38-vjetori i Muzeut Ikonografik ‘Onufri’, Pasku për ATSH-në: Mbi 76 mijë vizitorë vitin e kaluar

Para 38 vjetësh, më 27 shkurt të vitit 1986, do të hapej për publikun Muzeu i Ikonografisë “Onufri”.

Në vitin 1986 me nismën e shumë personaliteteve e specialistëve të kulturës, thesari i madh i ikonave dhe objekteve liturgjike që rrinin të arkivuara prej vitesh, pas ndalimit të ushtrimit të besimit, u ekspozuan për publikun në këndvështrimin artistik e historik.

Drejtori i Qendrës Muzeore, Miklor Pasku, tha për ATSH-në se, sot ky muze, i cili gëzon statusin Muze Kombëtar, është një nga muzetë më të vizituara në Shqipëri dhe për vitin 2023 ka arritur shifrën rekord të 76 mijë vizitorëve.

Pasku shpjegoi se “Onufri” po ashtu vazhdon të ofrojë edhe programe edukimi për nxënës e studentë nga gjithë Shqipëria. Gjithashtu ai theksoi dhe faktin se prej disa vitesh në muze është funksional Laboratori i Restaurimit që tashmë restauron e konservon kryeveprat artistike që datojnë nga shek XIV – XX.

I vendosur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Hyjëlindëses” e shekullit të 18-të, ky muze është një nga emblemat e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe krenaria e pasurive historike e fetare të Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj./atsh/KultPlus.com

Muzeu i Asdrenit në Drenovë drejt rrënimit

Aleksandre Stavre Drenova i njohur me nofkën Asdreni, poeti, publicisti, autori i himnit shqiptar është i harruar në fshatin ku lindi në Drenovë të Korçës.

Muzeu i cili mban emrin e tij në qendër të fshatit nuk funksionon si i tillë, këtu brenda nuk ka asnjë material të Asdrenit, nuk ka asnjë ciceron, dera është e mbyllur e si për ironi mungon dhe energjia elektrike, shkruan euronews.al.

Në ndërtesën e cila duhet të funksiononte si muze për Asdrenin, sot nuk mund të gjesh asgjë, përveç disa fotografive të rilindësve kombëtare.

Njëri nga banorët e fshatit tregon i revoltuar se në Drenovë nuk ka asnjë muze, pasi ndërtesa vetëm emrin ka të tillë.

“Nuk ka muze këtu ore, emri është muze. Muzeu duhet të ketë materiale, pas ‘90 ikën materialet, muzeu i Asdrenit është kot. Materialet u prishën, kot ja kanë vënë emrin muze. Po që të vijnë njerëzit, duhet të ketë materiale. Çfarë të shohin njerëzit këtu? Brenda këtu nuk ka asgjë”, thotë një banor i Drenovës.

Edhe kryeplaku i fshatit Drenovë, Kici Nasi pranon që ky muze është lënë në harresë.

“Muzeu ka emrin Asdreni se asnjë gjë nuk ka nga periudha e Asdrenit. Është për të ardhur keq, në Drenovë nuk ka një muze të tillë. Ka qenë më 4 dhoma, e bënë komune dhe gjithë materialet, u bë krim, i hodhën në lum, i morën fshataret e i ruajnë në shtëpitë e tyre. Njerëz vijnë nga brenda e jashtë, por na vjen keq kur i sjellim, çfarë t’u tregojmë? Edhe sheshi quhet Asdreni, edhe busti nuk është ndonjë bust, këtu kemi ministri kulturash pa kultura, se kanë lënë Asdrenin pas dore”, shprehet Nasi.

Rikonstruksioni i muzeut Asdreni, bustit dhe sheshit në qendër të fshatit Drenovë janë premtime disa vjeçare të bashkisë Korçë, premtime që ngelen ende të tilla, pasi ende asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë./euronews.al/KultPlus.com

Arti revolucionar pop zbarkon në Muzeun Guggenheim të Bilbaos

Muzeu Guggenheim në Bilbao, Spanjë, ka inauguruar ekspozitën e tij të re kushtuar artit pop, lëvizjes së lindur në Angli në fund të viteve 1950, e cila goditi ShBA-në në vitet 1960 dhe revolucionarizoi thellësisht botën e artit.

Ekspozita e titulluar “Shenjat dhe objektet. Pop Art nga Koleksioni Guggenheim”, përmban vepra nga zotërimet e Muzeut Solomon R. Guggenheim në Nju Jork.

“Pop arti karakterizohet me të vërtetë nga përdorimi i tij i mediave masive dhe imazheve vizuale të kulturës popullore, vizatimeve dhe tabelave, reklamave në gazeta,” tha Lauren Hinkson, kuratore e Muzeut Solomon R. Guggenheim në Nju Jork./euronews/KultPlus.com

Në Muzeun e Krujës publikohet fotoja e veçantë e komandantit Adem Jashari

Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës ndau një foto të veçantë të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik të Krujës, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “në vitin 1992 Adem Jashari me shokët e tij vizituan Muzeun Muzeu Historik dhe Etnografik të Krujës. Ata kanë fiksuar në një fotografi këtë moment të veçantë”.

Adem Jashari lindi më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj. Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.

Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./atsh/KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar, mbi 4500 vizitorë në janar të këtij viti

Muzeu Historik Kombëtar, institucioni më i rëndësishëm muzeor në vend, gjatë muajit janar të këtij viti u vizitua nga një numër i lartë vizitorësh.

“Nga data 1-31 janar Muzeu Historik Kombëtar u vizitua nga 4527 vizitorë në total, 187 % më shumë vizitorë në total në krahasim me muajin janar të vitit 2023, me 1578 vizitorë në total”, bëri të ditur MHK.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte, etj.

Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit./ atsh/ KultPlus.com

Muzeu Olimpik i Pekinit rihapet për publikun pas rinovimeve

Pasi u mbyll për rinovime që zgjatën më shumë se dy vjet, Muzeu Olimpik i Pekinit u rihap për publikun të shtunën për të shënuar përvjetorin e dytë të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.

E vendosur në jug të Stadiumit Kombëtar të njohur si “Foleja e Zogjve”, ky muze, i themeluar në vitin 2009, tani mbulon një sipërfaqe totale prej 26 mijë metrash katrorë. Përmes më shumë se një mijë ekspozitave, muzeu demonstron trashëgiminë e Pekinit si një qytet olimpik i dyfishtë, shkruan Xinhua, transmeton Klankosova.tv.

Thomas Bach, president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, shprehu urimet e tij më të mira për popullin kinez për Festivalin e ardhshëm të Pranverës dhe vuri në dukje përmes video-lidhjes, “Të gjithë njerëzit kinezë mund të ndihen shumë krenarë për faktin se kur Pekini u bë qyteti i parë në botë për të pritur të dyja edicionet verore dhe dimërore të Lojërave Olimpike, ju po shkruanit një histori të madhe olimpike”.

“Muzeu i ri dhe i përmirësuar Olimpik i Pekinit është një shembull i ndritshëm i një trashëgimie të gjallë dhe do të vazhdojë të frymëzojë çdo vizitor me vlerat olimpike të përjetshme”, tha Bach./KlanKosova/KultPlus.com

Luvri mbetet muzeu më i vizituar në botë

Ambasada e Francës në Kosovë, njofton se Muzeu i Luvrit mbetet muzeu më i vizituar në botë, me 8.9 milionë vizitorë në vitin 2023.

Në një njoftim në Facebook, kjo ambasadë thotë se shpreson se muzetë e Francës këtë vit do të vizitohen nga një numër edhe më i madh vizitorësh.

“Luvri mbetet muzeu më i vizituar në botë!  Me 8.9 milionë vizitorë në vitin 2023, +14% më shumë krahasuar me vitin 2022. Muzetë tjerë francezë nuk janë lënë anash, pasiqë Musée d’Orsay theu një rekord historik me 5.1 milionë vizitorë më 2023. Shpresojmë të shohim një numër më të madh vizitorësh në muzetë e Francës këtë vit!”, njofton Ambasada e Francës në Kosovë. /rtk/KultPlus.com

‘Marubi’ rekord vizitorësh, mbi 18 mijë turistë në muzeun e fotografisë në Shkodër

Numri i lartë i turistëve që vizituan Shqipërinë u reflektua në të gjitha muzetë dhe uebsajtet arkeologjike të cilat pritën shifra rekord vizitorësh.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në Shkodër e vlerëson vitin që lamë pas si më të suksesshmin që nga ndërtimi i këtij muzeu .

Drejtuesi Luçian Bedeni tha se mbi 18-të mijë turistë vizituan muzeun, shifër kjo më e larta e regjistruar ndonjëherë.
Risi këtë vit është shtimi i numrit të rinjve të cilët vizituan muzeun.

Nëse viti 2023 u mbyll me shumë sukses, viti ri 2024 premton shumë surpriza për dashamirësit e fotografisë të cilët do kenë mundësinë të shijojnë koleksione të famshme ndërkombëtare duke e renditur kështu muzeun e vetëm kombëtar të fotografisë në vend mes muzeve më të rëndësishëm në Evropë./euronewsalbania/KultPlus.com

‘Hiri i Krishtlindjes’ zbriti në pavijonin e ikonave në Muzeu Historik Kombëtar

Një mbrëmje poetike nën titullin “Hir Krishtlindjeje” mblodhi artdashësit, ditën e djeshme në Muzeun Historik Kombëtar. Aktoret e mirënjohura Yllka Mujo e Luiza Xhuvani interpretuan vargje nga Nënë Tereza, Ilirjan Zhupa e Zhak Prever.

“Aktoret tona të çmuara Yllka Mujo e Luiza Xhuvani e përfshinë publikun në një atmosferë të ngrohtë dhe intime nën hirin e Krishtlindjes”, u shpreh Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një postim online. Atmosfera plotësohej nga ikonat e ekspozuara në MHK, ku artistet recituan të shoqëruara nga Ave Maria e interpretuar prej mexo-sopranos Vikena Kamenica.

Koncerti “Hir Krishtlindjeje”, u zhvillua në pavijonin e ikonave, pranë Muzeut Historik Kombëtar, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com

Muzeu me identitet të dyfishtë, ndër më të vizituarit këtë sezon në Gjirokastër

Muzeu etnografik në Gjirokastër përfaqëson një atraksion me identitet të dyfishtë.

