“Museum Shop” për festat e fundvitit

Muzeu i Kosovës për festat e fundvitit organizon market me produkte nga artistë bashkëpuntorë të Muzeut, si dhe produkte nga programi edukativ “Muzeu Kreativ”, shkruan KultPlus.

Në këtë market, punimet që do të ofrohen për të interesuarit janë nga artistet: Saba Ismajli, Vlora Hajrullahu, Ilire Lepaja, Mire Canolli e Ardita Begu.
Ky market do të hapet më 19 dhjetor dhe do të rri deri më 21 dhjetor./KultPlus.com

“Kosovo Future Exhibition” sot në Muzeun e Kosovës

Sot më 30 nëntor, në Muzeun e Kosovës, prezantohet “Kosovo Future Exhibition”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë është projektuar për brezin e ri, ku përmes veprave artistike digjitale dhe interaktive do të diskutohet për shoqërinë e së ardhmes.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet do të jenë nxënësit e shkollave fillore të Prishtinës ndërsa gjithçka nis me fillim nga ora 14:00 në Muzeun e Kosovës.

Agjenda

14:00 – 14:05 Hapja
14:05 – 14:15 Prezantimi i konceptit (English)
14:15 – 14:30 Prezantimi i konceptit (Shqip)
14:30 – 14:35 Si te participojme (Termokiss)
14:35 – 14:40 FAQ
14:40 – 14:45 Hapja dhe prezantimi i puntorise
14:45 – 15:30 Qyteti i se ardhmes, puntoria e femijeve (Ne bashkpunim me Muzeun e Kosoves)
15:30 – 16:00 Video ingjizimet (Femijet prezantojne punen e tyre)
16:00 – 16:05 Mbyllja

Ekspozita “Heritage Space: Aty ku e kaluara takon bashkëkohoren” të premten në Muzeun e Kosovës

Të premten më 1 dhjetor, nga ora 19:00, CHwB Kosova do të hap për herë të parë ekspozitën e veçantë, në kuadër të projektit Heritage Space.

Projekti Heritage Space ka filluar që nga viti 2016, dhe përgjatë këtyre dy viteve kjo platformë ka përkrahur tetëmbëdhjetë njerëz kreativ nga fusha të ndryshme, të cilët kanë përdorur trashëgiminë kulturore si burim inspirimi, për t’i realizuar idetë e tyre.

Punët janë krijuar përmes përdorimit të mediumeve të ndryshme të teknologjisë, modës, muzikës, tregimeve, videos dhe revitalizimit. Ky gërshetim ka bërë që trashëgimia kulturore të kapërcejë kufijtë e kohës për tu ri-zbuluar, promovuar dhe ri-jetësuar. Heritage Space është krijuar me qëllim të ofrimit të një perspektive të re mbi kuptimin e trashëgimisë kulturore, si diçka e gjallë, dinamike dhe si diçka që ka ndikim dhe mund të ndikohet. Të ndikohet në atë mënyrë që të kontribuojë në zhvillimin social, kulturor dhe ekonomik të Kosovës.

Disa nga punët e krijuara përgjatë kësaj periudhe, do të ekspozohen në ekspozitën “Heritage Space: Aty ku e kaluara takon bashkëkohoren”, në të cilën do të ofrohet mundësia për të përjetuar fuqinë e trashëgimisë kulturore si element frymëzimi, dhe do të dëshmohet momenti kur e kaluara takon bashkëkohoren. Ekspozita do të mbahet në katin e parë dhe të dytë të Muzeut Kombëtar të Kosovës, më datën 01.12.2017, në ora 19:00, dhe do qëndrojë e hapur dy ditë./ KultPlus.com

Ambasadori Minxhozi vizitoi sot Muzeun e Kosovës

Sot, Muzeun e Kosovës, e vizitojë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili u prit nga drejtori i Muzeut të Kosovës Skënder Boshtrakaj.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të festave të Nëntorit, respektivisht për të parë për së afërmi ekspozitën “Dhimitër Vangjeli një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar”, organizuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore dhe Bashkinë Kolonjë.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 30 nëntor ndërsa ekspozita në fjalë është në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, si dhe referuar kalendarit të përbashkët Shqipëri-Kosovë 2017./ KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita “Dhimitër Vangjeli një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar”

Në kuadër të kalendarit të përbashkët Shqipëri-Kosovë, Ministria e Kulturës së Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore dhe Bashkinë Kolonjë organizojnë në Muzeun e Kosovës në Prishtinë ekspozitën “Dhimitër Vangjeli një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar”.

