Katër artefakte nga Muzeu Kombëtar i Kosovës do të prezantohen në ekspozitën “First Kings Of Europe”, që organizohet nga një prej muzeve më të mëdhenjë në SHBA, përcjellë KultPlus.
Tema kryesore e ekspozitës ka periudhën e formimit të elitave sociale dhe politike gjatë prehistorisë së vonë në Ballkan.
‘’Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të Evropës Juglindore do të jenë pjesë e ekspozitës “First Kings Of Europe”, që organizohet nga një prej muzeve më të mëdhenj në SHBA, Field Museum of Natural History, në Chicago.
Katër artefakte nga Muzeu Kombëtar i Kosovës do të prezantohen në ekspozitën që do të hapet më 31 mars në SHBA, dhe do të vazhdoj edhe në Kanadë.’, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Ekspozita “First Kings of Europe” përfshinë punën dhe tregimet e 26 muzeve dhe 11 vendeve të Evropës Juglindore.
‘“First Kings of Europe” bënë bashkë punën dhe tregimet e 26 muzeve dhe 11 vendeve të Evropës Juglindore. Ekspozita ka si temë kryesore periudhën e formimit të elitave sociale dhe politike gjatë prehistorisë së vonë në Ballkan, nga komunitetet bujqësore egalitare të periudhës së Neolitit, tek elitat e konsoliduara të fundit të periudhës së Hekurit.’, thuhet në njoftim./KultPlus.com
Në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, është hapur edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar i Posterit “Prishtina”.
Artistë të huaj dhe vendorë kanë prezantuar posterët e tyre me mesazhe interesante nga vendet prej nga vijnë.
Më një poster, është prezantuar edhe artisti nga Maqedonia e Veriut, Dragan Bozhino.
“Unë vij për herë të parë këtu në Kosovë me këtë poster timin. Në njërën është paraqitur harta e Maqedonisë në kafkën e njeriut, ku janë të prezantuara qytetet e vendit tim, dhe në posterin tjetër thuhet se jeta është një film, ndërsa vdekja është fotografi”, u shpreh Bozhino.
Ndërkaq, drejtori i këtij festivali, Rrezeart Galica, thotë se ky edicion është i rëndësishëm për artdashësit.
“Ky festival po shënon festivalin e dytë, dhe në këtë edicion kanë marrë pjesë diku 32 shtete, prej tyre 666 posterë aplikantë, prej tyre një juri ndërkombëtare janë zgjedhur 242 posterë për t’u ekspozuar ne këtë festival”, deklaroi Rrezeart Galica.
Edicioni I Festivalit Ndërkombëtar i posterit “Prishtina”, vitin që vjen do të hapet edhe në Tiranë. /BotaSot/KultPlus.com
Duke nisur nga ky vit shkollor, nxënësit e klasës së parë në Shqipëri e Kosovë do të mësojnë me Abetaren e re të përbashkët.
Kryeministri Edi Rama uroi sot nxënësit, ndërsa u shpreh se abetarja e parë e unifikuar është krijesë e vullneteve të dy qeverive.
“Gëzuar Abetaren e parë të unifikuar, krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë nxënësit shqiptarë këtej e andej bjeshkëve”, shkruan Rama.
Më herët, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zhvilloi një takim me mësues të klasave të para, me të cilët ndau për herë të parë Abetaren e re të përbashkët unike që do të përdoret në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.
Duke qenë se viti i ri shkollor 2022-2023 nis më parë në Kosovë më 1 shtator, e më pas në Shqipëri me 12 shtator, ministrja Kushi informon se në 1 shtator së bashku me homologen Nagavci do të prezantojnë abetaren unike për nxënësit e klasave të para në Kosovë.
Në dhjetor të vitit 2021, ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Arbërie Nagavci nënshkruan marrëveshjen për Abetaren e përbashkët. / KultPlus.com
“Trashëgimia kulturore dhe jeta ndër breza” titullohet ekspozita e hapur në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë.
Ekspozita përmban rreth 91 fotografi nga jeta e përditshme, nga trashëgimia kulturore, zejtaria dhe shumë fusha të tjera.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, theksoi: se “është një kënaqësi e veçantë që në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë dhe mbledhjes së pestë të përbashkët të dy qeverive, të hapim këtë ekspozitë”.
“Në mars të këtij viti, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, çelëm ekspozitën “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”. Kjo është ekspozita e dytë, e cila na sjell një pjesë të rëndësishme të memories urbane dhe pjesë që ndoshta mund të jenë harruar dhe që mund të kenë qenë rite ose doke të vjetra të cilat pritet të ripërtërihem. Përshëndes stafin, i cili me punën e bërë tregoi edhe njëherë që kultura nuk njeh kufij”, tha Koçi.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i cili ndër të tjera tha se “pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me rastin e festave, kjo është ekspozita e parë e çelur në Shqipëri nga Sektori i Etnologjisë së Muzeut Kombëtar të Kosovës”.
“Kjo ekspozitë flet më tepër sesa ne mund të flasim”, shtoi Leci.
Vizitorit, përmes kësaj ekspozite, i ofrohet mundësia e krijimit të imazhit për mjedisin kulturor kosovar në aspektin diakronik dhe sinkronik, me përmbajtje dhe vlera të mirëfillta të trashëgimisë kulturore.
Përmbajtja e këtyre fotografive, vizitorëve i’u ofron mundësi të shumta informimi, si për: mjedisin kulturor; arkitekturën tradicionale; veglat dhe mjetet e punës të sektorit primar dhe të zejtarisë; për disa zeje në shuarje ose tashmë të shuara; për veshje tradicionale dhe të kohës në proces; për forma tradicionale të punës në bujqësi; për poçarinë tradicionale, mënyrën e të kënduarit me gisht në fyt, nga vajza drenicake, tash e sa vite i harruar në traditën e kësaj krahine; lojëra tradicionale të fëmijëve; për tregjet e organizuara në qendra të ndryshme, etj.