Ai njihet si një objekt që koleksionon pasuri të rralla të traditës materiale etnografike por njëkohësisht edhe si shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës, figurës që u bë fytyra e diktaturës më të egër në Europë. I restauruar dy vite më parë muzeu është risjellë me një qasje të re për vizitorët qasje e orientuar nga teknologjia. Këtë sezon më shumë se 10 mijë vizitorë në 80% të tyre të huaj e vizituan këtë muze.

Kemi sektorin e zonave etnologjike të Gjirokastrës që diferencohen nga njëra-tjetra për shkak të ndryshimeve me karakter etnik dhe janë të ekspozuara apo ilustruara nëpërmjet kostumeve.

Kemi sektorin e simbolizmit fetar brenda të cilit gjenden objekte të importuara nga kisha e Shën Sotirit, objekte që mbajnë motive të ndikimit fetar. Vizitorët e huaj janë shumë të interesuar për pjesën e simbolizmit fetar pasi kjo pjesë ngjall kërshëri për shkak të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në Gjirokastër ku bashkëjetojnë tre besime fetare”- tha Iris Shane, cicerone e muzeut.

Restaurimi i këtij muzeu u parapri nga një diskutim rreth përmbajtjes, nëse do të duhej të kishte një dhomë dedikuar figurës së Enver Hoxhës, nëse do të duhej të ishte muze etnografik apo një muze i diktaturës. Irisi që udhëheq vizitorët në mjediset e banesës tri katëshe tregon se pyetjet për diktatorin nuk mungojnë por dëshmitë materiale për të janë minimale. Vizitorët shqiptarë do të dominojnë periudhën e dimrit dhe janë ata që kanë kuriozitet të lartë për të dy identitetet e muzeut.

Të huajt e konsiderojnë dhe vlerësojnë sepse është pjesë e historikut të kësaj shtëpie. Shqiptarët kanë edhe më shumë interes për shkak të të jetuarit në dy sisteme por edhe lidhjes historike me vendin tonë. Por ekspozitori i Enver Hoxhës është i përqëndruar më shumë tek lidhja e tij me këtë shtëpi. Ai ka lindur këtu më 1908 dhe ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare, kohë kur shtëpia u dogj aksidentalisht. Më pas u rikostruktuar në këtë lloj arkitekture fillimisht si muze të Luftës Nacional-Çlirimtare por njëkohësisht e bëri të njohur për popullin edhe si shtëpinë e tij të lindjes– tha Shane.

Në Gjirokastër janë aktualisht aktivë 4 muzeume publikë dhe 2 privatë. Ndërkohë jashtë funksionit janë shtëpitë muze të familjes së Çerçiz Topullit, Musine Kokalarit e Eqrem Çabejt. Fondi material i relikeve të të gjithë muzeumeve ka qenë i jashtëzakonshëm. Me kalimin e viteve shumë ekzemplarë të objekteve etnografike kostumeve, pikturave janë zhbërë ndërsa më shumë se 1000 objekte të shpëtuara kanë ende nevojë për restaurim dhe konservim. Muzetë kryesorë të Gjirokastrës janë vizituar gjatë sezonit veror nga gati 200 mijë vizitorë./topchanel/KultPlus.com

Mbi 12 mijë vizitorë në Muzeun Historik Kombëtar, gjatë shtatorit

Muzeu Historik Kombëtar në muajin shtator pati rritje të numrit të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo bëhet me dije nga vetë Muzeu Historik Kombëtar, i cili publikoi online dhe numrin e vizitorëve në muajin shtator.

“Vizitorët e Muzeut Historik Kombëtar në 1 muaj. Për muajin shtator 2023 me 12214 vizitorë në total. 57% më shumë vizitorë në total, në krahasim me muajin shtator të vitit 2022 me: 7,793 vizitorë në total”, shkruan MHK.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendës, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare.

Për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin. Ai organizon dhe mundëson, gjithashtu aktivitetet, që përkrahin vizionin dhe misionin e tij.

Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Objekte të ekspozuara janë rreth 3100. Pjesa tjetër e objekteve janë në fonde.

Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte, etj. Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit./atsh/KultPlus.com

Muzeu i Kalifornisë kthen në Meksikë afro 1300 artefakte

Në një ceremoni të 15 shtatorit në Muzeun e Qarkut San Bernardino (SBCM) në Redlands, Kaliforni, zyrtarët ua kthyen autoriteteve meksikane 1294 artefakte parakolumbiane.

Ngjarja ishte caktuar të përkonte me Ditën e Pavarësisë së Meksikës (16 shtator) dhe fillimin e muajit të trashëgimisë hispanike në ShBA (15 shtator-15 tetor), shkruan TAN, transmeton Klan Kosova.

Kjo iniciativë u drejtua nga ministria meksikane e punëve të jashtme dhe kulturës nën kujdesin e Institutit Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë (INAH), bordit të mbikëqyrësve të qarkut San Bernardino dhe drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SBCM, David Myers dhe Tamara Serrao. -Leiva, përkatësisht.

Koleksioni përfshin sende rituale dhe të përditshme, statuja, instrumente frymore, gjerdan, këmbanat prej qeramike dhe bakri, mbetje varrimi dhe maja shigjetash.