Kjo ekspozitë hapet sonte më 24 me fillim nga ora 18:00 ndërsa qëndron e hapur deri më 30 nëntor në Muzeun e Kosovës.

Dokumentimi shpëton thesare të trashëgimisë kulturore.

Emri i Dhimitër Vangjelit është pothuajse i panjohur në historinë e fotografisë shqiptare dhe pse fotot e tij i gjejmë të pasqyruara në botimet më të rëndësishëm që në vitet ’20-të, por mjerisht pa përmendur autorin. Në regjistrat e kohës të fillim shekullit të 20-të, Kolonja nuk ka të evidentuar fotograf dhe Dhimitër Vangjeli ishte i regjistruar si sheqerxhi. Në një foto të ruajtur, jo nga fondi i negativave, por e ristampuar, gjejmë tabelën e dyqanit, ku shkruhet: HEMBELTORE. ORENDREQES DHE FOTOCRAFIA. DIMITER K. VANGJEL. Profesionin e ushtroi prej disa dekadash, u kujdes dhe e ruajti me dashuri për të na e lënë si trashëgimi të vyer e të papërsëritshme.

Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore dispononte të dhëna se në fondin e Muzeut Historik Ersekë në fundin e viteve ’60 të shekullit të kaluar, ishin depozituar për ruajtje rreth 1300 negativë në xham të arkivit të fotografit kolonjar Dhimitër Vangjeli. Fondi i negativëve i ishte blerë familjarëve të fotografit dhe ishte marrë në ruajtje nga Bashkia Kolonjë pasi rrezikonte shkatërrimin pas vdekjes së Dhimitër Vangjelit, por asnjëherë nuk u regjistrua si fond në inventaret e muzeut apo bashkisë, askush nuk e vlerësoi apo studioi, por mbeti i mbyllur në një valixhe të vjetër dhe arkë municionesh, dhe e njohën vetëm një grup i vogël njerëzish. Kaloi aq shume kohë sa u përhapën legjenda nëse ekziston vërtet ky arkiv i çmuar apo jo.

QKIPK, në përmbushje të misionit madhor për krijimin e Inventarit Kombëtar të Pasurive Kulturore, bëri të mundur zbulimin, inventarizimin dhe regjistrimin në databazën kombëtare të Fondit të rrallë të fotografive negativë në xham nga krijimtaria e fotografit Dhimitër Vangjelit si një nga personalitetet e artit të fotografisë të realizuar në Shqipëri. Tashmë mund të themi se ky fond është i shpëtuar dhe i sigurt dhe i përcillet publikut jo më si një legjendë urbane.

Albumi “Kolonja përmes fotografisë së Dhimitër Vangjelit”, do të krijojë për publikun shqiptar dhe të huaj mundësinë e njohjes, vlerësimit dhe popullarizimit të kësaj pasurie kulturore si pjesë shumë e rëndësishme për jetën qytetare të fillim shekullit 20-të, në një nga qendrat e zhvillimit të kulturës shqiptare për atë periudhë./ KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Bukuritë përmes fotografisë’, një mrekulli e artit nga të rinjtë e veçantë (FOTO)

Emocionalisht, nuk është e lehtë të parakalosh para fotografive të cilat janë realizuar nga disa duar të lumtura, ndoshta të goditura nga jeta por asnjëherë të dorëzuara para saj, të fëmijëve me Sindromën Down. Që ata janë fëmijë të mbushur dashuri, kjo nuk ka asnjë dyshim, edhe në një shoqëri e cila në formatin e saj akademik ka zgjedhur ti konsiderojë ndryshe.

Arbër Selmani

Mbrëmë në Muzeun e Kosovës, u hap një ekspozitë me fotografitë e disa fëmijëve të cilët kanë zgjedhur ti shesin ato fotografi. Pamje të qytetit, të luleve, të ndërtesave e arkitekturës, pamje të peizazhit të qytetit nga perspektiva të ndryshme, e rrumbullakuan ekspozitën “Bukuritë përmes fotografisë” e cila solli freski e buzëqeshje në fytyrat e këtyre fëmijëve.

