Restaurohet Muzeu Etnografik i Elbasanit

Në Muzeun Etnografik të Elbasanit përfunduan punimet restauruese.

Muzeu Etnografik i Elbasanit, apo siç njihet ndryshe dhe si “Shtëpia e Sejdinasve”, është i ndërtuar në një shtëpi karakteristike e tipit me çardak dhe pasqyron mënyrën tipike të të jetuarit në Elbasanin e shekullit XVIII. Kjo ndërtesë është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore tha se, ky restaurim ishte një hap i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm.

Ndërhyrjet restauruese konsistuan në:
– Restaurimin e çatisë me tjegulla vendi;
– Restaurim i fasadës;
– Restaurime në ambientet e brendshme, në dritare, pjesërisht dyer, suvatime, trajtime në tavanët e drurit si dhe në pjesën e çardakut./atsh/KultPlus.com

Muzeu Etnografik i Elbasanit i nënshtrohet rikonstruksionit

Muzeu Etnografik i Elbasanit do të qëndrojë i mbyllur për një periudhë prej 4 deri në 6 muaj, për shkak të punimeve të restaurimit, të nevojshme për të ruajtur trashëgiminë kulturore të qytetit. Gjatë kësaj kohe, muzeu do t’i nënshtrohet përmirësimeve strukturore dhe estetike, me synimin për të ofruar një përvojë më të pasur dhe më të sigurt për vizitorët në të ardhmen.

Ky është rikonstruksioni më i plotë që është kryer ndonjëherë.

Kliton Kapaj, drejtori i këtij muzeu, është shprehur për mediet se do të fillojnë me meremetimet më emergjente që është çatia, dritaret dhe pjesa e fasadës, më pas do të ketë dhe punime të brendshme të cilat kërkojnë më shumë kohë me specialistët e restaurimit.

Restaurimi i godinës ishte i nevojshëm pasi objekti i trashëgimisë kulturore rrezikonte degradimin. Muzeu Etnografik i Elbasanit është ndërtuar në vitet 1983-86 kur është bërë inaugurimi i tij, dhe që nga ajo kohë nuk ka pasur ndërhyrje apo restaurime thelbësore.

Muzeu Etnografik i Elbasanit mbart brenda një pasuri të çmuar të historisë së qytetit dhe vizitohet nga qindra e mijëra turistë. Vetë ndërtesa e muzeut etnografik tregon zhvillimin e hershëm urban të Elbasanit./atsh/KultPlus.com

Restaurohet Muzeu Etnografik i Elbasanit

Ashtu si Muzeu Etnografik i Krujës ku tashmë po punohet për restaurimin, edhe Muzeu Etnografik i Elbasanit do t’i nënshtrohet kësaj ndërhyrjeje dhe projekti është gati.

Kjo godinë dykatëshe, një nga më të vjetrat në këtë qytet e ndërtuar që në shekullin e XVIII-të, paraqet arkitekturën e godinave të vjetra në Elbasan, veshjet, dhe përmes objektesh të tjera gjithçka që rrëfen mënyrën e jetës së një kohe tjetër historike.

Ndërhyrja e parashikuar me një fond limit prej 7.3 mln Lekësh, parashikon ndërhyrjen vetëm në strukturë dhe përforcim të godinës, e cila sipas specalistëve është ndërhyrja më e nevojshme në këtë godinë historike.

Ndërhyrja në projekt është parashikuar të zgjasë 6 muaj dhe puna në godinë do të nisë pas shpalljes fituese nga tenderi i firmës së licensuar për restaurime. Muzeu Etnografik i Elbasanit është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së parë më 1963, dhe është nga të pakta muze Etnografik që ndodhen në vendin tonë./tvklan/KultPlus.com