Artefaktet iu kthyen Itzel de Leon Villard, konsullit meksikan në San Bernardino, në një ceremoni zyrtare./KlanKosova/KultPlus.com

Margariti, ftesë të rinjve për të vizituar Muzeun Ikonografik ‘Onufri’

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ftoi sot përmes rrjeteve sociale të vizitohet Muzeu “Onufri” i Beratit.

“Muzetë rrëfejnë, edukojnë, por dinë të jenë edhe argëtues”, shkroi Margariti duke ndarë një videokartolinë nga Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat, si një ftesë për të rinjtë.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë.

Nën dyshemenë e absidës me 12 Gusht të vitit 1968, janë gjetur dy Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus” i shek. VI pas Krishtit dhe pas Krishtit “Codex Aureus Anthimi” i shek IX. Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodiket e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e Unesco-s./atsh/KultPlus.com

Muzeu Britanik: Mbi 1500 objekte janë vjedhur

Numri i sendeve të vjedhura apo të shkatërruara është më shumë se 1500 pothuajse 2000, raporton Telegrafi duke cituar burime brenda institucionit në raportin e tij mbi objektet me vlerë të vjedhura nga muzeu britanik.

Një burim i muzeut i tha gjithashtu gazetës se trajtimi i çështjes nga menaxhmenti ishte “i pakujdesshëm dhe i papërshtatshëm” dhe se provat e paraqitura u injoruan nga nivelet më të larta. Ankesat për menaxhimin u bërën vite më parë kur u zbuluan disa monumente në shitje në faqen e eBay.

Muzeu nuk ka specifikuar se sa sende janë vjedhur apo cilat janë sendet që mungojnë, por ka thënë se janë kryesisht “objekte të vogla”, sende ari, gurë të çmuar dhe gjysmë të çmuar.

Artikujt specifikë që datojnë nga shekulli i 15-të. p.sh. deri në shekullin e 19-të pas Krishtit, nuk ishin ekspozuar kohët e fundit dhe mbaheshin në ruajtje kryesisht për qëllime akademike dhe kërkimore.

Numri i sendeve të vjedhura tani besohet të jetë “më shumë se 1000” dhe “afër 2000”, me vlerë “miliona paund”, transmeton Daily Telegraph.

Javën e kaluar, Muzeu Britanik njoftoi se objektet nga koleksioni i tij ishin gjetur se ishin “vjedhur ose dëmtuar”, duke bërë që një anëtar i stafit të pushohej nga puna.

Ky është 56-vjeçari, kurator i koleksioneve greke, skulpturës greke dhe periudhës helenistike në Muzeun Britanik Peter Higgs, i cili ka punuar për tre dekada në Muze dhe, sipas Sky News, konsiderohet një nga ekspertët kryesorë në Britani për sa i përket antikiteteve nga Greqia dhe Mesdheu.

Komanda kundër Krimit Ekonomik të Policisë Metropolitane po heton, megjithatë nuk është bërë asnjë arrestim dhe muzeu po kryen gjithashtu një hetim të pavarur.

FILE – Women stand by a marble statue of a naked youth thought to represent Greek god Dionysos, center, from the east pediment of the Parthenon, on display during a media photo opportunity to promote a forthcoming exhibition on the human body in ancient Greek art at the British Museum in London, Thursday, Jan. 8, 2015. The British Museum has pledged not to dismantle its collection following a report that the institution’s chairman has held secret talks with Greece’s prime minister over the return of the Parthenon Sculptures, also known as the Elgin Marbles. (AP Photo/Matt Dunham, File)

Muzeu Etnografik i Krujës, AKT: Vijon restaurimi për nxjerrjen në dritë të pikturave

Në Muzeun Etnografik të Krujës, një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, po vijon puna për restaurimin e tij.

Agjencia Kombëtare e Turizmit bën të ditur se “në këtë monument të Kategorisë së I-rë po kryen punimet më të imëta për pastrimin përfundimtar, ruajtjen e objekteve dhe vendosjen e ekraneve dhe për të nxjerrë në dritë pikturat që zbukurojnë mjediset e brendshme të Muzeut Etnografik të Krujës”.

Prej disa kohësh ky muze i është nënshtruar procesit të restaurimit përmes Programit të Bashkimit Europian EU4Culture, me mbështetjen e një ekipi të konservimit nga Instituti i Konservimit në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë, krahas specialistëve shqiptarë të angazhuar në procesin e restaurimit dhe rijetësimit të monumentit.

Ky muze  është atraksion i rëndësishëm dhe ndër më të vizituarit nga turistët nga e gjithë bota,  që dëshirojnë të njohin kulturën shqiptare.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muze është ngritur në shtëpinë e familjes Toptani. Ajo është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture e kategorisë së I-rë.

Në mjediset e brendshme dhe të jashtme të muzeut ekspozohen një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe mënyra e jetesës së popullsisë mbi 300 vite më parë./atsh/KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar: Eqrem Çabej është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare

Muzeu Historik Kombëtar, sot në 43 vjetorin e vdekjes ka përkujtuar akademikun Eqrem Çabej, shkruan KultPlus.

Muzeu Historik Kombëtar e cilëson albanologun Çabej si një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare, i cili dha kontribut edhe në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë.