Ekspozita është kuruar me mjaft profesionalizëm nga kuratorët: Besarda Reçica, Fahri Sheqiri dhe Arberina Mataj. /atsh/ KultPlus.com
Gjithsej 14 vepra të përmasave origjinale të piktorit të njohur italian Raffaello Sanzio da Urbino, sot përmes teknikave inovative duke filluar pikërisht nga riprodhimet e pikturave të cilat jepnin iluzionin se çdo nuancë, ngjyrë, teknikë e ngjyrosjes e edhe detajet nga më të voglat, pothuajse dilnin nga pëlhura e tyre për të hyrë në vëmendjen e çdokujt e grabitur mendimet e tyre nën strofullën artistike, për të vazhduar me sistemin e ndriçimit të pasmë që dallohej si një siluetë e pikturave, e deri tek fotografitë të cilat i përkasin arkivave të televizionit publik italian RAI e të cilat shfaqeshin në një ndërlidhje të vazhdueshme kinematografike për syrin e pranishëm, shpalosën kështu ekspozitën e titulluar “Raffaello portretist” të kuruar nga historiani i artit Antonio Paolucci, shkruan KultPlus.
E tërë jeta e mjeshtrit të madh italian, Raffaello, të cilit në vitin 2000 i ishte shënuar 500 vjetori i vdekjes, kishte gjetur shtëpinë e përkohshme në Muzeun Kombëtar të Kosovës duke shfaqur kështu vepra tejet të mrekullueshme dhe krejtësisht origjinale. I frymëzuar nga piktorët si Leonardo da Vinci dhe Michelangelo, Raffaello na dërgon në rrugëtimin pasionant të ndjenjave diversive përmes portretizimit të identiteteve reale të cilat shfaqeshin në mënyra të ndryshme në secilën pikturë.
Gjestet e duarve, pozita e personazheve, shfletimi i faqeve të Biblës, satenet dhe kadifet e veshjeve të papëve dhe kardinalëve, imazhet e një zgjuarsisë të mprehtë, stili antik, emblemat aristokratike, portreti i një dashurie të dalluar në teknikë, fisnikëria e të shkruarit, portrete të shkëlqyera në butësinë e përpiktë, mistere portretesh nga perspektiva e syrit të piktorit, simbole të shfaqura përmes kafshëve mitike, lumturia rinore, eleganca e peizazheve të ndërthurura mes etikës dhe estetikës si dhe sfondet poetike janë këto vetëm disa nga elementet që Raffaello ka përplasur para syrit të shikuesit e njëkohësisht duke na dërguar në botën e skenave groteske, erotike e mitologjike gati në çdo cep të Muzeut Kombëtar.
Perspektiva dhe syri i tij kërkon të shpalos një simfoni të nuancave të errëta duke nisur nga ngjyra e kuqe, e zeza e deri tek e bardha, të cilat evokonin një përqendrim e përhumbje mjaft të dëshiruar të të pranishmëve. Piktori vazhdimisht në një mënyrë paralele qëndron në transparencën e pëlhurës, mëndafshit si një peizazh ku shikuesi vëren hovin e rilindjes italiane e që në realitet ashtu edhe dukej; një renesancë e brendshme.
Të pranishëm në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite ishin edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Zv. Ambasadori i Ambasadës Italiane, Ugo Ferrero dhe Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci.
“Është një ngjarje ku shënohet një bashkëpunim i rëndësishëm kulturor mes Kosovës dhe Italisë. Jemi të lumtur që sot kemi mundësinë që para publikut të Kosovës të kemi një ekspozitë të veçantë të një prej artistëve të mëdhenj botërorë, i cili na sjell një dimension të rafinuar të paraqitjes artistike. Unë jam shumë i lumtur që si Ministri e Kulturës kemi mundësinë të jemi pjesë e organizimeve të tilla të nivelit ndërkombëtar”, thotë Çeku.
Sipas tij, një ekspozitë e tillë lëvizëse ka lëvizur në tërë botën dhe do të lëvizë ende, andaj lumturia që Muzeu Kombëtar i Kosovës është pjesë e një organizmi ndërkombëtar, është tejet e lartë.
“I bëj thirrje publikut që duke i respektuar masat pandemike, të mos e humbin rastin të shohin një nga ekspozitat më të arrira artistikisht që ndonjëherë prezantohet në Kosovë”, përfundon Çeku.
Ndërsa, Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci foli rreth rëndësisë që kjo ekspozitë ka për Muzeun Kombëtar.
“Falënderoj të gjithë të pranishmit që ishin prezent në këtë ngjarje të rëndësishme. Shpresoj se këso bashkëpunime do të kemi edhe në të ardhmen. Është tejet e rëndësishme që kjo ekpozitë është shfaqur sepse është një organizim ndërkombëtar mjaft i rëndësishëm”, thotë Leci.
Po ashtu, Zv. Ambasadori i Ambasadës Italiane, Ugo Ferrero
“Ne jemi shumë të lumtur që po shpalosim këtë ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Hapja e kësaj ekspozite ka qenë shumë e rëndësishme sepse sjellja e një artisti të njohur italian si Raffaello, i cili ndërlidh klasiken dhe teknologjinë e re, është shumë e rëndësishme, andaj edhe ftojmë të gjithë që të vijnë ta shikojnë dhe të kënaqen me këto vepra të mrekullueshme”, thotë Ferrero.
Ekspozita “Raffaello portretist” është promovuar nga Ministria e Punëve te Jashtme e Italisë dhe Raicom, në kuadër të projektit Opera Omnia.
Ekspozita e realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë, Institutit Italian të Kulturës në Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, do të qëndroj e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës çdo ditë nga e marta, 21 shtator deri te dielën 10 tetor 2021 (orari 10:00 – 18:00), përveç të hënave.
Ekspozita, e cila tashmë ka ndaluar në Tunizi, Turqi dhe Finlande, pas Kosovës do të vazhdojë në Maqedoninë e Veriut. / KultPlus.com
Koleksioni privat i titulluar ”Rozeta”, i krijimtarisë së instrumenteve frymore së figurës së njohur Shaqir Hotit, sot u shpalos në hapësirën e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku të vendosua ishin instrumentet e ndryshme unike të vetë punuara nga krijuesi i papërsëritshëm që kompozoi mjaft krijime të muzikës tradicionale shqiptare, shkruan KultPlus.
