“Vishu me trashëgimi” titullohet ekspozita e hapur në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, një koleksion veshjesh popullore të qytetit të Beratit.
Kjo ekspozitë u hap nga Qendra Muzeore e Durrësit dhe Qendra Muzeore e Beratit, me qëllim njohjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare.
Përmes kësaj ekspozite është sjellë pranë publikut durrsak një pjesë e çmuar e trashëgimisë beratase, veshje autentike dhe origjinale, të fotografuara mjeshtërisht nga Ardian Fezollari në mjediset e Muzeut Etnografik të Beratit.
“Vishu me trashëgimi” është një formë e re edukimi, ndërgjegjësimi e sensibilizimi në shërbim të njohjes së vlerave muzeale e trashëgimisë sonë kulturore. Veshjet popullore janë pa dyshim një pasuri e madhe e kombit shqiptar.
Ekspozita do të jetë e hapur deri në datën 11 shkurt, në pritje të vizitorëve nga qyteti i Durrësit. /atsh/ KultPlus.com