Në muzeun arkeologjik të Durrësit kohët e fundit është restauruar një enë me përmasa të mëdha krejtësisht e veçantë për transportin detar të verës.
Bashkë me rëndësinë historike të trashëgimisë kulturore “dolium”, siç emërtohet ena në latinisht, dëshmon për herë të parë se në portin e Durrësit 1800 vjet më parë përpunoheshin anije për tregtinë e verës së hapur, që lundronin në itinerarin mes Durrësit dhe porteve të tjerë në Francë, Spanjë dhe Itali.
Grupi i restauratorëve nën drejtimin e arkeologut nënujor Adrian Anastasi, i cili zbuloi reliktin e anijes së mbytur jo shumë larg brigjeve të qytetit, punoi më shumë se një vit, fillimisht për shkripëzimin dhe më pas për konsolidimin e 296 pjesëve të enës, që u gjet e copëtuar nën det.
Anijet e specializuara të këtij lloji për transportin e verës së hapur janë quajtur edhe “anije çisterna” – tha Dr. Adrian Anastasi për Autoritetin Portual Durrës. Në pjesën qendrore të hambareve të tyre ato kishin të sistemuara enë të përmasave të mëdha, “doli”, me një kapacitet mbajtës prej 2.000 litra secila. Bashkë me to, në pjesët e lira të hambarit, kryesisht në kiç dhe në bash sistemoheshin edhe amfora të zakonshme. Këto tipologji anijesh kërkonin edhe porte të specializuar për ngarkimin dhe shkarkimin e tyre.
“Relikti i zbuluar dëshmon që porti i Dyrrahut i kishte këto struktura përpunuese, pra ishte në kuptimin e plotë një port i rëndësishëm”, -thekson dr. Adrian Anastasi, punonjës shkencor në Institutin e Arkeologjisë. /KultPlus.com
Dikur simboli i një regjimi totalitar shtypës, godinës që i ngjan një piramide në qendër të kryeqytetit shqiptar, Tiranë, është duke iu dhënë një jetë e re si qendër e teknologjisë, shkruan ZDNet, faqja e njohur amerikane e informimit për teknologjinë e biznesit, që botohet nga CBS Interactive dhe ka të paktën 36 milionë klikime në muaj.
”Historia e Piramidës së Tiranës fillon në vitin 1980 kur godina u dizajnua për të kujtuar jetën e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha. Lideri komunist drejtoi vendin nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985 duke futur vendin në një izolim të thellë nga pjesa tjetër e botës. Shumë shpejt, pas vdekjes së tij, një grup arkitektësh, të drejtuar nga vajza e Hoxhës, Pranvera dhe bashkëshorti i saj Klement Kolaneci, dizajnuan strukturën e Piramidës.
Godina u hap në vitin 1988 si muzeu ”Enver Hoxha”. Në atë kohë përshkruhej si struktura më e shtrenjtë e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Megjithatë, qëllimi i saj për të nderuar diktatorin e Shqipërisë pati një jetë të shkurtër. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, Piramida u shndërrua në një qendër kulturore duke nderuar Pjetër Arbnorin, një i mbijetuar nga kampet shqiptare dhe viktimë e regjimit. Gjatë viteve ’90, Piramida u bë gjithashtu pika më e nxehtë në Tiranë për jetën e natës dhe një vend ku të rinjtë shqiptarë mblidheshin dhe luanin gjatë verës.
”Ajo është një godinë ikonike në Tiranë, që më kujton fëmijërinë. Ngjiteshim dhe luanim atje”, thotë Oliana Sula, studiuese në universitetin ”Aleksandër Moisiu” në Durrës. ”Dikur atje kishte disa klube nate gjithashtu, veçanërisht kur isha adoleshente. Ekziston një farë nostalgjie për këtë godinë dhe kjo nuk vjen domosdoshmërish për shkak të qëllimeve të saj origjinale”, vazhdon ajo. Në vitin 2011, qeveria shqiptare, që në atë kohë drejtohej nga ish-kryeministri Sali Berisha, donte ta shkatërronte godinën dhe të ngrinte godinën e re të Parlamentit.