Në këtë ngjarje, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeut, përveç artistëve, familjarëve dhe dashamirëve të muzikës së Hotit, të pranishëm ishin edhe drejtori i Muzeut të Kosovës Ajet Leci, Ministri Hajrulla Çeku, këshilltari i Çekut, Librun Jupolli si dhe artisti Ilir Shaqiri.
“Jam shumë i nderuar që kjo ekspozitë po mbahet në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Baca Shaqë edhe pse jo fizikisht me ne, krijimtaria e tij artistike do të jetojë për ne dhe shumë breza të ardhshëm. Kurse, veprat e tij artistike që po ekspozohen flasin më shumë sesa që ne mund të flasim”, nisi kështu fjalimin Leci për të shënuar aktivitetin e dytë me radhë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeut.
Po ashtu, ministri Çeku është shprehur se po ndjen një kënaqësi të madhe për praninë e tij dy ditë radhazi në Muzeun Kombëtar e për të parë diçka të re.
“Sot është një moment i veçantë sepse figura e Hotit është një figurë mjaft komplekse me interpretimin muzikor, multinstrumentizmi, kompozimin, tekst shkrimin dhe ndërtimin e skenës muzikore në Kosovës”, thotë Çeku.
Sipas tij, potenciali i Hotit është një model që gjithmonë duhet ndjekur sepse Hoti përfaqësonte folklorin, natyrën e pasur, thjeshtësinë dhe madhështinë e Kosovës, tregimet e njerëzve të Kosovës.
“Ai komunikonte me të gjithë ku vetë pati një qasje të ndjeshme dhe vetë përkushtuese. Profesionalizmi i tij dhe vlerat e tij ndaj kombit tregojnë se Kosova është me fat që pati një njeri si ai”, përfundon Çeku.
Ndërsa, muzikanti Librun Jupolli foli për figurën e Hoti që për të ishte një shembull i rrallë i komunikimit.
“Ndoshta kjo është vetia e tij kryesore sepse secili artefakt në këtë ekspozitë është mjet komunikimi. Me instrumentet e tij ai takonte frymën, ajrin dhe erën për të komunikuar me gjuhën e muzikës, me gdhendjet në punëtorinë e tij, me pajisjet radiofonike, ai ishte kampion i komunikimit”, thotë Jupolli.
Sipas tij, këto veti janë të njohura nga të gjithë sepse ai kapërceu zhanre, stile e formate të llojllojshme artistike. Për Jupollin, komunikimi i Hotit kishte aftësinë për të transformuar, përshtatur, adaptuar me lehtësi folklorin me të gjitha rrymat e tjera.
Kështu krejt në fund, ky aktivitet u përmbyll me fjalën e rastit nga artisti Ilir Shaqiri.
“Jam shumë i lumtur që sot po tregohen këto vlera kulturore, etnografike dhe semiotike të kulturës tonë bashkëluftëtare të punuara nga një artist i veçantë që sot na la trashëgimi këto vlera që duhen të trashëgohen brez pas brezi”, përfundon Shaqiri.
Shaqir Hoti interpretonte në instrumente të shumta ku me mjeshtërinë e tij në veglat muzikore ai do të mbetet një identitet kulturor dhe do të mbahet mend edhe për shndërrimin e instrumentit të Okarinës në jetë që sot dashamirë të shumtë të muzikës mund ta shohin në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Muzeve përfaqëson një moment unik për komunitetin ndërkombëtar muzeor. Me qëllim të shënimit të kësaj dite të rëndësishme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës, kanë organizuar një agjendë me aktivitete të ndryshme, përcjellë KultPlus.
Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, filloi me aktivitetin e organizuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës, “Muzeu në Kuti”. Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Festivalin e Muraleve në Ferizaj, ku pjesëmarrësit student dhe nxënës, kanë krijuar kutitë lëvizëse të inspiruar nga motivet e trashëgimisë kulturore nga koleksioni i Muzeut. Kutitë lëvizëse të drurit janë pikturuar dhe dizajnuar me motive të trashëgimisë kulturore duke nxjerrë pjesë të ngritura që mund të ndihen me prekje, ndërsa replikat janë punuar me materiale nga argjila, fimo, tekstil dhe metal.
Rezultatet e këtij aktiviteti u ekspozuan në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës, në prani të Ministrit Hajrulla Çeku, dhe pjesëmarrësve tjerë. Certifikatat për pjesëmarrje në këtë aktivitet për nxënësit dhe studentët, u shpërndanë nga Ministri Çeku. Në fjalën e tij Ministri Çeku, theksoi evoluimin e rolit dhe rëndësisë së muzeve, si institucione demokratike që i shërbejnë komunitetit dhe zhvillimit të tij, duke u ndërlidhur edhe në rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse dhe të barabartë për të gjithë.
“Jam mëse i kënaqur që sot në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve vizitova punimet e krijuara nga pjesëmarrësit në këtë aktivitet, ku theksohet rëndësia e transmetimit të vlerave të trashëgimisë kulturore nëpërmjet institucionit të muzeut. Ekspozita e krijuar nga pjesëmarrësit ofron edhe dimzensionin shumë të rëndësishëm të promovimit dhe edukimit, që do të ndikojë në transmetimin e këtyre vlerave te gjeneratat e ardhshme.”
Ai gjithashtu shtoi për obligimet dhe angazhimin për ngritjen e kapaciteteve të muzeve në Kosovë.
“Dua të theksoj rëndësinë dhe prioritetin tonë në fushën e ngritjes së kapaciteteve të muzeve në Kosovë, si në aspektin përmbajtësor, duke pasuruar fondin muzeor por edhe në përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit. Gjithashtu krijimi i bazës ligjore që do të mundësojë kategorizimin dhe organizimin funksional të muzeve ekzistuese në Kosovë, dhe do të hap rrugë për themelimin e muzeve të reja, me qëllim të dokumentimit, interpretimit dhe promovimit të kulturës sonë të pasur.”