“Eqrem Çabej është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare. Ai lindi më 7 Gusht 1908 në Gjirokastër, ku mori dhe mësimet e para. Pasi kreu gjimnazin në Klagenfurt të Austrisë, ndoqi studimet e larta për gjuhësi krahasuese indoevropiane dhe albanalogji në Universitetin e Gracit e më pas në Universitetin e Vjenës. Në vitin 1933, Eqrem Çabej diplomohet “Doktor në filozofi”. Pasi kthehet në Shqipëri punon si mësues në disa shkolla të mesme e më pas në Institutin e Shkencave, ku ishte ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedegogjik Dyvjecar, gjithashtu si dhe pedagog në Universitetin e Tiranës e në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë”, kanë thënë nga Muzeu Historik Kombëtar.

Nga Muzeu Historik Kombëtar kanë potencuar po ashtu, që Çabej në studimet e tij argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj.

“Veprimtaria shkencore e Eqrem Çabej u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri dhe në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Një rëndësi tepër të madhe ka puna e studimet e tij në problemet dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane dhe me gjuhët ballkanike. Disa nga veprat e tij janë “Hyrje në Indoevropianistikë”, “Studime etimologjike në fushën e shqipes”, “Hyrja në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes”, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, “Meshari” i Gjon Buzukut, etj.

Në studimet e tij Eqerem Çabej argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj. Eqrem Çabej është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit”. Vdiq në Romë më 1980”./KultPlus.com

Muzeu Britanik pranon të paguajë përkthyesin, punën e të cilit e ka përdorur pa leje

Një përkthyes, puna e së cilës u përdor nga Muzeu Britanik pa lejen e saj, pati një fitore këtë javë pasi arriti një marrëveshje me institucionin, pas dy muajsh negociatash dhe fushatash në internet – me pak ndihmë nga fansat e superyjeve të K-pop BTS.

Muzeu u vu nën kritika në qershor pasi raportet dolën se ai kishte përdorur përkthimet e shkrimtarit Yilin Wang, të poezive të shekullit të 19-të nga feministja dhe revolucionare Qiu Jin për ekspozitën e tij “Shekulli i fshehur i Kinës”.

Ajo nuk kishte kontaktuar Wang, e cila është me qendër në Vankuver, ose nuk i ishte ofruar ta paguante për përkthimet dhe ekspozita nuk përfshinte asnjë kredit për punën e saj.

Muzeu më vonë pranoi se i kishte lënë “pa dashje” këto hapa dhe kërkoi falje, duke hequr përkthimet e Wang dhe poezinë origjinale nga ekspozita. Këto veprime acaruan shumë vëzhgues të cilët argumentuan se duhej të kishte ofruar të paguante për përkthimet në vend të kësaj, në vend që ta bënte poezinë të paarritshme për vizitorët e muzeut.

Marrëveshja, e nënshkruar nga Wang dhe muzeu të premten e kaluar, do të rivendosë poezinë dhe përkthimet, këtë herë me kredinë dhe kompensimin e duhur, tha Wang për CNN në një intervistë telefonike. Ajo tha se ky ishte një hap i rëndësishëm në njohjen e punës shpesh të padukshme dhe komplekse të përkthyesve.

“Jam e lodhur, por jam e lehtësuar,” tha ajo. “Isha në gjendje të merrja gjithçka që doja, jam shumë i lumtur për këtë… (por) kam pak zhgënjim për sa kohë zgjati. Do të doja që të mos më duhej të kaloja gjithë këtë … në mënyrë që të trajtoja gjërat.”

Pas stuhisë fillestare në internet në qershor, Wang nuk ishte i kënaqur me përgjigjen e muzeut dhe nisi një mbledhje fondesh në internet për të paguar për përfaqësimin ligjor. Pasoi një derdhje e mbështetjes nga kënde të ndryshme të internetit, nga komunitetet LGBTQ ku ajo ishte pjesë e grupeve akademike, kolegëve të përkthyesve dhe shkrimtarëve, madje edhe grupi superfans i BTS i njohur si ARMY (Përfaqësues i Adhurueshëm MC për të rinjtë) .

Një nga bashkëmoshatarët e Wang kishte punuar për të përkthyer librin zyrtar të BTS, duke e bërë atë të njohur në mesin e komunitetit, i cili ka një histori të gjatë të bashkimit për të mbështetur kauza si mbjellja e pemëve për nder të BTS dhe dhurimi për lëvizje si Black Lives Matter .

Miku përkthyes i Wang përhapi fjalën për mbledhjen e fondeve të saj – dhe ARMY u përgjigj. Fansat “patën një fushatë të tërë për mbledhjen e fondeve në vazhdim … duke e koordinuar dhe rritur atë në mediat sociale”, tha Wang. “Ata vërtet kujdesen për përkthyesit, gjë që unë e vlerësoj shumë.”

“Më tregoi me të vërtetë fuqinë kolektive, pasi komunitetet bashkohen për të kërkuar llogari nga institucionet,” shtoi ajo.

Mbledhja e fondeve nënkuptonte se Wang ishte në gjendje të merrte përfaqësim ligjor. Drejtori i Muzeut Britanik Hartwig Fischer kontaktoi menjëherë pas, tha ajo. Ajo e përshkroi mesazhin e Fischer si falje, duke nisur një muaj tjetër negociatash përpara se të arrinin zgjidhjen përfundimtare.

