Artistja polake, murale në pikëkalimet kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës

Artistja polake Maria-Rosa Szychowska po realizon muralen në fasadën e godinës në pikën kufitare e doganore të Kapshticës.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole zhvilloi një vizitë në pikën kufitare të Kapshticës, ku u takua me artisten polake Szychowska.

“Artistja është surprizuar nga bukuria e natyrës shqiptare dhe mikpritja në qarkun tonë, gjë që e ka frymëzuar edhe më shumë për punën e saj”, tha Jole në një postim në rrjetet sociale.

Jole theksoi se “pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës, si dy pikat kryesore të lëvizjes së qytetarëve në juglindje të vendit, kanë marrë të gjitha masat për një mjedis sa më mikpritës, në nisje të sezonit turistik veror”.

“Edhe ky sezon veror pritet të shënojë një numër të lartë qytetarësh e turistësh, që do të kalojnë në këto pika kufitare”, tha Jole.

Pas murales në Kapshticë artistja polake do të vijojë me atë Qafë Thanës.

Me anë të këtyre muraleve do të mundësohet një imazh i veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në të dy anët e kufirit./ atsh/ KultPlus.com

Një mural i Messit lumturon shqiptarët

NNjë faqe e një konvikti për studentët e mjekësisë, në qendër të Tiranës është mbuluar nga një murale e Lionel Messit, shkruan Llazar Semini për AP.

Piktori argjentinas Maximiliano Bagnasco po merr pjesë në Tirana MuralFest 2023 dhe vendosi të paraqitet me idhullin e tij.

Muralja 25×10 metra e një Messi me mjekër dhe të qeshur, i veshur me fanellën e kombëtares bardheblu të Argjentinës me numrin 10, mbulon një pjesë të një ndërtese në një udhëkryq pranë spitaleve kryesore të kryeqytetit.

“Është një burim krenarie për mua… që puna ime është bërë e njohur për pikturimin e idhujve tanë”, tha 41-vjeçari Bagnasco për Associated Press.

Bagnasco ka pikturuar gjithashtu një murale të Diego Maradonës në Napoli si dhe në Miami dhe vende të tjera. Maradona gjithashtu fitoi një Kupë Bote me Argjentinën me fanellën nr. 10. Më pas ai udhëhoqi Napolin drejt dy titujve të parë të ligës italiane në 1987 dhe 1990 përpara se skuadra të fitonte të tretin këtë sezon.

Dy ditë pasi Argjentina fitoi Kupën e Botës në Katar vitin e kaluar, Bagnasco pikturoi një murale në Buenos Aires të Messit duke ngritur trofeun.

“Messi është lojtari më i mirë në botë për momentin”, tha Bagnasco për lojtarin që ka vendosur të transferohet te Inter Miami në Major League Soccer.

“Sot bota është një tifoze e Argjentinës për shkak të Messit”, shton ai.

Helidon Haliti, një piktor i cili është organizatori kryesor i MuralFest, tha se Bagnasco ofroi vepra të tjera për konkursin. Kur u pyet se kush ishte heroi i tij dhe e cila ishte tema kryesore e MuralFest 2023, ai u përgjigj menjëherë “Messi”.

“Ajo murale do të shënojë një moment shumë interesant sepse ai ishte fitues i Kupës së Botës vitin e kaluar dhe këtë herë ai do të na bëjë ne fitues”, tha Haliti.

“Unë jam i sigurt për këtë”, shtoi ai.

Tirana është Qyteti Europian i Sporteve 2023 dhe ka zhvilluar dhe ka planifikuar shumë aktivitete sportive kontinentale.

Shqiptarët e kanë njohur shumë mirë Messin.

“Messi e meriton si lojtar dhe ne shqiptarët gjithashtu të gëzojmë atë personalitet të klasit botëror”, tha 61-vjeçari Arben Stafa.

