Publikohet historia e panjohur e major Murat Bashës, me origjinë nga fshati Plan i Bardhë i Matit, pinjoll i një prej familjeve më në zë të asaj krahine për traditat patriotike, e njohur ndryshe edhe si një prej familjeve më besnikë të Mbretit Zog.
Kjo pasi gjyshi i Muratit, Veli Basha, gjithë jetën kish mbetur besnik i Xhelal Pashë Zogollit, madje edhe kur e ndoqi pas me bindje të plotë në luftrat kundër turqve, pas krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Inkuadrimi i Murat Bashës në armën e Xhandarmërisë Shqiptare që në vitin 1919 pas një kursi që ai kreu me ndërhyrjen e Ahmet Zogut, të cilit i qëndroi besnik për 20 vjet me radhë gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, fillimisht si Komandant i Shkollës së Xhandarmërisë në Tiranë dhe më pas si oficer pranë Gardës Mbretërore të Zogut, deri në prillin e ’39-ës, kur bashkë me të u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Jugosllavi si azilant politik.
Kthimi i Major Bashës në Shqipëri gjatë periudhës së pushtimit të vendit, ku ai bashkëpunoi ngushtë me major Abaz Kupin dhe u zgjodh Shef i Shtabit të forcave të Legalitetit, duke luftuar kundra forcave gjermane dhe atyre partizane në Tiranë, Krujë, Mat etj. , deri në fundin e ’44-ës, kur ai u arrestua nga komunistët dhe u dënua me pushkatim e u ekzekutua së bashku me 12 të tjerë në fundin e qershorit të vitin 1945.
Nga Dashnor Kolaçi
Kush ishte Murat Basha?
Murat Hysen Basha lindi në vitin 1900 në fshatin Plan i Bardhë të rrethit të Matit, në një familje me tradita patriotike dhe mjaft të njohur në atë krahinë. Bashkëshortja e Muratit, Sadetja, ishte stërmbesë nga familja e madhe e Frashërllinjëve të Përmetit, pasi nëna e saj, Havaja ishte nga dera e Abdyl Frashërit. Po kështu, familja e Murat Bashës kishte një lidhje miqësore e shpirtërore të hershme me familjen Zogolli nga Burgajeti i Matit, pasi gjyshi i Muratit, Veli Basha, gjithë jetën kish mbetur besnik i Xhelal Pashë Zogollit, madje edhe kur e ndoqi pas me bindje të plotë në luftrat kundër turqve, pas krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Pas institucionalizimit të Lidhjes, me vendim unanim të kryesisë së saj, Xhelal Pashë Zogolli u emërua zëvendëskomandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së Lidhjes dhe, në krye të kësaj ushtrie, së bashku me Iljaz Pashë Dibrën (Çokun) dhe Ali Pashë Gucinë, organizuan vullnetarët shqiptarë në mbrojtje të trojeve etnike nga copëtimi i fqinjëve. Në ato detyra që i’u ngarkoi Lidhja, Xhelal Pashë Zogolli kishte në krahun e tij të djathtë, Veli Bashën, i cili asnjëherë nuk i’u nda atij. Pas vdekjes së Xhelal Pashës, familja Basha, Veliu dhe Hyseni i ri (babai i Muratit), u vunë në shërbim të Xhemal Pashë Zogollit, deri në fund të jetës.
Ishte pikërisht kjo lidhje brezash, ajo që kushtëzoi vazhdimësinë e miqësisë midis këtyre familjeve, çka u vijua edhe në lidhjen e ngushtë midis Ahmet Zogut dhe Murat Hysen Bashës, që në hapat e para të luftës dhe përpjekjeve të përbashkëta në dobi të çështjes shqiptare dhe konsolidimin e shtetit të ri. Në vitin 1904, familja e Murat Bashës shpërngulet nga Klosi dhe vjen në Tiranë, ku Murati vazhdoi fillimisht shkollën ‘Mejtepe’ në Medresenë e asaj kohe. Pas mbarimit të shkollës së mesme, Murati u emërua në detyrën e sekretarit të komunës së Lukanit në rrethin e Dibrës, dhe një vit më vonë, në vitin 1919, ai u emëroua kryetar i asaj komune. Po në atë vit, Murati mori pjesë në rezistencën e vullnetarëve dibranë për mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare nga sulmet e herë pas hershme të shovinistëve serbë.
