Në kuadër të projektit për restaurimin dhe muzealizimin e ish-banesës së Toptanasve/Libohovitëve, e njohur si “Muzeu Besa”, është zhvilluar një dëgjesë publike ku specialistët dhe grupe interesi diskutuan ide të reja për këtë monument kulture.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, thekson se diskutimet u përqendruan në restaurimin, ruajtjen e peizazheve kulturore dhe pasurimin e narrativave që lidhen me këtë trashëgimi të veçantë.
“Në dëgjesën publike për Projektin e Restaurimit dhe Muzealizimit të ish-banesës së Toptanasve/Libohovitëve “Muzeu Besa”, patëm mundësinë të diskutojmë ide të reja me specialistë të fushës dhe grupe interesi, duke u përqendruar në restaurimin, ruajtjen e peizazheve kulturore dhe pasurimin e narrativave që lidhen me këtë trashëgimi të veçantë”, shkruan Gonxhja.
Ky projekt, sipas ministrit, synon të ndërtojë një hapësirë që përçon mesazhin e unitetit dhe të traditës kulturore shqiptare.
“Ky projekt lindi nga konkursi i zhvilluar në vitin 2023, me synimin për ta shndërruar këtë monument kulture në një muze që pasqyron një nga vlerat themelore të identitetit shqiptar: Besën. Përmes këtij projekti, synohet të ndërtohet një hapësirë që përçon mesazhin e unitetit dhe të traditës kulturore shqiptare”, shkruan ministri.
Gonxhja shtoi se përfshirja e komunitetit, konsultimi me ekspertët dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë elemente kyçe për realizimin e suksesit të këtij projekti.
“Përfshirja e komunitetit, konsultimi me ekspertët dhe bashkëpunimi ndërinstitucional mbeten gurë themelorë për suksesin e këtij projekti”, shkruan Gonxhja. /atsh/ KultPlus.com
Turistët vendas e të huaj gjithnjë e më shumë po shfaqin interes për t’u njohur me historinë e popullit shqiptar.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bën me dije se përgjatë periudhës janar-nëntor 2024, muzetë kombëtarë në Shqipëri kanë mirëpritur 455 267 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndër këto institucione, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë ka vijuar të thyejë rekorde, duke mirëpritur vetëm gjatë muajit nëntor 10 003 vizitorë.
Kjo rritje e ndjeshme e vizitave reflekton interesin në rritje për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe përpjekjet për promovimin e muzeve si destinacione të rëndësishme për turizmin kulturor. /atsh/ KultPlus.com
Specialistët e laboratorit të restaurimit në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, me përkushtim shpëtojnë çdo ditë thesaret e trashëgimisë sonë kulturore.
Në bazë të një marrëveshjeje mes Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar dhe Universitetit Politeknik Tiranë, në kuadër të projektit “Hartografimi dhe dokumentimi i zonave Arkeologjike, Lubonjë, Korçë”, specialistët janë duke u kujdesur për 7 ikona.
Ikonat aktualisht janë në proces konsolidimi dhe restaurimi.
MKMA shpërndau në rrjetet sociale imazhe nga puna që po kryhet mbi ikonën “Shën Maria me Krishtin në fron”. Ikona i përket vitit 1814, me origjinë mga kisha e Shën Marisë, Lubonjë, Korçë./atsh/ KultPlus.com
Turistët vendas e të huaj gjithnjë e më shumë kanë kuriozitet për t’u njohur me historinë e popullit shqiptar dhe në veçanti me atë të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga turistët të cilët kanë shijuar perëndimin e diellit në oborrin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri.
I vendosur në brendësi të rrënojave të kalasë shekullore të Krujës, muzeu u hap më 1982.
Ndërtesa është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle mesjetare shqiptare, me fokus kryesor dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit tonë kombëtar./ atsh/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se sot është marrë vendimi për mbylljen e Muzeut të Kosovës, për shkak të resturimit të përgjithshëm të cilit do t’i nënshtohet ky institucion.
Ministri Çeku tha se Këshilli Drejtues ka vendosur që mbyllja e muzeut do të bëhet për 12 muaj, aq sa pritet të zgjasin punimet që fillimisht në fokus kanë konsolidimin e kushteve të deposë.
