Restaurohet Muzeu i Muzikës në Gjakovë, i gatshëm për tu funksionalizuar

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka njoftuar se Muzeu i Muzikës në Gjakovë tashmë është i gatshëm për tu funksionalizuar, shkruan KultPlus.

“Muzeu i Muzikës në Gjakovë, tashmë i restauruar dhe i gatshëm për tu funksionalizuar dhe prezantuar historinë e pasur muzikore të vendit për brezat e ardhshëm.

Punë, përditë. Për trashëgiminë tonë kulturore”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku në rrjetin social “Facebook”.

Muzeu i Muzikës në Gjakovë apo Objekti i Tabakhanes siç njihet nga banorët vendas ishte përfshirë nga zjarri në gusht të vitit 2023, dhe dyert e këtij institucioni kanë qenë të mbyllura që nga ajo kohë./ KultPlus.com

Arrestohen tre të mitur, dyshohet se ata ia vunë flakën Muzeut të Muzikës në Gjakovë

Policia ka arrestuar tre persona që dyshohen se janë përgjegjës për zjarrin në Muzeun e Muzikës në Gjakovë.

Më 30 gusht, njësitet përkatëse dolën në vendngjarje dhe shuan zjarrin që kaploi muzeun, ndërsa objekti pothuajse është shkatërruar tërësisht.

Hetuesit ndërkohë ka identifikuar personat, që janë të mitur, si të dyshuar për zjarrvënien.

“Më datë 31.08.2023, pas një pune intensive hetuesit policorë kanë arritur të identifikojnë tre persona të moshës së mitur, të dyshuar si kryes të mundshëm të veprës. Pas dëgjimit të tyre në prezencën e akterëve të nevojshëm në konsultim me prokurorin e çështjes të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë Policia. / KultPlus.com

Muzeu i Muzikës në Gjakovë në gjendje të mjerueshme, shkatërrohet piano me të cilën u kompozua opera e parë në Kosovë

Muzeu i Muzikës në Gjakovë vazhdon të jetë pothuajse i shkatërruar, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, shefja e grupit të këshilltarëve komunalë në Gjakovë, Mimoza Shala, tha se përveç gjendjes së mjerueshme të muzeut, aty gjendet edhe pianoja tashmë e shkatërruar me të cilën u kompozua opera e parë në Kosovë.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të saj:

Të dashur qytetarë të Republikës sonë, të dashur bashkëkombas. -Ju me siguri keni dëgjuar fjalë si; “Gjakova djep i kulturës”.
Me dhimbje ua prezantoj gjendjen e Muzeut të Muzikës në Gjakovë. Ka kohë që është në këtë gjendje.

Pianon që e shihni në foto është dhuruar nga akademiku Rauf Dhomi, me të cilën u kompozua opera e parë në Kosovë “Goca e Kaçanikut”

Kultura, arti, trashëgimia, muzika, nderi, bujaria, edukata, patriotizmi, arsimi që dikur e karakterizonte qytetin dalëngadale po bëhet sikur një përrallë “na ishte njëherë”./ KultPlus.com