Muzeu Arkeologjik i Durrësit, rihap dyert për vizitorët këtë vjeshtë

Modernizimi urban i Durrësit po shtrihet, jo vetëm në rrugë, lagje dhe sheshe, por po bën të mundur edhe rilindjen e disa objekteve historike me të cilat qyteti identifikohet.

Muzeu Arkeologjik është një prej tyre, që po rilind nga e para pas goditjes nga tërmeti, një thesar i vyer i historisë sonë të antikitetit me më shumë se 2400 objekte, të cilat me përfundimin e restaurimit do të ekspozohen në pavione tërësisht të reja, me ndriçim dhe kushte bashkëkohore, e që bashkë me rikualifikimin e hapësirës në oborrin e muzeut do të kthehen në një nga atraksionet më të rëndësishme të turizmit historik në vend.

Kryetari i PSSH, Edi Rama gjatë vizitës së tij në Durrës, ndaloi në këtë Muze për të parë ecurinë e punimeve për restaurimin, së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe Kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, e cila informoi se Muzeu Arkeologjik tërheq në numër shumë të madh vizitorësh.

“Një objekt, që nuk mund të rrimë pa e treguar historinë. Fillon në ‘88 dhe ngec, ndërtohet keq. Në 2010 mbyllet prapë. Në 2015 hapet, por prapë në gjendje jo të mirë. Si objekt, ka pasur tentativa nga pushtetarët para 2013 për ta bërë markatë në planet e tyre, dhe në projektin e ri që vëmë në jetë këtu, na del një problematike me strukturën, e cila del që nuk ka qene e ndërtuar si duhet, kështu që përforcimet dhe ndërhyrja pas tërmeteve, bëhet me ndryshim projektesh që në fillim. Kjo ka sjellë vonesë në kalendarin e punimeve, në radhë të parë, në radhë të dytë trashëguam në 2015 një objekt që ishte tokë pa letra, probleme ligjore. Të gjitha këto janë kompletuar deri vitin e fundit me shumë mundim, shpronësime, dokumentacion në mënyrë që të bënim projektin e plotë brenda dhe jashtë”, tregoi

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, shtoi se është dyfishuar sipërfaqja e ekspozimit. “Kati i dytë, do jetë pak më inovator. Ka shumë material, ka shumë inventar, ka shumë arkiva”, tha ai.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako informoi se në rikostruksion është dhe Muzeu Etnografik, edhe ai i dëmtuar nga tërmeti i 2019.

Ministri Gonxhja tregoi edhe mbi detaje të tjera të projektit siç është rikualifikimi i gjithë hapësirës përreth muzeut, që merr një vlerë të re.

“Kati i dytë, jeta sociale, aktivitete ku sheh nga të gjitha krahët dhe do ketë shumë gjallëri, vizitorë, fëmijë, kurse. Kati i dytë riorganizohet i gjithi për muzeun që nuk ka qenë. I gjithë oborri merr shumë vlerë. Do ndërtohet një tendë statike që të vizitohet dhe pjesa e jashtme. Do hiqen të gjitha, do pastrohen dhe do ketë objekte, aktivitete dhe një ashensor paronamik nga mbrapa ku do shkosh direkt në katin e tretë. Disa gjetje të mozaikut të Gjergj Kastriotit duam t’i lidhim në një shteg. Kolonat janë të riforcuara, pothuajse të ristrukturuara se ishin problematike”, detajoi Ministri Gonxhja, ndërsa shtoi se Muzeu është parashikuar të përfundojë në muajin shtator të këtij viti.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit është muzeu arkeologjik më i madh në Shqipëri.

I themeluar në vitin 1951, muzeu ka një koleksion të pasur me objekte që datojnë nga periudha parahistorike deri në shekullin IV pas Krishtit. Këto objekte janë zbuluar kryesisht në sitin antik të Dyrrahut, i njohur ndryshe si Dyrrhachium, dhe përfshijnë artefakte nga periudhat helenistike, romake dhe bizantine.

Eksponatet më të njohura përfshijnë stele romake funerale, sarkofagë prej guri dhe bustet e vogla të perëndeshës Venus, që dëshmojnë periudhën kur Durrësi ishte një qendër e kultit të saj./atsh/KultPlus.com

Mbyllet Muzeu Arkeologjik në Durrës, do t’i nënshtrohet restaurimit

Muzeu Arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, do të restaurohet.

