishmja është se personazheve të tij, ai i ka dhënë shpirt, i ka bërë t’iu rrah zemra fort. Falë dhuntive të tija ai ka komunikuar me publikun jo vetëm me fjalë, por me tërë qenien e tij, madje kur ka qenë nevoja ka folur vetëm me shikime. Ka qenë zotësia e tij për të lexuar saktë, drejtë dhe shpejt, përgjegjësitë e tija skenike ndaj dhe në vartësi të kornizës regjisoriale, ai ka ditur të punojë rolet në konformitet me rrethanat, sa me daltë e çekiç por aq dhe me mellë në latimin sa më ideal të tyre.
Kur jemi të mënyra se si i punonte rolet, duhet theksuar se ai ishte nga të rrallët që shquhej për mprehtësinë intelektuale dhe zgjuarsinë e veçantë për t’u thelluar në ndërtimin e tyre duke spikatur dritëhije jo të zakonshme që kanë reflektuar përmes detajeve dhe finesave të cilat publiku e kritika gjithmonë e kanë vlerësuar me nota superlative. Artdashësit dhe kritikët e kanë cilësuar atë, si aktori më i mirë që ka arritur t’i paraqes publikut brendinë e karaktereve, respektivisht ka shpalosur shpirtin e vërtetë të personazheve që ka luajtur dhe këtë ia ka mundësuar në radhë të parë dashuria e madhe për skenën dhe zotësia e tij për t’i servirur publikut realitetin dhe mesazhin pa filtra.
Aktrimi i tij ka qenë vlerësuar si më i natyrshmi që shpeshherë publiku ka harruar se është në sallë por është ndjerë sikur ndodhet në ambientet e “botës reale” të personazhit. Kjo ka qenë mjeshtëria e jashtëzakonshme që i ndjeri e ka poseduar dhe për këtë zotësi konfirmojnë edhe kolegët, te cilët pohojnë se gjatë lojës, me raste janë zënë gafil në reagim sepse ai ka qenë jashtëzakonisht bindës dhe real në skenë, duke i tërhequr aktorët dhe publikun plotësisht në përjetimin e ngjarjes skenike.
Një nga kolegët, tash në moshë të shtyrë, dëfton që në një nga rolet- roli i të burgosurit, Muharremi kishte arritur të fuste frikën në palcë kolegëve, të cilët gjatë shfaqjes kishin fituar përshtypjen se ai vërtetë kishte lajthitur mendërisht sa që në një moment ishin tunduar ta ndërprisnin shfaqjen për të “shpëtuar” respektivisht për ta qetësuar aktorin (të ndjerin). Bashkëaktorët e përshkruajnë njëzëri si një amortizues një skenë që ka ditur t’i ofrojë partnerit ndjesinë e stabilitetit sepse në çdo situatë, ai ka ditur jo vetëm të gjej aty për aty zgjidhje por, dhe ka arritur të mbulojë çfarëdo lloj krize pasigurie që mund ta kenë kapluar dikë nga ekipi. I ndjeri, jo vetëm që ka ditur të vallëzojë më së miri, por ka udhëhequr vallen që në momentin kur i ka shkelur këmba në skenë duke e ngritur dhe ringritur shfaqjen në nivele të kënaqshme dhe gjithçka ka realizuar pa kuptuar publiku rrezikun apo ekzistencën e rënies së nivelit të shfaqjes. Muharremi ka ditur, jo vetëm të mbajë ritmin e shfaqjes në nivelet e dëshiruara por ka pasur aftësinë të rris intensitetin sikur të ishte kuzhinier që dinte të bënte gjellën me kripe e të hidhte kripen me kararin e duhur.
Këto lloj tipare të veçanta dëshmojnë dimensionin e madhështisë së të ndjerit por që nuk mund të përshkruhen detajisht në një shkrim si ky, por janë pikërisht këto elemente që kanë bindur ustallarët e skenës të preferonin të ndjerin, gjithnjë për role kyçe sepse ai ka ditur t’i dhurojë natyrshmërinë çdo lloj roli, të cilat i ka realizuar me përkushtim dhe dedikim maksimal.