Njohja me Ahmet Zogun në vitin 1919
Sipas dëshmive të njerëzve të afërm të familjes Basha, gjatë atyre viteve, Murati u njoh me Ahmet Zogun që sapo ishte kthyer nga Vjena, dhe që nga ajo kohë ai mbeti një nga njerëzit më besnik të tij. Me interesimin e Ahmet Zogut, në vitin 1919, Murati kreu një kurs 6 mujor në Tiranë për nënoficer xhandarmërie, ku mori dhe gradën e nëntogerit. Pas kësaj ai u inkuadrua në armën e Xhandarmërisë dhe që nga ajo kohë ai qëndroi vazhdimisht pranë Ahmet Zogut, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara nga ushtria shqiptare kundër serbëve dhe disa rebelimeve apo kryengritjeve të ndryshme që ndodhën në Shqipëri nga fillimi i viteve ’20-të, dhe gjatë gjithë periudhës së Monarkisë.
Në një nga këto rebelime të armatosura të ndodhura në Tiranë në vitin 1922, Murati u plagos në gju, dhe me interesimin e Ahmet Zogut, ai u dërgua në Austri për t’u kuruar. Gjatë asaj kohe që ishte për mjekime në Austri, Murati kreu edhe një kurs tjetër 6 mujor në armën e Xhandarmërisë. Edhe pse mbeti sakat nga këmba e plagosur, Murati u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi të shërbente në armën e Xhandarmrisë, deri në qershorin e vitit 1924 kur forcat fanoliste ndërmorrën kryengritjen e armatosur dhe rrëzuan qeverinë e Shefqet Vërlacit. Në atë kohë, si një nga njerëzit më besnik të Zogut, Murati e shoqëroi atë duke i qëndruar pranë gjatë gjashtë muajve të azilit politik në Jugosllavi. Po kështu ai u kthye në Shqipëri me Ahmet Zogun dhe besnikët e tjerë të tij në 24 dhjetorin e vitit 1924, duke qenë një nga ushtarakët më aktivë si pjesmarrës i asaj lëvizjeje që njihet në histori si: “Triumfi i Legalitetit”.
Pas vendosjes së Legalitetit më 24 dhjetor 1924, Kryetari i Republikës, Ahmet Zogu, i ngarkoi Hysen Selmanit detyrën e vështirë të drejtimit të reformave në Forcat e Armatosura dhe Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, sidomos në krijimin dhe modernizimin e Repartit Special të Gardës Kombëtare. Në këtë detyrë mjaft të rëndësishme dhe delikate, kolonel Hysen Selmani kishte në krah major Murat Bashën, duke e pasur atë njeriun më besnik. Me urdhër personal të Mbretit, Zog, toger Murat Basha u emërua Komandant i Shkollës së Xhandarmërisë në Tiranë. Që nga ajo kohë e deri në prillin e vitit 1939, Murat Basha kreu mjaft detyra të ngarkuara personalisht nga Mbreti Zog, si ato për shtypjen e Kryengritjes së Fierit në 1935, apo atë të Delvinës në vitin 1938. Për ato shërbime dhe merita të veçanta, (pas shtypjes së Kryengritjes së Delvinës), Zogu i akordoi Muratit gradën e majorit.
7 prill 1939, lufton në Vorë e Prezë
Në 7 prillin e vitit 1939, major Murat Basha mori pjesë në rezistencën simbolike që i’u bë pushtuesve italiane, duke drejtuar disa reparte të Xhandarmërisë në zonën e Vorës dhe të Prezës. Pas kësaj, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria, për të mos rënë në dorë të forcave pushtuese italiane, të cilët e kishin futur atë në listat e ushtarakëve shqiptarë që kundërshtuan me armë pushtimin e Shqipërisë. Pasi doli në Jugosllavi, Murati u izolua bashkë me shumë patriotë të tjerë antifashistë, në kampin e ngritur nga qeveria serbe në rrethinat e Gostivarit. Në atë kamp ai qëndroi deri në vitin 1941 dhe në atë kohë, (pas pushtimit të Jugosllavisë nga Italia fashiste), bashkë me major Abaz Kupin, u kthye në Shqipëri.