Shoqëruar me fotografin Ridvan Slivova, fëmijët kanë krijuar diçka magjike me fotografitë e tyre, duke i futur ato në gurë dhe në dru, duke i kthyer në kopertina librash, duke luajtur me formë e drurit dhe përzierjes së fotografisë. Mbrëmë, ekspozita shitëse erdhi me qëllimin që paratë e mbledhura nga shitja e fotografive të futen në fondin e Down Syndrome Kosova.

Slivova tregoi sa i rëndësishëm ishte për të personalisht një mision i tillë, një bashkëpunim me këta fëmijë.

“Kemi punuar për gjashtë muaj, me këta të rinj të cilët janë të sjellshëm por edhe kanë prodhuar fotografi shumë kreative. Ju do ta shihni vetë ekspozitën, ndërsa unë jam tejet i kënaqur me veprat dhe produktin që ka dalë si përfundim. Jam i nderuar për këtë mundësi” tha Slivova në fjalën e hapjes së ekspozitës.


Ekspozita erdhi mbrëmë në kuadër të muajit tetor, muajit ndërgjegjësues për Sindromën Down.

“Për mua çdo muaj duhet të jetë një muaj ndërgjegjësues, prandaj më mirë po e konsideroj si fillimin e ndërgjegjësimit dhe jo fundin e tij, fundin e tetorit. Kjo ekspozitë le të shërbejë si nisje për ndërgjegjësim për më shumë dashuri për këta fëmijë” vazhdon Slivova.

Dorontina Luma, Eloida Alija e Donik Berisha, dhe të gjithë fëmijët e të rinjtë e tjerë të përfshirë në këtë projekt, morën edhe mirënjohje për pjesëmarrjen e tyre.

Ivo Silhavy – Ambasador i Çekisë në Kosovë, foli para të pranishmëve duke çmuar guximin dhe entuziazmin e këtyre të rinjve për të krijuar art dhe për ta paraqitur atë para publikut, shkruan KultPlus.

“E falënderoj secilin prej këtyre pjesëmarrësve, sepse kanë treguar guxim e po na japin dashuri me fotografitë e tyre. Askush nuk duhet të jetë i përjashtuar, dhe ne nuk do të lejojmë që ata të përjashtohen. Kjo ekspozitë sonte është një projekt për të ndihmuar këta fëmijë dhe për ta rritur kreativitetin e tyre” tregoi mes tjerash Silhavy.
Sebahate Hajdini-Beqiri – drejtoreshë e Down Syndrome Kosova, tregoi se është punuar me zell të madh për një ekspozitë të tillë, ndërsa ka shfrytëzuar rastin të përmend edhe njëherë skandalin e librave mësimorë të cilët përdorin edhe sot, në shekullin 21 në Kosovë, terminologji pezhorative kur flasin për këtë komunitet.

Së fundmi, në tekste shkollore në Kosovë, personat me këtë sindromë janë quajtur “Idiot mongoloid”, saktësisht në lëndën e biologjisë.

Në anën tjetër, nuk justifikohet një shkrim akademik katastrofal apo një ndjellje e urrejtjes nga ana e atyre që i shkruajnë këta libra.

Sindroma Down është kusht gjenetik. Trupi i njeriut është i përbërë nga qelizat. Çdo qelizë në trupin e njeriut ka 46 kromozome, 23 kromozome të trashëguar nga njëri prind dhe 23 të tjera të trashëguar nga tjetri prind. Në rastin e sindromës Down, në çiftin e 21-të bashkëngjitet një kromozom shtesë si pasojë e një ndarjeje anormale qelizore, dhe si rezultat individi ka 47 kromozome në çdo qelizë ose në një pjesë të qelizave të trupit të tij.

Sindroma Down është sindroma më e hasur në botë, 1 në 691 lindje. Në bazë të të dhënave të Shoqatës Down Syndrome Kosova, në Kosovë brenda vitit lindin rreth 35-40 foshnja me sindromë Down, ndërsa numri i përgjithshëm i individëve me sindromë Down në Kosovë është mbi 920. / KultPlus.com

Fëmijët me Sindromën Down sjellin ekspozitën ‘Bukuritë përmes fotografisë’

Në kuadër të muajit tetor, muaji i ndërgjegjësimit për Sindromën Down, Down Syndrome Kosova prezanton ekspozitën “Bukuritë përmes fotografisë”, përcjellë KultPlus.