Gjithashtu, Pranvera Sylejmani, udhëheqësja artistike në festivalin e muraleve në Mural Fest Kosova, për KultPlus ka treguar se si erdhi bashkëpunimi me Muzeun Kombëtar të Kosovës.
“Është hera e parë që ndodh një bashkëpunim i tillë me Muzeun Kombëtar të Kosovës, bashkëpunim ky që erdhi si pasojë e punës tonë paraprake dhe mjaft serioze me anëtarët e festivalit tonë, me ç’rast jemi ftuar nga Muzeu i Kosovës për ta realizuar këtë projekt pikërisht në këtë ditë”, ka thënë Sylejmani.
Sipas saj, gjithsej 20 arkat e paraqitura janë realizuar në ditët paraprake dhe ato kanë ardhur si pasojë e inspirimit të pjesëmarrësve nga ekspozita arkeologjike dhe etnologjike që ndodhet në Muzen e Kosovës ku edhe sot këto punime janë ekspozuar. Ndërkohë, ajo është shprehur se po ndjehet mjaft e lumtur për rezultatin e punës së 14 pjesëmarrësve.
Po ashtu, Dija Shabani, pjesëmarrëse në këtë ngjarje, për KultPlus ka treguar domethënien e punës së saj e cila ka zgjatur 2 orë.
“Unë kam paraqitur antikitetin dardan ku shpaloset vajtimi i një ushtari ilir por edhe burrat edhe gratë kanë vajtuar. Edhe pse fillimisht nuk e kam menduar që do të dal në këtë formë për shkak të periudhës të shkurtër kohore, procesi i punës ka zgjatur rreth 2 orë dhe punimi është punuar me akril në ngjyrën e arit” përfundon Shabani.
Aktivitet i radhës për nder të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, do të mbahet më 20 Maj 2021, në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku do të bëhet Hapja e Ekspozitës së veçantë të koleksionit të figurës qendrore të trashëgimisë muzikore folklorike të ndjerit Shaqir Hoti. / KultPlus.com
Në ambientin ku zë fill trashëgimia kulturore e Kosovës, në Muzeun Kombëtar u bë përurimi i udhëzuesit për standardet e hartimit të planeve menaxhuese të trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.
Nën prezencën e ministres për Kulturë, Rini dhe Sport, ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore u bë prezantimi i këtij udhëzuesi me rëndësi për kulturën në vend.
Ky udhëzues i cili është rezultati i përpjekjeve afatgjata të Misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të ketë kontribut kyç për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
“Ne këtu po e prezantojmë një udhëzues të planeve menaxhuese, se si duhet të hartohen ato, të cilat e kanë një rol të rëndësishëm dhe kanë dal nga kërkesat e grupeve të ndryshme punuese dhe nga raportimet që nga viti 2014”, u shpreh ministrja Dumoshi.
Në anën tjetër, ambasadori Braathu theksoj se ky udhëzues është rezultat i bashkëpunimit në mes të anëtarëve të misionit të OSBE-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Udhëzuesi ka për qëllim të jetë i përdorshëm, praktik dhe frymëzues dhe është i adresuar për të gjithë palët e interesuara në përfshirje të menaxhimit të trashëgimisë kulturore”, tha ambasadori Jan Braathu.
Në fund ai shtoj se udhëzuesi duhet te jetë frymëzues për faktin se ri-përpilimi i këtyre dokumenteve të cilat ndihmojnë trashëgiminë kulturore duhet të bëhet çdo 5 vite. Pas fjalimeve ministrja Dumoshi ia dhuroj një mini- statujë të Hyjneshës në Fron si dhuratë ambasadorit Braathu, të cilën ai e priti gëzueshëm.
Në fund, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me ambasadorin e OSBE-së Jan Braathu dhe stafin e përbashkët e vizituan brendinë e Muzeut Kombëtar të Kosovës, për çka Braathu u nda i kënaqur me pasurinë trashëgimore. /KultPlus.com
Në kuadër të pasurimit të fondit muzeor, Muzeut të Kosovës sot i është dhuruar “Veshja e Rrafshit të Dukagjinit”, veshje kombëtare e njohur si “Vesha e katunit”, punuar nga Zejnepe Demaj-Beqiraj.
Vesha është punë dore e punuar në tërësi me kërrabëz dhe gjilpërë, e cila është punuar në vitet 1965-66 të shekullit 20, kur autorja e kësaj veshjeje ishte 21 vjeçe.
Veshën, ministres Vlora Dumoshi ia dorëzoi e bija e autores, Gjylshane Beqiraj. Me këtë rast, ministrja e vlerësoi këtë si një gjest të madh nga ana e familjes së zonjës Zejnepe, që punën e saj t’ia dorëzojë institucioneve.
“Ne si ministri në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës do të kujdesemi për veshjen në fjalë që ajo të ketë hapësirën e përshtatshme për ekspozim ashtu që të prezantojë kulturën tonë, punën e nënave tona”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.
Ministrja Dumoshi u shpreh se rastet e këtilla kur qytetarët mendojnë për forcimin e institucioneve meritojnë falënderim dhe mirënjohjen më të madhe të mundshme.
Zejnepe Demaj-Beqiraj ka lindur me 25 qershor 1945, në Radavc të Pejës. Në vitin 1965-1966 ishte gati 21 vjeçe, e fejuar në fshatin Staradran të Istogut dhe bëhej gati për martese. Në këtë periudhë e ka punuar këtë veshje kombëtare, e njohur si “Veshja e Rrafshit te Dukagjinit”. / KultPlus.com
Në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Europiane, Muzeu i Kosovës organizon aktivitet me moton Art dhe Argëtim.
Ditët e Trashëgimisë Europiane filluan në vitin 1991 kur Këshilli i Europës zyrtarisht filloi Ditët e Trashëgimisë Europiane me mbështetjen e Komisionit Europian.
Në vitin 1999 kjo iniciativë u bë një veprim i përbashkët i Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian.
Gjatë gjithë Europës, prej muajit shtator, Ditët e Trashëgimisë Europiane hapin dyert e monumenteve dhe vendeve të shumta, duke u lejuar qytetarëve të Europës ta gëzojnë dhe të mësojnë për trashëgiminë e tyre të përbashkët kulturore dhe t’i inkurajojnë ata të përfshihen në mënyrë aktive në ruajtjen dhe përmirësimin e kësaj trashëgimie për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.