Menjëherë pas kthimit në atdhe, nën drejtimin e Abaz Kupit, major Murat Basha vuri në shërbim të gjitha aftësitë e tij për organizimin e forcave zogiste të rezistencës, duke marrë pjesë dhe drejtuar shumë luftime kundër italianëve. Këtë gjë ai e vazhdoi deri në kapitullimin e Italisë fashiste më 9 shtator të vitit 1943. Gjatë asaj kohe, Major Murat Basha ishte një nga ideuesit dhe krijuesit e Partisë së “Legalitetit” e cila u formua në nëntor të vitit 1943, në fshatin Zall Herr të Tiranës. Duke qenë një nga njerëzit më të afërt dhe besnik të Abaz Kupit, ai u përpoq dhe luftoi bashkë me të me qëllimin për t’i dhënë vendit një forcë politike dhe ushtarake, e cila do të përfaqësonte lëvizjen e rezistencës zogiste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Basha, një nga ushtarakët kryesor të Legalitetit
Me krijimin e partisë Lëvizja e Legalitetit, e cila në programin e saj do të kishte si alternativë modelin e qeverisjes së suksesshme dhe përvojën e drejtimit 15-vjeçar të shtetit shqiptar gjatë periudhës 1924-1939, Murat Basha u bë një nga udhëheqësit ushtarak më të spikatur të saj. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes në fillimin e shtatorit të vitit 1943 dhe fillimit të luftës civile nga ana e komunistëve të Enver Hoxhës, të cilët filluan goditjet me armë ndaj forcave zogisto-balliste, si një nga ushtarakët më besnikë të Mbretit dhe ndër më të përgatiturit pranë shtabit të Abaz Kupit, major Murat Basha luajti një rol vendimtar në konsolidimin e strukturave ushtarake të Legalitetit. Kjo gjë u duk së tepërmi, sidomos gjatë dimrit të vitit 1943-‘44, dhe pranverës së vitit 1944, deri në fillimin e inkursionit të brigadave partizane komuniste në drejtim të Veriut, në gusht të vitit 1944. Në këtë periudhë, major Abaz Kupi i besoi major Murat Bashës drejtimin e forcave ushtarake të Legalitetit, (në atë kohë major Murat Basha u emërua shef i Shtabit të forcave ushtarake të Legalitetit që ishin përqendruar në fshatin Prezë të Tiranës), të cilat do të pengonin marshimin e brigadave partizane të Enver Hoxhës në malësitë e Tiranës.
Në këtë kuadër, në krye të forcave të Legalitetit, major Murat Basha luftoi për mbrojtjen e familjeve legaliste dhe antikomuniste në grykën e Shpalit, duke rënë disa herë në përpjekje me forcat partizane, të cilat kryenin një terror të paparë mbi popullsinë civile të atyre fshatrave apo shtëpive që njiheshin si zogistë dhe ballistë. Pas luftimeve të përgjakshme në Shpal të malësisë së Tiranës, forcat zogiste të udhëhequra nga major Murat Basha, u tërhoqën në malësitë e Krujës dhe Matit, duke organizuar rezistencën kundër brigadave partizane të udhëhequra nga komunistët, të cilët, ashtu sikundër kishin dëshmuar edhe në Jug, filluan reprezaljet dhe masakrat kundër forcave nacionaliste. Të tilla ishin ato të zhvilluara në krahinën e Martaneshit (kryesisht në fshatin Kurdari të Matit), në gushtin e vitit 1944, në të cilat, me urdhër të Mehmet Shehut e Shefqet Peçit, u masakruan 47 civilë të pafajshëm, me qëllim për të ushtruar terror e për të nënshtruar me lehtësi Veriun e Shqipërinë ku pjesa më e madhe ishin përkrahës të Legalitetit.
Në atë kohë major Abaz Kupi dhe Murat Basha, drejtuan luftimet kundër forcave partizane në Mat dhe Malësitë e Krujës, duke i detyruar komunistët të tërhiqeshin disa herë. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 1943 dhe deri në nëntorin e vitit 1944, major Abaz Kupi dhe major Murat Basha, si dhe drejtues të tjerë të forcave Legaliste, të këshilluar nga oficerët e misioneve britanike të atashuara pranë tyre, insistuan të ndërpriteshin luftimet, me qëllim që të evitoheshin gjakderdhja dhe lufta civile. Dhe për këtë gjë, ata u munduan të evitonin përpjekjet e armatosura me forcat partizane, të cilat kishin nisur mësymjen jo ndaj forcave gjermane që tërhiqeshin në rrugët nacionale; Tiranë-Shkodër dhe Tiranë-Kukës, por ndaj forcave nacionaliste të Legalitetit, të cilat ishin përqendruar kryesisht në fshatrat e Tiranës, Krujës dhe Matit, ku kishin dhe mbështetjen kryesore të tyre.
