Sot, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
“Është kënaqësi e veçantë për ne, që sot në prag të përurimit të ekspozitës ‘Jeta përmes kujtimeve’ dhe të promovimit të librit ‘Familjet katolike shqiptare në Shkup’ të autorëve: Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko po nënshkruajmë këtë Memorandum Mirëkuptimi për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, që do të pasohet me nënshkrimin e një Marrëveshjeje të Përbashkët më datën 14 tetor 2018, ku jemi të ftuar për çeljen e ekspozitës ‘Unë jam shqiptar’ në Shkup. Unë besoj se aktivitete të tilla kulturore do të na japin mundësinë për sfida të reja për të ardhmen, duke njohur më mirë njëri-tjetrin. Bashkëpunimi ynë do të vijojë edhe në fushën e botimeve të përbashkëta ndërmjet institucioneve që përfaqësojmë”, është shprehur Dorian Koçi, drejtor i Muzeut.
Në vijim e mori fjalën Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i cili theksoi se nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet institucioneve është një ngjarje e madhe.
“ Është në nderin tonë që nënshkruam këtë Memorandum Mirëkuptimi me Muzeun Historik Kombëtar, si institucion shkencor në fushën e trashëgimisë kulturore. Ndihmesa e Muzeut Historik Kombëtar mendoj se do të jetë e vyer në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë, bashkëpunim që do të reflektohet edhe në botimet e përbashkëta. Nuk është e rastit që bashkëpunimi ynë fillon në kuadër të 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, e cila ka lindur në Shkup në kryeqendrën e Dardanisë”, u shpreh ai raporton a.t.a
Produkti i këtij bashkëpunimi është ekspozita “Jeta përmes kujtimeve” dhe promovimi i librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup”. / KultPlus.com