26 vite nga rënia heroike e Mujë Krasniqit

Sot bëhen 26 vite nga rënia heroike e Komandant “Kapuçit”, Mujë Krasniqit.

Mujë Krasniqi (6 Qershor 1967 – 14 Dhjetor 1998) i njohur si Komandant Kapuçi ishte njëri nga komandantët dhe luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

Lindi më 6 qershor 1967 në fshatin Çabiq të Klinës dhe ra dëshmorë më 14 dhjetor 1998 së bashku me 41 ushtarët e tij në kufirin Kosovë–Shqipëri, pasi ranë në një pritë të organizuar nga forcat ushtarake serbe.

Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës. Mujë Krasniqi ishte njëri ndër projektuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtar i radhëve të para të kësaj ushtrie, koordinues i veprimeve luftarake dhe ndihmës reciprok në mes të Drenicës, Dukagjinit e Pashtrikut, në etapën e parë të zgjerimit të veprimeve të fshehta kundër pushtuesit serb. Ai ishte edhe shoku i luftës i legjendarit Adem Jashari dhe komandant emblematik i luftës për liri. Ai i përket bërthamës së parë çlirimtare të trimave të komandantit legjendar Adem Jashari./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton komandatin Mujë Krasniqi dhe 40 dëshmorët e tjerë të UÇK-së

Sot, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar komandatin Mujë Krasniqi i cili dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve më 14 dhjetor të vitit 1998, si dhe 40 dëshmorët e tjerë të UÇK-së, përcjell KultPlus.

“Gjithsej 41 ushtarë të UÇK-së ranë dëshmorë në udhëtimin e tyre të përbashkët prej luftëtarësh për çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore. Ndër ta edhe Mujë Krasniqi – Kapuçi, Komandant i Brigadës 113 në Zonën Operative të Drenicës”, ka shkruar ai.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Për 24 vjetorin e rënies së Mujë Krasniqit dhe 40 dëshmorëve të tjerë të UÇK-së

Mëngjesin e ftohtë të 14 dhjetorit 1998, një grup ushtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, teksa po kalonin kufirin mes Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë për të hyrë në Kosovë, hasën në një pritë të forcave serbe. Të ngarkuar me armë dhe municione siç ishin, ushtarët e UÇK-së u përballën me trupat serbe duke luftuar te Likenet e Hasit në Gorozhup të Pashtrikut.

Gjithsej 41 ushtarë të UÇK-së ranë dëshmorë në udhëtimin e tyre të përbashkët prej luftëtarësh për çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore. Ndër ta edhe Mujë Krasniqi – Kapuçi, Komandant i Brigadës 113 në Zonën Operative të Drenicës. Atë ditë të hënë, në Pashtrik ranë dëshmorë:

