Dirigjenti rus Valery Gergiev shkarkohet nga Filharmonia e Mynihut për mbështetjen ndaj Putinit

Valery Gergiev është shkarkuar nga puna si kryedirigjent i Filharmonisë së Munihut, për shkak të mbështetjes së tij për presidentin rus Vladimir Putin dhe sepse nuk kundërshtoi pushtimin e Ukrainës.

Dieter Reiter tha se vendimi vjen pasi Gergiev nuk iu përgjigj kërkesave të Reiterit që 68-vjeçari të ndryshonte qasjen, raporton AP.

“Kam pritur që ai të rimendojë dhe rishikojë vlerësimin e tij pozitiv për liderin rus”, ka thënë Reiter. “Pasi kjo nuk ndodhi, opsioni i vetëm ishte ndërprerja e menjëhershme e lidhjeve”.

Gergiev ka qenë kryedirigjent i Munihut prej sesionit 2015-2016.

Gergiev aktualisht po drejton një seri shfaqjesh të Mbretëreshës së Spades të Çajkovskit në La Scala në Milano, ku u raportua se ai u përshëndet nga audienca javën e kaluar.

Shtëpia e operës ka deklaruar gjithashtu se ai do të hiqet nga paraqitja e tij e ardhshme më 5 mars nëse nuk flet kundër regjimit rus.

“Ne i kemi kërkuar atij të marrë një pozicion të qartë kundër këtij pushtimi dhe, nëse ai nuk do ta bëjë këtë, ne do të detyrohemi t’i japim fund këtij bashkëpunimi,” tha kryetari i bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, i cili është gjithashtu president i La Scala. .

Filharmonia e Roterdamit ka njoftuar gjithashtu se do të anulojë Festivalin e saj vjetor me Gergiev këtë vit, nëse dirigjenti rus nuk do të revokojë mbështetjen e tij për Putinin; ndërsa festivali Verbier i Zvicrës ka kërkuar gjithashtu që dirigjenti të japë dorëheqjen si drejtor muzikor i Orkestrës së Festivalit Verbier.

Në Nju Jork, drejtori muzikor i Metropolitan Opera, Yannick Nézet-Séguin zëvendësoi Gergiev për tre shfaqje të fundjavës nga Filharmonia e Vjenës në Carnegie Hall. Vendi anuloi gjithashtu dy shfaqje të majit nga Orkestra Mariinsky që Gergiev duhej të drejtonte. / KultPlus.com

“Darka mistike” e shekullit XVIII

Vepra që i atribuohet Eftimi dhe Terpo Zografit, titulluar “Darka mistike” ose “Darka e fundit”, daton në fundin e shekullit XVIII.

Ikona është marrë nga ikonostasi i kishës “Lindja e Shën Mërisë” në fshatin Vokopolë të Beratit.

Në përshkrimin nga Qendra Muzeore Berat, thuhet se është një ndër ikonat e programit ikonografik të “Festave të mëdha” në liturgjinë kristiane.

“Teknika e përdorur është temperë mbi pano druri. Ikona shquhet për kompozimin e veçantë. Krishti në qendër, rrethohet nga 12 apostujt, të kompozuar në formë rrethi. Në të majtë të Jezuit dhe në plan të parë, Joani dhe Juda, pa aureolën e shenjtorëve, thyejnë simetrinë e kompozimit në formë rrethi. Tavolina është e rrumbullakët, tipike e stilit oriental. Edhe orenditë që plotësojnë skenën, janë po ashtu objekte të kulturës orientale. Ibriku, për shembull, ka pasur përdorim të gjerë në territorin ballkanas përgjatë dominimit otoman. Ky stil harmonizohet bukur, me subjektin e krishterë të “Darkës së fundit”. E gjithë skena përfshihet brenda arkitekturës trenefëshe të kishës. Emërtimi i ikonës është në greqisht” – bëhet me dije në materialin detajues.

Kjo vepër është ekspozuar në Munih të Gjermanisë, më 2001, si dhe në Ankona dhe Vicenza, Itali, më 2002. / Konica.al / KultPlus.com

Në Munih themelohet teatri shqiptar ‘Fanny Show’

Së fundi, aktori dhe regjisori shqiptar, Behxhet Beka, ka njoftuar themelimin e një teatri shqiptar në Munih. Teatri “Fanny Show“ do të dalë së shpejti në skenë me premierën e parë, transmeton KultPlus.

“Pasioni dhe profesioni, bënë që pas një pune të gjatë dhe angazhimi maksimal, arritëm me sukses ta themelojmë teatrin shqiptar në Munih të Bavarisë”, shprehet regjisori dhe aktori i mirënjohur, Behxhet Beka.

