Bekim Lumi dhe veprat e tij mjeshtërore teatrale, të cilat e bënë të pavdekshëm

Uranik Emini

Të gjithë, përfshirë këtu edhe njerëzit, përfundimisht një ditë duhet të vdesin. Të gjitha gjallesat largohen nga ky planet dhe pranojnë vdekjen, por ata që krijojnë art lënë një trashëgimi që ruhet dhe kujtohet nga brezat e ardhshëm, duke i bërë ata të pavdekshëm. Vetëm arti dhe veprat njerëzore që i veçojnë individët si të lartë apo të ulët në jetën e tyre janë të përjetshme në këtë vend. I tillë është edhe rasti i regjisorit, profesorit dhe artistit, Bekim Lumi, i cili u përkujtua në katër vjetorin e vdekjes së tij me ekspozitën “U artësofshi”, e cila në koncept ka artin unik teatror të Lumit. Ekspozita u hap mbrëmë në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku miq, familjarë e artdashës u bënë bashkë që të kujtojnë, siç e bëjnë tradicionalisht, edhe një herë tjetër Lumin, shkruan KultPlus.

Përgatitjet për hapjen e ekspozitës kishin nisur prej kohësh, por planet nuk po shkonin ashtu siç duhej, për shkak të motit, i cili në bipolaritet ekstrem ndryshonte nga minuta në minutë. Në momentin që njerëzit po përgatiteshin të uleshin jashtë në amfiteatrin e Lapidariumit, filloi të bjerë shi. Mirëpo, shiu i verës, i cili mbi të gjitha na freskon të gjithëve, u ndal dhe ekspozita nisi siç ishte planifikuar që në fillim.

Ndihmës-kuratori dhe aktori i njohur, Afrim Muçaj, bëri hapjen e kësaj ekspozite, me ç’rast edhe pati një fjalë hyrëse.

“U Artësofshi, ishte shprehja më e dashur e Lumit, prandaj me këtë titull në shënimin e përvjetorit të vdekjes së tij po e hapim edhe këtë ekspozitë të kuruar nga artisti Mentor Berisha”, thotë Muçaj, i cili ftoi dramaturgun dhe kritikun e artit, Arian Krasniqi për një fjalë rasti.

“Vdekja e hershme e regjisorit të teatrit, profesorit dhe artistit, Bekim Lumi (1966-2018), para katër vjetësh, nuk ishte fundi i lojës me jetën dhe teatrin e tij. Siç do ta thoshte shumëkush, vdekja fizike e një artisti është përjetësi dhe shenjtëri, njëkohësisht. Prandaj, që nga ndarja fizike e tij nga kjo botë, kujtimi dhe malli për të nuk zvetënohen. Përkundrazi! Çdo përvjetor i vdekjes së tij është më i veçantë se tjetri, sepse, testamenti krijues artistik i Bekim Lumit është i disallojshëm: shfaqje të jashtëzakonshme teatrore, poezi, shkrime e botime diskursive, e deri te këngët e tij. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, jeta dhe vepra e këtij artisti nuk mund të përthekohet me vetëm një ngjarje përkujtimore. Kujtesa për të dhe veprën e tij meriton të jetë e vazhdueshme, sepse ai me artin e tij foli gjithëkohshëm, edhe për brezat, që do të vijnë pas nesh”, thotë Krasniqi.

Ai tregon se në vargun e përkujtimeve për Lumin, ky vit shënon një veçanti të theksueshme.

“Kjo ekspozitë përmban fotografi të përzgjedhura me kujdes dhe kreativitet nga ana e kuratorit. Në thelb të ekspozitës qëndron koncepti për artin unik teatror të Lumit. Fotografitë nuk janë kronologji e jetës dhe veprës së Bekimit, përkundrazi, konceptualisht qëndrojnë mbi idenë e përshfaqjes vizuale, jo vetëm të shfaqjeve teatrore, por edhe të procesit krijues laboratorik, që Lumi e kultivoi, ndër vite, me aq pasion”.

Krasniqi shton se imazhet e sjella këtu reflektojnë një pasqyrim më besnik të krijmatrisë unike dhe të botës artistike të Bekim Lumit.

