Presidentja Osmani: Mujë Krasniqi me shokë dhanë jetën duke mbrojtur dinjitetin e kombit

Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar 26-vjetorin e rënies heroike të Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të UÇK-së.

Presidentja Osmani ka thënë se ato ditë përcaktuese për fatin e popullit tonë, Mujë Krasniqi, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, qëndroi në ballë të betejës, duke mbrojtur dinjitetin e kombit tonë me guxim të pashoq dhe besim të patundur në lirinë.

Në një përballje të ashpër në Pashtrik, në kufirin Kosovë-Shqipëri, ai dhe 41 ushtarë të UÇK-së, dhanë jetën, duke u bërë pishtarë të lirisë sonë.

Sot, emri i tij dhe bashkëluftëtarëve është i skalitur në historinë tonë dhe frymëzon brezat për ta mbrojtur lirinë dhe Republikën.

Lavdi përjetë Mujë Krasniqit dhe të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton komandatin Mujë Krasniqi: Ai dhe të tjerët janë të rinj të përjetshëm, ndaj dhe ne do t’i mbajmë lidhur me rininë e çdo brezi

Sot, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar komandatin Mujë Krasniqi i cili dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve më 14 dhjetor të vitit 1998.

“Ata që e demotivojnë çështjen kombëtare të lirisë nuk duan shembuj të tillë për rininë. Një komb i ndritur na i jep urdhëresën e mençur: Mos i harro kurrë dëshmorët, sepse e hup udhën!”, ka shkruar Kurti.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

Mujë Krasniqi – Komandant Kapuçi

6 qershor 1967 – 14 dhjetor 1998

Ne jetojmë në kohë të tensionuara, në kohë të shumë sfidave, por ne jetojmë në kohë të hapura. Në kohë të hapura përgjegjësia e fateve tona është e jona. Dhe më shumë se kurrë në kohë sfidash, për asnjë ditë ne nuk duhet të harrojmë dëshmorët tanë. Sepse dëshmorët, çlirimtarët tanë, vepruan në kohë të mbyllura e të paqarta. Sot ne kryejmë mbledhje e marrëveshje ndërqeveritare me Tiranën bashkëkombase. Komandant Kapuçi me shokët e tij sillnin armë prej Republikës amë në shkëmbim të jetës së tyre. Ata dhanë jetën duke kapërcyer kufijtë e jetës me qëllimin që ne të kryejmë sot marrëveshjet tona kombëtare.

“Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut, në pritën nga forcat e armikut, Mujë Krasniqi ra bashkë me vëllaun e tij Ali Krasniqi, shokun e tij këngëtar, Beqir Gashi, e luftëtarët Luljeta Shala, Rifat Mziu, Afrim Musliu, Agim Mziu, Agron Mehmeti, Arben Hyseni, Astrit Bytyçi, Bashkim Krasniqi, Bekim Bytyqi, Besim Qarri, Enver Olluri, Fadil Rashiti, Faton Gjylani, Gani Elshani, Gani Zogaj, Hafir Bajrami, Haki Prokshi, Hazir Selimaj, Hysen Bujupi, Hysni Kajtazi, Ilir Asllani, Isa Morina, Isa Olluri, Kadri Ademaj, Kadri Gashi, Maliq Karaqica, Mentor Ibriqi, Mevlan Hoxha, Muhamet Dervishi, Naser Kelmendi, Qamil Olluri, Ramadan Elshani, Selim Selimi, Sylejman Elshani, Veli Ballazhi, Xheladin Xheladini, Hazir Kryeziu, Qenë Qenaj, Xhevat Thaqi e Avni Kutllovci.

Ne jemi krejt të vetëdijshëm: në çastin kur harrojmë dëshmorët, ne harrojmë synimet historike dhe mbërritjet kombëtare. Një shtet i ndërtuar mbi harresën e heroizmit e vuajtjeve, nuk është shtet në shërbimin tonë. Rrjetet e interesuara për korruptimin e shtetit janë po ata që na kanë thënë se duhen harruar viktimat e gjenocidit. Po në të njëjtën kohë e ritëm me ta, Serbia mohon me të gjitha mjetet gjenocidin që ka kryer. Në lidhje me ne, Serbia nuk ka dëshmorë, por përdhunues. Përballë Serbisë ne kemi dëshmorë.

Por ne, nuk harrojmë! Ne do të bëjmë krejt të kundërtën. Do të vendosim në edukimin e brezave të rinj vetëdijen e dëshmorëve. Sepse në shumicën e tyre dëshmorët janë të rinj, si të rinjtë e çdo brezi. Mujë Krasniqi sapo kishte kaluar tridhjetëvjetorin e tij kur e dha jetën me shokët e tij. E dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve. Mujë Krasniqi me shokë i kapërcyen kufijtë e të gjitha kohëve për t’u bashkuar me historinë. Dëshmori mbetet në moshën kur dha jetën. Muja dhe të tjerët janë të rinj të përjetshëm, ndaj dhe ne do t’i mbajmë lidhur me rininë e çdo brezi. Ata që e demotivojnë çështjen kombëtare të lirisë nuk duan shembuj të tillë për rininë. Një komb i ndritur na i jep urdhëresën e mençur: Mos i harro kurrë dëshmorët, sepse e hup udhën! / KultPlus.com