Nën moton “Fuqizojmë muzetë nëpërmjet teknologjisë digjitale”, një sipërmarrje madhore u promovua në vitin 2019 në muzeun e ikonografisë “Onufri”, audio guida një teknologji inovative e aplikuar për herë të parë në vend.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat shprehet se tashmë kushdo që viziton muzeun e ikonografisë “Onufri” e ka mundësinë e një “udhëtimi” individual, dhe shansin të zbulojë muzeun dhe kryeveprat e tij nëpërmjet informacionit më të zgjeruar të 40 rubrikave për rreth 90 minuta, në gjuhët shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht.
“Por gjithashtu, vizitori mund të fokusohet e të rikthehet në rubrikat e dëshiruara, nëpërmjet udhërrëfyesit në gjuhën e përzgjedhur pa prezencën e një guide didaktike. Padyshim që ky produkt dita ditës po i përmbush pritshmëritë tona, në raport me rritjen dhe ofertën e një shërbimi inovativ, bashkëkohor, dinjitoz e padyshim një hap i ri për kulturën e shërbimit të muzeve shqiptarë. Kjo reflektohet në kërkesën gjithmonë në rritje të marrjes së këtij shërbimi, i cili në muajt e fundit është preferuar nga më shumë se 600 vizitorëve të huaj, vendas, studentë, etj”, thuhet nga QKMB.
Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI.
Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Berat. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. / KultPlus.com