Mujë Halil Krasniqi: (06.06.1967) – Klinë

Ali Halil Krasniqi: (13.05.1975) – Klinë

Bashkim Azem Krasniqi: (25.02.1977) – Klinë

Gani Hasan Zogaj: (19.05.1973) – Klinë

Ilir Hazir Asllani: (27.07.1969) – Skënderaj

Rifat Fazli Mëziu: (28.11.1968) – Skënderaj

Agim Halil Mëziu: (10.04.1974) – Skënderaj

Xhevat Shaban Thaçi: (23.08.1979) – Drenas

Muhamet Aziz Dervishi: (27.11.1967) – Drenas

Sylejman Zeçir Elshani: (11.05.1957) – Drenas

Faton Nazif Xhylani: (06.04.1981) – Drenas

Gani Halit Elshani: (19.05.1973) – Drenas

Luljeta Jahir Shala: (20.11.1977) – Drenas

Agron Mahmut Mehmeti: (07.11.1973) – Drenas

Mentor Ramadan Ibriqi: (09.01.1979) – Drenas

Kadri Haki Demaj: (21.01.1975) – Shtime

Fadil Bajrush Rashiti: (08.01.1975) – Shtime

Afrim Islam Musliu: (21.01.19710) – Shtime

Selim Shaip Selimi: (07.02.1978) – Shtime

Arben Rexhep Hyseni: (12.04.1980) – Shtime

Hafir Imri Bajrami: (15.04.1980) – Shtime

Xheladin Hamdi Xheladini: (02.04.1976) – Shtime

Ramadan Deli Elshani: (20.01.1976) – Shtime

Naser Shefki Kelmendi: (13.07.1976) – Shtime

Isa Xhemshir Olluri: (12.02.1979) – Lipjan

Enver Zymer Olluri: (31.01.1979) – Lipjan

Qamil Hysen Olluri: (15.11.1976) – Lipjan

Beqir Sefë Gashi: (03.01.1966) – Malishevë

Hazir Nezir Kryeziu; (06.09.1956) – Malishevë

Kadri Jahir Gashi: (26.03.1980) – Malishevë

Maliq Hamëz Karaqica: (13.08.1949) – Malishevë

Astrit Gafurr Bytyqi: (17.04.1980) – Ferizaj

Hysni Shaip Kajtazi: (24.04.1979) – Ferizaj

Bekim Qamil Bytyqi: (04.02.1978) – Rahovec

Isaj Muharrem Morina: (13.03.1958) – Rahovec

Mevlan Tefik Hoxha: (09.07.1974) – Prizren

Qenë Avdyl Qenaj: (25.08.1957) – Prizren

Besim Sylejman Qarri: (26.04.19780 – Suharekë

Hysen Kadri Bujupi: (28.10.1969) – Istog

Veli Beqir Ballazhi: (13.09.1978) – Hani i Elezit

Avni Bislim Kutllovci: (21.03.1977) – Vushtrri

I lindur më 1967, në fshatin Çabiq të Klinës, Mujë Krasniqi ishte shumë aktiv në grupet e armatosura që gjatë viteve ’90-të, realizuan dhjetëra aksione guerile kundër policisë serbe dhe pushtetit të Serbisë në Kosovë. Në dukje i shqueshëm edhe nga mjekrra dhe kapela e tij, Muja ishte në ballë që nga fillet e grupeve të para të armatosura, siç qe në ballë edhe në daljen e parë publike të UÇK-së, më 28 nëntor 1997, në fshatin Llaushë.

Sot në përvjetorin e 24-të të rënies së këtyre 41 dëshmorëve të UÇK-së në Pashtrik, Mujë Krasniqin po e kujtojmë me këto 7 fotografi të shkrepura nga gazetari norvegjez Paul Refsdal, i cili e njohu Mujën në spitalet e UÇK-së në Drenicë, ku të dy u kuruan nga plagët. Vetë Refsdsal ishte plagosur në Pashtrik, aty ku pak muaj më pas do të binte Muja. Në këto fotografi historike të publikuara më 2016 nga historiani Durim Abdullahu dhe të bëra mes fshatit Caravik të Klinës dhe fshatit Murgë të Skënderajt, Mujë Krasniqi shihet i plagosur, teksa lëviz me paterica mes ushtarëve të tij, ndër ta edhe Beqir Gashi. Muja dhe Beqa ishin bashkë në këngë dhe në luftë, deri në ditën e 14 dhjetorit 1998, kur ranë dëshmorë për liri, duke u bërë frymëzim për luftë dhe këngë.

Lavdi Mujë Krasniqit, lavdi dëshmorëve të rënë bashkë me të dhe të gjithë dëshmorëve të kombit që dhanë jetën e tyre për çlirimin e Kosovës! / KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton komandatin Mujë Krasniqi: Ai dhe të tjerët janë të rinj të përjetshëm, ndaj dhe ne do t’i mbajmë lidhur me rininë e çdo brezi

Sot, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar komandatin Mujë Krasniqi i cili dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve më 14 dhjetor të vitit 1998.