Frymëzues për kastën e artdashësve të rinj
Ai asnjëherë nuk ka pasur qasje vetjake lidhur me dashurinë që kishte për skenën sepse ai dëshironte në çfarë do rrethane ta ndante pasionin e tij me të tjerët, sidomos me aktorët e rinj që vinin në teatër. Axha Muharrem, siç e thërrisnin të rinjtë, ka pasur nuhatje të shkëlqyer në identifikimin e talenteve të rinj dhe në njëfarë forme ka bërë babain për të gjithë sepse ai ka ditur të shtrije fije afruese me të gjithë që kanë shfaqur shkëndija alkimie të vërteta me Teatrin. Duke qenë i tille, Muharremi mbetet miku i përjetshëm i të gjithë aktoreve që erdhën në teatër të qytetit dhe sot janë pjesë e komunitetit artistik të Kosovës.
Ai nuk ka ditur kurrë të miklojë, respektivisht nuk ka bërë lajka me askënd, por duke qenë selektiv dhe nuhatës i vlerave tek ata që vërtetë kanë shfaqur dëshirë të theksuar për t’i kontribuar skenës, ai pa hezitim iu është vënë në ndihmë dhe ka asistuar pa kushte. Kjo lloj marrëdhënie e ndërtuar ka qenë e ndërsjellë sepse të gjithë i janë gëzuar kësaj marrëdhënie të shëndoshë ta quaj “brenda familjare” që është iniciuar dhe ushqyer në vazhdimësi nga i ndjeri, prandaj ka qenë i dashur për të gjithë dhe me të gjithë.
Muharremi ka qenë urtak, natyrë e qetë, i heshtur, por substanca e tij ka qenë shpërthyese, brendi e cila ka patur vullkane e shkëmbinj të fortë dhe të palëkundur, ndaj dhe këto atribute janë dalluar vetëm nga ata që kanë ditur ta ngacmojnë dhe ta lexojnë drejt shpirtin e tij kërkues. Ai, në të vërtetë ka qenë një karakter tejet i fortë sa i përket parimeve dhe objektivave që ka parapërcaktuar por në të njëjtën kohë ka patur durim të jashtëzakonshëm për të arritur tek destinacioni i synuar. Duke qenë i tillë, ai nuk ka mëtuar te arrij çmimet prestigjioze, vlerat monetare apo promovimin i tij individual, por ka synuar vetëm ngritjen e vetëdijes kulturore dhe njohjen e vetvetes përmes artit. Kjo fisnikëri dhe zgjuarësi ka bërë qe ai të kishte dhuntinë të ishte lexues i shpejtë i situatave dhe rrethanave dhe këtë e reflektonte në punën e tij ditore në prova në skenë dhe kudo ku ka krijuar. Ai me çdo kusht është munduar që këto vlera t’i bashkëndajë me këdo që dashuronte teatrin, skenën dhe artin në përgjithësi. Mjeshtëria dhe shkathtësia në interpretimin skenik tek i ndjeri kanë qenë atribute të pamohueshme por duhet të vihet në spikame fakti që ai aq sa ka qenë i njohur si realizuesi brilant i roleve të mëdha aq suksesshëm njihet për lojën skenike në role të vogla dhe ka ditur të lundrojë të gjitha zhanret artistike. Kritika e ka vlerësuar ndër vitesh si mjeshtër i pa-zavendësuar i komedisë por me të drejtë e ka cilësuar si aktori me eminent i tragjedive.
Muharrem Sylejmani ka qenë në gjendje që në vartësi të shfaqjeve në repertoar, në komedi, ka mundur të bëj të qeshësh dhe po ashtu kur ka luajtur në tragjedi të ka bërë të qash, në të dyja rastet me lot.