Bashkim Tufa, një analist sportiv 71-vjeçar, ishte i lumtur që kishte të drejtë kur parashikoi në vitin 2005 se bota kishte një yll të ri kur Messi luajti për herë të parë për Barcelonën. Që atëherë, Messi ka qenë vazhdimisht pjesë e shkrimeve të tij.

Fitimi i Kupës së Botës vitin e kaluar ishte “qershia mbi tortë”, sipas Tufës, duke shtuar se vite më parë kopjet e një gazete sportive u gllabëruan nga shqiptarët duke lexuar se Messi mund të vinte në vend.

“Tani ata kanë mundësinë ta shohin çdo ditë, ta takojnë çdo ditë dhe kjo është një kënaqësi e veçantë për shqiptarët që janë kaq të pasionuar pas bukurisë së futbollit dhe Messi është personifikimi i tij”, tha Tufa.

Përveç pikturës mbi një vinç dhe shpesh i zemëruar gjatë ditëve me shi, Bagnasco ka shijuar takimin dhe bisedën me shqiptarë vendas që kanë veshur ose treguar fanellën e Messit dhe duke e përshëndetur atë.

“(Argjentinasit) janë me fat që kanë pasur Maradonën dhe Messin”, tha Bagnasco duke treguar një tatuazh nr. 10 në parakrahun e tij të majtë.

“Tani për tani, ka një brez të ri dhe shumë njerëz që po e njohin Messin dhe është momenti i Messit”, shton ai./ atsh / KultPlus.com

Pllatëni, katundi arbëresh me mbi 30 murale mbresëlënëse

Më 21 Tetor 2021, ora 16:00 në hyrje të katundit të të vjetër arbëresh, Pllatëni ( it. Plàtaci) në provincën e Kozencës na priti një tabelë me mbishkrimin tregjuhësor, me:  “Mirë se na erdhët Platan”, ndërsa në brendi hasim banorë të paktë, por që të gjithë thuaja na përgjigjen në gjuhën shqipe, ndërsa që sheshi historik dhe muret e shtëpive janë të stolisura me mbi 30 murale, me motive arbëreshe e më tej përgjatë rrugës që çon te parku nacional, krenarisht ngrihet monumenti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Në ditën e tretë të vizitës së ekipit “prointegra.ch” nëpër katundet arbëreshe, në kthim nga Shën Marcani (San Marzano di San Giuseppe) i rrethit të Torantos për në Ungër (Lungra) të Kalabrisë u ndalëm për një vizitë në Pllatani ( it. Plàtaci ) e që nuk u zhgënjyem, përkundrazi ishte një nga vizitat tona më mbresëlënëse gjatë tërë javës së kësaj vizite. Katundi që ndodhej në një lartësi mbi detare prej 950 metrash, përshkohet me 30 murale, që në mënyrë autentike pasqyrojnë jetën e etnisë së këtushme arbëreshe bashkë me figurat tona madhore kombëtare.

Sa i përket gjithë këtyre muraleve, ato janë si specifikë për të mbrojtur etninë arbëreshe  sipas ligjit 482/99, kur edhe Pllatani në vitin 2003 mori nismën e muraleve, në sipërfaqet e mureve të shtëpive në qendrën historike. Qëllimi kryesor i nismës është dhënia e një protagonizmi më të madh kulturës arbëreshe dhe  figurave historike shqiptare si: Skënderbeu, Nënë Tereza etj. Thënë konkretisht: këto murale janëimazheqëtëpërfshijnënëbotënetyre.

Në brendi të kishës krahas ikonave gjejmë edhe një foto brilante të Shën Terezës, ndërsa që ky katund ka dhënë edhe tri figura të mëdha siç kanë qenë: Ipeshkvi Angelo Basile, që studioi në Seminarin italo-shqiptar të  Shën Adrianos, në Shën Mitër Korone e që ishte miku i përhershëm shoqërues (në 1833) i poetit Jeronim de Rada, pastaj politikani i shquar Antonio Gramshin (Antonio Gramsci), paraardhësit atërorë të cili ishin me origjinë nga qyteti i Gramshit në Shqipëri si dhe peshkopi i dytë i të Eparhisë së së Ungrës, Janjë Stamati.

