Muzeu i Artit Mesjetar, ekspozon për herë të parë vepra të ikonografëve të studiuara nga Theofan Popa

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë ekspozon për herë të parë disa prej veprave të artistëve ikonografë të mirënjohur, të evidentuara dhe të studiuara nga Theofan Popa.

Bashkia Korçë bën të ditur se, Theofan Popa studiues shkencor i ikonave dhe të afreskeve kishtarë, shpëtoi nga shkatërrimi diktatorial me mijëra ikona dhe objekte të tjera liturgjike, që janë një pasuri e çmuar për historinë e vendit.

Popa njihet si një nga themeluesit e Muzeut ikonografik të Korçës që u vendos në Kishën e Burimit Jetëdhënës. Më vonë ai punoi në krijimin e Muzeut Onufri në Berat. Ndërsa një fazë e rëndësishme për veprën e Theofanit janë vitet 1974-1980 kur ai merrej me ruajtjen e kishave dhe të manastireve. Theofanin regjimi i asaj kohe e akuzoi se shfrytëzonte detyrën shkencore për të bërë propagandë fetare, duke e distancuar nga kjo pune, por vepra e tij studimore dhe shkencore, janë sot një pasuri e çmuar.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ndodhet në qytetin e Korçës është ndërtuar në vitin 24 prill 1980 dhe është vendosur në dy banesa karakteristike korçare të shpallura monumente kulture.

Ky muze konservon trashëgimin më me vlerë të krijuar nga piktorët shqiptar për pesë shekuj.

Në pavijonin e artit ikonografik janë ekspozuar pikturat me prestigjioze të erës pasbizantine.

Ato janë të shekujve XII e XIV. Ky muze përmban 7500 objekte artistike prej guri, druri, leshi, argjendi dhe metale të tjera, kostume folklorike dhe objekte të tjera që tregojnë traditën dhe origjinalitetin e kulturës qytetare.

Rreth 1200 objekte shumica me përkatësi kohore nga Epoka e Bronzit dhe Epokës së Hekurit, dhe rreth 6000 janë ikona./atsh/ KultPlus.com

Restaurohet ikona “Krishti Pantokrator”

Në prag të Krishtlindjeve, specialistët e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar po punojnë për restaurimin e ikonës “Krishti Pantokrator”, me origjinë nga fshati Pojan i qytetit të Korçës.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila thekson se: pas trajtimit të suportit të degraduar u bë bashkimi i dërrasave, mbushja e mungesave, teksa vazhdon procesi i largimit të vernikut të oksiduar, duke nxjerrë në dritë një botë të mrekullueshme, fshehur pas gjurmëve të kohës.

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë me një fond prej 8000 ikonash dhe objektesh të karakterit religjioz, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, falë ndërtimit bashkëkohor, është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. / KultPlus.com

Dita e Shën Mërisë, Margariti: Vizitoni kishat e manastiret tashmë të restauruar

Sot festohet dita e Shën Mërisë, e cila ka mbledhur besimtarët në vendet e shenjta.

Atmosferës i është bashkuar edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila solli pamje nga ikona e Shën Mërisë, tashmë e restauruar. “Me këtë rilindje të ikonës së Shën Marisë, në laboratorin e Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, ju uroj gëzuar Ditën e Shën Marisë!”, u shpreh Margariti.

Ajo ftoi qytetarët të vizitojnë kishat e manastiret, që mbajnë këtë emër, restauruar e nxjerrë në dritë, si pjesë e trashëgimisë sonë materiale e shpirtërore.

Në laboratorin e restaurimit dhe konservimit të veprave të artit mesjetar u krye restaurimi i ikonës së Shën Mërisë e vitit 1746. Ikonat që paraqesin Shën Mërinë gjenden pothuaj në gjithë kishat mesjetare në vend. / KultPlus.com

https://fb.watch/7p4K062h_r/

Thesaret e ikonografisë shqiptare në Muzeun e ri të Artit Mesjetar, arsye e rëndësishme për të vizituar “Parisin e Vogël” të Shqipërisë (VIDEO)

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga ky muze duke theksuar se është një arsye e rëndësishme për të vizituar “Parisin e Vogël” të Shqipërisë.

“Thesaret e ikonografisë shqiptare, një arsye e rëndësishme për të vizituar “Parisin e Vogël” të Shqipërisë. Muzeu i ri i Artit Mesjetar, Korçë”, shprehet Rama krahas videos.

I pozicionuar përgjatë Bulevard “Fan Noli” në Korçë dhe restauruar në 2016, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash por edhe një institucion unikal në rajon.

Ky muze ka një fond prej 8000 objekte të artit mesjetar ndër të cilat 6500 janë ikona të ekspozuara në një frymë bashkëkohore me një rend kronologjik të zhvillimit të mjeshtërisë ikonografike në Shqipëri. Prezantimi i trashëgimisë së Artit Mesjetar të rikthen në gjenezën e mistikes dhe ritualeve të shenjta.

Eksponatet dhe fondet e pasura të tij përbëhen nga objekte historike, kulturore e artistike të periudhës mesjetare, që lidhen kryesisht me trashëgiminë e krishterë bizantine dhe pasbizantine.

Ikonat, objektet prej guri, koleksioni i objekteve prej metalesh të çmuara, druri të gdhendur, tekstili, letre etj., janë shembuj të një pasurie e larmie vlerash të paçmuara të krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre.

Gjithashtu, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ofron një audio guide në tre gjuhë të huaja nëpërmjet një aplikacioni për të gjithë vizitorët./ATSH/ KultPlus.com