Aftësia për tu transformuar ka qenë një dhunti tjetër qe i ndjeri i ka realizuar deri në detajet më të vogla duke i servirur publikut atë qe e ka merituar por duhet pranuar se realizimet e tija me raste kanë prekur kufijtë e të pamundurës. Ai ka pas fuqi të tillë kreative që vështirë të gjenden tek aktorët e tjerë ndaj dhe është e vështirë të arrihet vetëm me punë, niveli profesional që ka prekur i ndjeri. Mbase arritja e nivelit profesional tek Muharremi është realizuar gjatë moshës se tij rinore por sfidë më e madhe në këto raste është ta mbash nivelin e lartë pa rënë nga ky piedestal.
Muharremi ka arritur të dallohet lehtësisht si më i veçuari, me i dashuri i publikut dhe me e rëndësishmja gjatë gjithë karrierës së tij, ka arritur të qëndroje në majat e suksesit si mjeshtër i madh i skenës.
Virtuoz si artist, por dhe një njeri me integritet të lartë qytetar
Aq sa ishte madhështor në skenë, Muharremi ishte po aq i afërt dhe me këmbë në tokë në jetën post-teatrum. Atë e shoqëronte si hije modestia ndaj dhe ky tipar i jepte avantazhin të dallohej si njeri me vlera të larta njerëzore e qytetare.
Ai nuk fliste kurrë për punën e tij mjeshtërore, madje i shmangej komplimenteve sepse kujtoj që e dinte me saktësi çfarë i kishte ofruar publikut ndaj dhe preferonte të largohej nga tavolinat e lëvdatave. Muharremin, askush nuk e ka dëgjuar të ketë ngritur zërin për diçka, jo se është pajtuar me gjithçka dhe me çdokënd por ai ka zgjedhur të mos bërtas dhe të shpreh kundërshtinë me qetësi duke vërë në pah qytetarinë e urtësinë që e ka pasur të gravuar si pjesë e ADN-së së tij. Ai me shumë takt ka shfaqur kujdesin dhe respektin që ushqente për njerëzit, pavarësisht se dikush mund të ketë ngulmuar me mendim ndryshe, me qasjen e tij ka arritur që çdo situate edhe të gravuar ta melmësojë dhe ta mbyllë me zgjidhje civile.
Njerëzorja, respektivisht natyra e tij altruiste ndaj teatrit ishte vetja e tij që ne e pamë në skenë.
Rruga e përshkruar drejt majave të suksesit
Në njëfarë mënyre, krijimtaria e tij ka shumë pika takimi me historikun e vetë Teatrit të Gjilanit sepse janë fillim vitet e ’70-ta, kur ky institucion me ardhjen Muharrem Shahiqit dhe Fetah Mehmetit nga Teatri i Kombësive të Shkupit fillon punën profesionalisht, në këtë kohë Muharremi, edhe pse në moshë fare të re orientohet të vihet në shërbim të këtij institucioni dhe i bashkohet karvanit të artbërësve Gjilanas.
Ishte vendimi i tij i bazuar në vullnetin e palëkundur të ndërpriste studimet për Ekonomi në Leskovc dhe të merrte vendimin te kthehej në Teatrin e Qytetit dhe t’i bashkohet shfaqjes ”Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” 1976, shfaqje e cila theu akullin për të qenë jo vetëm një shfaqje e zakonshme por shfaqja që lansoi epokën e themelimit të teatrit. Realisht ky realizim shënon edhe fillimin e zhvillimit të teatrit dhe të karrierës në ngritje të shumë të rinjve që filluan karrierën artistike përfshirë edhe Mujën.
