The Weeknd do të nderohet me çmim për kontributin e tij në bamirësi

Ylli i muzikës, The Weeknd, do ta pranojë çmimin “Quincy Jones Humanitatian Award” në ceremoninë e parë shpërblyese “Music in Action Awards”.

Këngëtari i hitit “Blinding Lights” do të jetë ndër artistët e nderuar në ngjarjen e përvitshme të organizuar nga “Black Music Action Coalition”, e që mbahet në një hotel të Hollywoodit më 23 shtator të këtij viti.

Çmimi që do t’i ndahet muzikantit kanadez e nderon angazhimin e tij të madh në fushën e bamirësisë, me ç’rast artisti ka dhuruar miliona dollarë për çështje të ndryshme bamirëse, prej fillimit të pandemisë së koronavirusit.

Ndër organizatat që kanë përfituar nga donacionet e artistit 31-vjeçar, janë: “Black Lives Matter Global Network”, “Colin Kaepernick Know Your Rights Camp Legal Defense Initiative” dhe “National Bail Out”, si dhe fushatat për lehtësimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, “MusiCares” dhe disa organizata tjera në Etiopi dhe Libi.

Çmimet “Music in Action” do t’i nderojnë artistët, drejtuesit dhe bizneset në industrinë e muzikës, të cilët kanë dhënë kontributet më të rëndësishme për drejtësi sociale, barazi dhe ndryshim, gjatë vitit të fundit. / Koha.net / KultPlus.com

@AP/Associated Press