Dilemat shekullore, çështjet tabu dhe dashuria e pastër ndërthuren mes vete te ‘Muslimani’

Uranik Emini

Martesa, si një bashkim mes dy personave, në shumicën e rasteve midis një burri dhe një gruaje, rregullohet nga ligje, rregulla, zakone, besime dhe qëndrime që përshkruajnë të drejtat dhe detyrat e partnerëve. Mirëpo, një ndikim të madh në martesën e njerëzve nga Kosova dhe më gjerë, është përzier me fenë, në këtë rast atë muslimane, duke pasur parasysh përqindjen e lartë të kësaj feje në Kosovë dhe rajon, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Muslimani”, e cila ngërthen në vete një dilemë shekullore në qoftë se duhet të lejohen martesat mes një gruaje muslimane dhe një burri katolik, paraqet edhe mentalitetin e “turbullt” të shoqërisë, që edhe pas viteve të shumta nuk po gjen përmirësim. Vetëkuptohet se martesa e një gruaje muslimane me një burrë jomusliman është një nga çështjet kryesore tabu në debatet mbi islamin.

Sefedini, i cili është i shtrirë në një kolltuk, çdo ditë zgjohet nga gjumi për të falur namazin e mëngjesit, ku edhe kryen të gjitha ritualet përpara faljes. Në anën tjetër, Anita, një vajzë e re, e cila pa dijeninë e Sefedinit, angazhohet nga vajza e tij për t’i bërë shoqëri një babai që nuk del asnjëherë nga shtëpia dhe gjithçka që ai dinë të bëjë, është vetëm të falet dhe të pi çaj.

Dini, rolin e të cilit e portretizon autori dhe regjisori i shfaqjes, Enver Petrovci, parqet një musliman i cili ka “zhdukur” nga jeta vajzën e tij, për arsye se kjo e fundit u martua me një burrë amerikan-katolik.

Shfaqja e cila zgjati për dy orë kaploi disa tema dhe probleme aktuale të shoqërisë dhe faktin që Dini asnjëherë nuk e lë mënjanë mendësinë e të kaluarës që një vajzë duhet patjetërsisht të martojë një musliman, ose ndryshe konsiderohej se po “tradhtohej” feja.

Bota ka ndryshuar thellësisht dhe ne duhet të përballemi me realitetin, një gjë të tillë e bëri edhe Dini në fund të shfaqjes, atëherë kur edhe dashuria mes tij dhe Anitës lindi natyrshëm. Dashuria mund të bëjë më shumë sesa të kalojë vetëm kufijtë – ajo mund të ndërtojë ura mes dy personave, dhe ndoshta kjo është diçka për të cilën ata patën më së shumti nevojë.

Pas shfaqjes, autori, regjisori, aktori, kantautori dhe protagonisti kryesor i shfaqjes, Enver Petrovci, në një intervistë për KultPlus, rrëfeu edhe momentin kur lindi ideja për këtë shfaqje.

“Jam munduar të paraqes mentalitetin e shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por sidomos në Ulqin. Kjo ide më lindi pikërisht kur isha në plazh dhe atje filloi një dasëm. Prapa meje dëgjova në gjuhën malazeze, kur dikush po bënte një martesë dhe ishin pikërisht një shqiptare muslimane me shqiptarin malazez ortodoks që po kurorëzonin martesën e tyre. Atje pronari i hotelit, i cili ishte gjithashtu shqiptar katolik, më njoftoi se këtu shqiptarët musliman dhe katolikë nuk martohen kurrë mes vete, por vetëm me shqiptarë të tjerë malazez ortodoks, ndoshta ka ndodhë që janë martuar vetëm dy çifte, por ata më pas kanë ikur nga Ulqini, këtu edhe lindi inspirimi”, deklaroi ai.

Roli i Anitës luhet nga ish-studentja e profesorit, Vlora Nikçi, e cila paraqet dhimbjen që totalisht ndryshon dramaturgjinë e shfaqjes.

“Unë i edukoj studentët e mi që të luajnë me mua, nuk kam turp për studentët e mi, aq sa i mësoj dhe aq sa dinë. Unë kam qef të luaj së bashku me ta, ne për këtë punë po shkollohemi. Me kënaqësinë më të madhe luaj me ta, ndërsa studentët e kanë një drojë se po luajnë me profesorin, por me kohë çlirohen dhe e vazhdojmë pa problem”, tha në fund Petrovci.