Po në Pllatëni mësuam se është zakon i kamotshëm që të festohet karnavalja ( Karnivalli ) deri të Dielën e parë të Kreshmës, në mënyrë që gjatë këtij festivali  në rrugët e qytezës të sfilojnë maskat, përmes një rime qesharake në gjuhën arbëreshe.

Bukuria dhe madhështia e natyrës në fshatin Pllatën) të tërheq jo vetëm me  pishat e bukura që çojnë deri tek parku i këtushëm nacional por edhe trupat e shumtë të arrave që gjenden me shumicë, e që patëm rastin edhe ti shijojmë pasi kishin vërshuar edhe rrugët.

Ndërkaq takuam edhe një arbëresh të veshur me një uniformë të vjetër të ushtrisë gjermane duke prerë dru para shtëpisë së tij, dhe kur njëri nga ne i tha se qenke bërë si ushtar gjermani, ai pa një pa dy na e ktheu në shqipet: “Jo unë jam ushtar i Skënderbeut !”, pasi që përballë shtëpisë së tij ndodhej busti i Skënderbeut. / KultPlus.com

Rikthehet “Mural Fest”, 20 artistë nga vende të ndryshme të botës do pikturojnë muret e Tiranës

Mural Fest fillon nesër duke sjellë një numër të konsiderueshëm prej 20 artistësh nga vende të ndryshme të botës që do të pikturojnë dhjetë mure të Tiranës.

Këto godina nga më të lartat do të vishen me ngjyra nga më të ndryshmet duke sjellë një pamje tjetër në artin publik në kryeqytet.

“Vendosëm këtë vit ta bënin bashkë me dekor Tiranën. Mu kërkua të bëj kuratorin dhe unë atë e ndaj me një nga djemtë më me eksperiencë, Qirjako Jozifidhis, i cili është ai që krijuar revistën e parë Carpen Diem, me eksterieret e pikturimit, ku ka përfshirë edhe Tiranën, atëherë kur projektin e bënte Edi Rama me Anri Salën. Është një vazhdimësi nga lyerja ekstravagante e viteve 2001 për një rikthim të një pikturimi të pikturës monumentale”, shprehet kuratori Helidon Haliti.

“Janë ndër dhjetë artistët më në zë të huaj duke nisur nga Case nga Gjermania, Manomatic nga Spanja, Same 84 nga Greqia, WD nga Indonezia, Mattia Campo nga Italia apo Wuper nga Serbia”, shton kuratori.

Projekti do të zhvillohet te Komuna e Parisit, Rruga e Kosovarëve, në unazën e vogël dhe në qendër në Tiranë, në godina që shkojnë deri në 60 metra./KultPlus.com

Krijimtaria artistike e Banskyt shfaqet së fundmi në Bristol

Edhe përgjatë periudhës së pandemisë, krijimtaria e Banskyt s’ka të ndalur, shkruan Daily Mail, përcjell KultPlus.

Artisti i njohur anonim, i cili tanimë njihet me nofkën “Banksy” së fundmi ka realizuar një mural në Bristol, meqë rast e ka bërë pronaren e shtëpisë të ndërroj mendje për ta shitur atë.

Vepra “The Aachoo!!” u shfaq brenda natës në anën e shtëpisë së Aileen Park Street e cila ndodhet përgjatë Vale Street në Totterdown  më 10 dhjetor.

Aileen Maikin është 57 vjeçarja, shtëpia e së cilës më parë kishte vlerën prej 300 mijë paundësh, mirëpo vlera e saj është rritur që nga momenti i shfaqjes së muralit nga Banksy.

Pas konfirmimit nga artisti se kjo vepër është e tija, Maikin vendosi mos ta shes shtëpinë, e cila tanimë mund të kushtoj deri në pesë milion.