Pra, pas një pune dhe angazhimi të vazhdueshëm, Beka me miqtë e mikeshat e tij dhe dashamirët e artit skenik realizuan synimin dhe u bë themelimi i teatrit shqiptar, i cili u prit me një interes dhe respekt të jashtëzakonshëm nga mërgata shqiptare, këtu në Bavari. 

Artdashësit shqiptarë treguan gatishmëri që ta përkrahin teatrin edhe në aspektin material. Përveç të tjerash, ndihmë ofroi ndërmarrja „Knoche„, e cila është në pronësi të Sali Krasniqit, shkruan uraebashkuar.

Duhet theksuar se teatri “Fanny Show“ në Munih do të dalë në skenë me premierën e parë brenda një kohe relativisht të shkurtër e, ne u dëshirojmë suksese grupit të artistëve. / KultPlus.com

Ermonela Jaho interpreton “Suor Angelica”, mahnit Mynihun (VIDEO)

Ermonela Jaho sjell një interpretim të jashtëzakonshëm në rolin e Anxhelikës, duke përcjellë një brishtësi të thellë përmes një toni plot dritë dhe më pas vërtetë shpërthyes, kur personazhi arrin pikën psikologjike të thyerjes.

Kështu e nis kritika gjermane përshkrimin e interpretimit të sopranos shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, duke iu referuar rolit të saj “Suor Angelica” (“Motër Anxhelika”) në operën me të njëjtin titull, vënë së fundmi në skenën e Mynihut.

Ermonela Jaho sjell një performancë të jashtëzakonshme si Motër Anxhelika, duke përcjellë emocione të jashtëzakonshme përmes timbrit të zërit dhe zbërthimit psikologjik që i bën personazhit të saj.

Motër Anxhelika kapet pas një vizioni qiellor: Pasi ka humbur prej dy vitesh djalin e saj të vetëm, ajo vendos të bëjë jetën e murgeshës si një shpagim, teksa beson se e dëgjon djalin e saj duke e thirrur që të takohen në parajsë.

Në tentativë për të kryer vetëvrasje, Motër Anxhelika pi helm, por shpejt kupton se ka kryer një mëkat të vdekshëm dhe mallkon veten për ndarjen e përjetshme nga i biri. Ky subjekt i operës së famshme, shkruar nga Giacomo Pucini, u vu për herë të parë në skenë në vitin 1918, por vijon të pëlqehet në mbarë botën edhe pas një shekulli, shkruan atsh.

Pas suksesit në “Bayerische Staatsoper Munchen”, 26 korriku do ta gjejë Ermonela Jahon sërisht krah Placido Domingos, në Operën e Madridit me një tjetër premierë. /KultPlus.com


Nis “Oktoberfest”, festivali i birrës në Munih

Në Munih është koha për të lënë pas krahëve problemet e për të shijuar birrën. Parakalimi i një karroce me kalë, karuzelët e bandat muzikore i dhanë nismë edicionit të 184 të festivalit të famshëm “Oktoberfest”.

Kryebashkiaku i Munihut, Dieter Reiter i vendosi rubinetin fuçisë së parë të birrës duke e shpallur zyrtarisht të hapur festivalin më të madh të birrës në botë.

Miliona vizitorë nga e gjithë bota pritet të vijnë në kryeqytetin Bavarez përgjatë 18 ditëve të ardhshme.

Organizatorët shpresojnë që aktiviteti të josh rreth 7 milionë njerëz, më shumë se sa vitin e kaluar kur pati 5.6 milionë vizitorë, transmeton tch. Moti me shi nuk i pengoi pjesëmarrësit e parë të paduruar, me turma të mëdha njerëzish që mbërritën përpara ceremonisë hapëse në 12 të drekës.

Për të dytin vit radhazi festivali do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ku do të përfshihen kontrolle në hyrje, vendosja e një gardhi rreth zonës ku do të zhvillohet aktiviteti dhe ndalimi i çantave të mëdha. Masa të tilla u aplikuan për herë të parë në historinë e festivalit vitin e kaluar pas serisë së sulmeve të dhunshme që goditën Gjermaninë jugore. Megjithë masat e shtuara të sigurisë, pjesëmarrësit në “Oktoberfest”, nga bavarezët autoktonë tek turistet po festojnë si zakonisht.

“Ne nuk shqetësohemi për këtë. Nëse ndodh, ndodh. Por këtu ka mjaftueshëm policë dhe besoj gjithçka do të shkojë mirë”, shprehet një vizitor.

Edicioni i 184 i “Oktoberfest” do të përfundojë në 3 tetor./ KultPlus.com