Murali i fshehtë i Banksyt zbulohet në Londër

Një mural i Banksyt, i mbuluar gjatë muajve të fundit nga rrethojat dhe skelet e ndërtuesve, është zbuluar të hënën në zemër të zonës Notting Hill në Londër.

Vepra – e njohur me emra të ndryshëm, si “Graffiti Painter”, “The Painter” apo “Velazquez” – shfaq një artist, që mendohet të ketë qenë piktori spanjoll Diego Velazquez, me një këmbalec ku shkruan “Banksy” me shkronja të mëdha të kuqe.

I bërë në një cep të rrugës “Acklam” dhe Portbello në vitin 2008, murali ishte mbuluar pasi zhvilluesi “Enstar Capital” nisi të ndërtonte aty banesa luksoze.

“Është një veçanti e bukur për ndërtesën dhe një veçanti e bukur në Notting Hill që ka ruajtur londonicitetin e vet”, ka thënë për “Reuters” drejtori ekzekutiv i “Enstar Capital”, Simon Lyons.

“Një prej arsyeve pse e bleva ndërtesën ishte se aty ndodhej Banksy – ai i jepte një profil ikonik. Kështu që derisa mendoj se çmimet për Banksyn janë të pakuptimta, mund të thuhet se një njëfarë mënyre unë isha adhurues”.

Enstar në fillim kishte dashur të lëvizte Banksyn, por më pas kishte vendosur se kjo do të ishte tejet e rrezikshme, kështu që murali kishte mbetur në të njëjtin vend dhe ishte vënë nën ndriçim e ishte mbështjellë me xhama.

Banesat luksoze në këtë vend janë në vlerë prej së paku 950 mijë paundësh (1.2 milionë dollarësh) për një dhomë gjumi, ka thënë Lyons.

“A do të doja që të vinte Banksy e ta bënte atë në ndërtesën ku unë jetoj? Me gjasë jo”, ka thënë Lyons/ Reuters / KultPlus.com