Ai më tej ka potencuar se Muzeu Kombëtar i Kosovës pas restaurimit do të jetë institucion modern muzeal, me standard të ri të dokumentimit dhe prezantimit të historisë.
“Kontrata për restaurimin e përgjithshëm tashmë është nënshkruar, ndërsa sot Këshilli Drejtues ka marrë vendim për mbylljen e Muzeut për 12 muaj, aq sa pritet të zgjasin punimet që fillimisht në fokus kanë konsolidimin e kushteve të deposë.
Krahas restaurimit po vazhdon trajtimi i fondit muzeor, ndërsa po formohet komisioni profesional për rikonceptimin e ekspozitave të përhershme”, ka thënë Ministri Çeku./ KultPlus.com
Turistët e huaj e kanë kthyer Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë në ndalesë të pashmangshme gjatë turit në Shqipëri, por në qytet nuk mungojnë edhe vizitorët vendas.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë, i cili është kthyer në një atraksion të madh turistik.
Kryeministri bëri të ditur se plot 86,708 vizitorë e kanë vizituar këtë muze vetëm në 7-mujorin e parë të vitit, ose mbi 90% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë.
Në muze numërohen disa pavijone si, pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i Principatave Shqiptare, i Pushtimit Osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.
Në këto pavijone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit XV, etj./atsh/ KultPlus.com
Muzeu Etnografik i Durrësit, i ngritur në Shtëpinë Muze të Aleksandër Moisiut do të rilind nga e para me një godinë të rijetësuar.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, se “muzeu do të rilind nga e para, me një godinë të rijetësuar, duke ruajtur arkitekturën dhe tërësinë e vlerave autentike që ka”
Rama shton se rëndësinë historike që mbart muzeu.
“Monument kulture i kategorisë së parë në dhomat e këtij muzeu ndodhen më shumë se 300 objekte, koleksione të pasura të veshjeve popullore të trevës etnografike të zonës së Durrësit dhe të Shqipërisë së Mesme, punime artizanale, si dhe pavioni i biografisë familjare dhe artistike të Aleksandër Moisiut”, tha Rama.
Muzeu është hapur në vitin 1982 në ambientet e shtëpisë karakteristike durrsake të shek.XIX. Në dy dhoma të muzeut, shpalosen në stenda biografia familjare dhe artistike të Aleksandër Moisiut, bazuar në dokumente autentike, kurse në dhomën e dytë paraqiten vepra arti të krijuesve vendas për figurën e aktorit të madh. Në dhomat e tjera janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtërisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij.
Ky muze përmban koleksione të pasura të veshjeve popullore të trevës etnografike të zonës së Durrësit dhe të Shqipërisë së Mesme, si dhe punime artizanale në material leshi, mëndafshi, pambuku, briri, bakri e guri./atsh/ KultPlus.com
Muzeu Etnografik i Krujës, i financuar nga Bashkimi Evropian, përmes programit EU4Culture, hapi dyert e tij për publikun.
Në ceremoninë e inaugurimit, pas një pune restauruese, mbështetur edhe nga UNOPS, ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato si dhe përfaqësuesja e UNOPS, Freya von Groote.
“Nga bedenat e kalasë së Krujës vetëm dy herë janë parë 150 mijë të huaj brenda një viti. Herën e parë në 1466, në rrethimin e dytë të Krujës, dhe hera e dytë është 2024 kur 150 mijë turistë të huaj pritet të vizitojnë këtë qytet”, u shpreh ministri Gonxhja i cili shtoi se, për shumë kohë Shqipëria nuk ka ditur të shfrytëzojë potencialet e paimagjinueshme që ka, ndërsa sot falë vizionit të qeverisë, kemi hyrë në një epokë ku turizmi nuk zhvillohet më sporadikisht, por në të gjithë vendin dhe përgjatë gjithë vitit.
Sipas ministrit, të dhënat e deritanishme tregojnë se turizmi kulturor ka shënuar më shumë rritje se sektori i turizmit në tërësi.