Sot, Ditët e Trashëgimisë Europiane mund të konsiderohen si një instrument thelbësor për nxitjen e një përvoje të prekshme të kulturës dhe historisë europiane, përveç rritjes së vetëdijes së publikut për vlerat e shumëta të trashëgimisë sonë të përbashkët dhe nevojës së vazhdueshme për mbrojtjen e saj.
Ditët e Trashëgimisë Europiane kanë arritur të nxisin pjesëmarrjen e shoqërisë civile, duke përfshirë rininë, punën vullnetare dhe bashkëpunimin ndërkufitar, duke promovuar kështu parimet bazë të dialogut ndërkulturor, partneritetit dhe përgjegjësisë qytetare. / KultPlus.com
Muzeu i Kosovës është përzgjedhur si nikoqir i American Arts Incubator në 2020, në partneritet me Programin e Shkëmbimit-Departamentin e Shetit Amerikan ZERO1, U.S. US Ambasada Prishtine, Kosove, dhe KUSA.
Lajmi është bërë i ditur përmes nja statusi në faqen zyrtare të Muzeut të Kosovës, shkruan KultPlus.
Muzeu i Kosovës është themeluar në vitin 1949, ndërkaq ndërtesa me arkitekturë Austro-hungareze daton që nga viti 1885/6. Ajo ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Muzeu i Kosovës përfshin një koleksion, me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme, prej pavijonit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, natyrës, ento-kulturës, folklorit, trashëgimisë etj.
Muzeu i Kosovës ka katër departamente: Departamenti i Arkeologjisë, Departamenti i Etnologjisë, Departamenti i Historisë si dhe Departamenti i Natyrës./KultPlus.com
Është shkarkuar sot Këshilli Drejtues i Muzeut të Kosovës, këtë e ka bërë me dije ministri i kulturës në largim, Kujtim Gashi i cili ka njoftuar se ky proces nuk ka qenë transparent ndaj edhe është anuluar, shkruan KultPlus.
Për këtë vendim të Gashit ka shkruar edhe Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka thënë se nuk do të lejojë korrupsion dhe nepotizmin nën udhëheqjen e tij.
“Shkarkimi i Komisionit Përzgjedhës për drejtorin e ri të Muzeut të Kosovës
nga ministri Kujtim Gashi dhe anulimi i tërë këtij procesi është dëshmi se nën
udhëheqjen time nuk do të lejoj korrupsion dhe nepotizëm. Korrupsioni dhe
nepotizmi po na dëmtojnë në të gjitha fushat e jetës dhe ne do ta luftojmë atë
në të gjitha drejtimet, jo me fjalë, por me vepra konkrete.
Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit nuk përfundon për një ditë, por
kërkon vendime të guximshme, sikurse vendimi i sotëm i Ministrit të Kulturës,
Rinisë dhe Sportit.
Ne duhet t’u japim sa më shumë mundësi të rinjve, siç kemi filluar ta bëjmë
në PDK dhe siç do të vazhdojmë ta bëjmë. Duke e luftuar korrupsionin dhe
nepotizmin, sikurse ministri Kujtim Gashi, ne do të mund të investojmë edhe më
shumë tek të rinjtë dhe ta ndalojmë largimin e tyre”, ka shkruar Veseli
Ndërsa, ministri Kujtim Gashi ka thënë se korrupsioni nuk luftohet me
koktej molotovi dhe me gaz lotsjellës.
“Rastet sikurse ky tregojnë që korrupsioni nuk luftohet me koktej molotovi dhe me gaz lotsjellës. Partitë tjera nuk kanë bërë asgjë kundër korrupsionit dhe nepotizmit, por ato vetëm po na shikojnë neve. Ata po vazhdojnë të rekrutojnë fatkeqësisht njerëz që kanë problem me ligjin”, u shpreh Gashi, bëhet e ditur përmes një njoftimi për media. / KultPlus.com
Ajet Leci ia kishte dalë që në zgjedhjet partiake të këtij viti të mblidhte 28 vota duke u bërë anëtar i Kryesisë së PDK-së në Drenas. Por ky nuk ka qenë suksesi i vetëm i tij për këtë vit.
Të mërkurën, Këshilli Drejtues i Muzeut të Kosovës, i emëruar nga bashkëpartiaku i Lecit, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, e ka zgjedhur atë drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Kësisoj, Leci që më parë në Drenas ishte zgjedhur edhe drejtor i shkollës “Mehmet Gradica” në fshatin Gradicë, për katër vjet do të udhëheqë institucionin më të lartë muzeor në vend, shkruan sot “Koha Ditore”.
Leci është vlerësuar me më së shumti poenë në garën ku kandiduan edhe dhjetë të tjerë. Pasditen e së martës, kur gazeta e ka marrë vesh zgjedhjen e tij, Leci nuk ka qenë i qasshëm nëpërmjet telefonit. E Selim Bezeraj, kryetar i Këshillit Drejtues të MKK-së, ka thënë se ky organ ka vlerësuar profesionalisht.
“Nuk i dimë na ato. Ne e kemi vlerësuar vetëm në bazë të kritereve të konkursit”, ka thënë Bezeraj. Paraprakisht kandidatët kishin hyrë në test me shkrim të premten, kurse të martën ata janë intervistuar.
Kësisoj, pas më shumë se një viti institucioni më i lartë muzeor në vend ka arritur që të ketë drejtor.
Sipas njoftimit të Këshillit Drejtues të Muzeut, kandidati Ajet Leci i ka plotësuar të gjitha kriteret juridike dhe profesionale për ta ushtruar detyrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.
“Ai ka dhënë dëshmi bindëse se mund ta drejtojë këtë institucion në përmbushjen e objektivave profesionale që lidhen me fushëveprimtarinë e këtij institucioni”, është shkruar në njoftimin e Këshillit Drejtues.
