Mustafa Krantja, i pari dirigjent i Filarmonisë Shqiptare

Më 10 prill 1921 lindi Mustafa Krantja, i pari dirigjent i Filarmonisë Shqiptare dhe më pas i Teatrit të Operas dhe Baletit.

Krantja hodhi bazat e dirigjimit operistik në vend, duke u bërë drejtues i mjaft koncerteve, operave dhe baleteve të para, që Teatri i Operas e Baletit vuri në skenë.

Gjatë disa dekadave drejtoi një numër të madh premierash të kompozitorëve shqiptarë dhe të kompozitorëve botërorë në të gjitha gjinitë, që nga kënga deri tek opera e baleti, ndër të cilat: “Rusallka” (operën e parë të vënë në skenë në Shqipëri); “Ivan Susanjin”; “Nusja e shitur”; “Traviata” etj.

Kontributi i tij ka vijuar edhe me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, Orkestrën e Konservatorit Shtetëror të Tiranës dhe si pedagog i dirigjimit në Institutin e Lartë të Arteve.

Krantja njihet gjithashtu si kompozitor i mjaft veprave muzikore, vokale e simfonike dhe një publicist i palodhur, nga pena e të cilit kanë dalë një numër i madh artikujsh të ndryshëm të artit muzikor, emisione të ndryshme televizive e intervista.

Për karrierën e tij artistike është nderuar me çmime, urdhra e medalje të shumta, si: Urdhri i Punës të klasit të parë dhe të dytë; Urdhri “Naim Frashëri” i klasit të Parë, titulli “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, medalja e nderit nga Opera e Bakut, medalja “Anëtar Nderi i Përjetshëm” e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Artit dhe Letërsisë me seli në qytetin e Brindizit (Itali), medalja “A. Dvorzhak” nga Ministri i Kulturës i Republikës Çeke, si edhe mban titullin e lartë “Nder i Kombit”. / KultPlus.com

13 janar 1963, premiera e baletit ‘Halili dhe Hajria’

Data 13 janar e vitit 1963 ishte historike.

Po këtë ditë u dha premiera e Baletit të njohur “Halili dhe Hajria, baleti i parë shqiptar që hapi siparin e baleteve tjera kombëtare që do të pasonin më vonë.

Baleti u vu në skenë nga kompozitori Tish Daija dhe baletmaestër Panajot Kanaçi. Dirigjent: Mustafa Krantja. Solistët e baletit ishin: Ganimet Vendresha, Xhemil Simixhiu, Miltiadh Papa, Petrit Vorpsi, Zoica Haxho, Estref Shaqiri, Albert Janku dhe Engjell Tershana.

Halili dhe Hajria është një vepër baleti tërësisht shqiptare, e para në skenën e baletit shqiptar.

Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj.

Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të njëqind e pesëdhjetën herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë. Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë. Në të dy rastet baletmaestër ka qenë i madhi Panajot Kanaçi.

Drama “Halili dhe Hajria” është shkruar në vitin 1949 nga Kolë Jakova. Ajo pasqyron trimërinë e luftëtarëve të Malësisë së Madhe në ndeshje me pushtuesit turq, në shekullin XVIII. / KultPlus.com