Vepra e re e Banskyt pasqyron nëpërmjet artit një pensioniste, teshtima e së cilës po rrëzon ndërtesa, një efekt i krijuar nga spërkatja e tij në anën e shtëpisë. / KultPlus.com

Një fshat i Mitrovicës po bëhet me mural artistik

Një ndër fshtatrave më të mëdha në vend, Kçiqit të Mitrovicës po iu shtohet një mural artistik në kuadër të Green Fest, shkruan KultPlus.

Kçiqi i cili është i njohur për numrin e madh të banorëve dhe kontributin e tyre në fushën e arsimit, ekonomisë, sportit e artit, shumë shpejt do të merr një pamje të re.

Në njërin prej trafove elektrike të fshatit do të realizohet një mural artistik nga Arbnora Skuroshi bashkë me artistë të tjerë, në kuadër të Green Fest

Edicioni i sivjetëm i Green Festival është fokusuar në temën e pabarazisë me theks të veçantë në pabarazinë urbane, gjinore, sociale dhe atë në arsim./ KultPlus.com

Artistët që në muret e lagjes pikturuan librat e preferuar të banorëve

Çdo mur apo gardh mund të shndërrohet në një vepër arti, duke sjellë kështu gjallëri e në të njëjtën kohë të jetë më afër njerëzve se çdo pikturë tjetër e vendosur në galeritë e arteve, shkruan KultPlus.

Arti në rrugë është një formë e veprave të artit që shfaqet në ndërtesat përreth një komuniteti, rrugëve apo trenave. Në të shumtën e rasteve arti i rrugës përdoret si formë e të bërit deklaratë publike nga artisti, për shoqërinë në të cilën jeton, e cila shpesh vie edhe në formë revolte.

Artistët Holandezë Jan Is De Man dhe Deef Feed, vitin e kaluar, në një ndërtesë në Utrecht të Holandës pikturuan një mural letrash 3D trompe l’oeil.

Dyshja e kthyen anën e ndërtesës trekatëshe në një raft libra me shumë nivele të mbushur me librat dhe koleksionet e tyre të preferuara si dhe disa tituj fiksional të librave që kanë autorësinë e tyre.

Artistët u kërkuan edhe banorëve të ndërtesës që t’u jepnin titullin librit të tyre të preferuar, në mënyrë që ta përfshinin atë në murale. Ata gjithashtu përfshinë në murale një libër të vogël të zi në anën e majtë të raftit të poshtëm i cili përmban një logo të vogël, por të veçantë të lepurushit Playboy në shpinë.

Që nga koha kur ky mural është bërë pjesë e kësaj ndërtese është bërë një burim artistik për të bashkuar fqinjët, si dhe për njerëzit që vijnë ta vizitojnë dhe t’i shohin muralet. / KultPlus.com

Mimoza Rraci: Jam njeri i lirë, i tillë është edhe arti im

Xhemile Hysenaj

Një artiste mjaft e re në moshë, që artin e konsideron më shumë se jetë e më shumë se një mënyrë jetese. Bëhet fjalë për Mimoza Rracin, një artiste e cila njihet per muralet, pikturat, punimet me dorë, skulpturat e punimet në tekstil, përmes së cilave çdoherë bartë mesazhe të ndryshme e kuptimplotë për artdashësit e adhuruesit e saj.

Në një intervistë për KultPlus, Mimoza ka shpalosur më shumë rreth të qenurit artiste, rreth asaj se çfarë paraqet përmes artit të saj dhe patjeter edhe për përvojën e saj prej artisteje në ditët e izolimit si pasojë e pandemisë.

Mimoza tregon për KultPlus se talentin e saj për art nuk e ka zbuluar edhe aq herët, mirëpo edhe pse ‘me vonesë’ ajo ka arritur të bëhet një nga artistet më të njohura të gjeneratës së saj, në të njëjten kohë duke premtuar shumë në këtë fushë.
‘Unë nuk jam person që bëjë plane afatgjata, rruga nëpër të cilën po kaloj së bashku me artin, është shoqëruesi më i mirë. Prandaj, le të vazhdon të mbetet kështu’, tregon tutje Mimoza.