Arrestimi dhe pushkatimi i major Murat Bashës
Në fundin e vitit 1944, kur fitorja e forcave partizane komuniste të Enver Hoxhës, ishte çështje ditësh, major Murat Basha nuk pranoi të largohej nga Shqipëria ashtu si shumë eksponentë të tjerë të Ballit dhe Legalitetit. Me bindje të plotë se nuk kishte kryer kurrfarë krimesh lufte, aq më tepër kundër popullit, major Murat Basha pranoi me dëshirë t’i nënshtrohej një gjykimi të drejtë, ndonëse nuk besonte se ajo gjë do të bëhej prej fitimtarëve të Luftës. Pas arrestimit, major Murat Basha u transferua në Burgun e Tiranës, në pritje të gjykimit, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë.
Një nga bashkëkohësit e Murat Bashës, veterani i njohur i forcave nacionaliste të “Ballit Kombëtar”, Xhemal Alimehmeti, në kujtimet e tij, ka përshkruar dhe ka folur edhe për Murat Bashën, për periudhën që ata të dy ishin bashkë në burgun politik të Tiranës. Edhe pse afër të nëntëdhjetave, me një kthjelltësi dhe kujtesë të admirueshme, Xhemal Alimehmeti tregonte edhe detaje të çasteve të fundit të major Murat Bashës, kur ai ndodhej para pushkatimit, bashkë me 12 antikomunistë të tjerë, në fund të qershorit të vitit 1945. Veterani ballist, Alimehmeti, në kujtimet e tij shkruante se, pas një gjyqi me akuza absurde e me procedurë të përshpejtuar, u pushkatuan 13 nacionalistë: major Murat Basha, Sure Ajazi, Xhelal Peza, Mersin Hasa, Hajredin Zogolli, Besim Pazari, Isuf Diva, Osman Taraku, Mustafa Vrapi Fagu, (20-vjeçar). (Katër të tjerët, ai nuk i kujtonte, pasi ishin shumë të rinj dhe pothuajse të panjohur, por që ishin antikomunistë).
Lidhur me këtë, midis të tjerash Xhemal Alimehmeti kujtonte: “Ditën e pushkatimit ata i lidhën dy nga dy, me copa telash me gjemba dhe, pastaj, të gjithë bashkë me një tel të gjatë. Në krye të djemve, printe major Murat Basha, i cili u jepte zemër të githëve. Në fund të rreshtit, ishte lidhur i riu trim, Mustafa Vrapi (Fagu). Ne të burgosurit e tjerë, e kishim marrë vesh vendimin e gjyqit për pushkatimin e tyre dhe me zemër të thyer, po prisnin çastin e fundit për t’u ndarë me ta. Kur i nxorën në fund të korridorit të gjatë të burgut, major Murat Basha thirri me zë të lartë: ‘Rroftë Shqipnija Etnike…Rroftë Mbreti…’, dhe pastaj filloi i pari të këndojë himnin kombëtar. Pas tij filluan të këndojnë të gjithë të tjerët dhe pas tyre filloi të këndojë me zë të fuqishëm i gjithë burgu.
Gardianët u tmerruan. Në dalje të derës së burgut, Fagut, i’u prenë gjunjët dhe ra, por atij menjëherë i futi krahun patrioti kosovar Osman Taraku, i cili e ngriti me fuqi dhe i dha zemër që të mos jepej para xhelatëve. Siç mësuam më vonë, shkaku i dobësisë së Fagut ishte nëna e tij, e cila sapo kish marrë vesh se ata ishin dënuar me pushkatim, mendoi t’i mallëngjejë xhelatët, që të mos i’a vrisnin djalin e vetëm. Fagu, kur pa nënën që i’u rrëzua tek këmbët, u ligështua për një çast, por e kaloi dobësinë dhe eci i vendosur me shokët. Pas njëzet minutash, ne të burgosurit, me zemër të ngrirë dëgjuam bataretë e pushkëve të skuadrës së pushkatimit. Pas kësaj, toga e policëve-vrasës, erdhi duke kënduar këngë partizane, me tekst dhe muzikë sllave, të huazuara nga Tito e Stalini e të mësuara nga Dushan Mugosha, Miladin Popoviç e majori sovjetik, Ivanov.