Vetëm pjesëmarrja në kompeticionet Krahinore, Republikane dhe Federative të Teatrove nuk ishin synim përfundimtar i të riut Sylejmani por nën siglën e Teatrit të Gjilanit, ai ëndërronte të sfidohej me të gjithë zanatlinjtë e Jugosllavisë së kohës, sfidë e cila e motivoi atë të arrinte aty ku, pak njerëz besonin se mund të ngjitej. Po e shkëpus një rrëfim nga Hysen Këqiku, veteran i arsimit po edhe i teatrit. “Në vitin 1979, Teatri gjysmë profesional i Gjilanit vuri në skenë dramën “Aradha qiellore” autor i së cilës ishte George Leboviq nga Beogradi. Para se të shkonte shfaqja ne konkurrim në Garat e Teatrove Amatore në Kullë të Vojvodinës, kjo drame u shfaq në Beograd. “Salla e Universitetit të Punëtorëve ishte përplot spektatorë, në fillim fare, ulur në një kolltuk edhe autori i dramës. Kur e mbaruam, publiku u ngrit në këmbë me duartrokitje. Një burrë thatanik dhe me shtat të gjatë u ngjit në skenë duke zënë vend në mes aktorëve gjilanas. Publiku e rriti aplaudimin për ta nderuar edhe autorin e dramës, duke ia imponuar që ta thotë ndonjë fjalë. Ai për nja tre hapa u largua nga grupi i aktorëve dhe nga përshtypja e tij tha: “Të dashur spektatorë, dola dhe u futa në mes kësaj trupe të shkëlqyeshme dhe sinqerisht sonte e përjetova kohën kur isha në krematoriumin gjerman të Aushficit, e përjetova se ishin aq të natyrshëm sa më rrëmbyen të tërin dhe më futën po në atë gjendje që e kam përjetuar”. Autori i tekstit Lebovic foli për rolet me theks të veçantë për rolin e Muharrem Sulejmanit, i cili, sipas tij, shkëlqeu duke i dhënë skenës atmosferë përjetimi, sikur te ishte ne krematorium.
Muharremi, me këtë rol arrin të stoliset me medalje ari në Festivalin Republikan te Teatrove në Kullë të Vojvodinës, për rolin më të mirë të realizuar. Tashmë ishte bërë e qartë për shfaqje-bërësit e kohës se çfarë thesari ishte Muharremi ndaj dhe u piketua si një nga talentet më premtues të skenës e për rrjedhojë nuk rendën së besuari tek ai me role më komplekset dhe më të vështirat, të cilat ai i realizoi duke mos zhgënjyer asnjërin prej tyre, por më me rëndësi ai nuk e zhgënjeu kurrë publikun.
Medalja e artë ne Kullë të Vojvodinës ishte vetëm fillimi
Roli me i realizuar në karrierën e tij është padyshim ai i Princit në shfaqjen “Princi i Hijeve” nën regjinë e Ruzhdi Mehmetit me të cilin rol i ndjeri arriti të rrëmbejë çmimin e parë në Jugosllavinë e kohës ku u stolis me “maskën e artë” në këtë kompeticion Federativ të Teatrove. Ky vlerësim, respektivisht “Maska e Artë” e fituar në Trebinje për rolin më të mirë, e patë bërë atë shqiptarin e vetëm që kishte arritur të marr këtë çmim. Krahas shpërblimit të tij, teatri i Gjilanit me këtë shfaqje u shpërblye si me e mira për regji, kostumografi, dhe muzikën më të mirë. Kjo shfaqje me çmimet që u stolis e ngriti në nivel serioziteti dhe vlerësimi maksimal për herë të parë artin Kosovar dhe ndryshoi perceptimin nënvlerësues për teatrot e Kosovës në nivelin federativ në Jugosllavi dhe në veçanti u vlerësua realizimi brilant i të ndjerit ne rolin e princit. Kjo garë e madhe, e teatrove të Jugosllavisë e bëri emrin Muharrem Sylejmani dhe të trupës se Teatrit të Gjilanit të ishin dy emrat që u lakuan më së shumti në qarqet artistike dhe mediatike të kohës ngaqë ky ishte çmimi më i lartë që kishte pranuar një Teatër dhe një aktor që vinte nga Kosova.