Shifrat zyrtare tregojnë se numri i vizitorëve në institucionet kulturore është rritur me 70% në të gjithë vendin, ndërsa në Qendrën Muzeore të Krujës numri i vizitorëve është rritur me 75 mijë, ose 110% më shumë krahasuar me 6-mujorin e parë të 2023.
Gonxhja tha se ky transformim nisi me restaurimin e pazarit, vazhdoi me kompleksin muzeal dhe më tutje me rinovimin e plotë të Muzeut Etnografik të Krujës.
Ky rinovim e bën këtë muze një epilog të denjë të shëtitjes që nis nga pazari, vijon me kështjellën, Muzeun e Gjergj Kastriotit, bujtinat etj.
Ministri kujtoi se 6 familje u mbështetën në Krujë falë nismës së qeverisë shqiptare me Bonusin e Rijetësimit, brenda një viti, me një fond prej 25 mln lekësh.
Ky program do të shtrihet dhe në eksperienca që kanë të bëjnë me biznese si bujtinat e shtëpitë e mikpritjes.
Ministri Gonxhja kujtoi se, Kruja është qyteti me numrin më të vogël të të ikurve, fakt i cili është domethënës pasi trashëgimia kulturore është një shtytës për ekonominë duke lidhur komunitetin me këto qendra.
“Më vjen mirë që jam pjesë e një mazhoranse e cila në pak vite, ka nxitur ngritjen e 10 muzeumeve të reja e po aq janë në plan në të ardhmen”, deklaroi ministri Blendi Gonxhja, në ceremoninë inauguruese.
I vendosur në rezidencën historike të familjes Toptani, e ndërtuar në vitin 1764, ky muze paraqet trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë. Me mbi 3000 artefakte të ekspozuara, vizitorët mund të eksplorojnë mënyrat tradicionale të jetesës së shqiptarëve dhe zakonet e tyre gjatë shekujve.
Muzeu Etnografik i Krujës është një ndërtesë e tipit “çardak”. Banesa është monument kulture e kategorisë së pare. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriun dhe dy vajzat, sot ka vizituar Muzeun Etnologjik në Prishtinë.
“Nga vizita në Muzeun Etnologjik në Prishtinë – histori e kulturë, por edhe freski në këto ditë të nxehta vere”, shkroi Presidentja Osmani në Facebook.
Muzeu Etnologjik në Prishtinë mbetet një ndër institucionet kulturore të rëndësishme, ku ruan historinë dhe traditat kosovare.
Në përvjetorin e lindjes së profesor Ukshin Hotit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe. Ai kujtoi 22 dëshmorët dhe 155 martirët të cilët u vranë nga Serbia gjenocidale, teksa ktheu në kujtesë edhe 64 krushjanë të cilët edhe sot e kësaj dite janë ende të pagjetur, në mesin e të cilëve 14 janë nga komuniteti ashkali.
Me dëshmitarët e masakrës së Krushës së Madhe, përkujtuan një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb mbi civilët shqiptarë. Ndërmjet 25-27 mars 1999, në Krushë të Madhe forcat serbe vranë 155 civilë. Në mesin e të vrarëve janë dhe 7 fëmijë e 5 gra, njëra prej tyre shtatzënë. Mbi 700 shtëpi u dogjën, përfshirë institucione fetare e kulturore dhe u shkatërruan pasuritë e fshatarëve. Gjatë luftës u zhdukën me dhunë 64 krushjanë, përfshirë dhe profesorin Ukshin Hoti pas lirimit nga burgu.
Banorët e Krushës folën për dy krematoriumet në Krushë të madhe. Në krematoriumin e parë nga i cili ekzistojnë ende gjurmë të tij, janë djegur 19 civilë të pafajshëm shqiptarë, ndërsa në krematoriumin e dytë në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, forcat paramilitare serbe kanë djegur mbi 40 civilë të pafajshëm shqiptarë. Kjo e fundit është vizituar më 23 qershor 1999 dhe nga atëherë ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook.
Gjatë qëndrimit në Krushë të Madhe, kryeministri shkroi dhe në librin e kujtimeve të Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe.