“Fotografitë e shfaqjeve kapin momentet më të veçanta dhe më kulmore të situatave dramatike, të ekspresivitetit aktorial dhe gjetjeve kreative regjisoriale. Po ashtu, fotografitë e procesit krijues përjetohen si gërmim në thellësinë laboratorike të krijimtarisë së Lumit. Ngjajshëm si në hulumtimet arkeologjike, sa më thellë të gërmohet aq më shumë do të mahnitemi me thesarin artistik e krijues të tij. Këto fotografi dhe shumë të tjera, të pa ekspozuara, e përafrojnë imazhin për profilin krijues të Bekim Lumit si regjisor teatri”.

“U artësofshi!”, është thirrja e kumbueshme e Lumit artist. Këtë thirrje, në formë klithjeje e urate, njëkohësisht, e ndjejmë edhe ne sot! Po, sepse është testamenti i Lumit qiellor”, përfundon dramaturgu.

Liburn Jupolli në kuadër të Ministrisë së Kulturës, adresoi disa fjalë rreth krijmtarisë dhe punës së Bekim Lumit ndër vite.

“Nuk mund të flas vetëm në cilësinë e këshilltarit për të ndjerin Bekim Lumi, për arsye se edhe vetë kam pasur rastin që të jem bashkëpuntor i tij i afërt dhe të ndjej atë energjinë “solare” që e ka pasur për gjithë artin. Fillimisht do të doja që të adresoja si fakt veprimtarinë e tij që është shumë me rëndësi edhe në nivel shtetëror por edhe gjithë trashëgimisë tonë kulturore. Veprimtaria e tij jo vetëm shfaqet, por edhe gjithë procesi i tij, ku kemi rastin ta shohim në këtë ekspozitë, është një shembull vetë figura e Bekim Lumit se si dokumentohet edhe procesi i punës. Në njërën prej shfaqjeve më shumë se gjashtë muaj më ka rastësis që të jem si bashkëpunëtor në kompozim dhe e kam parë se sa shumë i ndjeri e ka dashtë procesin. Ministria e Kulturës do të vazhdojë që të mbështesë të gjitha organizimet e tilla që e shtyjnë përpara dokumentimin e figurave tona artistike, specifikisht Bekim Lumin me tërë pasionin e tij për artin dhe për trashëgiminë tonë shpirtërore”, përfundon ai.

Ndërkaq, kuratori Mentor Berisha, me emocione në fytyrë falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre.

“Faleminderit që jeni të pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite në nderim të Bekim Lumit. Unë vërtet jam shumë i gëzuar që jam kurator i kësaj ekspozite. Kemi përzgjedhur 10 shfaqje të tij e materiale të tjera të veçanta. Kur ke parasysh edhe kur ke pranë vetes një art shumë dimensional si të Bekim Lumit, vërtetë është vështirë që të bësh përzgjedhjen e tyre, sepse secila shfaqje meriton që të ketë një ekspozim në vete. Por në anën tjetër, të gjitha këto që ne i kemi përzgjedhur për shkak të një arti kaq unik të Lumit, funksionojnë si tërësi. Puna ime duhet të prezantohet në ekspozitë”, thotë ai mes tjerash, duke kujtuar edhe një herë krijmtarinë e jashtëzakonshme të Lumit.

Në një prononcim për KultPlus, e mbushur me emocione dhe me lot në sy, Drita Lumi, kujton kohën e momente të ndryshme që ka kaluar së bashku me Bekimin nëpër vite, përfshirë këtu edhe shfaqjen e saj më të preferuar.

Dashuria për teatrin, e pranishme çdo herë

“Bekimi qysh në fëmijërine e hershme ka tregu shumë talent për teatrin. Ai edhe në jetën e përditshme ka qenë gjithmonë artist. Bekimi ka qenë një djalë i saktë, i zellshëm e punëtor qysh si fëmijë, ka qenë shumë preciz. Nuk mendoj që ai ka qenë ndryshe në jetën artistike dhe ndryshe në familje. Mund të them padyshim që Bekimi ndoshta edhe ka lindur artist”.