Në vitin 2013 Leci ishte zgjedhur anëtar i Kryesisë së PDK-së në Drenas dhe vazhdon të jetë akoma anëtar i saj. Ajet Leci ka gradën master në histori me temën “Shërbimi sanitar mjekësor në Zonën e Drenicës 1998/99”. . Koha.net / KultPlus.com
Tradita dhe kultura e kombit shqiptar, ka qenë ajo që gjithmonë na ka veçuar në raport me vendet tjera në ballkan. Duke pasur një traditë e një kulturë të veçantë, e cila ka qëndruar e fortë ndër shekuj, për të cilët historia i njeh vetëm si shekuj lufte e sakrificë, na ka bërë kjo që jemi sot, një popull që kulturën e mbi të gjitha traditën mundohemi ta ruajmë me fanatizëm, shkruan KultPlus.
Këtë vit, me po këtë motiv, siç është ruajtja e traditës dhe kulturës sonë, Muzeu Kombëtar i Kosovës, për herë të parë ka organizuar “Kampi me të rinj nga Diaspora”, përmes të cilit të rinjve u janë ofruar aktivitete të ndryshme, aktivitete këto të lidhura ngushtë me trashëgiminë kulturore në Kosovë.
Pjesë e këtij edicioni ishin mbi 30 pjesëmarrës, nga Kosova dhe Diaspora, të grupmoshave 16-24, me aktivitete që zgjatën për katër ditë radhazi. Pjesëmarrësit, sipas organizatorit Fatmir Hoxha, u ndanë mjaft të kënaqur me eksperiencën e fituar gjatë kësaj periudhe të shkurtë por shumë të dobishme. Aktivitetet kryesisht kanë zënë vend në Prishtinë, duke filluar Muzeu Kombëtar, përmes të cilit promovohej trashëgimia kulturore e popullit tonë, duke vazhduar më pas me ekspozita, lojëra të ndryshme, me ngjitje në murin Aplin që gjendet në Parkun Nacional të Gërmisë etj. Pastaj, të rinjtë kanë pasur mundësinë, që sikur edhe në kohët e mëhershme të mësonin orientimin në natyrë, ashtu siç e kanë mësuar edhe të parët tanë.
Për KultPlus, Fatmir Hoxha organizatori i këtij edicioni deklaroi të jetë shumë i kënaqur nga organizimi dhe realizimi i këtij eventi, poashtu edhe nga interesimi i të rinjëve, duke u shprehur mjaft optomist edhe për rritjen e pjesëmarrësve në vitet në vazhdim.
”Qëllimi i këtij kampi, ka qenë ruajtja e traditës, pasiqë të rinjtë kanë filluar të harrojnë. Ne jemi munduar që sa më shumë, duke provuar mënyra atraktive, të i informojmë rreth trashëgimisë sonë kulture”, u shpreh ai. Në kuadër të këtij edicioni është krijuar edhe grupi ”Miqtë e muzeut”, grup ky i cili, duke filluar nga viti tjetë do të filloj të merret edhe me aktivitete humanitare. “Kampi me të rinj nga Diaspora”, është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Kosovës për herë të parë organizon kampin: “Kampi me të rinj nga Diaspora”, përmes të cilit do t’iu ofrojë të rinjve aktivitete që lidhen me trashëgiminë kulturore në Kosovë.
Muzeu Kombëtar i Kosovës është institucioni i parë i trashëgimisë kulturore i themeluar në vitin 1949, me qëllim të hulumtimit, mbledhjes, ruajtjes, restaurimit-konservimit dhe prezantimit të trashëgimisë së luajtshme kulturo-historike, që nga parahistoria e deri më sot, në territorin e Republikës së Kosovës.
Në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës funksionon edhe sektori i edukimit, i cili zhvillon programe të edukimit për të rinj dhe fëmijë përmes aplikimit të metodave dhe teknikave më të avancuara në lëmin e profileve shoqërore, duke aplikuar teknika interaktive përmes punës praktike. Datat e kampit: 16 -19 gusht, 2019.
Kampi do të jetë i hapur nga ora 09:00-17:00 për katër ditë
sa zgjatë zhvillimi i aktiviteteve. Kjo nënkupton se çdo ditë pjesëmarrësit do
të marrin pjesë në aktivitetet sipas orarit të lartshënuar, ndërsa në mbrëmje
do të kthehen në ambientet familjare.
Kampi do të mbahet në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë
dhe aplikuesit duhet të jenë të rinjtë e moshës 14-24 vjeç.
Pjesëmarrësit e kampit do të pajisen me certifikata mbi
modulet e ndjekura sipas punëtorive të ndara në planin e aktiviteteve.
“Kampi me të rinj nga Diaspora” është kamp i cili mbledh së bashku 35-40 të rinj nga e gjithë Kosova për 4 ditë, duke ofruar përplot aktivitete dhe mësime mbi trashëgiminë kulturore. Gjatë këtij kampi do të zhvillohen prezantime, punëtori dhe aktivitete të lira garuese.
Nëse dëshironi të informoheni dhe të mësoni mbi trashëgiminë kulturorë atëherë, “Kampi me të rinj nga Diaspora” është vendi i duhur për ju! Për të marrë pjesë APLIKONI duke plotësuar formën e aplikimit deri më 14 gusht 2019! Rekomandohet që forma e aplikimit të plotësohet në kompjuter, laptop ose smart phone. Shënim: Shpenzimet e rrugës nuk janë të përfshira.
“Kampi me të rinj nga Diaspora” financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe menaxhohet nga Muzeu Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë që ta bëjë me drejtor Muzeun Kombëtar të Kosovës nëpërmjet një konkursi të brendshëm. Institucioni më i lartë muzeor në vend muajin e ardhshëm mbush një vit pa drejtor.
Mundësia që Muzeu Kombëtar i Kosovës të bëhet me udhëheqës, pa mbushur 12 muaj pa një të tillë, ka dështuar me anulimin e konkursit të brendshëm, që ishte hapur më 27 maj. Muzeu është pa drejtor që nga korriku i vitit të kaluar. Ministria e Kulturës kishte hapur konkursin dhjetë muaj pas largimit nga pozita të drejtorit të atëhershëm Skënder Boshtrakaj.