Atëbotë ishte e pazakontë të përzgjidhej për rol kryesor një princ thatanik, jo i gjatë sepse trendi i padiskutueshëm ishte të ishte dikush trupmadh e fjalë pak, por Princi i Kosovës ishte ndryshe ndaj kishte mbetur gjithçka në mizanskenë dhe në rëndesën e fuqisë së fjalës në skenë qe i ndjeri e kishte përpunuar edhe në detajet më të vogla. Ata që kanë patur fatin të ndjekin këtë shfaqje e përshkruajnë si shfaqjen më milimetrike të realizuar ndonjëherë dhe kanë parë një Princ te përmasave Shekspiriane që ka arritur ta mbajë publikun as ulur e as në këmbë nga fillimi deri në rënien e perdes. Pas këtij festivali, Muharremi vazhdoi të jetë fabrikë e prodhimit të roleve kryesore dhe të vazhdonte të ishte aseti më i kërkuar dhe më i dëshiruar për krijuesit, regjisorët e artë bërësit jo vetëm në Gjilan por edhe më gjerë.
Fatkeqësisht, intervali kohor ishte i shkurtër për të vazhduar me krijimtari të tillë monumentale sepse vitet e ’90-ta po sjellnin re të zeza në qiellin e Kosovës, të cilat prekën shpirtin dhe funksionimin e teatrit dhe të krijimtarisë së artisteve, sepse me fillimin e dhunës e të diskriminimit në çdo pore të jetës, nga regjimi shkatërrues i Serbisë, Teatri ishte halë në sy dhe objektivi i parë për eksterminim.
Këto vite ishin më të rëndat për Teatrin, por aq ishin të rënda dhe të vështira për të ndjerin sepse ai e përjetonte rëndë rrënimin institucional si rrjedhojë e aplikimit të masave të dhunshme në teatër, por nuk ndaloi. Muharremi i dha vetes detyrë që aktiviteti teatral në Gjilan të mos ndalojë dhe bashkë me kolegët dhe artistë të tjerë vendosi të mos heshtë. Gjatë kësaj kohe ai u be pjesë e teatrit lëvizës “Aleksandër Moisiu” duke realizuar shfaqje në ambiente improvizuese, vetëm e vetëm që publiku të mos mbetej pa ushqim shpirtëror. Këto shfaqje ju paraqitën publikut nëpër shtëpi të kulturës në fshatra, nëpër shkolla e ambientet tjera, ku sajoheshin kushte minimale për shfaqje.
Ishte kjo periudha kur familjet Kosovare përballeshin me sfida ekzistencializmi kur mungesa për gjithçka ishte ulur këmbëkryq në sofrat tona dhe në rrethanat e tilla, Muharremi si shumë kolegë të tjerë siguronte bukën e gojës si taksigji dhe në kohën sa priste udhëtarët mësonte tekstin e shfaqjeve që përgatiteshin për t’ia ofruar publikut ushqim shpirtëror. Në rrethana të tilla të vështira gjendej Teatri bashkë me njerëzit që e mbanin në këmbë këtë tempull kulture të cilët vazhdonin të prodhonin shfaqje kundrejt presionit e dhunës së ushtruar ndaj tyre.
Muharremi ishte nga ata që në çdo shfaqje që luhej edhe ne rastet kur luhej komedi ai gjente hapësirë dhe i drejtohej publikut gjysmë privatisht që mos t’i kaplojë kota, sepse është koha kur kërkohet zgjim e rezistencë ndaj regjimit që synonte të shkatërronte artin e kulturën shqiptare. Shembull tipik është rasti ne rolin e plakut matuf në një nga komeditë e luajtura pas vitit “90-të, roli e obligonte të largohej nga skena shumë i nevrikosur, Muharremi ndalet tek dera dhe të qeshurat e publikut i sheshon me tekstin e tij privat “po rrini kot këtu, shihni Tugjmanin kërrsh po bon” sentencë që e bukosi publikun për një moment por e bëri të mos harrojë që orët e rezistencës po vinin. Ai ishte koshient se çfarë do të ndodhte të nesërmen sepse edhe ashtu ndodhi, inspektorët e sigurimit e pritnin tek dera për të ushtruar dhunën e tyre hibride psikofizike në përpjekje për ta detyruar të mbyllte gojën në skenë, por Muharremi nuk heshti.
Puna e tij vazhdoi në skenë(të improvizuara) deri në filmimin e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë.