Megjithatë, plani i Berishës dështoi në vitin 2013, kur nuk mori miratimin nga qeveria e re, e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama. Gjatë 11 viteve si kryebashkiak i Tiranës, Rama, që ka gjithashtu një formim në arte, rigjallëroi fasadat e qytet me punime artistike dhe duke pikturuar godinat gri të epokës komuniste. Tani, Rama dhe kryebashkiaku aktual i Tiranës, Erion Veliaj, janë mbështetësit kryesorë të transformimit të Piramidës, që do të shndërrohet në një qendër të teknologjisë dixhitale dhe informatikës. Projekti zbatohet nga kompania me seli në Holandë, MVRDV, që parashikon të përfundojë transformimin e ndërtesës këtë vit. “Projekti ka për qëllim t’ia kthejë ndërtesën publikut. Kati i parë është hapur në të gjitha anët duke ftuar publikun të marrë pjesë në programet e tij të ndryshme arsimore”, thotë kompania në përshkrimin për projektin.
Me funksionin e saj të ri, Piramida gjithashtu mishëron tranzicionin që shoqëria shqiptare ka kaluar që nga rënia e komunizmit. Me zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe arsimit në këtë fushë autoritetet shqiptare janë fokusuar në zhvillimin e vërtetë ekonomik dhe social. “Ndoshta Piramida është një simbol i tranzicionit. Fillimisht, ajo lartësoi një diktator, më pas u shndërrua në një vend për aktivitete gjatë kohës së lire. Tani, po ecim drejt zhvillimit real, ekonomik dhe social”, thotë Sula. Piramida gjithashtu do të ketë një qendër për teknologjitë krijuese (TUMO), e cila do të ofrojë një lloj të ri të arsimit falas për rininë shqiptare bazuar në teknologjinë dhe dizajnin. Sipas TUMO-s, një qendër edukative për median dixhitale me qendër në Armeni, dega e saj në Tiranë synon të ofrojë për mijëra fëmijë shqiptarë kurse dhe leksione në fusha të ndryshme digjitale, si zhvillimi i lojërave dhe web design./kohajone/ KultPlus.com
Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare, si pjesë e trashëgimisë kulturore e cila tregon dhe njëherë në sytë e turistëve se fetë në Shqipëri jetojnë në harmoni, po merr vëmendje çdo ditë e më shumë.
Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja për të treguar si vlerën, edhe historinë që ato mbartin.
Së fundmi ka filluar procesi i konsolidimit dhe restaurimit të ikonës “Krishti Pantokrator” në laboratorin e restaurimit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.
Ikona e shek. XVII me vlera të rralla artistike, ka qenë pjesë e ansamblit të ikonostasit të kishës “Shën Kristofori” në Polenë të Korçës.
Elementët stilistikë që dolën në pah pas restaurimit tregojnë se ikona duhet t’i përkasë shek. XVII. Ajo duhet të jetë punuar në një nga atelietë e rëndësishme të zonës së Korçës./ATSH/KultPlus.com
Festivali i Muzikës së Vjetër “Vox Baroque” i cili i kushtohet tërësisht repertorit barok rikthehet në edicionin e 6-të në oborrin e muzeut Etnografik në Berat.
Koncerti “Vox Baroque” vjen për publikun beratas në datat 6 – 15 korrik me repertor tërësisht të kompozitorëve më përfaqësues të barokut europian, luajtur me instrument origjinalë të kohës nga Jonatans Montero, Jung Kim dhe Jusuf Beshiri.
Synimi i këtij festivali është të përhapë muzikën baroke të luajtur me instrumente origjinalë, në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe.
I konceptuar të ndikojë njëherësh në zhvillimin rajonal, nëpërmjet edukimit muzikor, por edhe të kthehet në një nxitës të politikave drejt zhvillimit të turizmit kulturor, duke kthyer vëmendjen dhe interesin në disa nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në edicionin e parë, ky festival solli risi në zhanrin e muzikës, duke trajtuar muzikën e vjetër dhe stilin barok në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, konsideruar si qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. /a.a/
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, në Muzeun Etnografik
të Gjakovës u mbajt takimi i parë ndërmuzeal ku u reflektua mbi “Gjendjen
aktuale të muzeve në Kosovë”.