Sipas kushteve të marrëveshjes, të cilat CNN shikoi një kopje të redaktuar, muzeu do të rivendosë përkthimet e Wang në ekspozitë, me kredi dhe pagesë, deri në fund të kësaj jave. Ai gjithashtu do të krijojë një faqe në qendër të vëmendjes në faqen e internetit të muzeut që paraqet një poezi Qiu Jin dhe do të bëjë një donacion shtesë që përputhet me pagesën e tarifës së licencës për të mbështetur përkthyesit e poezisë kineze.

Dhe, mbase më e rëndësishmja, muzeu ra dakord të krijojë një proces pastrimi për përkthimet deri në fund të vitit – të cilin nuk e kishte më parë, tha Wang.

“Është një hap pozitiv për sa i përket inkurajimit të të gjithë muzeve të tjerë dhe institucioneve të ngjashme për t’u siguruar që ata të kenë gjithashtu një politikë të qartë dhe duke u siguruar që përkthyesit të paguhen dhe të kreditohen siç duhet,” tha Wang.

Në një njoftim për shtyp në fillim të kësaj jave, Muzeu Britanik i kërkoi sërish falje Wang-ut për atë që e përshkroi si një “parashikim”.

“Muzeu aktualisht nuk ka një politikë që adreson në mënyrë specifike zhdoganimin e përkthimeve dhe, si pjesë e rishikimit të tij, do të sigurojë që përkthimet të trajtohen në mënyrë specifike në politikat e tij të zhdoganimeve dhe që përkthyesit të kreditohen siç duhet në të ardhmen,” tha ai.

“Muzeu Britanik e merr seriozisht lejen e të drejtës së autorit dhe njeh rëndësinë e rolit të përkthyesve dhe vlerën e punës së tyre, e cila në shumë raste ndihmon për të çuar më tej kërkimin e muzeut dhe për të zgjeruar aksesin e publikut nëpërmjet ekspozimit,” shtoi ai.

Wang tha se një pjesë e rëndësisë së fitores ishte se do t’u mundësonte më shumë njerëzve të mësonin për Qiu Jin dhe poezinë e saj.

“Ajo ishte një poete feministe queer, puna e së cilës është anashkaluar në përkthim,” tha Wang. “Fillova ta përkthej sepse ndjeja se puna e saj ishte shumë në kohën e duhur dhe dua që ajo të lexohet nga një audiencë më e gjerë… dhe të trajtohet me respektin që meriton.”/cnn/KultPlus.com

Rama: Nëse jeni në Shkodër, vizitoni koleksionin e rrallë fotografik të Dinastisë së Marubëve

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi në qytetin verior të Shkodrës, konsiderohet një pasuri e madhe dhe me shumë vlerë për vendin.

Kryeministri Edi Rama, publikoi sot në rrjete sociale, foto nga ky muze, teksa ftoi vizitorët dhe turistët e huaj, që frekuentojnë Shkodrën në këtë sezon veror, të mos e lënë pa e parë, koleksionin e rrallë fotografik të Dinastisë së Marubëve.

“Nëse jeni në Shkodër, mos e lini pa parë koleksionin e rrallë fotografik të Dinastisë së Marubëve”, shkroi Rama.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, ka në fototekën e saj, fotografi me origjinë italiane. Pietro Marubi hapi studion e parë të fotografisë në Shqipëri, në mesin e shekullit të 19-të, kur vendi ishte nën sundimin osman.

Gjatë tre brezave ai, çiraku i tij Kel dhe djali i Kelit, Gegë, dokumentuan një periudhë magjepsëse të historisë shqiptare, që nga fillimet e lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, përmes luftës Ballkanike dhe Luftës së Dytë Botërore, deri në regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Koleksioni i fotografive të ekspozuara tregojnë bukur të gjitha sferat e jetës – revolucionarë, fermerë, politikanë, muzikantë, fe, shumëllojshmërinë e mahnitshme të veshjeve tradicionale shqiptare, etj./atsh/KultPlus.com

Margariti: Hyrje falas për vizitorët në monumentet dhe sitet arkeologjike

Sitet e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe muzetë e vendit po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.

Kësaj i shërben edhe nisma e Ministrisë së Kulturës që turistët dhe vizitorët të dielave të vizitojnë falas muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjithë vendin.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ftoi sërish sot vizitorët vendas dhe të huaj të mos e humbasin rastin këtë të dielë, për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike, pa biletë.

“Kudo ku jeni duke pushuar, mos e humbisni mundësinë të vizitoni falas muzetë dhe parqet tona arkeologjike. Vizitoni me familjet Butrintin, Apoloninë, Bylisin, por edhe Muzeun ABC apo atë Mesjetar në Korçë, “Marubin” e Muzeun e Krujës. Shijoni trashëgiminë”, ishte apeli i Margaritit në rrjetet sociale.

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj, ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj.

Po ashtu vizitorët mund të zgjedhin midis Muzeut të Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeut Etnografik në Berat, MuzetveArkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeut Etnografik në Sarandë, Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeut Arkeologjik, Tiranë, Muzeut Historik Shkodër etj./atsh/KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar organizon tryezën me temë “Lidershipi, kultura, trashëgimia”

Instituti i Shkencave Humane i Universitetit të Prishtinës dhe Muzeu Historik Kombëtar organizuan sot tryezën e rrumbullakët me temë “Lidershipi, kultura, trashëgimia”. Në këtë takim morrën pjesë studentë dhe nxënës nga vise të ndryshme të Republikës së Maqedonisë të Veriut.