Periudha e pasluftës, kapitull i ri në krijimtari
Në vitin 2001 u arrit që Teatri të merrte statusin e Teatrit Profesionist, për të cilin titull Muharrem Sylejmani është një nga meritorët dhe më të lumturit ndër-kolegë, sepse fundja kontributi i tij artistik e jetësor po shpërblehej nga shteti i ri i Kosovës. E arritura e Teatrit dhe shpërblimi për krijimtari jetësore për të, nga Republika jone, janë të arriturat që e kanë bërë atë të jetë i plotësuar, i lumtur dhe falënderues përjetësisht.
Punën, dhe krijimtarinë nuk e ndali edhe gjatë kësaj periudhe kohore.
Ai nuk ndaloi së vazhduari të punojë dhe nuk kurseu nga vetja e tij asgjë që dinte dhe mundte për t’i bindur të gjithë se misioni i artit dhe kulturës nuk njeh kufij kohe dhe hapësire por duhet gjithmonë punë dhe angazhim të pandërprerë. Përpjekjet e tija vërtetuan këtë teoremë sepse i ndjeri krahas roleve që po realizonte në shfaqje të ndryshme filloi të ushtrojë edhe funksionin e regjisorit të cilën sfidë e realizoi me ekselencë.
Vështrimi dhe realizimi regjisorial i Muharremit ishte shumë shtresor dhe filozofik. Ai si regjisor kishte një qetësi shpirtërore dhe ndërtonte besim që në fillim tek kasta e aktorëve në realizimin e objektivave të tyre zhvillimore dhe pastaj e gjente rrugën si regjisor në përcjelljen e mesazhit brenda për brenda shfaqjes. Ky virtyt dëshmon se paraprakisht sistemonte të gjithë ekipin dhe veten e linte të fundit.
Regjisori Sylejmani i besonte kreativitetit individual të çdo aktori me të cilin punonte dhe me shumë elokuence e qytetari, nxiste gjetjen e rrugës së ndërtimit të roleve dhe i bënte të gjithë natyrshëm pjesë përbërëse të shfaqjes pavarësisht sa tekst apo rol kishin. “Çdo kush e ka momentin e vet dhe secilit i duhet kohë për të gjetur formulën e rolit që luan në skenë, kjo punë do durim dhe përkushtim të pandërprerë” ishin fjalët e tij kur bisedoje me tepër punën dhe sfidat që ishin para tij si regjisor dhe njeri i skenës.
Regjisura u bë shpejt, hapësira ku ai preferonte të qëndronte dhe të shkrinte gjithë arsenalin e tij kreativ sepse në një fare mënyre, specifikat e punës, e nxisnin që ai tashmë gjatë gjithë kohës të ishte në meditim dhe në kërkim të zgjidhjeve regjisoriale. Kjo ishte edhe arsyeja që ai vërtetë dëshironte të merrej me regjisurën, sepse realisht ai posedonte njohuritë dhe zotësitë empirike për të krijuar me shumë dhe në pikëpamje cilësore. Afërsia dhe dashuria për njerëzit, ishte atributi shtesë që ai të vazhdonte të jepte për artin sepse të gjithë artdashësit në teatër i kishte si anëtarë të shtëpisë, iu njihte kapacitetet dhe fundja synonte të pasuronte trashëgiminë artistike të tyre. Por, para se gjithash duhet pranuar se ulja e tij në karrigen e regjisorit erdhi natyrshëm sepse Muharrem Sylejmani ishte nga ata që dinte ndoshta me se miri të ushtronte këtë detyre.
Shfaqjet që prodhoi si regjisor, shquhen për gërshetim stilesh dhe zgjidhjesh brilante shumë të pëlqyera për publikun, sepse Muharremi siç e mbante publikun afër vetes si aktor po ashtu bënte edhe nga pozicioni i regjisorit. Ishte i kujdesshëm dhe largpamës në realizimin sa me ideal të shfaqjeve sa që asnjëherë, dhe në asnjë setup nuk ka përdorur as edhe një rekuizitë të vetëm pa dhënë arsyen në heshtje se pse është vendosur në atë vend specifik. Ai shquhet për vendosje skenike mbresëlënëse me realizime që kanë përçuar mesazh nxitës për të menduar edhe publiku për shfaqjen apo dukurinë e caktuar që e ka trajtuar në shfaqje.
