MKRS ndan 330,000 euro për trajnimin e 400 nxënësve në sportin e skijimit

Sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, Dafina Gexha, Zëvendësministre e Shëndetësisë, rektorin e UP Naser Sahiti, dekanin e FEFS, Musa Selimi dhe Kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Adrian Telaku nënshkruan memorandum bashkëpunimi që parasheh përfshirjen e rreth 400 nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në projekt të edukimit jo-formal në sportet malore, specifikisht skijimit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 330,000.00 Euro për trajnimin e 400 nxënësve në sportin e skijimit. Për realizimin e aktiviteteve sportivo-edukative, përmes së cilave promovohen benefitet e aktivitetit fizik dhe kapacitetet e  Republikës së Kosovës për zhvillimin e sporteve malore.

Obligim i MASHTI-t do të jetë përzgjedhja e nxënësve dhe stafit përcjellës të tyre. Ministria e Shëndetësisë sipas memorandumit do të sigurojë stafin mjekësor dhe mjetet përcjellëse. Universiteti i Prishtinës, respektivisht FEFS, do të bëjë trajnimin e nxënësve në sportin e skijimit nëpërmjet stafit profesional, të cilin do ta sigurojë. Ndërsa FSSHK-ja obligohet për mbarëvajtjen e organizimit dhe kryerjen e shpenzimeve të realizimit të këtij projekti.

Memorandumi përfshin mbështetjen e aktiviteteve në harkun kohor një vjeçar, përkatësisht në vitet 2021 dhe 2022, ndërsa qëllimi është zhvillimi, avancimi dhe masovizimi i sportit në vendin tonë. / KultPlus.com

Prishtina feston fitoren e Distria Krasniqit, KOK-u pret medalje edhe nga sportistët e tjerë

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me departamentin e sportit dhe kulturës së Komunës së Prishtinës, kanë organizuar festë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në nder të fitores së medaljes të artë të Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike ”Tokio 2020”.

Musa Selimi anëtar i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se pas Majlinda Kelmendit, tanimë po shndrisin edhe sportistë tjerë kosovarë.

Ai tha se nga Tokio 2020 presin edhe medalje tjera, ndërsa uroi të gjithë shqiptarët për triumfin e Distria Krasniqit.

“Pas Majlindës po shndrisin edhe yjet tjerë. Po shndrit një yll i cili sot i dha botës një kampione të vërtetë. Shpresojmë të kthehemi me numër më të madh të medaljeve pas disa ditëve. Vlerat olimpike po shndërrisin në Kosovë, rinia jonë e shkëlqyeshme po demonstron që Kosova jonë e dashur ka yje, ka njerëz me zemër të madhe që po na përfaqësojnë denjësisht. Urime Prishtinë, urime Kosovë. Urime të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha ai.

Edhe Fitim Rexhaj nga drejtoria e departamentit të kulturës nga Komuna e Prishtinës, tha se presin nga sportistët tjerë rezultate të njëjta si të Distria Krasniqit. Edhe ky uroi të gjithë shqiptarët për këtë fitore historike.

“Ne presim rezultate të mira edhe nga sportistët tjerë. Ndërsa ne i përkrahim të gjithë sportistët kosovarë pa dallim dhe urojmë që nesër edhe Majlinda të sjell një rezultat të ngjashëm dhe të na gëzojë e të na bëjë krenar. Urojmë Distrian për këtë rezultat dhe shpresojmë që edhe sportistët e tjerë të na gëzojnë kështu. Gëzuar për të gjithë”, tha ai.

Në këtë mbrëmje ku pjesëmarrja ishte e madhe u ekspozuan video nga garat e Distria Krasniqit në ”Tokio 2020”, ndërsa u hodhën edhe fishekzjarrë të shumtë.

Më pas mbrëmja vazhdoi me interpretimin e këngëve nga disa bende të njohura muzikore. / KultPlus.com