Si çdo vepër arti dhe si çdo artist, edhe Mimoza ka frymëzimet e saj, që siç tregon ajo, frymëzimin e gjen tek jeta e përditshme, e në Kosovën tonë të vogël inspirim ke ngado që të shkosh.
‘Zakonisht inspirohem nga veprimet e njerëzve, nga ndonjë ngjarje që kam përjetuar apo dëgjuar, të thëm më shkurt, inspirohem nga çdo gjë që më rrethon’, vazhdon tutje Mimoza.

Mimoza ka provuar veten pothuajse në të gjitha fushat e artit pamor, ajo tregon se në secilin prej tyre, ka punuar me shumë vullnet e dashuri, sipas saj, secili është bërë në kohë dhe në aryse të caktuar dhe secili e ka vlerën e vet.
‘Ekziston një ndjesi shumë e çuditshme sepse duke krijuar një vepër, hynë aq shumë brenda saj, saqë të duket sikur ke shkrirë çdo pjesë tënden aty. Shpesh edhe të dhimbset kur ajo vepër ndalon së qenuri e jotja, por në anën tjetër nuk ka ndjenjë më të bukur se sa të ekzistoj në një vend, të kesh një jetë, të jetosh e të frymosh në çdovend përmes veprave tua’, shprehet me emocion të madh Mimoza.

Secili artist me kohë fillon e njihet nga stili të cilin e posedon, duke bërë kështu që të ata të njihen përmes veprave të tyre dhe jo vepra përmes tyre. Mimoza, në këtë rast, cilësohet për stilin e saj mjaft të veçantë. Stilin e saj Mimoza e konsideron të lirë, asaj nuk i pëlqejnë kufizimet, nuk i pëlqen të ndalet dhe të kufizohet në një stil apo të ndikohet nga ndonjë artist speçifik.
‘Jam njeri i lirë, i tillë është edhe arti im. Dua që edhe kur nënshkrimi im nuk gjendet në punimet e mia, njerëzit të njohin artin tim, duke e njohur kështu që ajo ide dhe ajo mënyrë e lirë e qetësuese e punimit është diçka Mimoze’, tregon Mimoza.

Ditët në karantinë kanë bërë që shumë artistë të shpalosin kreativitetin e tyre, të zbulojnë anë të reja të artit të tyre, e të jenë më afër se kurrë pranë artdashësve. Sigurisht se edhe Mimoza ka qenë pjesë e këtij grupi artistësh që kanë qenë mjaft kreativ gjatë atyre ditëve aspak të lehta. Në ato ditë izolimi, arti i Mimozës zuri vend në tekstil, ku me një stil Mimoze (pikërisht ashtu siç dëshiron ajo të njihet), ajo në tekstil me një kombinim të mahnitshëm ngjyrash, paraqiste figurën e gruas ashtu siç ne rrallë herë jemi mësuar të shohim.

‘Njihem si tip që ka dëshirë të zbukuroj çdo gjë që më rrethon, më jep ca ngjyra dhe një brushë dhe ashtu ndihem si në parajsë. Arsyeja pse arti në tekstil, tek i cili kësaj radhe protoganiste ka qenë më së shumti portreti i gruas, ka ardhur kështu: Cili është subjekti më i mirë për të shprehur ndjenjat dhe për të marrur vëmendjen e njerëzve më shumë se portreti i një gruaje?! Pasiqë është mjaft e vështirë për të gjetur një më të mirë se ato, gratë janë një nga mrekullitë më të mëdha të botës.’

Pandemia që ka kapluar botën ka shqetësuar secilin dhe ka qenë një periudhë mjaft stresuese për të gjithë, fatkeqësisht akoma vazhdon të mbetet e tillë. Mirëpo Mimoza, këtë periudhë e ka parë me mjaft optimizëm, duke e konsideruar si një ‘luks’ për punë intenzive.
‘Mendoj që në kohë stresi dhe trazirash lindin disa nga idetë më kreative. Besoj se kjo ka ndodhur edhe me mua gjatë kësaj periudhe, jam pajtuar me realitetin dhe po mundohem të shoh vetëm anën pozitive të kësaj situate’, shprehet tutje Mimoza.

