Aktualisht Muzeu “Marubi” është në procesin e instalimit të ekspozitës “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno”. Stafi i tij po punon që gjithçka të jetë gati për datën 19 gusht kur do të vije ekspozita e shumëpritur.
Gjithsesi, gjatë këtyre ditëve muzeu do të jetë i hapur nga ora 9:00 deri 19:00 ku mund të vizitohet ekspozita e koleksionit të përhershëm të Dinastisë Marubi.
Ekspozita e re do të vijë në Ditën Botërore të Fotografisë (ditën e hënë më 19 gusht). Për çeljen e saj, Muzeu “Marubi” ka bashkëpunuar me Institutin e Antropologjisë.
Luçjan Bedeni, i cili është kuratori i kësaj ekspozite, rrëfen historinë e atelierit, që pas vdekjes së Pietro Marubbit (1903), pati si pronar Kel Marubin. Tërmeti i vitit 1905 i cili shkatërroi një pjesë të konsiderueshme të Shkodrës, solli edhe rrënimin e Foto Studio “Marubi”. Është ky momenti kur Kel Marubi vendos të blejë një banesë të re dhe një dyqan në të cilin të rindërtonte nga e para studion e tij. Me një vizion të ri, Keli e shndërroi atelierin në një manifakturë që tregtonte materialet më të mira fotografike që vinin nga Parisi, Viena, Milano e Drezdeni, duke e bërë pikë reference për rajonin.
Në vitet 1908-1912 shfaqet kontributi i Kel Marubit si përkrahës i atdhetarëve. Në atelierin me emrin e shqiptarizuar në “Dritëshkroja Marubbi”, themelohet klubi “Gjuha Shqipe”, ndaj nuk është e rastësishme që shumë patriotë të fotografoheshin nga Keli. Madje fotografive të tyre, Kel Marubi do t’i dedikonte edhe një regjistër të veçantë të quajtur “Njerz në za e sende të kujdesshme”.
Në këtë regjistër gjenden edhe tre fotografi me rëndësi si: “Kongresi i Elbasanit”, “Profesorat e Shkollës Normale të Elbasanit” dhe “Nxanësit e Shkollës Normale të Elbasanit” të cilat në dukje janë riprodhime. Deri më tani për këto fotografi të publikuara nuk ka patur asnjë informacion se kush mund të ishte autori dhe për rrjedhojë i janë atribuar Kelit. Me digjitalizimin e fototekës së Instituti të Antropologjisë është zbuluar që këto fotografi janë shkrepje të Kolë Idromenos. Kjo gjë përveçse ka sjellë një informacion të ri, na prezanton edhe me imazhe me cilësi të qartë që për vite me rradhë janë publikuar të turbullta për publikun./atsh/KultPlus.com