Fotografitë janë realizuara në vende të ndryshme të Kosovës nga të rinjtë e Shoqatës Down Syndrome Kosova dhe janë vendosur në dru dhe në gurë nga fotografi Ridvan Slivova.

Kjo ekspozitë shitëse për ju do të thotë pak, mirëpo për shoqatën Down Syndrome Kosova do të thotë shumë.

Ekspozita do të hapet më datë 30 tetor, në ora 19:00, në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

‘Arts&Crafts’ solli tradicionalen e modernen përmes gjashtë artisteve në Muzeun e Kosovës

Sarandë Selimi

Muzeu i Kosovës, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane me moton ‘Ditët e Hapura’, nisi mbrëmë me hapjen e ekspozitën me fotografi të autori nga Turqia, Erhan Bayladi. Ndërsa sot ditën e dytë nga katër ditë sa do të zgjasin këto aktivitete Muzeu i Kosovës e nisi me aktivitetin ‘Arts&Crafts’, ku solli gjashtë artiste të ndryshme që janë inspiruar nga tradita për të sjellë gjëra interesante e të veçanta për qytetarët.

Salla e madhe e Muzeut të Kosovës, ishte mbushe me tavolina pune, aty ku edhe prezantoheshin punimet më të hershme të artistëve. Ato përveç punimeve që kishin sjellë me vete për tri ditë sa do të jenë pjesë e aktiviteteve të Muzeut të Kosovës, do të krijojnë aty për aty punime si: varëse, byzylyk, unaza, pjata nga dheu, kartolina… Sot në këtë aktivitet përpos shumë qytetarëve që ishin të pranishëm morën pjesë edhe fëmijët e shkollave fillore në kryeqytet. Ata përpos që patën rastin të shohin se si bëhen këto krijime artistike, edhe vetë provuan të bëjnë diçka të tillë.

Vlora Hajredini-Hajrullahu, Saba Berisha-Ismaili, Mire Canolli, Ilire Lepaja, Granita Grezda-Lila, Dafina Vitija dhe Ardita Begu janë artistët e këtij aktiviteti në Muzeun e Kosovës.

KultPlus, vizitoi sot këtë punëtori, ku edhe bisedoi me dy artiste. Saba Berisha Ismaili e cila solli në muze Hand Made Accessories ‘Terra’, e cila tregoi për KultPlus, se me këtë punë ka filluar të merret si e vogël. Ajo ka studiuar për pikturë dhe kjo pak a shumë i ka ndihmuar që ta perfeksionoi këtë zanat.

“Interesimi për stoli ka ekzistuar që nga kohërat parahistorike si te femrat si te meshkujt varësisht prej statusit si luftarake apo statuse të ndryshme, stoli për evente të ndryshme, martesa etj.. interesimi është gjithmonë në rritje kërkesat më të shumta janë ndërmjet modernes dhe elementeve nga e kaluara”, u shpreh Saba, e cila falënderoi shumë Muzeun e Kosovës për këtë mundësi që punimet e tyre të prezantohen në një event të tillë siç është ai i Ditëve të Trashëgimisë Evropiane.

Ndërkohë në këtë workshop kishte edhe pjata të bëra me argjilë. Është Granita Grezda Lila që solli ‘DHE-by Granita’ në Muzeun e Kosovës. Punimet e saj ishin mjaft të veçanta, të bëra krejt në mënyrë natyrale.

“Të gjitha punimet i ndërtoj prej argjilës edhe terrakot apo argjile e bardh dhe kuqe. E gjithë puna bëhet me dorë ku i jepet forma, terja bëhet në mënyrë natyrale e cila merr pak kohë. Në fund e bëjë dizajnin dhe i jap një glazurë që të ketë shkëlqimin e duhur”, tregoi procesin Granita, duke vazhduar tutje të thotë se me këtë profesion ka nisë të merret që të përmbushë nevojën e sa si artiste pasi që, është e diplomuar në pikturë dhe kjo që e bënë ka goxha lidhje me atë që ka studiuar.

