Madeleine Albright i kishte bërë karficat që vinte në veshjet e saj një mjet të veçantë simbolik për të përçuar mesazhet dhe bindjet e saj. Tani koleksioni i bizhuterive të dhuruara nga e Madeleine Albright e cila vdiq muajin e kaluar, do të ndihmojnë për të rrëfyer trashëgiminë e saj diplomatike në një ekspozitë të re që po përgatitet në Muzeun Kombëtar të Diplomacisë Amerikane.
Kuratorja e muzeut Nancy Zinn, thotë se Albright u bë e njohur për përdorimin e karficave të xhaketës gjatë kohës që shërbente si ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara.
“Shumë njerëz e dinë se sa e famshme ishte ajo për koleksionin e saj të karficave dhe përdorimin e tyre për të shprehur gjendjen e saj, për të treguar historinë, për të ndarë përvojat. Dhe gjatë gjithë kohës deri ditën që vdiq, ajo mbante karfica për t’u shprehur këto çështje dhe idetë e saj”.
Ekspozita me rreth 200 karfica është planifikuar sipas temave dhe përfshin imazhe patriotike si flamujt dhe shqiponjat amerikane si dhe shumë simbole të tjera.
Kuratorja thotë se materialet variojnë nga një karficë në formë zemre prej balte e bërë nga vajza e diplomates Albright për Ditën e Shën Valentinit deri te “bizhuteritë ekstravagante, antike dhe të çmuara”.
“Ajo kishte balona. Kishte flutura. Kishte shumë karfica me rreze dielli e të tjera. Për situata të vështira ajo shpesh përdorte karfica simbolike në formë engjëlli ose pëllumbi të paqes”, thotë zonja Zinn.
Pasi 84-vjeçarja vdiq nga kanceri më 23 mars, Zinn thotë se u shtua numri i vizitorëve në internet në faqen elektronike “Read My Pins”.
“Ajo kishte një karrierë shumë të gjatë, të pasur dhe të plotë diplomatike, dhe ne i detyrohemi asaj shumë për këtë. Kështu që shpresoj që bizhuteritë mund të shihen si një lloj pikë fillestare për të mësuar më shumë rreth saj. Për të mësuar më shumë rreth punës që ajo bëri”.
Si sekretare e shtetit, Albright ishte gruaja në pozitën më të lartë në historinë e qeverisë amerikane. Ajo luajti një rol kyç për ta bindur presidentin e atëhershëm Clinton që të shkonte në luftë kundër udhëheqësit jugosllav Slobodan Millosheviç për trajtimin që bënte ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Si ambasadore e OKB’së, ajo mbrojti një politikë të jashtme të fortë amerikane, veçanërisht në rastin e trajtimit të Bosnjës nga Millosheviqi dhe ndërhyrja e NATO’s në Kosovë u quajt përfundimisht “Lufta e Madeleine”.
Kuratoja Zinn thotë se ekspozita e Albright do të hapet në Muzeun Kombëtar të Diplomacisë Amerikane në vitin 2026 dhe do të paraqesë sende të tjera personale duke përfshirë një komplet çaji që i është dhënë nga Ministri i Jashtëm rus Igor Ivanov. / KultPlus.com