Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka treguar se janë rregulluar gabimet drejtshkrimore në pllakën e Muzeut të Dëshmorëve në Prizren, përcjell KultPlus.
Inaugurimi i “Muzeut të Dëshmorëve” në Prizren u bë të shtunën. Ndërsa gabimet drejtshkrimore kishin rënë në sy dhe ishin përcjellë me kritika.
Në pllakë shkruhej Muzeu i Dëshmoreve” dhe “Martys Museum”, në vend të “Muzeu i Dëshmorëve” dhe “Martyrs Museum”.
Por Haskuka në Facebook ka treguar se gabimet janë rregulluar të shtunën.
“Dy pikat e Ë-së rregullohen, por mendjet e disave vështirë. U munduan ta vonojnë e ta sabotojnë hapjen e Muzeut të Dëshmorëve, biznese të lidhura me ish pushtetin. Por ja që nuk e arritën, ngase ne jemi për të punuar e zhvilluar, e jo për të sabotuar e shkatërruar. P.S.: Dje gjatë ditës mbishkrimi është rregulluar”, ka njoftuar kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Haskuka ndërkohë ka rregulluar me “photoshop” edhe te foto që e ka postuar dje në Facebook gjatë inaugurimit të Muzeut të Dëshmorëve ku shiheshin gabimet drejtshkrimore në pllakë. / KultPlus.com