“Kjo është hera e parë që mu dha mundësia të kem një ekspozitë, pasi që, punën e bëjë në shtëpi, por besoj që në të ardhmen të kem një dyqan apo atele ku njerëzit mund t’i shohin punimet nga afër”, u shpreh ajo.

Për krejt këto aktivitete KultPlus, foli edhe me drejtorin e Muzeut të Kosovës Skënder Boshtrakaj. Boshtrakaj, tha se është shumë e rëndësishme që si muze çdo vit gjatë Ditëve të Trashëgimisë Evropiane të prezantojnë risi, si për muzeun ashtu edhe për opinioni. Ai tha se këto që paraqiten në muzeu gjatë këtyre ditëve janë mesazhe të shumëfishta, si për muzeun ashtu edhe për opinionin brenda dhe jashtë Kosovës.

“Sivjet kemi vendos që t’i ftojmë artizanët tonë që trashëgiminë kulturore e përdorin për shprehje arti. Është një formë e re e shprehjes nëpër Evropë, ajo haset kudo por në Kosovë ka filluar pak të paraqitet në formë të suvenir-shop, nëpër qytet të Prishtinës, e vende të tjera. Në këtë rast në muze i kemi ftuar gjashtë duar të arta, që janë artiste shumë të mira dhe trashëgiminë kulturore dhe motivet e trashëgimisë i përdorin për shprehje artistike dhe sjellin produkte që janë atraktive për treg”, pohoi Boshtrakaj duke vazhduar tutje të thotë se sot patën vizitorë nga Kina, Spanja, Malajzia, dhe pa përjashtim të gjithë, sipas tij, ishin të interesuar ku edhe blenë gjëra të ndryshme.

“Kjo na inkurajoi që ne sa më shpejt të hapim një dyqan të muzeut dhe një pjesë të madhe të këtyre vlerave që në një mënyrë përfaqësojnë traditën e vendit t’i kemi në Muzeun e Kosovës në dispozicion të publikut dhe turistit. Këto shprehje në një formë e bëjnë pak më prezent Kosovën në një hartë të turizmit dhe vizitorin e rastit e dërgon me një shenjë të këtij vendi duke sjellë promovime të reja për kulturën dhe imazhin tonë”, përfundoi ai.

Këto gjashtë artiste të cilat po prezantojnë artin e tyre në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane në Muzeun e Kosovës, do të keni mundësi t’i takoni edhe në ekspozitën e tyre që do të hapet të shtunën mbrëma në muze me fillim nga ora 19:30 ./ KultPlus.com

Artisti Erhan Bayladi sjellë gruan dhe natyrën në Muzeun e Kosovës

Arbër Selmani

Secila fotografi ka një grua në të. Ajo është e kthyer me shpinë kah aparati fotografik, duke festuar jetën, duke shikuar natyrën, duke përjetuar kënaqësinë e puhizës së detit. Është e njëjtë grua në 36 fotografitë e realizuara nga dora e artistit turk Erhan Bayladi.

Përtej fotografive, Bayladi është edhe një kitarist. Kur flet për vete, thotë se është një artist i botës dhe i paqes, me gruan si një inspirim të përhershëm në punët e tij artistike. Gruaja e jetës së tij i qëndron afër kur ai bën hapjen e ekspozitës së tij sonte në Prishtinë, në Muzeun e Kosovës.


Artisti sonte ka bërë edhe hapjen e Ditëve të Trashëgimisë Evropiane të cilat vijnë në Prishtinë me aktivitete të ndryshme. Kati i dytë i Muzeut sonte pati muzikë e melodi shqipe krahas fotografive ku natyra dhe gruaja putheshin mrekullueshëm.

“Në fotografitë e mia kam shumë shpesh inspirim gratë. Këtu janë fotografi të cilat i kam realizuar në Turqi, në Holandë, në Maqedoni, në Gjermani dhe në shtete tjera. Gruaja është e bukura e fotografive të mia” tregon artisti turk i cili duket se i dha ngjyrim tjetër kësaj ekspozite në Muzeun e Kosovës.

Cikli i grave dhe natyrës zë kësisoj një hapësirë të konsiderueshme në këtë ekspozitë. Artisti thotë se ka kohë që ka dashur që një përthekim të tillë arti ta sjellë në Kosovë.