Folësit Entela Çipa, drejtoreshë e Muzeut Historik Kombëtar, prof. ass. dr. Arsim Sinanit, nga Universiteti i Prishtinës, prof. ass. dr. Rudina Mita nga Universiteti Aleksandër Xhuvani i Elbasanit, dr. Fatmir Hoxha, nga Muzeu i Kosovës dhe Andrea Llukani nga Muzeu Historik Kombëtar, theksuan bashkëpunimin e ndërsjelltë që ekziston ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe miqve nga Maqedonia e Veriut.

Në përfundim u vijua me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrrësit./atsh/KultPlus.com

Mbi 30 mijë vizitorë në Muzeun Historik Kombëtar në 6 muaj

Muzeu Historik Kombëtar ka regjistruar një rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve. Nga të dhënat e ofruara prej këtij muzeu, për periudhën janar-qershor 2023, duket se ka pasur 91% më shumë vizitorë në total, krahasur me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

6 mujori i parë i vitit 2023 ka regjistruar 30995 vizitorë, ndërsa një vit më parë shifra arrinte në rreth 16 mijë.

Muzeu Historik Kombëtar është një nga institucionet kulturore më të vizituara nga vendas e të huaj. MHK u përurua në 1981. Ai mbetet institucioni muzeor më i rëndësishëm në vend.

Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendas, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin.

Ndërtesa e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2; ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3. Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Objekte të ekspozuara janë rreth 3100. Pjesa tjetër e objekteve janë në fonde./atsh/KultPlus.com

Muzeu i Divjakës me rreth 4 mijë vizitorë në 6 muaj

Muzeu natyror i Divjakës me koleksionin e tij prej 400 fluturash dhe specie të tjera vijon të tërheqë një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj që prej hapjes së tij dy vjet më parë.

Administratori i guidës turistike Divjakë-Karavasta, si dhe krijuesi i këtij muzeu Altin Hila tha për ATSH-në se “ky muze nga janari deri në fund të qershorit u vizitua nga rreth 4000 vizitorë vendas e të huaj”.

“Ndër vizitorët vendas numrin më të lartë e zënë nxënësit dhe studentët. Por ky park gjithmonë e më shumë po ngjall kureshtjen edhe të shumë biologëve të pasionuar pas natyrës”, tha Hila.

Për krijimin e këtij muzeu Hilës i është dashur mbi 20 vite përkushtim.

“Ky koleksion përveç konservimit, dokumentimit, njohjes së pasurisë së një vendi , synon mbi të gjitha edukimin e brezave te rinj me pasuritë e vendit tonë”, shton Hila.

Në këtë muze unik vizitorët shijojnë botën magjike të fluturave, insekteve, molusqeve dhe të disa specieve të rralla.

Hila tregon se “muzeu është edhe dy herë më i madh, por për arsye të vendit, hapësirës nuk mund t’i ekspozojë. Siç janë shpendët, zvarranikët, butakët, merimangat e shumë të tjera. Sepse hapësira është ambient i vogël i shtëpisë së tij”.

Ai i bën thirrje autoriteteve që ta ndihmojnë në përmirësimin dhe zhvillimin më tej të kësaj pasurie sepse siç shprehet Hila tashmë ky ambient nuk është më as i Altinit, as i Divjakës, por i gjithë Shqipërisë.

Në Divjakë – Karavasta jetojnë 95% e specieve kombëtare. Ky ambient ka vlera kombëtare tashmë duke qenë i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi. Mes specieve të ekspozuara në muze është edhe flutura monarku afrikan ( Danaus Krispus) e cila emigron nga Afrika dhe vjen këtu në Divjake duke u kthyer në atraksion dhe simbol për zonën ashtu si pelikani apo flamingot.

Po ashtu mes molusqeve specieve detare ndodhet edhe midhja me e madhe e ujërave te bregdetit tone Pina nobilis. Kjo specie tashmë është në rrezik zhdukje në shkallë botërore. Po ashtu dhe shumë të tjera që tashme ndodhen në librin e kuq.

Hila thekson se “Divjaka mbetet vendi magjik atraktiv që mund të vizitohet 365 ditë të vitit. Fluksi i vizitoreve është gjithmonë në rritje dhe i pandalshëm. Divjaka ofron gjithçka që i duhet turistëve natyrë, histori, arkeologji, vrojtim zogjsh, faunë, florë, sporte të ndryshme, peshkim, etj”.

Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash.

Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe./atsh/KultPlus.com

Ekspozitë e fotografit rumun Andrei Birsan në muzeun “Shtëpia me gjethe”

Në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” u hap ekpozita fotografike me titull “1989-Para dhe Pas. Rishikimi i qytetit”.

Ekspozita vjen nga Muzeu i Bashkisë së Bukureshtit dhe mban për autor fotografin Andrei Birsan. Imazhet e kapura prej tij janë një dëshmi e ndryshimeve që ka pësuar qyteti ku ai jeton, që prej regjimit komunist e deri më sot. Sfida e artistit është të kapë detaje të ndryshimit përmes përvojës së një të mbijetuari apo një dëshmitari që i ruajti këto ndryshime në kujtesën e tij fotografike. Autori bashkangjit momente të jetës së tij, me kujtesën kolektive. Fotot ballafaqojnë nostalgjinë për regjimin e dikurshëm i cili ofronte paqe në këmbim të nënshtrimit, më të rinjtë që atë periudhë e shohin si rrënim sentimental.