Organizuar nga Komuna e Kaçanikut, sot u mbajt diskutim publik lidhur me Draft Statutin e Muzeut të Kaçanikut, ku për hapat e deri tanishëm foli drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport Hafize Sallahu, ndërsa pjesëmarrësit i përshëndeti Nënkryetari i Komunës Sabedin Vishi i cili falënderoi këshillin punues në hartimin e këtij draft statuti.
Pjesëmarrësit përgëzuan këtë iniciativë dhe me pyetje të ndryshme nga këshilli punues i këtij draft dokumenti kërkuan sqarime më të hollësishme rreth funksionalizimit të Muzeut.
Sqarime pjesëmarrësit morën nga kryesuesi i këshillit punues të Muzeut Hajredin Rramajli me anëtarët e tjerë të këtij këshilli. Ky dokument tani më është në fazën e dërgimit në kuvend për miratim.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se ka nisur rikonceptimi i ekspozitave të përhershme brenda Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shkruan KultPlus.
Ministri Çeku po ashtu ka thënë se Muzeu Lidhja e Prizrenit do të ketë ekspozitë të kuruar dhe prezantuar në mënyrë profesionale dhe me metoda moderne./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se janë ndarë tre milionë euro për restaurimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Ministri Çeku ka thënë se Muzeu do t’i nënshtrohet restaurimit të përgjithshëm, me fokus në konsolidimin e kushteve të deposë.
“Vlera që kemi ndarë për këtë ndërhyrje kapitale është tre milionë euro. Krahas restaurimit, gjatë periudhës sa Muzeu do të qëndrojë i mbyllur, do të bëhet edhe rikonceptimi dhe përditësimi i ekspozitave të përhershme” thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku në facebook./KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ndau në rrjet pamjet e një prej banesave karakteristike të qytetit, pjesë e kompleksit ndërtimor të banimit të familjes Vrioni, në proces rijetësimi.
Bëhet fjalë për ish banesën e Izedin Galip Pashë Vrionit, sot e Nevin Godo (Vrioni), ku gjatë periudhës tetor-nëntor 1944, u vendos selia e Qeverisë Provizore Demokratike të Shqipërisë. Më pas kjo ndërtesë u kthye në muzeun e qytetit, ndërsa nga viti 1991-2011 aty zhvilloi veprimtarinë e saj medreseja “Vexhi Buharaja”.
Ajo përbëhet nga ndërtesa kryesore dykatëshe dhe ndërtesa e pasme njëkatëshe e shërbimit. Te ndërtesa dykatëshe, kati përdhe ka shërbyer për ambiente shërbimi, ndërsa kati i parë përbëhej nga ambientet e banimit të familjes, ato të pritjes së miqve dhe hamami. Ambienti më i dekoruar është dhoma e miqve, e cila është rikonstruktuar gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX.
Pjesa tjetër e katit të parë ka pësuar ritrajtim në pamjen e jashtme të tij. Balli i saj është rindërtuar me teknikën e skeletit të drurit, në të cilën janë realizuar dritare të mëdha me korniza të suvatuara. Kati përdhe i pjesës qendrore të banesës është transformuar duke mbyllur hapësirat me qemer guri dhe duke realizuar dritare në muraturë guri. Këto ndryshime mund të jenë realizuar gjatë viteve 1912-1918.
Me restaurimin e viteve 2022-2024, kjo ndërtesë do të rijetësohet për kthimin e saj në njësi hotelerie për t’i shërbyer turizmit familjar./atsh/ KultPlus.com
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i dhuroi dhe dorëzoi Muzeut Kombëtar të Kosovës, penën me të cilën u nënshkrua vendimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.
Këtë dhuratë e pranoi zëvendësuesja e drejtorit të Muzeut, Vjollca Aliu.
