Së shpejti fillon rikonstruimi i Mullirit të epërm të fshatit Shkozë të Malishevës

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hartuar projektin për rikonstruimin e Mullirit të epërm të fshatit Shkozë të Malishevës. Zbatimi i këtij projekti do filloj së shpejti dhe konsiderohet se do të jetë tepër i dobishën në aspektin kulturor, ekonomik, turistik, arsimor, historik dhe tradicional të kësaj treve.

Mulliri i Mehmet Alisë apo i njohur ndryshe edhe si mulliri i sipërm i Shkozës është i ndërtuar në Luginën e Pagarushës, në afërsi të vend bashkimit të përroit të Janqistit dhe atij të fshatit Marali, në trekëndëshin mes fshatrave Marali-Goriq-Janqist, në tokat e fshatit Shkozë.

Sipas banorëve të fshatit Shkozë mulliri u ndërtua nga i pari i fshatit Shkozë Mehmet Alia me djemtë dhe nipat e tij, diku në fund të shekullit XVII. Tek banorët e fshatit Shkozë ende ruhet një gojëdhënë rreth ndërtimit të këtij mulliri. Territori i fshatit Shkozë përreth, e ka vetëm një përrua që furnizohet nga Krekëza dhe Vrella dhe që e pakëson shumë ujin gjatë verës. Bluarja e drithit kishte qenë një problem shumë i madh, për familjen e madhe të Mehmet Alisë. Thuhet se ai me djemtë e nipa, zbresin në luginën mes fshatit Janqist, Marali dhe Goriq, ku bashkohen përrenjtë e fshatit Marali dhe Janqist dhe e ndërtuan një mulli të bukur.

Për ta rritur rendimentin e bluarjes u hapën kanale të cilat sillnin ujërat e dy përrenjve nga pjesa e sipërme e mullirit dhe guri i mullirit sillej kur bashkoheshin ujërat e dy përrenjve që lëshoheshin me rrëmbim nga sipër mullirit.

Sipas të dhënave nga fshatarët mulliri bluante një shekë farë për një orë dhe u përdor nga banorët e Shkozës për bluarje deri në fillim të viteve tetëdhjeta, kur edhe u la pas dore. Mulliri megjithëse i shkatërruar gati tërësisht edhe sot e kësaj dite i ka themelet edhe mund të dallohet përskaj rrugës Marali-Goriq.

Ky projekt do të mbikqyret nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të zbatimit të programit masat preventive intervenimet emergjente të financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Mulliri mbi 400 vjeçar i fshatit Dedaj

Disa kilometra  larg qytetit të Prizrenit, në fshatin Dedaj, ndodhet mulliri mbi 400 vjet i vjetër. I ndërtuar me gurë e i vendosur mbi rrjedhën e ujit, ai vazhdon t’u mbijetojë kohërave.

E ai që e hap derën e këtij mulliri çdo mëngjes në orën 7:00, është 85-vjeçari Selmon Shatri. Ecja e tij e ngadaltë e rrudhat në fytyrë, reflektojnë moshën që ka. Megjithatë, ai thotë se puna që e bën e mban ende gjallë. Sipas Shatrit, ai është brezi i 5-të që e ka trashëguar këtë zanat.

Në trekëndëshin prej druri të kthyer mbrapsht, vendosen kokrrat e misrit. E ato, përmes hinkës, bien në gurin që rrotullohet nga fuqia e rrjedhës së ujit.

Shatri thotë se misrin e ka mbjellë vetë. Çmimi i 1kg misri të bluar është 1 euro.

Ndonëse mullinjtë që punojnë me ujë janë të paktë në Kosovë, sipas Selmon Shatrit, as shteti nuk e përkrah punën e tyre.

Me bindje në këtë, rrëfen se si ai qe një kohë të gjatë punon pa drita, për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Edhe pse disa km larg qytetit, sipas Shatrit, konsumatorë të tij nuk janë vetëm banorët e kësaj ane.

Dyert e këtij mulliri mbyllen në orën 16:00. Koha / KultPlus.com