Kontrasti midis këngëve sllave dhe këngëve patriotike e himnit të flamurit, bënin edhe diferencën midis nesh dhe komunistëve. Unë njihja një partizan që dikur kish qenë me Ballin, me forcat e Kadri Cakranit. Këtë partizan e quanin Qemal, dhe unë e takova pas disa ditësh, ku e pyeta për qëndrimin e trimave para pushkatimit. Ai më tregoi se: ata vdiqën si heronj. Murati nuk kish pranuar t’ia lidhnin sytë dhe para se xhelatët të qëllonin, kish thirrur me zë të lartë: ‘Qëlloni qenër… Rroftë Mbreti Zog…’. Pastaj arrestuan Akilin 17-vjeçar, që në atë kohë ishte gjimnazist. Bashkë me Akilin komunistët arrestuan edhe shokët e tij, gjimnazistët antikomunistë: Bujar Doko (përkthyesi i famshëm), Abdulla Berberi, Ismail Lleshi, Petrit Toto, Petrit Berisha, Parid Derani, Perlat Myftari, Adem Petrela, Bardhyl Dindi etj., gjithsej 12-13 vetë.
Pastaj, Akili kaloi kalvarin e burgjeve tre herë, ndërsa familja u keqtrajtua, ashtu siç kishte frikë dhe shpesh më thoshte në burg edhe Murati, i cili nuk pyeste fare për veten, por kishte merak për Akilin, të cilin e kishte pikë të dobët, ndaj i lutej Zotit që ta shpëtonte. Ai gjithashtu kishte merak për të gjithë familjen, të cilën e adhuronte”, e mbyll rrëfimin e tij, Xhemal Alimehmeti, duke u ngashëryer në lot, teksa kujtonte ish-shokët e tij të burgut që u ekzekutuan nga komunistët si “armiq të popullit”. Në kujtesën e Xhemal Alimehmetit, të bashkëkohësve dhe të të gjithë nacionalistëve, major Murat Basha ishte dhe mbeti atdhetari i madh, që luftoi për Shqipërinë dhe për Mbretin.
Letra e fundit për bashkëshorten, një ditë para pushkatimit!
Pak orë para ekzekutimit, në mbrëmjen e datës 6 qershor të vitit 1945, teksa priste skuadrën e pushkatimit për t’a marrë, major Murat Basha mundi që t’i shkruante një letër bashkëshortes së tij. Në atë cop letër të cilën familja e Murat Bashës e ka ruajtur si një nga gjerat më të rralla të saj, thuhet: “Ah grue, moj e zeza grue! Tash shtatë vjet që zemra jote qet vetëm vaje, lot dhe vner, domethënë qysh prej 7 Prillit 1939, dhe ti moj e bekueme, me gjithë kalamajtë vuejte, u mundove, u burgose, u internove, u dogje dhe u përvëlove. Kështu ra që edhe ti e bane luftën tande. E përse? Për të fituar lirinë! Kurse sot, që pritshim për me shiju të drejtën, mundin, djersën dhe gjakun e derdhun, përkundrazi, paska qenë kadër për me u ba kurban i mundimeve tona, e viktimë. Ani, ani Sato e dashun, prap mos u dëshpro, por, të lutem, si ngahera banu burrneshë e qëndro, se unë po bahem kurban i Lirisë së shenjtë. Tanë bota e din çështjen t’eme dhe e çmon fare mirë.
Porosi sa vijon:
1 – Amanet kalamajtë, shumë, shumë, shumë kujdes për fatin dhe edukimin e djemve dhe me ju dhanë ndonji zanat.
2 – Mbasi shpija asht e juaja, besoj se s’kan me ja u nga, bani si të bani e Zoti ju ndihmoftë dhe kam besim se miqtë s’kanë me ju lëshue doret.
3 – Dëshiroj që vorri të mos më hupi.
4 – Teshat që kisha me vedi në burg, i tregon lista ngjitun. Ruijini si kujtimin ma të shtrenjtë nga ana jeme.
5 – Me Metin takojuni, se mund t’u bajë hall për ndihmë.
6 – Këto letra ja u nepni të adresuemve.
7 – Nuk më vjen keq se po vdes, se po vdes për Liri dhe për çështjen tonë të madhe. Po hallin tuej e të rrethit familjar e kam të madh, se e di se në ç’gjendje po ju lej, e nuk po mund ta përshkruej dëshprimin tem, po fuqimadhen Perendi paçi ndihmë.
Pra edhe njiherë po ju lutem e po u them të bani shumë gajret…
Po i nap fund, duke ju puth e përqafu gjithmonë.
Në zemrën tande
Murati
– Edhe nji porosi: Vaje e gjamë mos me ba, vetëm gajret. /Memorie.al / KultPlus.com