Këtë pozitë në konkursin që dështoi e kishin synuar katër kandidatë. Mirëpo për shkak të mospërmbushjes së kriterit të aplikantëve, me më së paku tre kandidatë, të cilët plotësojnë kushtet, për zhvillimin e procedurës së rekrutimit për këtë pozitë, konkursi u anulua./KOHA/
Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar i Kosoves në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor hapin ekspozitën me titull “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite”, në përkujtim të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit.
Ekspozita është realizuar për të kujtuar Ismail Qemalin dhe kontributin e tij të paçmuar për kombin shqiptar.
Ismail Qemali ka lindur në Vlorë, më 24 janar të vitit 1844, në qytetin, ku 68 vjet më vonë do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë. Kuvendi Kombëtar dhe ngritja e flamurit më 28 Nëntor u zhvilluan në shtëpinë ku ka lindur Ismail Qemali.
Ekspozita do të hapet me 31 Maj në ora 18:00 në Muzeun Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com
Çdo vit nga 1977, ICOM ka organizuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve e cila reprezenton një moment unik për komunitetin ndërkombëtar muzeor. Në këtë ditë, muzetë pjesëmarrës planifikojnë ngjarje kreative që lidhen me temën e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, angazhon publikun dhe nxjerr në pah rëndësinë e rolit të muzeve si institucione që i shërbejnë shoqërisë dhe zhvillimit të saj.
Tema e këtij viti për është
“Museums as Cultural Hubs: The Future
of Tradition”- Muzetë si Qendra kulturore: E ardhmja e Traditës.
Muzeu
Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me profesorë dhe studentë të Degës së
Antropologjisë dhe Etnologjisë në Universitetin e Prishtinës për të shënuar
Ditën Ndërkombëtare të Muzeuve do të zhvillojnë punëtori të cilat kanë për
qëllim angazhimin dhe edukimin e fëmijëve (grupmosha të ndryshme) dhe të rinjve
për Artin Tradicional të shprehur në zeje të ndryshme tradicionale përmes
metodave interaktive. Këto punëtori do të sjellin artizanë të ndryshëm në Muze
të cilët do t’i mësojnë fëmijët rreth zejes së tyre e në të njëjtën kohë
fëmijëve do t’u jepet mundësia të provojnë këto zeje me materiale të
ripërdorshme.
Aktivitetet për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve do të mbahen më 17 maj, nga ora 10:00- 20:00. Lokacioni: Ndërtesa kryesore e Muzeut. / KultPlus.com
Në Muzeun Kombëtar të Kosovës është bërë sot hapja e ekspozitës “Hartografia europiane dhe territoret shqiptare” e autorit Afrim Ethemi, shkruan KultPlus.
Koleksioni “Hartat e Vjetra” i Afrim Ethemit tërheq vëmendjen ndaj kohës
dhe ndryshimeve gjeografike. Ndërsa e
kaluara zhduket, zhvillohet kujtesa dhe reflektohet mbi të, shenjat zbehen por
dokumentacionet tregojnë një të vërtetë të të kaluarës.
I pranishëm në këtë ekspozitë ishte edhe ministri i Kulturës Rinis dhe Sportit, Kujtim Gashi i cili u shpreh se ekspozita të tilla me koleksione e harta nuk shohim shpesh sepse harta të tilla gjenden rrallë.
“Ekspozita të tilla
me koleksione e harta nuk shohim shpesh sepse
harta të tilla gjenden rrallë dhe janë të rralla, andaj kjo si sot që po
shfaqet paraqet për mua si ministër por dhe për dikasterin që udhëheq një
interesim për ti ofruar, paraqitur,
promovuar dhe pasqyruar qytetarëve vlera historike dhe kulturorë për trashëgimin
e popullit shqiptarë”, është shprehur Gashi
Gjithashtu i pranishëm ishte edhe dekani i fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli i cili tha se në një shoqëri si kjo e jona që ka një traditë të varfër koleksionesh, një koleksion i tillë është një burim i çmuar hartografik.
“Në një shoqëri si kjo e jona që ka një traditë të varfër
arkivash, muzesh e koleksionesh, një koleksion kaq i veçantë me harta siç është
ky koleksioni i Afim Ethemit është shumë më shumë se një koleksion privat i një
koleksionuesi të pasionuar, këto harta të koleksionuara dhe të ruajtura me
përkushtim nga Afrimi janë një burim i çmuar hartografik që na tregon si shihej
dhe perceptohej Shqipëria dhe shqiptarët në vendet e botës perëndimore prej nga
ishin hartuesit e këtyre hartave”, tha
Dugolli.
Si përfundim pak fjalë tha edhe vet autori i kësaj ekspozite
Afrimi Ethemi i cili u shpreh se këto
harta pasqyrojnë kujtesën e së kaluarës për një popull i cili ende sot
ballafaqohet me problemin e asaj ekzistence dhe asaj pyetje se ku kemi qenë dhe
ku jemi tani dhe kush kemi qenë dhe kush jemi tani.
“Unë me këtë koleksion nuk pretendoj që ta jap këtë shpjegim por natyrisht u ofroj mundësin të tjerëve që ta gjejnë një rrugë e cila do të na drejtoj apo do të na shpjegoj se kush kemi qenë dhe kush jemi”, tha autori.
Kjo ekspozitë ka pasur një rrugëtim të gjatë që nga viti
2005 kur është hapur në Prishtinë dhe ka vazhduar në Shkup në vitin 2007, në
vitin e kaluar ka qenë edhe në Tiranë dhe përsëri është kthyer në Prishtinë.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më datë 04 prill. “Hartografia europiane dhe territoret shqiptare” është organizuar nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, Fakultetit Filozofik Dega Histori dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinis dhe Sportit. / KultPlus.com
Nga sot Muzeu i Kosovës bëhet me Statut, akt ky i cili ia përcakton mandatin dhe rregullon punën e këtij institucioni të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Në një ceremoni solemne, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar statutin e Muzeut te Kosovës.
