“Udhëtimi frymëzues i Minatorëve”, një prezantim unik i mineraleve dhe kristaleve të Trepçës

 

Ekspozita “Udhëtimi frymëzues i Minatorëve” është një shembull i qartë i rëndësisë së jashtëzakonshme dhe unike të pasurive nëntokësore të Kosovës, ku përmes një koleksioni tejet të veꞔantë të mineraleve dhe kristaleve të prezantuara sot në një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, tentohet të arrihet vetëdijesimi dhe të ngritët krenaria për resurset natyrore të Trepꞔës, shkruan KultPlus.

Ajo që e bënte edhe më sublime këtë ekspozitë është pikërisht fakti që muaji shkurt njihet si muaji i minatorëve, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin politik dhe kulturor të shtetformimit të Republikës së Kosovës.

Minatorët e Trepꞔës me punën dhe sakrificën e tyre të vazhdueshme kanë kontribuar në ndërtimin e një identiteti heroik, të fort dhe të qëndrueshëm, andaj, ekspozita synon të ndihmojë publikun edhe në njohjen dhe vlerësimin e kontributit të pashoq të minatorëve.

Autori i ekspozitës Driton Avdiu – historian, në një prononcim për KultPlus tregoi se si erdhi deri te ideja dhe cili është mesazhi që dëshiron të përcjellë.

Avdiu tha se pas vizitës së bërë në Muzeun Shtetëror të Kristaleve dhe Mineraleve në Mitrovicë, u frymëzua që për hir të muajit të minatorëve, pra muajit shkurt, të bëjë hapjen e një ekspozite për të treguar rëndësinë dhe krenarinë kombëtare të këtij muzeu.

Duke qenë se Muzeu Kombëtar i Kosovës ka për detyrë të mbajë gjallë traditat dhe historinë e vendit, atëherë në bashkëpunim me Shaqip Blakqorin, konsideruan të arsyeshme që hapja e ekspozitës të bëhet pikërisht disa ditë para pesëmbëdhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Për mua është nder që jam autor i një ekspozite të tillë, ku përmes saj synoj që jo vetëm Kosovës, por edhe botës t’i bëhen të ditura pasuritë e veçanta nëntokësore që gjenden në Stantërg të Mitrovicës”, u shpreh Avdiu.

Në këtë ekspozitë do të keni rastin të shihni nga afër një koleksion unik të mineraleve dhe kristaleve të përzgjedhura me kujdes nga Shaip Blakqori – Kustos.

KultPlus më poshtë ju sjell edhe disa foto nga ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur për dhjetë ditë që nga dita e sotme. / KultPlus.com

Sot hapet ekspozita “Mozaik me drithëra” në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Artisti Alkent Pozhegu vjen me ekspozitë personale në Muzeun Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Ekspozita personale e titulluar “Mozaik me drithëra” do të hapet sot duke filluar nga ora 19:00.

Ndërkaq, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 15 prill. / KultPlus.com

Hapet “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, ekspozohen eksponatet me vlera artistike, estetike dhe historike së qyteteve ilire

Gjithsej 25 stenda të cilat përmbajnë objekte e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut, erdhën nëpërmjet ekspozitës së titulluar “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” që u shpalos sot për publikun në hapësirën e Muzeut Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kur ora shënoi fiks 18:00, ishin të pranishmit ata që zunë vend për të parë nga afër stendat si: Portreti i Erosit nga mermeri, Mbulesën e Ikonës së Gjën Gjergjit nga argjendi dhe ari që ndodhet në Kishën e Gjirokastrës, Dyert e Bukura që i përkasin vitit 1591 e që gjenden në Kishën “Shën Maria” në Berat, Këmbën vazi në formë feniksi që vjen në formën e bronzit, skulpturën Athina Promahos e punuar në mermer, Kokën e Apollonit që po ashtu është punuar në mermer, Dividi dhe kama e shkruesit së Ali Pashë Tepelenës si dhe shumë të tjera që tërhiqnin vëmendjen e gjithsecilit.

Kjo ekspozitë që vjen në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022, është realizuar nga Muzeu Historik Kombëtar me mbështetjen e fotografit Fation Plaku, për realizimin e fotove të vendeve ku janë zbuluar objektet e paraqitura në ekspozitë, dhe në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” solli para publikut një numër të madh të objekteve të shumta, koleksion të pasur me artefakte arkeologjike siç është koleksioni i objekteve prehistorike, koleksioni i skulpturave, enët nga qeramika, monedhat ilire greke e romake, objekte të punuara në qeramikë dhe metal si dhe koleksione që hyjnë në vazhdën e antikitetit greko-romak për të vazhduar deri në mesjetë.

Pra, qysh nga periudha e antikitetit të vonë e deri tek ajo bizantine dhe osmane, ekspozita synon të paraqes larminë e këtyre objekteve mesjetare që në thelb shpërfaqin kulturën materiale që është formuar në territorin e Shqipërisë si dhe ngjarjet kryesore që kanë zënë vend në territorin e saj.

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” krejt në fund paraqet disa objekte ikonografike, të cilat përfshijnë një hark kohor, që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX.

Ndërkaq, objekt i veçantë në këtë ekspozitë u konsiderua edhe Epitafi i Gllavenicës që daton në vitin 1373.

Fillimisht, fjalën e parë e mori drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i cili foli rreth bashkëpunimit mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës.