Shfaqja e preferuar e Dritës sipërfaq talentin e madh të artistit

“Shfaqja më e preferuar. Kur unë e kom vetë se cila shfaqje është e preferuar, ai ka thënë sikur gishtat e dorës. Por për mua më së shumti më pëlqen shfaqja “Nëna dhe fëmija”, kur e kam parë atë shfaqje kam mbetur shumë e impresionume, e prekur, pasi në thelb ka qenë një shfaqje që prek abortin, fëmijët jetim dhe në përgjithësi i ka dhënë kuptim asaj që artistët klithin dhe çojn procese sociale e politike, gjë që Bekimi e ka bërë në çdo shfaqje të tij”.

Msheftësia e “poemës” së Lumit

“Bekimi ka shkruar poezi si i vogël. Ndoshta ka qenë 10-12 vjeç kur vendosëm që të shkruajmë një poemë, ne po prisnim që ai ta shkruante dhe në atë kohë ne lexonim gjëra të ndryshme sikurse milingonat, shpezët e ndryshëm e gjëra të tjera. Unë i thash atij, Bekë boll e zgjate”, ai mu përgjigj “Jo jo, deri sa ta mbyti milingonën, nuk e përfundoj këtë poemë”. Bekimi ka qenë krijues, ka shkruar si fëmijë, ka bërë regji të ndryshme në klasë. Ai çdo gjë që gjente në shtëpi, mbulesë, kapare ose kapela të ndryshme, ato i ka bërë rekuizita dhe ia ka dhënë shokëve e shoqeve për të bërë shfaqje. Ka bërë shfaqje në klasë, prandaj Bekimi jo rastësisht ky që është, me të vërtet ai ka treguar talent gjithnjë, kjo është e vërteta për Bekimin”.

Shumë artistë kërkojnë të krijojnë diçka që i lëviz emocionalisht njerëzit e tjerë, dhe kështu arti është (për ta) një formë bisede në të cilën ata bëjnë një propozim ose bëjnë një pyetje dhe i takon shikuesit të përgjigjet.

Të punosh me “Lumin”

Në një prononcim të shkurtër për KultPlus, Muçaj shpjegoi se si është eksperienca e punës me Lumin.

“Unë kam punuar dy shfaqje me Bekën, “Këmishën e Gjakut” në 2010 dhe shfaqjen e fundit të tij, “arturo ui” në vitin 2018-të. Padyshim që për mua është kënaqësi e madhe dhe jam i lumtur që sot i kemi ekspozuar, fotografitë e rekuizitat që unë personalisht i kam pasur në dorë në vitin 2010. Janë emocionuese kur i shoh e kur i preki këto rekuizita. Më rikthen në kohë dhe më kujton gjithçka, mënyrën se si i kemi përdor e shumë të tjera”.

Ikja e Lumit, varfëroi gjithë Ballkanin

“Në përvjetorin e tij të vdekjes po shoh shumë zbrazëti dhe jam i mërzitur që nuk e kemi në mesin tonë dhe nuk i kemi këto lloj shfaqjes që i shohim në fotografi sonte. Jam i mërzitur që nuk i kemi aktive nëpër teatrot e Kosovës. Unë mendoj që Ballkani në përgjithësi është shumë i varfër prej artistëve, sidomos prej nivelit të Bekimit, e ka varfëru shumë skenën kulturore e teatrore ikja e tij. Ai ka punuar në Kosovë kryesisht, por edhe në Gjermani një kohë. Shfaqjet e tij kanë udhëtuar në Ballkan e në Evropë. Unë personalisht mendoj që jemi të varfur edhe si shtet kulturalisht me mos-prezencën e shfaqjeve të Lumit në arenën ndërkombëtare”.

Bekim Lumi, i njohur zakonisht si “Lumi”, la një numër të madh shfaqjesh pas tij, por më së shumti do të mbahet mend për punën e tij mjeshtërore teatrale, e cila e ngriti në pavdekësi. Artistët dhe puna e tyre janë pjesë e përhershme e njerëzimit. /KultPlus.com

Ku Kultura? e shtjelluar gjerësisht nga Çeku në bashkëbisedim me Sanajan dhe Muratin

Burim i shumë problemeve në fushën e kulturës shihet edhe mungesa e një ligji të tillë, i cili do të ishte si “çelës” i derës së shumë problemeve dhe do të ndikonte gjithashtu edhe në përditshmërinë e veprimtarisë së disa institucioneve, shkruan KultPlus.