“Jemi takuar në Stamboll me zotëriun Refki dhe ai më pas na ftoi të vinim këtu dhe të ishim pjesë e kësaj ekspozite me të cilën nisin Ditët e Trashëgimisë Evropiane. Jam i lumtur që këtë anë të artit tim ta sjellë në Prishtinë. Sot ka edhe muzikë dhe shpresoj që publiku të marrë ndjesi edhe nga muzika edhe nga fotografitë e mia” tregon artisti për KultPlus.

Para se të bëhej hapja e ekspozitës, Ansambli “Mirdita” nga Resheni solli meloditë e ndryshme shqipe, për një atmosferë e cila ndërlidhi mirë muzikën dhe artin pamor që gjendej prapa krahëve të audiencës. Gjergj Marku nga ky Ansambël i dëshiroi publikut një emocion nga ekspozita por edhe nga muzika që sollën artistët e Ansamblit, me veshjet e tyre kombëtare që gjithmonë rrëqethin lëkurën e shqiptarit.

Një burrë i mbushur art, Erhan Bayladi në fillim të viteve 90-të nisi të merrej aktivisht me muzikë, si kitarist dhe pjesë e disa koreve muzikore në Turqi. Ai ka kompozuar rreth 70-të melodi ndërsa një pjesë të tyre i ka të lansuara si pjesë e albumit “Kırçiçeği”. Ai luan edhe në instrumentet Tambur, Kanun dhe Bağlama. Dhe si qershia mbi tortë, ai është edhe shkrimtar dhe botues i disa novelave e librave në Turqi, mes tyre “Kocamustafapaşa’lı Küçük Mustafa”.

Në ndërkohë Ditët e Trashëgimisë Evropiane do të vazhdojnë me aktivitete tjera. Të shtunën në kryeqytet vjen ekspozita me artistët Vlora Hajredini-Hajrullahu, Saba Berisha-Ismaili, Mire Canolli, Ilire Lepaja, Granita Grezda-Lila, Dafina Vitija dhe Ardita Begu. / KultPlus.com

Muzeu i Kosovës fillon sonte aktivitetet për ‘Ditët e Trashëgimisë Evropiane’

Në vitin 1991, Këshilli i Evropës zyrtarisht filloi ‘Ditët e Trashëgimisë Evropiane’ me mbështetjen e Komisionit Evropian. Në vitin 1999, kjo iniciativë u bë një veprim i përbashkët i Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, përcjellë KultPlus.

Në gjithë Evropës, gjatë fundjavave të shtatorit, Ditëve të Trashëgimisë Evropiane hapin dyert e monumenteve dhe vendeve të shumta, shumë prej të cilave zakonisht janë të mbyllura për publikun, duke u lejuar qytetarëve të Evropës të gëzojnë dhe të mësojnë për trashëgiminë e tyre të përbashkët kulturore dhe t’i inkurajojnë ata të përfshihen në mënyrë aktive në ruajtjen dhe përmirësimin e kësaj trashëgimie për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

Sot, Ditët e Trashëgimisë Evropiane mund të konsiderohen si një instrument thelbësor për nxitjen e një përvoje të prekshme të kulturës dhe historisë evropiane, përveç rritjes së vetëdijes së publikut për vlerat e shumta të trashëgimisë sonë të përbashkët dhe nevojës së vazhdueshme për mbrojtjen e saj. Ditët e Trashëgimisë Evropiane kanë arritur të nxisin pjesëmarrjen e shoqërisë civile, përfshirjen specifike të rinisë, punën vullnetare dhe bashkëpunimin ndërkufitar, duke promovuar kështu parimet bazë të dialogut ndërkulturor, partneritetit dhe përgjegjësisë qytetare.

Muzeu i Kosovës, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane me moton Ditët e Hapura- Open Days, do të fillojë me aktivitetin ARTS&CRAFTS dhe “ABC për trashëgiminë kulturore” për katër ditë me radhë, si dhe do të bëhet hapja e ekspozitës me fotografi nga autori nga Turqia, Erhan Bayladi. Ditët do të përfundojnë me një ekspozite nga artistet pjesëmarrës dhe koncert nga grupi “Don’t listen to your neighbours”.