“Paraprakisht, pena e nënshkrimit të vendimit final mbi liberalizimin e vizave, i datës 19 prill 2023, i ishte dhuruar zëvendëskryeministrit Bislimi nga eurodeputeti dhe ish raportuesi për Kosovën mbi këtë proces pranë Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë në fund të muajit të kaluar. Ky objekt, pritet të ekspozohet më tutje në Muzeun Kombëtar të Kosovës”, thuhet në njoftim./KultPlus.com
Një urim i veçantë vjen sot në ditën e Fitër Bajramit nga muzeu i fotografisë “Marubi”, Shkodër. Me fotografinë më të vjetër të Tiranës, shkrepur nga Pietro Marubbi, ku dallohet Xhamia e Et’hem Beut dhe Kulla e Sahatit, stafi i muzeut u uron besimtarëve myslimanë: Përshumvjet Fitër Bajramin.
Përgjatë viteve muzeu “Marubi” ka sjellë ekspozita, biseda, programe edukimi, botime dhe aktivitete të tjera që ndërlidhen patjetër me fotografinë dhe arkivin “Marubi”, zemrën e institucionit, por gjithmonë vëmendja është tek kultivimi, tek hulumtimi, tek hapja ndaj publikut e tek kujdesi ndaj studiuesve, vizitorëve, nxënësve e studentëve; tek krijimi i dinamikave për krijimin e një hapësire ftuese e cila ruan e promovon trashëgiminë kulturore në qytet e më gjerë.
Viti 2023 shënoi një rekord vizitueshmërie të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” me një numër total prej 19220 vizitorësh (52,7% femra dhe 47,3% meshkuj) shifër kjo 22% më e lartë se në vitin 2022./KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar është i mbyllur për vizitorët nga 15 marsi 2024, e dhe deri në 15 mars të vitit 2028. Kjo mbyllje është në kuadër të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”.
E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, kuratorja e muzeve, Yllka Gjikopulli e konsideroi këtë investim në kohën e duhur, pasi pas 4 dekadash duhet rikonceptuar në linja muzeale.
Ajo ka theksoi se pavarësisht kontestimeve, është një hap pozitiv që do të ndihmojë të gjithë publikun.
“Mbyllja e muzeut dhe fillimi i punimeve është një gjë shumë e mirë, një lajm shumë i mirë që do të ndodhi. Është një nga gjërat më të rëndësishme që ka vendi ynë dhe ai muze meriton të jetë patjetër në standardet e një muzeu europian. Gjithmonë, ka një kohë që do kontestohet dhe do thuhet në mos turistike, do dali dhe diçka tjetër. Nuk është dhe një kohë e caktuar kur mund të mbyllet dhe kur mund të hapet një muze. Është një hap pozitiv. Kontestimet do të jenë gjithmonë në çdo rast, ai ka nevojë të shihet dhe nga ana historike, edhe nga ana estetike, pa diskutim dhe t’i përkojë kohës dhe të ketë dhe ndërhyrje dhe të reja ndërvepruese me publikun”, u shpreh Gjikopulli./abcnews.al/KultPlus.com
Arkivi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” ruan një koleksion prej më shumë se 500 mijë negativësh në xham, film rul e plan film, si dhe dokumente e objekte të fotografëve të koleksionit.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Gonxhja e konsideron këtë arkiv si një udhëtim i pazakontë në histori, procesi i konservimi të të cilit ka nisur falë mbështetjes së Ambasadës Gjermane në vendin tonë.
Në arkiv po kryhet një punë kolosale: procese konservimi, katalogimi dhe digjitalizimi. Ambasada Gjermane në Tiranë mundësoi financimin e materialeve të kompanisë Klug-Conversation, për sistemimin dhe mbrojtjen e arkivës sipas kushteve bashkëkohore.
Kjo mundëson zbatimin e një sistemi të ri konservimi të negativëve prej xhami, filmave rul, plan filmave, fotografive në letër si dhe dokumentave të cilat do të vendosen në zarfa dhe kuti të reja të dizenjuar sipas madhësive, cilësisë dhe standarteve përkatëse, duke respektuar parimin e konservimit të diktuar nga vetë autorët.