Roli i muzeve në shoqëri po ndryshon. Muzetë vazhdojnë të
reinventojnë veten në kërkimin e tyre për t’u bërë më interaktiv, me fokus në
audiencë dhe me orientim nga komuniteti. Në kuadër të kësaj feste muzetë
lokale të Kosovës morën një iniciativë tjetër duke e mbajtur takimin e parë
ndërmuzeal në Kosovë që u organizua nga Muzeu Etnografik i Gjakovës
së bashku me Muzeun e Qytetit të Mitrovicës, si hapë i parë i komunikimit
të ndërsjellë të kësaj veprimtarie në Kosovë.
Në këtë takim morën pjesë: Muzeu i Pejës, Muzeu i Ferizajit, Muzeu i Vushtrrisë, Muzeu i Istogut, Muzeu i Dragashit, Muzeu i Qytetit të Mitrovicës dhe si nikoqir Muzetë e Gjakovës, po ashtu këtë iniciativë e përkrahën Muzeu i Prizrenit, Muzeu i Gjilanit, Muzeu i Deçanit dhe Muzeu i Skenderajit.
Pas një përshëndetje
mirëseardhjeje nga nikoqiri Drejtori i Muzeut Etnografik të Gjakovës, Besmir
Hasi i cili shtoj se “Është pritë një iniciativë e tillë të organizohet nga
Muzeu Kombëtar i Kosovës, ose edhe nga vet Ministria për Kulturë, Rini e Sport
e Kosovës, por duke u konfrontuar më vështirësi të ndryshme në veprimtarinë
tonë muzeale, e kemi pa të udhës të fillojmë një takim ndërmuzealë si reflektim
i gjendjes muzeale të Kosovës si dhe mundësi për të shqyrtuar hapat e
mëtutjeshëm të krijimi të një bashkëpunimi më të thuktë e produktiv
ndërmuzeal” Në fjalimin hyrës i përshëndeti të pranishmit edhe
bashkorganizatorja Etnologe nga Muzeu i Qyteti të Mitrovicës Nora Prekazi Hoti,
e cila elaboroi për iniciativën e këtij takimi që filloi kur dy
institucionet në fjalë u takuan në Selanik të Greqisë në konferencën e Rrjetit
të Muzeve Ballkanik “Meet See Do” ajo shtoi se “ Ky takim erdhi si nevojë
që ti njohim muzetë tona, me shpresë që në takimet në vijim të kemi mundësi për
shkëmbim përvojash, për agjenda të përbashkëta si dhe komunikim të ndërsjellët
ndërmuzeal”.
Debati u vazhdua për dy orë ku
u trajtuan tematika muzeale si vështirësitë e punës, mungesa e ligjit për muze,
mungesa e objekteve adekuate për muze, mungesa e stafeve profesionale, mungesa
e promocionit si dhe agjendave të përbashkëta muzeale. Po ashtu u elaborua
vullneti dhe gatishmëria për të zhvilluar tutje këtë veprimtari si dhe
zhvillimin e mëtejmë të lidhjes ndërmuzeale në Kosovë.