Këto tipare te veçanta, ishin për shkak se ai kishte krijuar gjatë ne periudhën socialiste dhe për pasojë njihte shumë mirë shkollat e Teatrit dhe ndikimet që kanë ushtruar rrymat e ndryshme në këtë industri. Ne këtë etapë te re historike, ku shqiptarët nuk kishin më pengesa komunikimi, Muharremi ishte i lumtur të fillonte bashkëpunimin me regjisore nga Shqipëria dhe të zgjeronte gamën e njohjeve të zhvillimeve të reja në art që po vinin si periudhë krijimtarie që ai i quante kohë flladi.
Muharremi punoi ngushtë me ta dhe mund të ishte nga të rrallët qe kuptohej shumë shpejt dhe komunikonte me kode të gjuhës së teatrit sepse dëshironte me çdo kusht të përvetësonte sa më shumë nga shkolla e teatrit të Shqipërisë dhe të gërshetonte këto elemente të ndryshëm në diçka më të pranueshme, më të bukur për publikun e etur të Gjilanit e Kosovës. Ai deshifronte kujdesshëm ndikimin e shkollës ruse tek regjisorët shqiptarë dhe këto influenca dinte t’i seleksiononte se çfarë duhej integruar në trendin aktual modern dhe si duhet të ngjizen shkollat skenike Shqiptaro-Kosovare për te qenë një trend i përbashkët apo një trup i vetëm. Muharremi mund të jetë nga artistët e rrallë që njihte shumë mirë piketat se çfarë duhet përvetësuare çfarë duhet skarcuar nga influencat e soc-realizmit dhe ndikimet e tjera dhe cilido të duhej të ishte rrugëtimi i duhur i artit skenik i një shoqërie. Ai mendonte qe artistët kosovarë kanë brumin e duhur dhe talentin për ta paraqitur identitetin autentik para audiencës evropiane se kush janë dhe cilët janë sot shqiptarët sepse historia jonë e largët dhe e afërt na obligon ta shpalosim të vërtetën e kombit.
Arti është formal e vetme që shpalos para botës se kush janë shqiptarët
Për këtë arsye ai gjatë gjithë kohës ishte në kërkim të ndërtimit të një komunikimi ndryshe me publikun, ai vrojtonte si punonin edhe regjisorë të jashtëm (i pëlqenin Anglezët) të cilët vinin në skenë shfaqje teatrale në Kosovë dhe dëshironte që sa më shumë të pasurohej dhe të mësonin njerëzit e teatrit nga shkëmbime të tilla. I ndjeri mëtonte të integronte teatrin e qytetit si pjesë e familjes së madhe të teatrove evropiane jo me synimin vetëm që të siguronte pjesëmarrje por ëndrra e tij ishte të futej në kompeticione me vlera sepse sipas tij shqiptarëve nuk iu mungon asgjë për t’u bërë konkurrentë me më të mirët e pse jo të dalin ngadhënjimtarë.
Ai ishte një shpirt i lirë që zoti i dhuroi jetën, të cilën ia fali skenës me qëllimin e vetëm të ishte një nga nxitësit e ngritjes kulturore që ia arriti suksesshëm të flas përmes krijimtarisë së tij jetësore në teatër dhe jashtë tij si një qytetar ekzemplar.
Ne kishim fatin ta njihnim themeltarin e teatrit të qytetit tonë, të shijonim veprat e kryeveprat e tij në skenë, kishim fatin ta njihnim si njeri me kulturë të lartë qytetare dhe sot kemi krijimtarinë e tij nga e cila vazhdojmë të mësojmë duke e rikujtuar me pietet e respekt te veçantë./ KultPlus.com