Ndërkaq, Nikçi për KultPlus tha se profesori ishte vetë tekstshkruesi dhe regjisori, gjë që e bëri edhe më të vështirë adaptimin me të.

“Enver Petrovci ishte profesori, regjisori dhe tekstshkruesi, që do të thotë se kanë dal pikërisht prej shpirtit, dorës dhe mendjes së tij teksti që ka bërë ai, e kjo është e vështirë t’i adaptohesh. M’i dhënë frymë dhe jetë atij personazhi që ai vetë e ka kriju dhe shkru është shumë e vështirë. Unë për këto katër muaj kam ecur nëpër dy emocione shumë të fuqishme. Një është e keqe, se si me e plotësu atë që e ka bë regjisori dhe tekstshkruesi, e në anën tjetër kur po i jepja jetë asaj që me të vërtetë është Anita që ai e ka shkruar. Këto janë dy gjëra shumë të fuqishme që më kanë ndjekur pas këto muaj”.

Sa i përket pjesës së portretizimit të roleve të tilla, Nikçi i vlerësoi shumë e madje tha se dhimbjet e mëdha na shtyjnë që të bëjmë gjëra të bukura, njësoj siç u shfaqën edhe aty.

“Është shumë e rëndësishme portretizimi i roleve të tilla në teatër, dhimbja e Anitës më prek shumë. Është pikërisht kjo dhimbje që e bën atë të vazhdojë me këtë burrë të lënë pas dore, dhimbja e saj e shtynë të vazhdojë të bëjë gjëra të bukura. Mos të harrojmë që ndonjëherë, dhimbjet e mëdha na shtyjnë të bëjmë shumë gjëra të bukura. Është dhimbja e Anitës që e ndryshon të gjithë dramaturgjinë e shfaqjes, prandaj është edhe e fuqishme”, u shpreh ajo.

E pyetur në qoftë se ky është roli më i vështirë që ka pasur në teatër, ajo tha se ishte shumë i veçantë për faktin se luajti krah ish-profesorit të saj, e madje edhe u rikthye në kohë për të mësuar gjëra të cilat mund t’i kishin “ikur” si studente.

“Nuk do të thoja që është roli më i vështirë që e kam pasur në teatër, por më i veçanti po, pasi po luaja me profesorin tim në skenë. Dhe po të luash me profesorin në skenë, ndjehesh pak e priviligjuar, mos të harrojmë që ky thotë se është regjisori në shfaqje, por ai ka qenë gjithmonë profesori. Më është duk sikurse jam rikthyer në studime dhe kam kapur edhe një herë të gjitha mësimet që dikur në ligjërata kanë mundur të më ikin si studente”.

Dashuria është një gjë e vështirë, sepse ajo mbështetet në më shumë se vetëm ndjenja – ka të bëjë me vullnetin, përkushtimin dhe këmbënguljen, pavarësisht pengesave që qëndrojnë në rrugë. Por nëse ka një vullnet e një mënyrë, atëherë ka edhe një rrugëdalje, gjë të cilën e gjetën edhe Hana (vajza e Dinit) dhe Stefani, i dashuri i saj. E për të ruajtur ndjenjën më të thellë të shpirtërores së zemrës, do të ishte thelbësore të kapërcejmë hipokrizitë dhe dyfytyrësinë shoqërore që shpërbëjnë mënyrën tonë aktuale të jetesës. /KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës me tri premiera në muajin mars

Teatri Kombëtar i Kosovës ka bërë të ditur orarin e tyre për muajin mars, në të cilin janë paraparë tri premiera, shkruan KultPlus.

Më 21 mars me fillim nga ora 20:00 do të shfaqet premiera “Muslimani” me autor dhe regjisor Enver Petrovcin.

Në anën tjetër, premiera e dytë ka të bëjë me balet, ku do të jepet shfaqja “Romeo dhe Zhulieta” me koreografi të Konstantin Uralskyt.

Premiera e tretë dhe ajo e fundit është vendosur më 30 mars, me titull “Kuartet” nga Heiner Muller me regji të Alban Beqiraj. /KultPlus.com