Andrei Birsan thotë përmes ekspozitës së tij se ekziston dhe një grupim i tretë: ata që nuk e njohën kurrë të shkuarën dhe lindën pas një pragu historik. Ata jetojnë vetëm me realitetet e reja duke lënë të hapur shtegun e rrezikshëm të kthimit prapa.

Ekspozita ofron dhe imazhe të ndryshimit rrënjësor të përditshmërisë urbane të 30 viteve të fundit, me të njëjtat vende por me një notë ndryshe të sjelljes kolektive.

Nga ekspozita e fotografit rumun Andrei Birsan, fotot Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com

Përurohet mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë

Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, i cili iu nënshtrua restaurimit, u përurua sot në një ceremoni të veçantë në sheshin “Skënderbej”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në ceremoninë e përurimit tha se, “është emocionuese që ia dolëm kësaj dite, që përtej vështirësive të orëve të para pas tërmetit, u kthye për të gjithë ne në një motivim pune, shprese, për të arritur këtu ku jemi, për të rimëkëmbur atë çfarë është e bukura jonë shqiptare, por mbi të gjitha për t’i ridhuruar Tiranës një kartëvizitë të vërtetë, siç është mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar”.

Margariti u shpreh se, nuk do t’ia kishte dalë dot e vetme, pasi theksoi ajo, “është patjetër falë edhe mbështetjes së skuadrës së madhe të Ministrisë së Kulturës, që në asnjë moment nuk hezitoi që të hartonte me qindra projekte objektesh të dëmtuara”.

Ajo dha një falënderim të veçantë edhe për ambasadorin Soreca, i cili theksoi Margariti, “besoi që në fillim dhe na shtriu dorën e bashkëpunimit dhe gjithë ambasadorët e pranishëm këtu që kanë qenë prezentë, jo vetëm në rastet e vështira, por sa herë që kemi pasur për të celebruar atë çfarë na lidh bashkë, që është e bukura”.

“Faleminderit edhe ambasadores Hohmann që e mori stafetën në një moment të vështirë, kur dukej se kantieret e restaurimit ishin futur në problematikat e mëdha, por së bashku ia dolëm të arrijmë në këtë ditë”, u shpreh Margariti.

Ministrja Margariti theksoi se restaurimi i mozaikut ka qenë punë e gjatë dhe e vështirë.

“Të restaurosh një mozaik, të vendosësh ca teserina mund të dukej si një rrugë e lehtë, por nuk ka qenë e tillë. Më vjen mirë që kemi bashkëpunuar me të njëjtën fabrikë, e cila në vitet ’80 ka realizuar këto teserina dhe ndodhet në Venecia. Me habinë e madhe të tyre panë se si kishim ruajtur në magazinat tona këtë numër të lartë të teserinave dhe sot i riprodhoi me të njëjtën cilësi si atëherë, për të bërë këtë kartëvizitë që është shumë simbolike”, tha Margariti.

Margariti bëri të ditur se, shumë shpejt do të nisë projekti i madh për restaurimin e plotë të Muzeut Historik Kombëtar.

Ndërsa ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann në fjalën e saj falënderoi të gjithë ata që kanë punuar për restaurimin e mozaikut.

“Jnë vërtet artistë, të cilët me të gjitha aftësitë e tyre, me artin e tyre kanë bërë një punë të mrekullueshme. Kanë mësuar edhe studentët, duke i përçuar këto aftësi tek të rinjtë. Falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë ekipin e UNOPS, nuk mund t’ia kishim dalë pa ju”, tha Hohmann.

Ambasadorja Hohmann u shpreh se, “ju dëgjuat që bëhet fjalë për 123 tonalitete ngjyrash që janë përdorur për të gjithë pjesëzat që bëjnë mozaikun. Mendoni sa aftësi janë përdorur këtu dhe të gjitha këto do vazhdojnë të përdoren edhe në të ardhmen”.

“Janë të gjitha këto aftësi, të cilat përbëjnë çdo pjesë të këtij mozaiku, jo vetëm këtij që kemi këtu, por edhe të jetës sonë. Janë këto aftësi, të cilat do të përdoren edhe në të ardhmen, për t’i bërë ballë çdo vështirësie që do të vijë edhe në sferën ekonomike. Kemi gjithë këtë larmi aftësish dhe pikërisht kjo është edhe motoja e BE-së, të bashkuar në diversitet, në këtë larmi, që ne ofrojmë dhe këtë dëshirojmë që të bëjë Shqipëria kur të bëhet shtet anëtar i BE-së”, tha Hohmann.

Projekti madhor i restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar u mundësua falë programit “EU4Culture”.

Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, sipas shënimeve, është një mozaik gjigant me dimensione 10 me 40 metra, i cili zotëron sheshin “Skënderbej”. Vepra e shtrirë në 400 metra katrorë u finalizua më 1981.

Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve dhe shigjetarëve ilirë dhe shqiptarëve të luftës antiosmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas pesë figura simbolizojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare./atsh/KultPlus.com