“Ata që e demotivojnë çështjen kombëtare të lirisë nuk duan shembuj të tillë për rininë. Një komb i ndritur na i jep urdhëresën e mençur: Mos i harro kurrë dëshmorët, sepse e hup udhën!”, ka shkruar Kurti.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

Mujë Krasniqi – Komandant Kapuçi

6 qershor 1967 – 14 dhjetor 1998

Ne jetojmë në kohë të tensionuara, në kohë të shumë sfidave, por ne jetojmë në kohë të hapura. Në kohë të hapura përgjegjësia e fateve tona është e jona. Dhe më shumë se kurrë në kohë sfidash, për asnjë ditë ne nuk duhet të harrojmë dëshmorët tanë. Sepse dëshmorët, çlirimtarët tanë, vepruan në kohë të mbyllura e të paqarta. Sot ne kryejmë mbledhje e marrëveshje ndërqeveritare me Tiranën bashkëkombase. Komandant Kapuçi me shokët e tij sillnin armë prej Republikës amë në shkëmbim të jetës së tyre. Ata dhanë jetën duke kapërcyer kufijtë e jetës me qëllimin që ne të kryejmë sot marrëveshjet tona kombëtare.

“Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut, në pritën nga forcat e armikut, Mujë Krasniqi ra bashkë me vëllaun e tij Ali Krasniqi, shokun e tij këngëtar, Beqir Gashi, e luftëtarët Luljeta Shala, Rifat Mziu, Afrim Musliu, Agim Mziu, Agron Mehmeti, Arben Hyseni, Astrit Bytyçi, Bashkim Krasniqi, Bekim Bytyqi, Besim Qarri, Enver Olluri, Fadil Rashiti, Faton Gjylani, Gani Elshani, Gani Zogaj, Hafir Bajrami, Haki Prokshi, Hazir Selimaj, Hysen Bujupi, Hysni Kajtazi, Ilir Asllani, Isa Morina, Isa Olluri, Kadri Ademaj, Kadri Gashi, Maliq Karaqica, Mentor Ibriqi, Mevlan Hoxha, Muhamet Dervishi, Naser Kelmendi, Qamil Olluri, Ramadan Elshani, Selim Selimi, Sylejman Elshani, Veli Ballazhi, Xheladin Xheladini, Hazir Kryeziu, Qenë Qenaj, Xhevat Thaqi e Avni Kutllovci.

Ne jemi krejt të vetëdijshëm: në çastin kur harrojmë dëshmorët, ne harrojmë synimet historike dhe mbërritjet kombëtare. Një shtet i ndërtuar mbi harresën e heroizmit e vuajtjeve, nuk është shtet në shërbimin tonë. Rrjetet e interesuara për korruptimin e shtetit janë po ata që na kanë thënë se duhen harruar viktimat e gjenocidit. Po në të njëjtën kohë e ritëm me ta, Serbia mohon me të gjitha mjetet gjenocidin që ka kryer. Në lidhje me ne, Serbia nuk ka dëshmorë, por përdhunues. Përballë Serbisë ne kemi dëshmorë.

Por ne, nuk harrojmë! Ne do të bëjmë krejt të kundërtën. Do të vendosim në edukimin e brezave të rinj vetëdijen e dëshmorëve. Sepse në shumicën e tyre dëshmorët janë të rinj, si të rinjtë e çdo brezi. Mujë Krasniqi sapo kishte kaluar tridhjetëvjetorin e tij kur e dha jetën me shokët e tij. E dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve. Mujë Krasniqi me shokë i kapërcyen kufijtë e të gjitha kohëve për t’u bashkuar me historinë. Dëshmori mbetet në moshën kur dha jetën. Muja dhe të tjerët janë të rinj të përjetshëm, ndaj dhe ne do t’i mbajmë lidhur me rininë e çdo brezi. Ata që e demotivojnë çështjen kombëtare të lirisë nuk duan shembuj të tillë për rininë. Një komb i ndritur na i jep urdhëresën e mençur: Mos i harro kurrë dëshmorët, sepse e hup udhën! / KultPlus.com