Mimoza, një artiste e cila nuk ndalon kurrë së eksploruari botën e pafundme të artit, në moshë shumë të re, erdhi para artdashësve me një mori veprash artistike që përjetësisht do të bartin vulën e saj.
‘Le të ndriçojmë, frymëzojmë dhe motivojmë të gjithë rreth nesh’, përfundon intervistën ajo. / KultPlus.com

Shqiptarë e serbë punojnë murale bashkë në urën e Ibrit

Dhjetëra artistë të rinj shqiptarë e serbë, kanë punuar sot së bashku murale të ndryshme, duke kthyer kështu urën e Ibrit në qytetin e Mitrovicës në një instalacion artistik.

Ky ishte edicioni i dytë në kuadër të festivalit të muraleve ‘Nomad’, që u organizua nga organizata joqeveritare ‘Futja ngjyrë’ nga jugu dhe organizata ‘Link’ nga veriu i Mitrovicës.

Drejtori i OJQ-së ‘Futja ngjyrë’, Bardhyl Dobroshi, ka bërë të ditur për KosovaPress, se qëllimi i krijimit të këtyre muraleve është që të ndryshohet pamja e qytetit për të mirë.Ai shpreson se vitet në vijim ky qytet do të mbushet akoma më shumë me murale të tilla dhe atraktive.

 Në anën tjetër, Millan Dobriq, nga organizata joqeveritare ‘Link’, me seli në veri të Mitrovicës, tha se qëllimi i krejt kësaj është që sa më shumë të rinj të përfshihen në këtë aktivitet, në mënyrë që qoftë edhe për pak çaste të harrohen problemet e që ndërlidhen me politikë.

Sipas tij, pak ka rëndësi cilit komunitet i përket, sepse problemet dhe gjërat që bëjnë janë të ngjashme, ndërsa synimi është të punohet.Ndryshe, kjo ngjarje që përveç krijimit të muraleve të sotme, ka përfshirë kamping dhe work-shope të ndryshme gjatë ditëve të kaluara, ka kushtuar mbi 8 mijë euro, ndërsa është financuar nga Fondacioni kosovar për shoqëri të hapur dhe Drejtoria e Kulturës në Mitrovicë. Express / KultPlus.com

Murale e filma për nënën natyrë në kuadër të Green Festivalit

Në Mitrovicë janë duke vazhduar aktivitetet kulturore e sociale në kuadër të festivalit Green.

Nën udhëheqjen e artistes Rienke Enghardt nga organizata Hope Box – Amsterdam, në hapësirat e 7Arte u organizua dialogu artistik për problemet mjedisore që kërcënojnë vendin si dhe gjithë globin.

Të rinjtë shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me çështjet mjedisore, me ç’rast u ngritën çështje të ndryshme si dhe u dhanë ide të ndryshme kreative se si t’i përçojnë këto çështje në forma më kreative që do përdoren si,fluturake ereje dhe si dekore për skenën.

Mimoza Istrefi, fasilitatore e takimit para të pranishmëve shtroi çështjet mjedisore që e kërcënojnë Kosovën dhe qytetin e Mitrovicës, duke filluar nga prania e lartë e dioksidi i karbonit nga shfrytëzimi i thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike. Në anën tjetër në qytetin e Mitrovicës, ka probleme si deponia e mbeturinave në Gërmovë të Koshtovës dhe niveli i lartë i plumbit në ajër si rezultat i mbetjeve industriale.

Artistja Fio Silva punoi një mural, enkas për nënën natyrë, duke e shenjëzuar Qendrën e Kulturës ”Rexhep Mitrovica”. Nata e sotme po ashtu u përmbyll me shfaqjen e filmit dokumentar “Ferdonija” realizuar nga Gazmend Bajri. / KultPlus.com