Drejtori i Muzeut të Mitrovicës
Hajrullah Mustafa shtoi se “Muzetë duhet të trajtohen sipas territori të
kompetencave dhe që mund të jenë: Muze Nacional, Regjional dhe Komunal, ai po
ashtu sugjeroi se Muzeu i Qytetit të Mitrovicës i cili tanimë feston 67 vjetori
e veprimtarisë dhe si muze i dytë me i pasuri në Kosovë, se ligjërisht
nuk do të duhet të trajtohej njëjtë me muzetë e krijuar rishtazi”
Drejtuesi i Muzeut të Ferizajit Ilir Bytyqi “ Sa i përket problematikave të veprimtarisë muzeale, pothuajse të gjithë muzetë prezentë ballafaqohen me sfida të njëjta, Muzeu i Ferizajit është muze i ri, i cili u themelua në vitin 2011. Si muze një ndër sfidat më të mëdha i kemi mungesën e objektit adekuat si dhe mungesa e stafit profesional, promocionin etj. Duhet të shtoi se me sa po e shoh, vullneti i mirë kolegial dhe profesional e mbanë të gjallë veprimtarinë muzeale në Kosovë”. Si rrjedhë e bisedës u pasua nga Drejtoresha e Muzeut të Vushtrrisë Shkurane Begu që tregoj rreth historikut të themelimit të Muzeut të Vushtrrisë dhe ajo theksoi se “Një ndër sfidat kryesore të muzeve të ri në Kosovë, është mungesa e ligjit që do e specifikonte blerjen e eksponateve, si fokus akut i krijimit të koleksioneve të muzeve të reja, theksoj Begu, duke e pasur parasysh se kemi konkurrencë të me veprimtaritë komerciale si hoteleritë të cilët kanë mundësi të blejë artefakte që u mungojnë muzeve për shkak të mos fondeve”. Kjo iniciativë u prit me shumë kërshëri nga udhëheqësit muzeal si dhe u pa si takim i domosdoshëm. Nga ky takim dolën disa rekomandime, me ç’rast u përcaktua takimi i radhës që do të mbahet në javën e fundit të shtatorit të viti 2019 në Muzeun e Qyteti të Mitrovicës. Si dhe u pa shumë e nevojshme të kërkohet takim me Mistrinë për Kulturë, Rini e Sport për ti kumtuar rekomandimet e dala nga ky takim, thuhet në komunikatë / KultPlus.com
Koleksionistja e kostumeve popullore shqiptare Linda Spahiu e sheh si shqetësim mungesën e një muzeu etnografik në Tiranë. Spahiu thotë se pasuria e kostumeve popullore shqiptare është e jashtëzakonshme, ndaj kjo pasuri ka nevojë të ruhet e transmetohet ndër breza.
Bukuria e kostumeve popullore shqiptare prej vitesh e ka
rrëmbyer pediatren Linda Spahiu. Përmes një mini ekspozite ajo prezantoi
disa artefakte të pakonestueshme në muzeun Historik Kombëtar.
Për koleksionisten rikthimi tek rrënjet është po aq i
domosdoshëm sa edhe shëndeti. Ruajtja e kësaj trashëgimie të çmuar ndër breza
është mision më vete dhe domosdoshmëri për vijimësi.
Mungesa e një muzeu etnografik prej vitesh është një problem
i madh sipas saj, pasi as turistët nuk kanë mundësi që të njihen me këtë
pasuri të paçmuar të popullit tonë.
Linda Spahiu rendit si kryeartefaktin me të veçantë
xhubletën, e cila daton rreth 4000 mijë vjetë më parë. Sipas saj ky
artefakt i rrallë duhet të jetë pjesë e trashëgimisë nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Disa prej kostumeve popullore shqiptare u prezantuan për disa orë në Muzeun Historik Kombëtar. /ABC News Albania/KultPlus.com
Muzeu do të prezantojë për publikun vendas e të huaj një pjesë të historisë së Kadaresë apartamenti ku punoi dhe jetoi njeriu i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare shumë shpejt do të hapet si muze për t’u vizituar nga qytetarët e Tiranës dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin.
Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me arkitekten e njohur Elisabetta Terragni ka restauruar të gjithë apartamentin për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh në Rrugën e Dibrës. Me vendimin e sotëm në Këshillin Bashkiak i hapet rruga kthimit në muze.
“I shërben përveç tërheqjes së sa më shumë turistëve dhe zgjatjes së qëndrimit të tyre. Ismalili është produkti më i njohur “Made in Albania”. Krijohet një stacion tjetër në Tiranë jo vetëm Sheshi, liqeni, pazairi i ri, kalaja, galeria, tani shtohet edhe Shtëpia Kadare dhe më vjen shumë mirë që disa ditë më pas do kemi mundësi që dhe ta hapim”, tha Veliaj.