“ ARTS&CRAFTS “ – Punimet e artistëve të ndryshëm të inspiruar nga tradita, do të prezantohen duke u lejuar në ketë rast qasje gjithashtu vizitorëve në punën e tyre praktike.

“ABC për trashëgiminë kulturore” – program edukativ interaktiv që zhvillohet në Muzeun e Kosovës, dhe ka për qëllim të edukojë gjeneratat e reja me vlerat e trashëgimisë arkeologjike të Kosovës, ku përmes gërmimeve të improvizuara arkeologjike fëmijët mësojnë për arkeologjinë si shkencë. Njëkohësisht, praktikojnë bashkëpunimin dhe punën në grup gjatë procesit të konservimit, restaurimit dhe prezantimit të “materialit muzeor”.

Agjenda:

E Martë, 26 Shtator 2017
19:00h Ekspozitë me fotografi nga autori nga Turqia, Erhan Bayladi
E Mërkurë, 27 Shtator 2017
11:00h-15:00h ARTS&CRAFTS Prezantim i punës dhe performancë nga artistët
13:00h-14:00h Pauza
11:00h-15:00hABC për trashëgiminë kulturore
E Enjte, 28 Shator 2017
11:00h-15:00h ARTS&CRAFTS Prezantim i punës dhe përformancë nga artistët
13:00h-14:00h Pauza
11:00h-15:00hABC për trashëgiminë kulturore
E Premte, 29 Shtator 2017
11:00h-15:00h ARTS&CRAFTS Prezantim i punës dhe përformancë nga artistët
13:00h-14:00h Pauza
11:00h-15:00hABC për trashëgiminë kulturore
E Shtunë, 30 Shtator 2017
19:00h-20:00h Hapja e ekspozitës “ARTS&CRAFTS” nga artistët pjesëmarrës ne ditët evropiane
20:00h-22:00h Koncert nga grupi “Don’t listen to your neighbours”

Artistët pjesëmarës në ARTS&CRAFTS:
Vlora Hajredini-Hajrullahu
Saba Berisha-Ismaili
Mire Canolli
Ilire Lepaja
Granita Grezda-Lila
Dafina Vitija
Ardita Begu

Ekspozita e përhershme do të hapet më 17 shkurt, në dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Muzeu i Kosovës për herë të parë do të bëhet me ekspozitë të përhershme. Konceptin e saj, grupi punues i kryesuar nga profesori Gazmend Rizaj, ia prezantoi Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, shkruan KultPlus.

Profesor Rizaj e informoi ministrin Gashi për qëllimin dhe përmbajtjen e ekspozitës së përhershme e cila do të zërë vend në Muzeun e Kosovës, dhe sipas planit ajo do të hapet me rastin e shënimit të jubileut të Pavarësisë së Kosovës.

Ekspozita sipas konceptit të paraparë do të ketë shtrirje kronologjike që nga koha e Neolitit e deri tek Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ku do të ekspozohen eksponate të trashëgimisë së luajtshme të Kosovës që pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historik të vendit tonë.

Ekspozita do të përmbajë eksponate autentike materiale dhe jo materiale si dhe eksponate dhuratë që i jepen Muzeut. Ajo do të jetë e ndarë në pavijonet e arkeologjisë, historisë të eksponateve ndërkombëtare dhe në dhomën e etnologjisë.

Rizaj u shpreh se grupi punues i cili është angazhuar në përgatitjen e kësaj ekspozite pret mbështetjen dhe bashkëpunimin e ministrit Gashi që projekti të finalizohet.

Ministri Gashi shprehu falënderimin e tij për punën serioze në këtë projekt kaq të rëndësishëm jo vetëm për trashëgiminë kulturore por edhe për vet shtetin e Kosovës sepse ekspozita lirisht mund të llogaritet si një kartë identiteti kulturor e historik i vendit tonë.

“Ekspozita e përhershme që do të prezantohet në Muzeun e Kosovës, do të mundësojë një pasqyrim të trashëgimisë së pasur që ka Kosova, e që dëshmon lashtësinë që kemi si popull”, tha ministri Gashi.

Ministri Kujtim Gashi tha se ky projekt do të jetë ndër prioritetet që do të përkrah ministria me qëllim që të eliminohen barrierat eventuale që pengojnë ose ngadalësojnë konkretizimin e ekspozitës./KultPlus.com