Këshilli i Europës ka vlerësuar Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” me çmimin e Muzeut më të Mirë të Këshillit të Europës 2020.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mbrëmjen e së martës në Tiranë, ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se, “shpallja e këtij muzeu “Muzeu i Këshillit të Europës 2020”, është dëshmia që përmasat e atij deformimi njerëzor, që zinin fill këtu brenda, u shndërruan po këtu, në atë pikën e ujit, që përditë e përditë, zgjon kujtesën tonë, që nuk jemi përgjumur prej së përditshmes; që nuk kemi lejuar që e shkuara të përsëritet dhe që pikërisht këtu po i kujtojmë të rinjve se liria dhe demokracia nuk janë një e dhënë e përjetshme, por duhen mbrojtur çdo ditë”.
“Sot jemi në këtë ndalesë kohore, që shënon një tjetër etapë në pëlhurën urbane të Tiranës, falë vizionit të atyre që e ideuan, e realizuan dhe mbështetën ngritjen e këtij muzeu, që besuan në misionin dhe të vërtetat që ai kishte për të rrëfyer, e sot ky çmim është edhe një tjetër përqafim mirënjohjeje që vjen nga larg”, – tha Margariti.
Margariti tha se, “hapja e dyerve të shtëpisë së tmerrit, sot muze, do të zbulonte një nga skemat më të sofistikuara të diktaturës për të sunduar jetët e njerëzve, atë përmes frikës, ndërtuar si rrathët e “Ferrit” dantesk, ku vërtiteshin përgjuesit e telefonatave e telegrameve; mikrofonët-çimka, që si parazitë të fshiheshin në shtëpi e në trup. Nuk dua të ndalem se si mbusheshin dosje, prodhoheshin makinacione, se si niste pikërisht këtu kalvari drejt dënimit dhe se si listat e “armiqve të popullit”, që i luteshin në errësirë Zotit, veçse shtoheshin”.
Margariti falënderoi Kryeministrin Rama, që investimet tek ruajtja e kujtesës i ka parë si një investim tek e ardhmja.
“Sot pranojmë këtë çmim, jo pa krenari e mirënjohje, por më së shumti me një përgjegjësi të shtuar, për të zbardhur të kaluarën; për të mos e lëshuar ‘lopatën e kërkimit’, sepse vetëm njohja e bën me të vërtetë njeriun e lirë, vetëm njohja na bën me të vërtetë më të mirë. Faleminderit, që e keni parë këtë muze të vogël, në këtë kënd të Europës, si zërin që duhet të dëgjohet në këto kohëra të trazuara që po kalon njerëzimi. Dhe le të jetë ky çmim edhe një ftesë më shumë për të na njohur, kuptuar dhe pranuar në familjen tuaj, në Bashkimin Europian”, – u shpreh Margariti. /atsh/ KultPlus.com