Në një bisedë të organizuar nga Kosovo 2.0, ishin të ftuar Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku me bashkëbiseduesit e tjerë, Vullnet Sanaja nga Anibar dhe Donjetë Murati hulumtuese dhe anëtare në Punëtorët në Art, derisa kjo bisedë është moderuar nga gazetarja e K2.0, Lirika Demiri. E përpara gjithë fillimit të këtij debati ose diskutimi, u përkujtua edhe një herë tjetër regjisorja Vjosa Berisha, e cila ka bërë shumë për kulturën për shumë vite në Kosovë.

Mungesa e një “shkopi magjik” për t’i zgjidhur problemet ka ndikuar shumë që vit pas viti ato të përsëriten dhe mund të thuhet se janë bërë edhe pjesë e jetësës për shumë fusha të ndryshme në Kosovë, por sidomos në kulturë, në fushën e së cilës mungon Ligji i Kulturës. Megjithatë, shpresat ekzistojnë gjithnjë se ai është udhës dhe veçse është publikuar edhe koncept dokumenti për art dhe kulturë në platformën për konsultime publike.

“Unë po shpresoj që ligji të jetë i gatshëm deri në vjeshtë, ose eventualisht në fund të vitit” – Hajrulla Çeku.

I pari i Ministrisë së Kulturës, ka deklaruar se pret që të ketë sa më shumë komente nga publiku dhe njohësit e kësaj fushe, në mënyrë që të jetë i gatshëm në formën më të mirë të mundshme.

“Ne besojmë që nëse dojmë reformë të thellë të punojmë pak më gjatë, në mënyrë që të jetë sa më i gjithëpërfshijshëm. Pas publikimit të koncept-dokumentit, është edhe një afat tjetër, komentet që vijnë integrohen në këtë koncept dhe procedohet për vendimmarrje në Qeverinë e Kosovës. Pas miratimit, nga tre opsionet; opsioni pa ndryshime, me ndryshime të moderuara dhe ndryshime rrënjësore, pas vlerësimit që është bërë, analizës dhe të tjerat, koncept-dokumenti rekomandon opsionin e tretë, pra, atë të ndryshimeve të thella në legjislacionin dhe atë institucional në atë të kulturës”, ka thënë Çeku.

Çeku, kërkoi që të ketë një minutazh më të gjatë në fillim të debatit, kjo pasi sipas tij një reformë e tillë është shumë e gjatë dhe kërkon që të ketë më shumë shpjegim, dhe të tregojë mënyrën se si kultura komunikon me fushat e tjera, pse shërben ajo dhe pse duhet të kemi prioritet kulturën dhe investimin në të.

Duke filluar me një kontekst historik, ai tha se me hovin që ka pasur Kosova në instuticionalizimin e Kulturës nga mesi i shekullit XX, që kanë qenë vitet përgjithësisht jo stabile politikisht, duke përfshirë gjithashtu të gjitha zhvillimet e viteve 80′ e deri te lufta 99′, e edhe pas këtyre viteve, ka pasur një zhvillim të pa precedentë, në të gjitha nivelet e sistemit kulturor. Kosova aktualisht numëron rreth 0,4 për qind të burimeve njerëzore të angazhuara në kulturë. Mbi 103 festivale të kulturës, mbi 130 struktura insticione kulturore të nivelit qëndror dhe lokal, mbi 380 biznese dhe struktura të tjera private të profileve të ndryshme në kulturë. 12 shkolla fillore dhe të mesme të artit, 10 prej sosh në muzikë, 2 në art figurativ. Mbi 10 shkolla private të arteve, 11 fakultete të arteve, mbi 10 formacione kamertale, orkestrale, korale për komuna dhe kështu me radhë.