Një proces i tillë, i cili do të vijojë edhe në vitet e ardhshme, deri në zëvëndësimin e plotë të të gjithë materialeve të vjetra të konservimit, mundëson mbrojten e materialit arkivor dhe tejçimin e kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore tek brezat e ardhshëm./Ora/KultPlus.com
Qendra Muzeore Berat dhe Parku Arkeologjik Apoloni, në 100- vjetorin e gërmimeve të Leon Rey, çelën ekspozitën fotografike ” Muzeu në valixhe”. Ekpozita e Muzeut Ikonografik “Onufri” çelet në ambjentet e Trapezarisë, pjesë e Muzeut Arkeologjik Apoloni. Për të gjithë vizitorët e Parkut Arkeologjik Apoloni, kjo ekspozitë sjell më afër imazhet e ikonave dhe Muzeut Ikonografik Onufri, që do të qëndrojnë të ekspozuara aty përgjatë 1 muaji.
Për gati 14 vjet, nga viti 1924 e deri më 1938-ën, arkeologu francez Leon Rey zhvilloi fushatën e gërmimeve studimore arkeologjike. Një pjesë e thesareve arkeologjik të gjetura nga Leon Rey, gjenden në qytetin antik të Apolonisë. Objektet që dolën nga gërmimet e tij pranë qendrës monumentale të Apolonisë, janë pjesë e koleksionit të MAA.
Rey ishte themelues i revistës “Shqipëria-një përmbledhje e arkeologjisë, historisë, artit dhe shkencave të aplikuara në Shqipëri dhe Ballkan” (1925), ai botoi rezultatet e punës së tij atje deri në vitin 1939. Rey gjithashtu themeloi dhe organizoi Muzeun Vlona (1937), por pushtimi italian i Shqipërisë e shkatërroi muzeun.
Në vitin 1945, ai u përpoq të rikthehej në vend, por iu refuzua qëndrimi. Leon Rey vdiq më 3 nëntor 1954 në Paris./atsh/KultPlus.com
Muzeu i Kosovës është themeluar në vitin 1949, ndërkaq ndërtesa me arkitekturë Austro-hungareze daton që nga viti 1885/6. Muzeu ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.
Mirëpo, pak e dijnë se dikur objekti i Muzeut ka shërbyer si kazermë ushtarake e Komanës së Divizionit të Kosovës, në viteet 1930-32.
Muzeu i Kosovës përfshin një koleksion, me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme, prej pavijonit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, natyrës, ento-kulturës, folklorit, trashëgimisë etj. / KultPlus.com
(Fotot marrë nga ‘Foto dhe dokumente të vjetra historike’)
Muzeu i Fotografisë “Marubi” vijon punën me sistemin e ri të konservimit të negativëve prej xhami, filmave rul, plan filmave, fotografive në letër si dhe dokumenteve të cilat do të vendosen në zarfa dhe kuti të reja të dizenjuara sipas madhësive, cilësisë dhe standardeve përkatëse, duke respektuar parimin e konservimit të diktuar nga vetë autorët.
Një proces i tillë, i cili do të vijojë edhe në vitet e ardhshme, deri në zëvendësimin e plotë të të gjithë materialeve të vjetra të konservimit, mundëson mbrojtjen e materialit arkivor dhe tejçimin e kësaj trashëgimie kulturore tek brezat e ardhshëm.
Procesi i konservimit është ndërmarrë në vitin 2016, falë mbështetjes së Ambasadës gjermane, e cila mundësoi financimin e materialeve të kompanisë Klug-Conversation, për sistemimin dhe mbrojtjen e arkivës sipas kushteve bashkëkohore./atsh/KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot poeten Drita Çomo (19 mars 1958 – 19 shkurt 1981), krijimet e së cilës mbetën në sirtar, në periudhën kur ajo i shkroi. Për shkak të frikës nga regjimi komunist, ajo nuk mori guximin tʼi ndante ato me të tjerët. Poezitë e saj panë dritën e botimit në vitin 1997, kur doli libri “Dritë që vjen nga humnera”, një përmbledhje e poezive dhe shënimeve nga ditari i Çomos.
Drita Çomo lindi më 19 mars 1958. Si shumë të tjerë në atë periudhë, edhe ajo vuajti pasojat e regjimit të egër komunist. Ishte vetëm dy vjeçe kur u përcaktua që ajo të mbetej e vetme. Prindërit e saj u dënuan. E ëma, Liri Belishova, një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste dhe për një kohë anëtare e Byrosë Politike, njëkohësisht një nga gratë më të njohura të vendit, u përball me internimin për rreth njëzet vite. Ndërkaq, i ati Maqo Çomo, udhëheqës partizan dhe më vonë Ministër i Bujqësisë, u dënua si “revizionist” dhe u persekutua në burgje e internime për 30 vjet.