Muzeu do të prezantojë për publikun vendës e të huaj një pjesë të historisë dhe kulturës materiale dhe shpirtërore të periudhës totalitare përmes pasqyrimit të mënyrës së jetesës së shkrimtarit. Brenda apartamentit ekspozimi ndahet në mënyrë të qartë midis studios me dokumente origjinale, objekte, libra dhe mobilie dhe pjesës tjetër të banesës, ku merren njohuri për veprën e shkrimtarit dhe përfshihet këndi i leximit dhe ai SAL (suvenire, art dhe libra).
Me hapjen e një destinacioni me interes letrar e kulturor në krah të sheshit “Skënderbej”, bashkia synon të tërheqë tregun ndërkombëtar turistik, krijon një vlerë të shtuar për kryeqytetin, rrit numrin e turistëve si dhe edukon të rinjtë me veprat letrare të autorit me famë ndërkombëtare. Pjesë e projektit të bashkisë është edhe shtëpia e Dritëro Agollit, që gjendet një kat më lart në ndërtesën e famshme të para viteve ’90, të njohur edhe si “pallati me kube” dhe që mbart një histori më vete. /oranews
Hip-hopi do të ketë muzeun e vet në New York. Lajmin e bëri të ditur reperi amerikan Kurtis Blow, i cili theksoi se do të hapet në Bronx, aty dhe ku lindi ky zhanër muzikor. “Universal Hip-Hop Museum” pritet të hapet në vitin 2023.
“Do të jetë një pjesë fantastike e historisë për këtë kulturë. Pasuria ime do të ketë një seli ku të gjithë mund të vijnë ta shikojnë nga afër”, -tha Blow.
Blow ka qenë i pari reper që pati një sukses komercial dhe i pari që ka firmosur një kontratë diskografike me një kompani ndërkombëtare. “The Breaks”, pjesë e albumit të vitit 1980 “Kurtis Blow”, u bë e para këngë rep e certifikuar me disk të artë në muzikën hip hop.
Rrënjët e hip-hopit mund të jenë në vitin 1973 dhe prej atëherë hip-hop e repi janë një industri miliardere dhe tërësisht të pranuara në kulturën tradicionale, si amerikane dhe në atë botërore. / KultPlus.com
Më shumë se 100 vjet pas hapjes së tij, muzeu “Terra Sancta” është rihapur në Jerusalem, me eksponate të reja dhe moderne, që i rrëfejnë jetën dhe periudhën në të cilën jetoi Jezusi.
Është mbase befasuese që kjo paraqet herën e parë që një Muze izraelit ka ndërmarrë një ekspozitë moderne për jetën në Tokën e Shenjtë, në Jerusalemin e periudhës së Tempullit të dytë, shkruan sot Koha Ditore. Muzeu, që ishte hapur për herë të parë më 1902, ka një vendndodhje fantastike.
Ai është vendosur brenda Kishës Françeskane të Fshikullimit, në cepin lindor të Qytetit të Vjetër, shumë afër Portës së Luanit.Në bazë të traditës së krishterë, ky vend është quajtur ashtu, pasi që thuhet se pikërisht aty ushtarët romakë e kishin fshikulluar Jezusin. Është kjo vendndalja e dytë në Via Dolorosa, shtegun që besohet ta ketë marrë Jezusi derisa po e bartte kryqin në vendin e kryqëzimit të tij./ KultPlus.com
Me fillimin e sezonit të verës, turizmi lëviz me hapa shumë më të shpejtë. Kështu, në Shkodër shumë turist nga anë e kënd botës kanë ardhur për të vizituar qytetin dhe për t’u njohur me historinë e tij. Vitet e fundit, forma më e pëlqyer e kësaj njohjeje është nëpërmjet fotografisë.
Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, i vendosur në qendër të Shkodrës aty ku dikur ishte Banka, është kthyer në atraksionin kryesor për turistët e huaj dhe vendas. Nëpërmjet fotografive, ata shohin se Shqipëria nuk ishte vërtetë aq e prapambetur sa thuhet dhe se në të ekzistonte një kulturë e dëshmuar prej asaj fotografike.
Në ndarje të ndryshme të muzeut ka vajtime çka tregon një kulturë gjamash me baza pagane; ka dasma çka tregon një kulturë dashmash; ka pagëzime, meshë dhe falje të namazit.
Martesë, fotografi nga Gegë Marubi. Mungojnë të dhënat për këtë foto.
Funerali i Ferit Frashërit
Gjithashtu ka edhe familje të fisshme, fisshmëria dhe aristokracia e të cilëve shfaqet në gjithë aparencësn, duke nisur me veshjen, mënyrën e rregullimit të flokëve apo të kapeles e duke përfunduar me mënyrën se si i qëndrojnë, plot elegancë.
Lin Luka me grua, ditën e dasmës… Sikruse shihet, burri është në këmbë, ndërsa gruaja, ulur. Diçka e rrallë për kohën…
Edhe fotografitë e objekteve të dikurshme dëshmojnë për një arkitekturë unike të qytetit të Shkodrës, me ndikime të forta nga ajo italiane dhe austro – hungareze.
Katedralja e Shën Shtjefnit “në profil”.
Marubët qenë ato që ndoqën çdo ngjarje historike, prandaj fotografitë e tyre tregojnë pavarësinë, monarkinë, ardhjen e nazizmit, fashizmit, komunizmit dhe manifestimet e tyre.
Festime me rastin e Shpalljes së Pavarësisë, Shkodër.
Leximi i dekretit të shpalljes së Monarkisë në ballkonin e prefekturës së Shkodrës.
Dhe të huajt, në këtë muze, me anë të fotove që mbushin muret e tij njihen shumë mirë me gjithçka duan të dinë e të njohin për Shkodrën dhe Shqipërinë./KultPlus.com
Muzeu arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, gjatë muajve janar-qershor të këtij viti është vizituar nga 5386 turistë vendas e të huaj.
Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, muzeu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve sidomos atyre të huaj, ku në 6 muajt e parë të vitit është vizituar nga 2414 të huaj dhe 936 nga vendi.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bën të ditur për ATSH-në se “vizitorët e huaj kanë qenë nga shtete të ndryshme si USA, Gjermania, Anglia, Polonia, Suedia, Franca, Italia, Kina, etj”.
“Falë një bashkëpunim të ngushtë me agjencitë turistike vendase dhe të huaja, kemi bërë të mundur mirë koordinimin për një mbarëvajtje sa më të mirë të vizitës në objektet e trashëgimisë kulturore të Durrësit”, shprehet DRKK, Durrës.
Guidës së qytetit të Durrësit këtë vit i është shtuar dhe monumenti Banka Kombëtare Tregtare (Durrës), si dhe është dërguar për propozim për shpallje monument kulture Katedralja e Shën Luçisë në qytetin e Durrësit.
Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë, përcjell ata.
Objektet e para qenë vendosur në një vilë 2-katëshe, që njëlloj si godina e muzeut të ri ndodhej në shëtitoren “Taulantia”. Një emër që kujton banorët ilirë të cilët u bënë bërthama e qytetit, që fillimisht u thirr Epidamn e Dyrrah e në kohët e vona Durrës, ashtu siç e quajmë edhe ne tani.
Ndërtesa e muzeut të parë arkeologjik rrethohej nga dy oborre të mëdha, me dy portikë krejtësisht origjinalë.
Perimetrin e oborrit të parë e zbukuronte portiku i Xhamisë së Kavajës, që pas viteve 1990 u rikthye në qytetin ku ishte marrë 25 vjet më parë, ndërsa streha me monumente e oborrit tjetër mbante në mes një nga lulishtet më të bukura të qytetit tonë. Një shembull për tu admiruar.
Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij.
Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.
Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës. / KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me Fonacionin “Ibrahim Kodra”, me qëllim të themelimit, zhvillimit dhe promovimit të muzeut të artistit Ibrahim Kodra.
“Komuna do të angazhohet për ta kthyer objektin e ish-Bibliotekës Hivzi Sulejmani në hapësirë kulturore për shfrytëzim si ekspozitë afatgjatë e koleksionit të artistit në fjalë. Do të bëhet projektimi dhe do të kryhen punimet e nevojshme ashtu që objekti të jetë i përshtatshëm për nevoja të muzeut. Gjithashtu, Komuna do të caktojë kryesuesin e bordit nismëtar për themelimin e muzeut (bord që do të ketë edhe nga 2 anëtarë nga të dyja palët), si dhe do të ndihmojnë organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike”, thuhet në njoftim.
Fondacioni “Ibrahim Kodra” do t’i ofrojë për shfrytëzim pikturat origjinale të autorit për 30 vite, me mundësi vazhdimi, si dhe do të krijojë program edukativ për artin figurativ për fëmijët dhe të rinjtë të cilin do ta ketë në dispozicion muzeu.
Palët në këtë memorandum janë pajtuar që muzeu “Ibrahim Kodra” të menaxhohet nga Muzeu i Prishtinës./ KultPlus.com
Qyteti me vlera i Beratit që prej ditës së sotme ka një institucion të ri kulture, një muze që sjell në vëmendje një memorie shekullore të bashkëjetesës, bashkëpunimit dhe solidaritetit mes beratasve dhe komunitetit hebre në këtë qytet. Studiuesi beratas, Simon Vrusho nëpërmjet fotove, dokumenteve, evidentimit të familjeve beratase, sjellë për herë të parë për publikun dhe vizitorët një muze që rrëfen një hapësirë kohore 500 vjeçare, nga viti 1520, kur në këtë qytet u vendosën 25 familjet e para hebreje që përbënin një lagje të quajtur “Mëhalla e Çifutëve”.
I hapur nga studiuesi Vrusho në rrugën që të çon për në Kalanë e qytetit, muzeu nëpërmjet fotove, dokumenteve të kohës ndalet tek shpëtimi dhe strehimi i mbi 600 hebrenjëve në kohën e Holokausit.
Ditën e sotme drejtues institucionesh vendore, pasardhës të familjeve që strehuan hebrenjtë, mësues dhe nxënës shkollash ishin pjesë e hapjes zyrtare të kësaj foto galerie muzeu me përmbajtje hebraike, ku ishte prezent dhe Rabini i Shqipërisë Yisorel Finman, drejtor Ekzekutiv i Rabinatit të Shqipërisë.
“Ky Muze, i pari i llojit të vet, është i pari në Berat dhe në hapësirën mbarëshqiptare që evokon praninë hebraike 500-vjeçare, me fokus të veçantë Luftën II Botërore, Kohën e Holokaustit, kur në Berat u strehuan dhe u shpëtuan mbi 600 hebrenj, një pasaportë bese dhe humanizmi shqiptar, me të cilën i kemi të hapura të gjitha rrugët e ndjeshmërisë njerëzore, duke qenë në harmoni me njeriun dhe Zotin”, tha në fjalën e tij studiuesi Vrusho.
Ndërsa, duke e konsideruar si mjaft të rëndësishëm kontributin e familjeve beratase në shpëtimin e Hebrenjëve, Rabini Yisroel Finman, u shpreh në fjalën e tij se “Ju keni një vlerë të madhe, besën që duhet ta promovoni”, ndërkohë që kujtoj fjalën e dhënë nga kryeministri Rama për ndërtimin e Qendrës Hebraike në Tiranë.
Përshëndetje për hapjen e këtij muzeu solli dhe nënkryetarja e bashkisë, Teuta Muçogllava./ KultPlus.com
Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, përmes një njoftimi në profilin e tij në Facebook, ka thënë se Prishtina brenda këtij viti do të bëhet me Muzeun që do të mbajë emrin e artistit të njohur “Ibrahim Kodra”.
