Muzeu Etnografik në Elbasan do t’i nënshtrohet restaurimit

Muzeu Etnografik në Elbasan, i vetmi që ruan trashëgiminë shekullore të qytetit do të restaurohet, duke bërë të mundur rikthimin në identitet të kësaj shtëpie të vjetër.

Ndërtesa e familjes Sejdini, shpallur Monument Kulture i Kategorisë I në 15 janar 1963 dhe e kthyer në muze në vitin 1986, është përzgjedhur për këtë ndërhyrje restauruese për të adresuar problematikat emergjente që kërcënonin strukturën dhe autenticitetin e saj, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e saj.

Ky muze dallohet për arkitekturën e veçantë dhe ndër më të bukurat në llojin e vet në trevën e Elbasanit.

Projekti, i cili u hartua nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Korçë dhe u financua nga bashkia Elbasan, synon të ruajë dhe të promovojë këtë monument të rëndësishëm kulturor.

“Ky hap i rëndësishëm do të ndihmojë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe do të ofrojë mundësi të reja për vizitorët dhe studiuesit që të eksplorojnë dhe të vlerësojnë këtë pjesë të pasurisë historike të rajonit”, pohoi kreu i bashkisë Gledian Llatja.

Gjatë prezantimit të projektit autoritetet lokale theksuan rëndësinë e tij për komunitetin dhe për trashëgiminë kulturore të Elbasanit.

Përfaqësues të bashkisë Elbasan dhe DRTK Korçë shprehën angazhimin e tyre për të vazhduar mbështetjen për projekte të tilla që ruajnë dhe pasurojnë trashëgiminë kulturore të zonës.

Restaurimi i Muzeut Etnografik shënon një tjetër hap të rëndësishëm në përpjekjet për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të Elbasanit.

Ndërhyrjet të tilla jo vetëm që sigurojnë mbrojtjen e monumenteve historike, por edhe kontribuojnë në zhvillimin e turizmit kulturor dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për vlerat e trashëgimisë së qytetit.

Shtëpia ku ndodhet muzeu është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I në 15 janar 1963, duke u dalluar për arkitekturën e veçantë dhe ndër më të bukurat në llojin e vet në trevën e Elbasanit.

Muzeu përmban dy kate, ku kati i parë dikur ka shërbyer si magazinë për rezervat ushqimore dhe kati i dytë për banim. Pas shpalljes së tij si muze në vitin 1986, kati i parë u përdor për ekspozimin e historikut të qytetit dhe zejeve të trevave të Elbasanit, ndërsa kati i dytë u konceptua në mënyrë të tillë për të reflektuar mënyrën e jetesës, traditat, veshjet dhe pasurinë etnografike dhe kulturore të qytetit dhe trevave përreth, duke treguar nivelin e zhvillimit ekonomik të qytetit në atë kohë dhe duke shërbyer si dëshmi e gjallë e historisë së qytetit./atsh/ KultPlus.com

Muzeu Etnografik i Elbasanit, aty ku tradita vijon edhe në ditët e sotme

Muzeu Etnografik në Elbasan, që funksionon si i tillë prej shumë dekadash, mban brenda mureve të tij një pasuri të vyer të kulturës popullore të kësaj treve, mes të cilave spikat një mozaik prej 80 lloje zejesh.

Ndaj edhe çdo ditë muzeun e vizitojnë jo vetëm vizitorë vendas, por edhe të huaj.

Një bashkëpunim mes shkollave dhe bashkisë së Elbasanit, ka bërë të mundur që muzeu të vizitohet edhe nga nxënësit, me qëllim që këta të fundit të mësojnë dhe ruajnë traditën.

Të rinjtë janë njohur me historinë e ndërtimit të muzeut deri në ditët e sotme. Godina ku ndodhet muzeu është ndërtuar në fund të shekullit XVII. Në vitin 1986, pas një rikonstruksioni që iu bë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, u kthye në Muze Etnografik.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi mes shkollash sipas drejtorit të muzeut Kliton Kapaj, kryhet me qëllim që të rinjtë të njihen me traditat e vyera që mbart qyteti i Elbasanit, të cilat janë të ekspozuara ndër shekuj në këtë godinë.

Në dhomat e godinës dy katëshe të muzeut, nxënësit janë njohur me objektet që janë trashëguar brez pas brezi, ku pasqyrohet mënyra e jetesës së kësaj zone, mobilimet, veshjet, etj.

Me një godinë me arkitekturë të veçantë Muzeu Etnografik u krijua në vitin 1986.

Specialistët e kulturës në atë kohë vendosën që si ‘strehë’ e pasurisë popullore, të krijuar brez pas brezi, të shërbente shtëpia e Sejdinëve, që ndodhet në ‘Sheshin e Bezistanit’, në qendër të Elbasanit.

Shtëpia, një ndërtesë karakteristike me çardak, e veçantë në llojin e saj në trevën e Elbasanit, u restaurua në atë kohë dhe u përshtat për muze.

Në planin kompozicional, banesa e ndërtuar në vitin 1870 ngjan me shtëpitë karakteristike të Beratit dhe Shkodrës. Kati i parë i banesës paraqiten vlerat e traditës popullore. Dhoma e punimit të leshit, dhoma e metaleve si dhe dhoma e tabakëve kanë zënë vend në këtë kat, duke i krijuar mundësi vizitorit që të njihet me kulturën dhe traditën vendase.

Ndërsa kati i dytë i banesës së Sejdinëve përbëhet nga një korridor i madh, dhoma e punës së vajzave, dhoma e grave, dhoma e burrave dhe dhoma e nuses. Në mozaikun e zejeve, që pasqyrohen në këtë muze, përmenden punimet e shajak punuesve, qelesh punuesve, terzinjve, punimet e opingarëve, e saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve, mullinjtë primitivë të vajit, si dhe guri mortor i legjionarit Mark Sabitis, monumenti që vërteton arkeologjikisht vendndodhjen e Skampis.

Janë një mozaik i pasur veshjesh që pasqyrojnë tiparet etnografike të krahinës, mjeshtritë e Terzinjve, të cilët spikasin në punimin e jelekëve, xhamadanëve, xhybeve, dollomaneve, etj. /ATSH /KultPlus.com