Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, 65 mijë vizitorë në 11 muaj

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë gjatë këtij viti ka shënuar një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se mbi 65,000 vizitorë kanë vizituar nga janari deri në nëntor muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilët u njohën me historinë dhe traditat shqiptare”.

“Vetëm gjatë festave të nëntorit muzeu u vizitua nga 2 mijë vizitorë vendas, por nuk mungonin edhe të huajt”, theksoi Hafizi.

Hafizi bën të ditur se “në Muzeun Etnografik vijojnë punimet për rikonstruksionin dhe pritet të jetë gati sa më shpejt për të pritur vizitorët”.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.

Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim./ atsh / KultPlus.com