“Është kënaqësi që sot në 100 vjetorin e lindjes së mjeshtrit të artit Ibrahim Kodra, mund të jap njoftimin në emër të Komunës së Prishtinës se brenda vitit do ta kemi të gatshëm Muzeun Ibrahim Kodra në Prishtinë”, ka shkruar Rugova.
“Brenda javëve e nënshkruajmë marrëveshjen për nisjen e punimeve të Muzeut Ibrahim Kodra në Prishtinë. Tashmë jemi dakorduar me planin edhe me Fondacionin Kodra në Lugano, për bartjen e koleksionit të tyre në ekspozim permanent në Prishtinë”, ka thënë ai.
Ibrahim Kodra (1918-2006) është ndër piktorët më të njohur shqiptar të viteve 50, 60 dhe 70. Kubist dhe post-kubist që ka ekspozuar edhe me Picasson në Paris.
(Në foto piktura me titull “Konformistët”, vaj në pëlhurë, 50 x 60 cm, 1968).
Si pasojë e erërave të fuqishme në territorin e Komunës së Malishevës, janë shkaktuar disa dëme, sidomos në kulme. Më së keqi e ka pësuar muzeu i qytetit, ku rreth orës 10:10, era e fortë e hequr komplet kulmin e ndërtesës, njofton kumtesa komunale.
Për fat, nuk ka të lënduar, edhe pse në atë moment ka pasur kalimtarë të rastit përreth muzeut.
Të gjitha ekipet e sigurisë dhe të emergjencave, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me eliminimin e këtij dëmi dhe krijimin e sigurisë për qytetarë. Dëmi është i konsiderueshëm. Masa të menjëhershme ka marrë edhe komuna.
Dëme më të vogla mund të shihen edhe në kulmet e ndërtesave tjera në qytet./ KultPlus.com
Ngjyrat e ngrohta dhe penelat e freskët në teknikën e akaurelit të piktorit të famshëm shqiptar, Helidon Haliti, janë duke u shfaqur në një ekspozitë në Kinë. Së bashku me një prej akuarelistëve të famshëm kinez, Xiaocheng Li, piktori shqiptar ka ekspozuar punët në Muzeun e Shantosë, një nga më të famshmit në Kinë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 20 shtator.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite, Helidon Haliti shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes dhe theksoi se akuareli është një gjuhë ndërkombëtare. “Unë vizitova qytetin e bukur të Shantosë ku kam takuar artistë të mëdhenj dhe shokë të mirë, duke prekur nga afër në këtë mënyrë një kulturë të madhe. Shpresoj që kjo ekspozitë mund t’i shtojë ngjyra marrëdhënies kulturore dhe shkëmbimit midis dy shteteve. Ndihem shumë i emocionuar. Faleminderit Zhou Tianya dhe Li Xiaocheng për këtë ekspozitë të mrekullueshme. Arti i akuarelit është një gjuhë ndërkombëtare. Faleminderit për mikpritjen dhe organizimin e shkëlqyer. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që do të jeni së shpejti edhe në Shqipëri”, tha Haliti gjatë ceremonisë së hapjes.
Artisti i njohur shqiptar ka ekspozuar punët e tij së bashku me mjeshtrin e akuarelit Li Xiaocheng , i cili është anëtar i Artistëve të Kinës, zëvendës drejtor i Këshillit Artistik të Akuarelit në Guangdong dhe dekani i Akademisë së Akuarelit të Chaoshan. Kjo është një ekspozitë, e cila pas ekspozimit në Kinë do të jetë e hapur në Shqipëri, në kryeqytetin e saj Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar, nga data 20 deri 25 tetor 2017.
Ekspozita do të kurohet nga mjeshtri i madh i akuarelit, Zhou Tainya, i cili është një kurator dhe autor i mirënjohur, botues librash dhe i cili ka organizuar me sukses shumë evente ndërkombëtare në Kinë, duke përfshirë Bienalen Ndërkombëtare të Akuarelit në Shenzhen dhe Sallonin Ndërkombëtar të Akuarelit në Qingdao./ KultPlus.com