Muzeu i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër gjatë sezonit veror, por jo vetëm ka tërhequr vëmendjen e turistëve vendas e të huaj.
Ky muze tashmë është një atraksion më shumë për turistët, të cilët vizitojnë qytetin e Gjirokastrës.
Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se “nga janari deri në gusht 2573 turistë vendas e të huaj kanë vizituar tunelin e luftës së ftohtë”.
“Vizitorët, kryesisht ata të huaj, i tërheq historia e ish-vendstrehimit të ndërtuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë”, theksoi Drejtoria e Turizmit në bashki.
Muzeu i Luftës së Ftohtë funksionon në vendstrehimin luftarak prej betoni, që u ndërtua në fillim të viteve 1970. Tuneli, i cili përshkon pjesën e poshtme të shkëmbinjve, mbi të cilët ngrihet kalaja e qytetit, është i gjatë rreth 800 metra.
Në mjediset e brendshme të tij janë ndërtuar një sërë aksesorësh, të cilët do të shërbenin për akomodimin e ish-udhëheqjes komuniste lokale të atyre viteve në rast të një sulmi eventual nga jashtë.
Vendstrehimi përbëhet prej 80 dhomash, salla mbledhjesh, ambiente pune, pushimi, madje pjesë e tij është edhe një depo për furnizimin me ujë të pijshëm, centrali elektrik etj./ atsh / KultPlus.com