“Po flasim për një eko-sistem koxha kompleks dhe të madh. Legjislacioni ka qenë i vjetëruar, kjo është një pikënisje mbi të cilën është ndërtuar edhe vizioni për reformë. Po jo vetëm i vjetëruar, por edhe i ndërlikuar goxha shumë, që e ka rregulluar kulturën, i cili brenda profilit të kulturës dhe artit është i stër-degëzuar dhe poashtu prej shumë dikastereve e fushave tjera, me theks të veçantë arsimin, diplomacinë dhe ekonominë në Kosovë, që në 20 vitet e fundit ka pësuar shumë ndryshime dhe si i tillë ka një fizionomi strukturore dhe funksionare, që nuk përkon aspak me situatën e viteve 2000. Pra, kur janë hartuar këto ligje kanë qenë kohëra ndryshe, sot dinamika e 20 viteve është shumë e madhe dhe këto legjislacione nuk i plotësojnë nevojat për të vazhduar tutje. Vetëm ky fakt është indikator i nevojës për një lloj rifreskimi, sidomos për faktin që Kosova është një shtet i pavarur, e kto ligje janë ende me vulë të UNMIKU-t. As Galeria Kombëtare e Kosovës e as Galeria e Ministrisë së Kulturës, nuk kanë natyrë skenike performuese, ligje të bazuara. GKK ka akt të vendim të themelimit dhe një statut që përcakton përgjithësi strukturën e organizimit dhe Galeria e Ministrisë ka një aktvendim dhe rregullore. Kur nuk ekziston baza, duhet të improvisosh dhe në fund të vend që të zgjidhet problemi, krijohet grumbull i ri dokumentash ligjore. Galeria e Filharmonia janë të barabarta, por mënyra si funksionojnë kanë baza të ndryshme ligjore, edhe kjo e vështirëson tani punën e të gjithave bashkë. Skena e pavarur, e pambuluar ligjërisht është një tjetër problem i madh, që shpresojmë ta zgjidhimin me ligjin e kulturës “, tha ai mes tjerash, duke potencuar nevojën e madhe që Kosova e institucionet e saj kanë për këtë ligj.

Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Anibar, Vullnet Sanaja, beson që një prej qëllimeve kryesore të gjithë këtij procesi duhet të jetë që të ndryshojë shumë pjesa se si përceptohet skena e pavarur nga institucionet publike.

Kur jemi duke folur për institucionet publike, jemi duke folur për njerëz. Kur jemi duke folur për institucionet e pavarura të kulturës, prap jemi duke folur për njerëz. Për arsye se në shumicën e kohës duke folur gjithnjë për struktura e gjëra të tjera po e humbim edhe bazën, janë kryesisht artistët që kërkojnë një të drejtë njerëzore e bazike që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda një hapësire të caktuar, publike në këtë rast. Tashmë, po më duket që është shumë mirë që po krijohen disa lehtësira në këtë aspekt. Gjithashtu, për këtë ligj duhet që të shohim situatën reale në vend dhe të vazhdojmë. Skena e pavarur duhet të jetë gjithsesi atje në ndryshimet që do të ndodhin. Si skenë e pavarur, nevojat tona kanë qenë gjithmonë që të largohen disa prej vështirësive në baza ditore, që lidhen kryesisht në hapësirën të cilën veprojmë, pra, të lejohet shfrytëzimi i saj. E dyta kish me qenë rreth funksionimit të përditshëm, dmth shumica deri tash nuk kanë pasur mekanizma për financimin e skenës së pavarur, prandaj kemi avokuar gjithnjë që të ndjeket një fond në këtë aspekt. Një fond i cili do të zhvillonte skenën e pavarur, të shërbente si qëndrueshmëri“.

Donjetë Murati, ka thënë se është shumë e qartë që ka probleme të shumta në fushën e kulturës, duke filluar nga muzeut të Kosovës, arkivave, prej gati gjithçka që është shumë esenciale që të funksionojë një shoqëri pak më mirë.

“Ky ligj do të ndikonte drejtpërdrejt në mirëqenien e secilit prej neve. Po pres me padurim që të lexojë këtë dokument dhe ta shohë se çfarë po përmban. Isha në mëdyshje që a duhet gjithçka të fokusohet vetëm në një ligj, apo më pas shfaqen edhe politika të tjera që duhet pasur parasysh. Ka shumë probleme në çasje të dokumenteve ose diçka tjetër, edhe pse zakonisht duhet të shkojmë nëpër ministri të tjera, prapë se prapë Ministria e Kulturës është një adresë e caktuar në të cilën mund të ballafaqohesh edhe gjithashtu të bashkëpunosh me ta. Edhe pse është shumë komplekse, adresa mbetet MKRS-ja, sidomos për neve që punojmë në këtë sferë“, tha ajo, duke hapur debatin në qoftë se duhet të gjitha fushat të përmbledhen bashkë vetëm në një ligj.

