Drejtoria e Arkivave prezanton projektin novator të Muzeut Arkivor

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi para medieve projektin novator të Muzeut Arkivor, i cili do të hapë së afërmi dyert për publikun.

Lajmi u bë me dije nga drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, në një dalje përpara medieve në Sarandë, në përmbylljen e turit shëtitës të një prej ekspozitave të saj më të mirëpritura nga publiku, “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.

“Ne jemi duke krijuar Muzeun Arkivor, që prezantohet brenda këtij viti, i cili është një muze atipik, sepse ne tentojmë që të pasqyrojmë të gjithë pasurinë tonë kombëtare në një hapësirë të vogël, por që jam i bindur që do të jetë një ndër muzetë më interesantë në Shqipëri. Do të prisni pak mua derisa ta prezantojmë.”

Në bashkëpunim me bashkinë e Sarandës, DPA-ja shfaqi pranë Muzeut të Traditës Sarandiote ekspozitën, që rrëfen përmes fotografive galerinë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.

I pranishëm në këtë aktivitet, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, u shpreh në një dalje për mediet se përmes arkivave shëtitëse, synohet të përçohen vlerat e trashëgimisë kulturore kombëtare.

“Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave tenton që të sjellë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, veçanërisht në bregdet gjatë verës, sepse shqiptarët aty janë. Pra, në gjithë pika turistike dhe ekspozita mbi trashëgiminë kulturore, mbi veshjet popullore, të cilat shumë njerëz nuk i njihnin, në fakt ka qenë edhe në Durrës, edhe në Shëngjin, edhe në Krujë, që ka masivitet gjatë verës. Ka qenë edhe në Pogradec, në Himarë dhe është edhe në Sarandë. Kudo ku ka njerëz, të cilët mund të shohim trashëgiminë e vyer të kombit tonë, ne shkojmë aty. Nuk presim që ata të vijnë te ne për të parë elementet e veçanta të së kaluarës, të cilat janë një frymëzim në fund të ditës për të ardhmen”, tha Bido.

Në vijim të fjalës së tij, Bido shtoi se ekspozita përfshin edhe kostumet popullore të komunitetit të arbëreshëve të Italisë dhe të arvanitasve të Greqisë, për të treguar larmishmërinë e traditës sonë.

“Ekspozita ka të bëjë me kostumet popullore të të gjitha trevave shqiptare, përfshi edhe arbëreshët e Italisë, apo arvanitasit në Greqi, përtej pra trungut kombëtar, për të treguar larmishmërinë e madhe që kemi në traditën tonë. Dhe besoj se është mjaft interesante, është pritur mjaft mirë në të gjitha qytetet, ku ka shkuar kjo ekspozitë sepse njerëzit kuptojnë sesi gjyshërit dhe gjyshet e tyre visheshin në përditshmërinë e tyre. Stërgjyshërit apo stërgjyshet e tyre për mosha më të vogla, të cilat le të themi nuk i kanë parë me sy këto, por që i kanë së paku në një traditë gojëdhënë. Kanë mundësinë që t’i shohin në treva të ndryshme nga ata janë, të shohin veshje karakteristike të shqiptarëve, të cilat janë mjaft të bukura, shumë të mirëpunuara, goxha të shtrenjta dhe mbi të gjitha e detaje, të cilat sot fatkeqësisht po humbet edhe tradita e të rikthyerit të këtyre detajeve në veshjet tona”, tha kreu i DPA-së.

Ekspozita “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve” është shfaqur më herët në Gjirokastër, në Tepelenë, në Shkodër, në Korçë, në Krujë, në Durrës, në Kallarat, në Tropojë, në Lin dhe në Elbasan./atsh/ KultPlus.com

Muzeu Arkivor, notë maksimale nga muzetë botërorë (VIDEO)


Drejtuesit e muzeve më të mëdha botërore kanë vlerësuar me notë maksimale projektin e Muzeut Arkivor të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA).

Në simpoziumin e muzeve të mbajtur në Stamboll, ku merrnin pjesë drejtuesit më në zë të muzeologjisë nga SHBA-ja në Japoni, Arkivat shqiptare kanë marrë për herë të parë ftesën për të aderuar në Këshillin Ndërkombëtar të Muzeve.

Kreu i DPA-së, Ardit Bido, shpalosi në punimet e këtij simpoziumi synimin për të krijuar një kompleks të mirëfilltë kulturor.

“Kjo është ideja e ekspozitës së përhershme, por që nuk është subjekti kryesor i kësaj hapësire. Përmban tri pjesë kryesore. E para është dyshemeja, që ka si fabulë nga pas themelet mbi të cilat ecim. Me shprehje të shkurtra të personaliteteve shqiptare më të rëndësishme përgjatë historisë, të shkruara në xhamin mbi të cilin mund të ecni.”

Në ambientet e Muzeut Arkivor, që pritet të hapë dyert së afërmi, historia dhe trashëgimia dokumentare e kombit do të përcillen përmes teknikave interaktive, duke përçuar informacion përmes zbavitjes.

“Kjo është një prej dy kulminimeve. Ideja që qëndron pas tij është se ti vjen në Arkiv, në Muze, ke paguar për këtë, por nuk mjafton kaq për të parë gjërat më të rëndësishme të tij. I pari ishte Kodiku i Beratit dhe e dyta është Deklarata e Pavarësisë, të cilën ne nuk e kemi, por ‘Arkivat kanë çdo gjë’. Ndaj, e vendosëm meqenëse historia e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë është interesante. Ajo është humbur në vitin 1949-n dhe shumica e njerëzve nuk e dinë se si ishte në të vërtetë deklarata sepse pandehin për origjinale një riprodhim të 1937-s, krejt të ndryshëm.”

Pjesë e projektit është edhe krijimi i një hapësire studimi në natyrë dhe teatrit/kinemasë së hapur prej 150 vendesh, në oborrin rrethues të godinës së Arkivës. / KultPlus.com

Muzeu Arkivor hap dyert së shpejti

Muzeu arkivor, projekti me inovator i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave do të hapë dyert në vitin 2023. I ideuar si një qendër shumë funksionale edukimi, ai ndërthur novacionin me historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare. Në këtë mënyrë, arkiva nuk do të jetë më një mjedis i dedikuar studiuesve, por gjithkujt që ka dëshirë të mësojë mbi Shqipërinë.

“Ky projekt i ri i cili do t’ju krijojë aksese, të vini këtu të kaloni kohë të kulturuar interaktive. Me këtë projekt hapen dyert dhe qytetarët tashmë janë pjesë e arkivës, ata mund të aksesojnë gjithçka dhe kjo është një arritje shumë e madhe”.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave dha disa detaje të këtij projekti, që nuk mbetet thjesht në ofrimin e muzeut arkivor.

“Në këtë muze arkivor do ketë hapësirën e dytë që është hapësirë e ekspozitave të përkohshme për evente të vazhdueshme, për të sjellë rininë në arkiv, sikurse sallën e leksioneve, sallën edukative për të rinjtë. Këtë projekt të parë madhor ne do ta shoqërojmë me ridemensionimin e arkivit. Në pjesën e jashtme të tij do të jetë një teatër i vogël dhe një kinema e hapur verore”.

Në ambientet e muzeut të ri në Shqipëri, vizitorët jo vetëm do të mund të mësojnë mbi të kaluarën e vendit, por do të arrijnë të vihen në kontakt me të./Tv Klan/ KultPlus.com