Turizmit kulturor në Sarandë i është bashkuar muzeu lëvizës, me veshje tradicionale shqiptare që prezantojnë etnografinë kombëtare, për pushuesit nga mbarë bota.
Kostumografia Edlira Sulaj thotë se idea ishte, që veshja tradicionale te dilte nga familja dhe të ketë rolin e saj në turizmin kulturor.
Për pushuesit kureshtar në muzeun brenda autobusit ka veshje mbi 100 vjeçare, dhe të tjera të ripërpunuara nga artizanët me të njëjtat teknika si ato origjinalet.
Saranda dhe larmishmëria e madhe e turistëve duket vendi i duhur, per të prezantuar traditën.
Kjo zonjë nga Kosova është kthyer nga diaspora pas 7 vitesh dhe nuk e fsheh emocionin kur sheh veshjet tradicionale shqiptare.
Përvec detit Saranda prezanton per pushuesit me dinjitet kulturën, dhe traditën shqiptare./abcnews.al/KultPlus.com
Për nder të shënimit të 100 vjetorit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë muzeu lëvizës ‘Tirana vjen tek ti’, rrugëtimin nëpër qytetet e Kosovës e ka përfunduar në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ të kryeqytetit, shkruan KultPlus.
Muzeu lëvizës ‘Tirana vjen tek ti’ në mëngjesin e ditës së sotme ka zbarkuar në qytetin e Prishtinës historinë e tij, ku përmes fotografive dhe dëshmive tjera arkivore shpalosë momentet më të rëndësishme që nga koha kur është shpallur kryeqytet.
Aktiviteti për shënimin e këtij përvjetori fillimisht nisi me hapjen solemne të muzeut në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ dhe nën tingujt e bendit frymor të filarmonisë së Kosovës. Në ceremoninë e hapjes drejtoresha ekzekutive e UBSHR-së, Andriola Kambo tha se unioni i bashkive shqiptare ka për qëllim integrimin e vendeve me njëri tjetrin, në mënyrë që rrugëtimin drejt familjes së madhe të Bashkimit Evropian ta bëjnë së bashku.
“ Në fakt unioni i bashkive shqiptare në rajon si qëllim ka integrimin me njëri tjetrin që ne të vazhdojmë drejt BE te familja e madhe ku ne aspirojmë të jemi pjesë, me shekuj. Sot kemi sjellë një copëz të Tiranës, kemi sjellë sheshin Skënderbe. Sheshi simbol i shqiptarëve që çdo gurë i sheshit Skënderbe ka një histori, histori që në fakt ka thelb dhe për të ju rikthyer historisë tonë kombëtare ne gjithmonë jemi të kujdesshëm në rrugëtimin drejt së ardhmes, në mënyrë që të mos i bëjmë gabimet e së shkuarës”, u shpreh Kambo.
Ndërkaq nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi ka thënë se qëllimi i këtij muzeu është promovimi i turizmit dhe kulturës në vendet shqipfolëse. Ai ka theksuar se nisma që ka filluar këtë vit nga Bashkia e Tiranës duhet të shndërrohet në aktivitet tradicional të përvitshëm.
Kurse nënkryetarja e Bashkësisë së Tiranës, Anuela Ristani gjatë fjalimi të saj në hapjen e këtij muzeu në qytetin e Prishtinës tha se në pamundësi për të organizuar atë çka kishin planifikuar muaj më parë në Tiranë, vendosën që të historinë e Tiranës ta sjellin në qytetet shqiptare. Sipas saj bashkëpunimi në mes të Prishtinës dhe Tiranës nuk duhet të mungoj asnjëherë.
“Pikërisht që jemi dy qendra të këtij rajoni është më e përgjegjësi më e madhe që i përfshinë të gjithë të tjerët. Gjithë synimi i shoqatës është pikërisht kjo, ti mbledhim të gjithë pranë dhe të bashkëpunojmë për të mirën e gjithsecilit. Shpesh herë mendojmë gjëra që nuk i ndryshojmë dot, çështjen e pandemisë nuk e ndryshojmë dot, tërmetin në Tiranë nuk e ndryshojmë dot, mbase ndonjëherë edhe politikën nuk e ndryshojmë dot. Por bashkëpunimi me njëri tjetrin, bashkëpunimi me qytetarët dhe me njëri tjetrin, dashurinë që kemi për vendet tona reciproke dhe për vendet që nuk i kemi zbuluar akoma, për një shëtitje diku në mal apo për një ngjitje në bjeshkë. Ca destinacione që duam apo s’duam kemi filluar ti zbulojmë pikërisht atëherë kur na ndodhin gjëra që nuk i prisnim.”, ka deklaruar Anuela Ristani.
Rrugëtimi i Muzeut Lëvizës ‘Tirana vjen tek ti’, në Kosovë ka filluar me 16 shtator në qytetin e Prizrenit kurse rrugëtimin e tij në trojet shqiptare do të shënoj fundin në qytetin e Preshevës, nesër me 20 shtator.
Kurse gjatë ditës së sotme organizatorët e Muzeut Lëvizës së bashku me Komunën e Prishtinës do të vizitojnë Muzeun Kombëtar të Kosovës, Kopshtin me Bazë në Komunitet “Cicërimat” dhe do të përfundojmë vizitat e tyre në Parkun Gërmia të kryeqytetit./ KultPlus.com
“Muzeu lëvizës” udhëtoi sot pranë nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Feti Vogli” në Njësinë Administrative Baldushk.
Një autobus i zakonshëm u kthye në një ekspozitë ku nxënësit u njohën me historikun e disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore. Ekspozita e “Muzeut Lëvizës” përmbante riprodhime nga koleksionet muzeore të ruajtura në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, të cilat i përkasin periudhave të ndryshme historike.
Midis tyre nxënësit mundën të gjejnë vazo nga antikiteti, vegla muzikore, kostume popullore etj. Drejtoresha e shkollës e përshëndeti këtë nismë duke thënë se kjo ishte një mundësi e mirë për nxënësit që banojnë larg qendrës së kryeqytetit për t’u njohur me objekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore.
Nxënësit vizituan ekspozitën e improvizuar brenda autobusit dhe u shprehën se kjo mënyrë organizimi ishte ora mësimore që ata do të parapëlqenin. Gjithashtu, ata u bënë pjesë e një prej aktiviteteve edukative të Muzeut Historik Kombëtar me titull “Arkeologu i vogël”.
Ky aktivitet synoi përfshirjen e komuniteteve në zhvillimin e politikave kulturore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës kulturore në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.
Nёpёrmjet këtij projekti synohet që, koleksioni tё bёhet i njohur pёr njё publik mё tё gjerё, pёr tё bёrë njё lidhje mё domethёnёse me objektin, nё tё njёjtёn kohё duke kontribuar nё forcimin e identitetit tё muzeut, duke përfshirë bashkëpunimin me qytetarët, komunitetin e shoqërinë në ndërgjegjësimin e të rinjve për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore./ATSH/KultPlus.com