Teatri Kombëtar i Kosovës, në të vërtet i gjithë Kosovës

Ministri i Kulturës gjithashtu u pyet se çfarë do të ndodhë me pjesën e TKK-së, pasi ky i fundit do të jetë në rinovim të plotë nga 1 korriku.

“Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas analizës së bërë e kemi parë që ka nevoje për ndërhyrje emergjente. Kjo për faktin se ajo ndërtesë është shumë e vjetër dhe realisht punëtorët, e aktorët atje po rrezikonin vetën e tyre duke punuar në hapësira të tilla. Ne kemi menduar që Teatri Kombëtar i Kosovës të jetë i gjithë Kosovës, të paktën për një periudhë dhe të mos i përkas vetëm Prishtinës. Prandaj, gjatë kohës së rinovimit, qendrat kulturore nëpër gjithë qytetet e Kosovës, do të shërbejnë si hapësirë alternative për shfrytëzim nga trupa e aktorëve të TKK-së”.

Çeku, i cili po priste që të përgjigjej në pyetjet e debatin e shtruar nga bashkëbiseduesit e tjerë, tha se koncept-dokumenti si fazë e hartimeve ose akti tjetër i reformës ligjore, është analizë e gjendjes, vlerësim i nevojave, vlerësim nëse ligjet aktuale i plotësojnë nevojat që i ka secili sektorë.

“Mbi këtë analizë, nxirret edhe vlerësimi në qoftë se ka nevojë që të orientohet diku. Kur të miratohet koncept-dokumenti, kalon në fazën e hartimit të ligjit apo ligjeve të akteve të tjera nënligjore, të cilat nuk janë veç prej Ministrisë së Kulturës. Kjo reformë do të prekë edhe ligjet e të tjerëve, për të dhënë si pasqyrë të përgjithshme. Loncept-dokumenti, rekomandon për shembull një ligj unik, një ligj unik duhet të jetë një ligj minimalist. Unë e quaj “kushtetutë për kulturë”, jo detajet me u vendosë, jo ligje ku ti tregon se sa premiera duhet t’i ketë institucioni. Në fund vijmë në dilema se, 10 premiera në vit, nëse institucioni i jep 8 atëherë kush duhet të shkojë në burg që teatri i ka bërë vetëm 8? Ligji unik është i përgjithshëm, e jep një model të strukturës së institucionit publik, a do të ketë këshillë drejtues apo jo, a e emëron vetë ministri, a është konkurs publik që një komision i pavarur ia rekomandon tre emra ministrit, e pastaj ai e dërgon në qeveri dhe nënshkruhet kontrata nga kryeministri. Apo, një model tjetër; të gjitha këto detaje mund të vendosen në ligj. Por, dinamika caktohet më statutin e institucionit përkatës, teatri e ka statutin e vetë, nëse pas 10 vjete teatri ka nevoja të tjera, mund të ndryshojë statuti, e jo ligji. Ligji unik, aktet nënligjore, statutet dhe ligjet e aktet nënligjore të ministrive të tjera”, tha ai, duke vazhduar potencimin për rëndësinë e madhe që ka ligji unik për kulturës.

Sanaja thotë se në kinemanë “Jusuf Gërvalla” është një ndër hapësirat e vetme publike në Pejë ku mund të ndodhë aktivitete kulturore alternative, në të cilat mund të shfaqen filma nga e gjithë bota me tema të ndryshme, pa u cenuar liria e shprehjes apo e ngjajshme.

“Po besoj që duhet të njihet kjo pasuri që e kemi. Bashkarisht e kemi krijuar të gjithë, por në të njëjtën kohë të promovohet si një model i suksesshëm në bazë të së cilës mund të rritet kjo hapësirë kulturore, edhe në qytete të cilat mungon, por edhe në qytete ku veçse ka”.

Qasja e Ministrisë ndaj hapësirave alternative

Hapësirat alternative, të cilat mungojnë dhe shpëtimi i tyre është bërë falë angazhimit të një grupi të madh të organizatash, të cilat kanë ndikuar që hapësirat alternative të vazhdojnë si memorie alternative të vendit.