Drita Çomo u internua në Kuç të Vlorës ku kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe më pas në Progonat të Kurveleshit. Më vonë, ajo u dërgua në Cërrik ku kreu edhe shkollën e mesme. Ishte një nxënëse e shkëlqyer, megjithëse mësuesit nuk e vlerësuan kurrë maksimalisht. Ajo madje nuk arriti as të mbronte diplomën. Kjo për arsye politike, por edhe për shkak të sëmundjes së saj të pashërueshme që avanconte dita-ditës.
Drita Çomo u largua nga jeta fare e re, në moshën 23-vjeçare. Më 19 shkurt 1981, sëmundja e mposhti përfundimisht. Ajo vdiq në spitalin onkologjik në Tiranë, ashtu sikurse edhe jetoi: e vetme, pa dikë afër në grahmat e fundit. Regjimi nuk ia lejoi të kishte pranë as njeriun më të dashur, nënën e saj./atsh/KultPlus.com
Ekspozita online kuruar nga Lek Gjeloshi është e çasshme për publikun në faqen zyrtare të Muzeut Kombëtar të fotografisë “Marubi”.
Ka parfume të forta për t’cilat çdo landë
asht poroze. T’thotë mendja se edhe qelqin e shpojnë.
Kur hapin një syndyk, ardhë prej Orienti,
që brava i kërset e i cijzë me za gërvishtës
o në një shpi të shkretë, n’ndo’j raft të moçëm
plot me erën e athët të kohës, të zi dhe të pluhnosun,
qëllon kajherë me gjetë nji shishkë që mban mend
prej kah i gjallë kërcen nji shpirt i çuem lugat. (1)
– Charles Baudelaire
Kontaktin ma të parë me fotografinë e kam pasë me nji album të Dinastisë Marubi, të prodhuem në Francë: Albanie. Visage des Balkans. Écrits de lumière, Arthaud, 1995. Nji ish nxanës i gjyshes ia kishte dhurue asaj në shenjë respekti. E shfletova mbi nji baulë, ku ruente lloj-lloj sendesh (edhe librin në fjalë). Prej atij çast automatik shfletimi, e të painteresuem, ruej të kthjellët veç megjepsjen që provova para fletëve të zeza futë, ku ishin vendosë imazhe me cepa të thyem.
Nji trajtë fotografike kësisoj, e pakopsitun gjeometrikisht, m’u paraqit edhe vite ma vonë, kur u ndesha rishtas me nji album të arkivit në fjalë, i cili bante bashkë nji numër ma të madh autorësh: Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi, FKM, 2015. Edhe këtu pjesa dërrmuese e fotografive ishte faqosë në të zezë, por ishte ma e fikun se ajo e francezëve.
Më patën ba përshtypje katër fotografi të Shan Picit (1904-1976), të cilat e ndërprenin ritmin mbizotnues e imponent të katalogut me rituale solemne, me sfonde idilike e subjekte të shtangun. “Fotot e mia”, në atë çast, ishin veç disa produkte e qelqurina të shkrepuna në vitin 1929, pesë vite mbasi Shan Pici bashkë me vllaznit e tij, Tefën e Ndrekën, kishin hapë në Shkodër studion “Fotografija Pici” (nji studio që këtë vit do të kishte celebrue 100 vjetorin e themelimit të saj). (2)
Me shpejtësinë e beftë të shikimit, kur ai don me i rrokë përnjiherë impulset, dizajni i atyne shishe, drita eterike e mbrapaskenës së pezullt, kaligrafitë e etiketat, portretet e damave, format e shkallëzueme e peshtahet, evokonin aspirata mondane e botë të largta. Tregonin, gjithashtu, për seriozitetin me të cilin këto produkte ishin konceptue e qitë në treg.
