Festivali kulturor multietnik i këngëve tradicionale, i folklorit dhe i valleve “BallkanFest – Republika e Kosovës” u mbajt këto ditë në Prizren.
“BallkanFest”, i shtati me radhë, u mbajt me 8 tetor, në Kino Lumbardhi në Prizren dhe u konsideruar si një edicion shumë i suksesshëm
Festivali tuboi pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës, dhe mbi 200 interpretues nga shoqëritë kulturore dhe artistike nga vendet fqinje – Republika e Shqipërisë (Ansambli “Mirëdita”), nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia etj.
Festivali u organizua nga Shoqata për Kulturë “PLEJADA – Prizren”, në mbështetjen e Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Zyrës për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit dhe Drejtorisë së Kulturës së Prizrenit. Vetëm zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi dhe zëvendësministri i Kulturës Sylejman Elshani morën pjesë në këtë ngjarje kulturore.
“Qëllimi i këtij festivali unik është promovimi dhe ruajtja e këngëve tradicionale, folklorit, valleve, diversitetit kulturor dhe trashëgimisë kulturore”, tha drejtori i festivalit, “BallkanFest –2022”, Hermin Memishi i cili tutje shtoi: “Ballkan Fest bashkon të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës në një vend së bashku me shumicën e shteteve Ballkanike, ku krijon harmoni multienike dhe tolerancë ndëretnike ndërmjet të gjitha komuniteteve dhe dërgon një porosi paqeje si në Kosovë ashtu edhe në mbarë Ballkanin.” / KultPlus.com