Me këtë Statut, ndër të tjera përcaktohen dhe rregullohen mandati, veprimtaria, organet drejtuese dhe kompetencat e tyre, statusi juridik, organizimi i brendshëm, burimet e financimit, përzgjedhja, organizimi i punonjësve profesionalë, administrativë dhe teknikë si dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm.
Me nënshkrimin e këtij akti, ky institucion emërtohet Muzeu Kombëtar i Kosovës me shkurtesën MKK. Statuti përcakton organet drejtuese të MKK-së, Këshillin Drejtues dhe drejtorin e MKK-së.
Këshilli Drejtues, i cili përbëhet nga pesë anëtarë dhe me një mandat katër vjeçar, ndër të tjera, i cili harton dhe aprovon politikat afatgjata të institucionit, aprovon programin vjetor të punës së MKK-së, zgjedh dhe shkarkon drejtorin e Muzeut. Ndërkaq, statuti përcakton edhe detyrat e drejtorit të MKK-së, i cili zgjidhet përmes një konkursi publik që shpall MKRS-ja, me një mandat katër vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat. Ai, mes shumë detyrave dhe përgjegjësive, koordinon dhe organizon punën e MKK-së, e propozon te Këshilli Drejtues planin vjetor të punës, merr pjesë në mbledhjet e Këshillit pa të drejtë vote, përfaqëson MKK-në brenda dhe jashtë shtetit.
Me rastin e nënshkrimit të statutit të MKK-së, ministri Gashi tha se nënshkrimi i këtij dokumenti është i rëndësisë së veçantë për të kaluarën e vendit tonë.
“Së bashku po kurorëzojmë një sukses të përbashkët, të arritur falë përkushtimit dhe angazhimit disa mujorë të anëtareve të këshillit Drejtues të Muzeut si dhe stafit profesional të këtij institucioni, pra nënshkrimin e Statutit të Muzeut të Kosovës”, tha ai.
Ministri Gashi foli rreth rëndësisë së statutit të Muzeut dhe për objektivat themelore të tij, duke thënë se pas 40 viteve nga koha kur është miratuar statuti i fundit me 1978 dhe 20 vite pas luftës në Kosovë, Ministria po i ofron dokumentin themelor muzeut, statutin, si akt ligjor kryesor i funksionimit të institucionit me vlerë të jashtëzakonshme në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike.
“Ky statut e mundëson për herë të parë evidentimin, regjistrimin dhe digjitalizimin e fondit muzeor të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, mundëson ngritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimit muzeor një veprimtari me të konsoliduar si në aspektin profesional po ashtu edhe në atë shkencor. Mbi të gjitha ky statut e ngrit si institucion të administratës shtetërore, pra si muze nacional”, sqaroi ministri Gashi.
Ministri Gashi gjithashtu premtoi se vitin e ardhshëm do të avancojë legjislacionin për muzetë në Republikën e Kosovës.
“Vitin e ardhshëm, unë si ministër do ta vendos në agjendë legjislative ligjin për muzetë e Kosovës, e që ky statut e ka bëre që të jetë si dokument udhërrëfyes se sa i nevojshëm është një ligj i tillë për muzetë e Republikës së Kosovës, vend me vlera te veçanta të trashëgimisë historike dhe kulturore”, është shprehur ministri.
Në fund, ministri shprehu falënderim dhe mirënjohjen për grupin punues të këtij dokumenti të rëndësisë të veçantë dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë dhe të pa rezervë për të gjitha institucionet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kuadër të Ministrisë së Kulturës. /KultPlus.com
Më 6 dhjetor në Muzeun e Kosovës, hapet ekspozita e Gjeneratës së Parë të Fakultetit të Arteve Figurative në Kosovës, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë e organizuar nga Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës, vjen si ekspozitë kolektive që mbledh bashkë Gjeneratën e Parë të Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë, e vitit 1977.
Ekspozita kolektive vjen të enjten më 6 dhjetor në Muzeun e Kosovës./ KultPlus.com
Gjatë ditës së sotme gjashtë të mitur të cilët janë të burgosur per vepra penale e të cilët qëndrojnë në burgun e Lipjanit, kanë vizituar Muzeun e Kosovës.
Shërbimi Korrektues i Kosovës, me ane të një njoftimi ka thënë se ky aktivitet është vazhdim një prej aktiviteteve të tjera të cilat i realizon SHKK.
“Në vazhdën e aktiviteteve të shumta për të miturit, kësaj radhe është realizuar edhe një aktivitet i rëndësishëm ku të miturit e Qendrës Edukativo- Korrektuese në Lipjan në shoqërimin e Zyrtares së Arsimit, Zyrtarit Social si dhe Zytarit Korrektues, vizituan Muzeun e Kosovës”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Sipas njoftimit, gjashtë të miturit të cilët ishin pjesmarrës në këtë vizitë u shprehen të kënaqur me pamjet dhe informacionet e dhëna nga përfaqësuesit e Muzeut të Kosovës të cilët patën edhe pyetje të shumta në lidhje me Muzeun.
“Aktivitetet e shumta të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmën për të miturit të cilat do të organizohen nga Shërbimi Korrektues i Kosovës përkatësisht Qendra Edukativo Korrektuese në Lipjan”, thuhet në njoftimin e SHKK-së./KultPlus.com
Muzeu i Kosovës në bashkëpunimin e radhës me Muzeun Historik Kombëtar hapin ekspozitën me titull “Moti i Madh”, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë përmban statute, replike, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.
Ekspozita hapet më 16 nëntor me fillim nga ora 18:00 në Muzeun e Kosovës ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më 6 dhjetor./ KultPlus.com
Krijuar nga artistë, studentë, edukatorë dhe studiues nën udhëheqjen e Dr. Ellen Frank fituese e Programit Specialistët e Fulllbright në ndërtimin e Paqes dhe Pajtimit, në Muzeun e Kosovës ju mund të merrni pjesë në Inaugurimin dhe festimin e “Prishtina: The Honor City Gratitude Project” të frymëzuara nga “Prishtina: Lulëzimi”.
Programi Specialistët e Fulllbright i mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Muzeu i Kosovës
Ngjarja mbahet më datë 23 tetor, në ora 16:30 në Muzeun e Kosovës. / KultPlus.com