Me nji shpejtësi tjetër – këtë herë ma cerebrale – ato produkte, përtej pasunisë së naltpërmendun, m’u rikrijuen si konglomerat i mistershëm, si “paraphernalia” që qarkullonin rretheqark asaj qendre ku rrezatonin aspirata përparimtare e marrëzi të përbotshme: siç e përkufizonte Baudelaire-i – “poeti lirik në erën e kapitalizmit të epërm” (3) – Parisin e kohës së vet.
Ma fort se para do sendesh kozmetike, pata pershtypjen se ishin flakonë me eliksir, porcione të mbështjellun me temjan e opium, me merkur e shishe “Absinti” që do të servireshin – ashtu siç e kërkonte zakoni ma i mirë i poetëve “maudit” – nën dorë.
Nji përfytyrim që fotografia vetë e kishte distilue me psikedelinë e saj kimike, me xhelatinën e thatë e krypën e argjendit mbi xham, të rrafshueme mbi fletë të albumit si “lule herbariumi”.
Në vitet 1920, në Shkodër, Vllaznit Pogu kishin ndërtue fabrika: voji, sapuni, duhani, e tregtonin edhe parfumet në fjalë. Fabrikat e tyne punonin me makineri të ardhuna prej Perendimit. Vite ma vonë, mbasi regjimi komunist u konsolidue, fabrikat iu mbyllën, pasunitë iu sekuestruen dhe Tefë Pogu u dënue me burg. Tregojnë – e këto janë dëshmitë e së bijës – se gjyqi iu ba në shpinë e tij.
Ndërkohë, në panoramën ndërkombëtare, falë zhdërvjelltësisë me të cilën përdorimi i imazhit ishte thurë me rekuizitat e një “marketingu” si të thuesh ante litteram, fotografia e reklamës kishte pasë rritje eksponenciale. Nëse në vitet 1920 kjo tipologji fotografike ishte përdorë në ma pak se 15 përqind të reklamave të ilustrueme në revistat e masës, në vitet 1930 përqindja kishte shkue thuejse në 80. Përgjatë atyne vite, estetika publicitare dhe efektet e saj, butësia e atmosferave glamour, sloganet hiperbolike etj., ndoqën, paralelisht, edhe zhvillimet e dizajnit industrial. (4)
Në kontekstin tonë historik këto premisa mbetën sporadike. Vorbulla e shtetizimit, ma tej, mori para çdo iniciativë (përfshi këtu edhe studiot e fotografëve qytetës), e i la mbrapa si tendenca të venituna. Potenciale që i ruejmë, në konkluzion, si gjurmët e mbrame të nji “krisalide mortore”: të nji larve që s’mbrriti me u ba kurrë flutur./Express/KultPlus.com
Ndërhyrja në Muzeun Historik Kombëtar duhet të ishte bërë edhe më herët. Ish-drejtori, Melsi Labi në një intervistë për Euronews, tha se punimet mund të zgjasin më tepër se afati i vendosur nga vetë ministria dhe drejtoria.
Rikonstruksioni i Muzeut historik Kombëtar do të kushtojë 26 milionë Euro. Ndonëse për këtë ndërhyrje nevoja ishte imediate, shumë pikëpyetje fshihen pas vendimit për mbylljen e përkohshme të tij. Kështu u shpreh Melsi Labi, ish-drejtor i muzeut kombëtar për Euronews Albania.
Transferimi i objekteve, artefakteve dhe shumë sendeve që na përfaqësojnë ne si identitet, mund edhe të ketë pasoja si dëmtim apo dhe humbje për aq kohë sa deri më tani asnjë ekspert i etnografisë apo studiues i muzeve nuk është kontaktuar.
Projekti i ri i muzeut ka 6 variante por deri më tani ende nuk kemi një zyrtar nga drejtuesit apo vetë ministria ndonëse ndonëse paratë e rikontruksionit janë të taksapaguesve.
Nesër është dita e fundit kur një qytetar mund të vizitojë për herë të fundit Muzeun Historik Kombëtar me imazhin e 43 viteve që nga ndërtimi i tij. Pas marsit të 2028-ës mund të jetë i aksesueshëm, gjithmonë nëse puna ka përfunduar./euronews/KultPlus.com