“Ju uroj mirëseardhjen në ekspozitën e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në koordinim me Muzeun Kombëtar të Kosovës. Siç e dini më parë kemi pasur një memorandum bashkëpunimi mes dy institucioneve tona që i ka parapri një marrëveshje dhe një kalendar i përbashkët për organizimin e ekspeditave në mes institucioneve. Kjo është ekspozita e parë që po organizojmë dhe të tjerat do të zhvillohen gjatë tërë vitit 2022. Shpresoj që shpejt do ta kemi edhe ekspozitën nga Muzeu Kombëtar i Kosovës në Muzeun Historik Kombëtar”, thotë Leci.

Sipas tij, kjo ekspozitë paraqet thesare nga Muzeu Historik Kombëtar që tashmë veçse ekziston rasti që të shihet.

Po ashtu, ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth veçantisë së kësaj ekspozite që sipas tij dëshmojnë për të kaluarën e historisë tonë.

“Është kënaqësi e veçantë që sot edhe njëherë gjatë këtij viti, disa muaj pas ceremonisë në Elbasan, po kalojmë nga akti i nënshkrimit tek akti i zbatimit. Është një ekspozitë interesante ku paraqiten thesaret e Muzeut Kombëtar Historik. Është dëshmia e të kaluarës, e historisë tonë dhe e të tjerëve, por mbi të gjitha është një moment për ta freskuar bashkërisht atë që na bashkon dhe çka më mirë se kultura, trashëgimia, identiteti dhe historia jonë e përbashkët”, thotë Çeku.

Sipas tij, në aktivitetet e kalendarit të përbashkët, qëndron synimi për afrimin sa më të madh dhe pikërisht në këtë drejtim do të bëhet gjithë ajo se çfarë i takon Ministrisë së Kulturës.

Ndërkaq, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi theksoi se në këtë ekspozitë gjenden gjurmët e një Shqipërie të hershme që vjen nëpërmjet imazheve.

“Është një kënaqësi e veçantë që të rikthehemi sërish pas një periudhe të aktivitetet këtu në Muzeun Kombëtar të Kosovës për të ardhur në një ekspozitë e cila realizon dhe tregon gjurmët e identitetit kulturor shqiptar. Në këtë ekspozitë ka pjesë të madhe të objekteve kryesore të thesarit që  ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar për të vendosur kështu gjurmët e një Shqipërie të hershme e cila vjen jo vetëm përmes teksteve por edhe fotove dhe imazheve”, thotë Koçi.

Sipas tij, kënaqësi tjetër është që në vazhdën e aktiviteteve që do të vinë, fundin e vitit do të përmbyllet me botimin e katalogut të përbashkët të trashëgimisë arkeologjike të Muzeut të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Gjithashtu, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tregoi për dimensionin e lartë nëpër të cilën ka kaluar Kosova dhe Shqipëria me rastin e kësaj ekspozite.

“Shqipëria ka një avantazh në këtë drejtim sepse për të pasur një ministër të suksesshëm siç është Çeku, i ka dhënë një vizion më të gjerë se thjesht të qenurit një ministër, por një njeri intelektual, kulturalisht i përmbushur për të kuptuar edhe ato pak ndasi që ekzistojnë midis nesh por që mund të jenë një vlerë e shtuar për punën që bëhet në Kosovë. Duke parë këtë ekspozitë, më vjen në mendje që po kalojmë në një dimension tjetër më të lartë. Kemi të bëjmë me trashëgiminë kombëtare, që është më e rëndësishme sesa sensi kulturor i ngushtë”, thotë Minxhozi.

Sipas tij, këto ekspozita të kësaj natyre janë shumë të rëndësishme, jo thjesht për t’i vizituar por pse jo që këto të jenë edhe pjesë e teksteve shkollore për arsye se ka shumë mangësi, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Krejt në fund, u bë e ditur se me iniciativën e ministrit Ceku, do të organizohet 150 vjetori i Asdrenit, (Himnit Kombëtar), ku në Prishtinë do të bëhet një ceremoni e madhe. / KultPlus.com

Së shpejti hapet ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”

Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022, të mërkurën hapin ekspozitën me titull “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”.

Kjo ekspozitë përbëhet nga rreth 25 stenda, të cilat përmbajnë objektet e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut. Muzeu Historik Kombëtar krahas objekteve të shumta, ka edhe një koleksion të pasur artefaktesh arkeologjike prej të cilave mund të përmendim: koleksionin e objekteve prehistorike; koleksionin e skulpturave; enët prej qeramike; monedhat ilire, greke e romake; objekte të shumta të zejtarëve vendas në qeramikë e metal etj., me një shtrirje të gjerë në kohë nga prehistoria, antikiteti greko – romak, periudha antike e vonë e deri në mesjetë. Larmia e objekteve mesjetare të ekspozuara synon të ofrojë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, që u formua në territorin e Shqipërisë.

“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” hapet me datën 30 Mars 2022, ora 18:00, në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Ekspozita ‘Larg shpisë’ – Muzeu Virtual i Refugjatëve

Të martën, më 7 dhjetor, në ora 18:00 keni mundësinë të vizitoni ekspozitën ‘Larg Shpisë’.

Kjo ekspozitë është krijutar nga Muzeu Virtual i Refugjatëve në bashkëpunim me Artan Hajrullahu. 

Ekspozita do të shfaqë storje nga Muzeu Virtual i Refugjatëve, muze i cili është përkushtuar për shumë vite ofrimit të një hapësire për memorializim dhe dokumentim të përvojave së refugjatëve përmes rrëfimeve audio.

Youth Initiative for Human Rights Kosovo ka ftuar të gjithë të interesuarit që të vizitojnë Muzeun Kombëtar të Kosovës, aty edhe ku do të mbahet aktiviteti. /KultPlus.com