Vlerësimi i Jurisë së Çmimit të Muzeut Evropian të Vitit, mbërriti sot në Tiranë, për Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.
Vlerësimi është nënshkruar nga kryetarja e Forumit Europian të Muzeve, Jette Sandahl dhe nga kryetari i Jurisë për vitin 2020, Marc O’Neil.
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” u vlerësua në nëntor të vitit të shkuar nga Këshilli i Evropës si “Muzeu më i mirë 2020”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh se “si dëshmia e një kohe që nuk duhet të përsëritet, si një leksion për të rinjtë dhe një reflektim për të ardhmen, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” u vlerësua si “Muzeu më i mirë 2020”, një çmim i Këshillit të Evropës.
Motivacioni për “Fituesin e Çmimit të Muzeut 2020 të Këshillit të Evropës” është: Juria e Çmimit të Muzeut Evropian të Vitit shpreh vleresimin më të lartë për arritjet e jashtëzakonshme të Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë, Shqipëri. Ky muze i veçantë përcjell realitetin sesa lehtë njerëzit mund të kompromentohen dhe të detyrohen të bashkëpunojnë. Ai bën një deklaratë të fuqishme mbi natyrën e qytetarisë aktive në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe të institucioneve transparente. / KultPlus.com