“Unë e shoh si një ligj me tre kapituj. Kapitulli i parë, institucionet publike, i dyti skena e pavarur dhe kapitulli i tretë duhet të jetë infrastruktura/hapësira kulturore”, thotë Çeku, ku sipas tij ky do të jetë në një lloj forme edhe ligji i ri i Kulturës, renditja e të cilave nuk është e planifikuar.

Murati shton tutje një kujtim të saj, i cili ishte si në formë të gabimit ose diçka e tillë, në procesin e blerjes së veprave të artit.

“Blerja e veprave të artit faktikisht e themelon një koleksion publik të artit dhe me themelimin e blerjen e veprave nuk është se veç blehen veprat, faktikisht ato duhet të menaxhohen, të bëhen të çasshme për publikun dhe është sikurse themelimi i një institucioni të ri. Pra, fillon të dokumentoht kultura materiale e një vendi, e në atë kulturë mund të jenë edhe veprat e artistëve më të vjetër, ata që s’janë më, atyre bashkëkohor, ka shumë elemente e qasje mbi të cilat mund të fillosh e ta bësh këtë koleksion. Kur t’i shohësh modelet e ndryshme, atëherë mund që të bëhen interpretime të ndryshme dhe angazhimi me veprat të vazhdojë. Për neve, pasi që e kemi analizuar e kemi parë që ka ndodhur një keqkuptim, në formën se si e kemi kuptuar edhe ringjalljen ekonomike dhe fondin emergjent”.

Tema më e diskutuar në Kosovë këtë muaj: SUNNYHILL

Nga publiku i pranishëm u hap edhe tema e shumë diskutuar në Kosovë, e cila është pikërisht e festivalit “Sunnyhill”, i cili sikurse në një dramë televizive fillimisht largohet nga Kosova, vetëm për t’u rikthyer pas disa ditësh përsëri.

Një nga të pranishmit, pyeti në qoftë se është vendosur diçka për lokacionin e ri dhe çfarë është diskutuar deri tani rreth Ministirsë, pra Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës me organizatorët e këtij festivali.

Çeku, shpjegoi se Qeveria ka dhënë versionin e saj, i cili ka të bëjë kryesisht me dhënien në ofrim të një hapësirë për shumë përdorime dhe atë hapësirë t’ia ofrojnë organizimeve si SunnyHill dhe të tjerëve gjatë gjithë vitin, natyrisht për ngjarje më të rëndësishme.

“Institucionet e shtetit, Qeveria bashkë me Komunën pra mund të investojnë në këtë hapësirë dhe ajo të jetë me një qasje më ekskluzive, por gjithsesi të jetë një investim i shtetit me një trupë menaxhuese që bisedon me të gjithë ata që mund të organizojnë ngjarje dhe aktivitete kulturore. Ky është versioni në të cilën beson qeveria. Nuk besojmë që i shërben asnjërit interes në publik, prandaj kemi kërkuar që çështjen me organizimin e SunnyHill të mos e ndërlidhim me çështjen e dhënien së hapësirës në shfrytëzim. Këtë e kemi lënë që ta diskutojmë edhe pak për zgjidhjen më të mirë. Jemi të gatshëm t’i shohim të gjitha modalitetet, për mua si një nga argumentet më të rëndësishme se ka qenë me rëndësi SunnyHill të organizohet në Kosovë është një lloj angazhimi i ynë për të sjellë ngjarje ndërkombëtare në Kosovë”.

Zhvillimi i përgjithshëm kulturor në Republikën e Kosovës, nga këndvështrimi historik ka shërbyer si një fushë me potencial vendimtar në zhvillimin e brendshëm shoqëror, rritjen e kohezionit social si dhe forcimin e elementeve të rëndësishme identitare të shoqërisë dhe të shtetit. Në rrethanat aktuale, Republika e Kosovës, institucionet përgjegjëse dhe shoqëria civile, konstatojnë domosdoshmërinë e formulimit të një kornize të re të politikave publike kulturore të cilat do të mundësojnë që kjo fushë e ndikimit të posaçëm në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike, të realizojë plotësisht potencialin e vet, thuhet nga MKRS-ja.

Koncept dokumenti për art dhe kulturë është i paraqitur në webfaqen e Ministrisë së Kulturës dhe është i qasshëm për të gjithë, ndërkohë pritja nga akterët e fushës së kulturës për një ligj unik, është e madhe. /KultPlus.com