“Me mbylljen e sezonit turistik, gjatë të cilit Muzeu arkeologjik i Durrësit ishte një nga qendrat më të vizituara dhe aktive, falë programit “EU4Culture” ky muze do t’i nënshtrohet restaurimit dhe muzealizimit, për t’u shndërruar në qendrën model që dëshmon historinë, pasurinë tonë arkeologjike me gjuhën e kohës”, bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.

Margariti u shpreh se muzeu do të qëndrojë i mbyllur deri në tetorin e vitit që vjen.

Muzeu Arkeologjik në Durrës, gjatë muajve janar-gusht të këtij viti është vizituar nga një numër i lartë turistësh vendas e të huaj.

Muzeu Arkeologjik u hap në mars të vitit 1951, nga Vangjel Toçi, i njohur dhe si babai i arkeologjisë durrsake. Objektet e para u vendosën në një vilë dykatëshe, duke ekspozuar ato artefakte që ishin zbuluar deri në atë kohë nga nëntoka e zonës së Durrësit.

Por gjatë viteve, godina e Muzeut Arkeologjik ka ndryshuar disa herë vendndodhjen e saj. Sot muzeu ndodhet tek Rruga Taulantia, afër Vollgës. Ka mbi 2 mijë objekte që nga Prehistoria e deri në shek. IV pas Krishtit.

Veprat e shumta monumentale të këtij muzeu janë një dëshmi e gjallë e historisë sonë, të cilat prej vitesh e kanë kthyer ndër muzetë më të vizituar në vend. / KultPlus.com

Muzeu Arkeologjik i Durrësit, kantieri më i ri i restaurimit

Muzeu Arkeologjik i Durrësit është kantieri më i ri i restaurimit, që do ta shndërrojë atë në qendrën më të rëndësishme dhe më të vizituar të trashëgimisë kulturore.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se ky kantier i ri është pjesë e programit EU4Culture Albania.

Muzeu Arkeologjik është një burim me rëndësi arkeologjike ndërkombëtare. Duke marrë parasysh kushtet ekzistuese, ndërtesa ka pësuar dëmtime në shumë lokacione për shkak të tërmetit. Në disa lokacione, struktura mbajtëse është prekur.

Fasada, dritaret dhe sipërfaqet e brendshme gjithashtu pësuan dëmtime të vogla. Mungesa e përgjithshme e mirëmbajtjes është gjithashtu e dukshme kudo, veçanërisht në katet e sipërme dhe zonat e pasme e të jashtme.

Rijetësimi i propozuar ofron mundësinë që siti të jetë në pararojë të muzeologjisë dhe konservimit, duke zbatuar gjithashtu një model të qëndrueshëm biznesi./ KultPlus.com

Nis së shpejti restaurimi i Muzeut Arkeologjik të Durrësit

Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, do t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.

Punimet e restaurimit do të kryhen përmes programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

EU4Culture bën të ditur se “Muzeu Arkeologjik i Durrësit pas restaurimit do të tërheqë më shumë turistë vendas dhe ndërkombëtarë, gjë që do të ndihmojë në përmirësimin e jetesës së komuniteteve lokale”.

“UNOPS në Shqipëri fton të gjitha kompanitë e interesuara të paraqesin propozimin e tyre brenda datës 23 maj 2022. Një takim paraprak e një inspektim i sitit është i detyrueshëm dhe do të mbahet më 17 maj në Muzeun Arkeologjik në Durrës”, thekson EU4Culture .

Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve, që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë.

Tashmë Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka një koleksion tejet të pasur. Muzeu Arkeologjik në Durrës ka objekte nga greqishtja e lashtë, periudha Romake dhe periudha mesjetare. Shumica e objekteve në muze janë gjetur në qytet edhe rastësisht nga banorë të vendit, të cilët gërmonin mjedise për vendosjen e themeleve të larta. Në ambientet e tij gjenden mijëra objekte, duke përfshirë qeramikë, enë qelqi, skulpturë arkitektonike, dekorative, skulpturë e rrumbullakët, relieve, gurë varresh, stela, objekte të argjendarisë, monedha etj. Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të qytetit bregdetar, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj. Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, muzeu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen turistëve sidomos atyre të huaj./ atsh / KultPlus.com