Moto Festival, Rama: Qindra vizitorë dhe adhurues të muzikës zgjodhën Korçën këtë fundjavë  

Klube motoristësh nga vendet e rajonit dhe më gjerë janë bërë pjesë e aktivitetit “Moto Festival 2024” në Korçë, duke sjellë një atmosferë të veçantë për qytetin dhe qindra vizitorë e turistë që kanë zgjedhur Korçën për të pushuar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e krijuar në kuadër të këtij festivali, që u ndërthur jashtëzakonisht bukur me mikpritjen e traditën e mirënjohur korçare.

“Netë fantastike në Korçë me Korça Moto & Rock Festival. Klube motoristësh nga vende të ndryshme të rajonit, qindra vizitorë dhe adhurues të muzikës Rock zgjodhën Korçën këtë fundjavë”, shkroi Rama.

Mbi 600 motoristë nga e gjithë bota morën pjesë në “Korça Moto Festival”, pjesëmarrës janë bërë pjesë e eventit që organizohet për të disatin vit radhazi në Shqipëri, duke sjellë motoristë nga shtete të ndryshme të rajonit të cilët parakaluan nëpër qytet duke sjellë një atmosferë elektrizuese. Të gjithë i bashkon pasioni për motorin dhe muzikën të cilën e ndanë me qytetarët e shumtë që shijuan paradën e tyre por edhe mbrëmjet me muzikë.

Korça Moto dhe Rock Festival për të disatin vit organizohet në Korçë si një prej evenimenteve me të veçanta verore që gjallëron qytetin dhe i jep dinamikë sezonit veror./atsh/ KultPlus.com

Muzika, fuqi për të bashkuar njerëzit

Në Ditën e Evropës, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë mblodhi artistë të rinj nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor për një koncert të paharrueshëm në Tiranë.

Performancat e tyre shfaqën fuqinë që muzika ka për të bashkuar njerëzit.

Marta Dettlaf ka lindur në Gdansk të Polonisë, një qytet i pasur me kulturë, histori dhe i njohur më së shumti nga romani “Daullja prej llamarine”, e fituesit gjerman të çmimit Nobel, Günter Grass. Rritja në një qytet ku stilet e arkitekturës ndërthurin kulturat, etnitë, momentet historike dhe periudhat e ndryshme, përqafimi i muzikës dhe zbulimi i kulturave të reja ka qenë mënyra e saj e të jetuarit. Mes 100 artistëve nga e gjithë Evropa, ajo ishte violina e parë në koncertin e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor në Ditën e Evropës në Shqipëri. Vetë orkestra është një platformë për muzikantët e rinj që punojnë përtej ndarjeve kombëtare, etnike, fetare dhe kulturore.

“Ne lidhemi përmes muzikës dhe ndonëse nuk flasim gjuhët e njëri-tjetrit, mund të komunikojmë përmes muzikës. Më dukej e mrekullueshme ideja e lidhjes së të gjitha këtyre vendeve pa përjashtim. Ne vijmë nga realitete të ndryshme, por tani po ndërtojmë diçka së bashku, diçka më të madhe”, thotë Marta, ndërsa violina e saj luan pjesë të kompozitorëve shqiptarë.

“Muzika ishte e fuqishme. U përpoqa të imagjinoja vendet nga vinte gjatë interpretimit. Por, pavarësisht origjinës, ne të gjithë ndajmë të njëjtin pasion. Është dashuria që na bashkon”, vëren ajo.

Dettlaf ishte entuziaste të ishte pjesë e orkestrës që në fillim kur mori ftesën. Ndërsa Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor kërkon të bashkojë rininë e rajonit, duke thyer barrierat dhe duke nxitur paqen afatgjatë, suksesi i saj varet nga artistët, kështu që, së pari, duhet të thyejë skepticizmin brenda saj.

“Në fillim isha skeptike, për shkak të historisë. Nuk kam pasur miq nga Kosova, Serbia apo Shqipëria. Por më pas takon artistë nga këto vende dhe kupton se jemi të njëjtët njerëz dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta. Të gjithë ne i përkasim një brezi të ri dhe duhet të krijojmë një histori të re. Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë të ardhmen”, thotë Teodora Uskokovic, një muzikante nga Mali i Zi që luan violonçel me orkestrën.

Koncerti i Ditës së Evropës shënoi një hap të veçantë në rolin e kulturës për të krijuar ura. Artistë të rinj nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Holanda dhe Spanja ishin në të njëjtën skenë, duke luajtur një program që kremtonte diversitetin e Evropës dhe Ballkanit. Në mesin e gjithë artistëve që luajnë muzikë, tenori serb Stevan Karanac këndoi arie nga opera të njohura, por u dha zë edhe këngëve shqiptare.

“Është gjithmonë shumë frymëzuese të marrësh pjesë në koncerte që kanë ndonjë qëllim apo mesazh të veçantë dhe për mua ishte një mundësi e shkëlqyer të performoja për herë të parë në Tiranë, duke kënduar në gjuhën shqipe. Thjesht do të them se ishte aq emocionuese për mua, saqë edhe qava gjatë kësaj pjese të fuqishme e mahnitëse, pasi kishte mesazhin kryesor të dashurisë dhe muzikës – kjo është një gjuhë universale emocionesh që të gjithë mund ta kuptojnë”, kujton Karanac, i cili rrëfen se i është dashur një fjalor për të kuptuar tekstin dhe gjithashtu ndihma e Maestro Desar Sulejmanit për këngën shqipe.

Ndërsa artistët nga rajoni dhe Evropa zbuluan Shqipërinë dhe muzikën e saj klasike, koncerti ishte gjithashtu një mënyrë për ta lidhur vendin me artistë të rinj që kanë origjinë shqiptare dhe jetojnë larg.

Mario Ruska luan klarinetë, prindërit e tij janë shqiptarë, ai ka lindur në Greqi dhe jeton në Holandë, ku studion në Konservatorin Mbretëror të Hagës. Ai luan në klarinetë siç luante babai i tij dhe është hera e parë që vjen në Tiranë si artist.

“Ishte shumë bukur që të rinjtë u mblodhën dhe në një kohë kaq të shkurtër arritën të realizonin një koncert të tillë. Muzika mund të luajë një rol kyç në rritjen e bashkëpunimit dhe krijimtarisë brenda një ekipi. Me Orkestrën Rinore të Ballkanit Perëndimor nuk luajtëm vetëm muzikë, arritëm të bashkonim kultura dhe njerëz të ndryshëm dhe t’i ‘thyejmë’ kufijtë mes tyre”, thotë ai.

Muzika e emocionoi audiencën dhe krijoi një sinergji mes artistëve dhe spektatorëve. Provat artistike dhe përpjekjet mund të krijojnë një të ardhme më të mirë dhe me shumë punë, urat mund të jenë të qëndrueshme.

Nuk është e zakonshme të dëgjosh një orkestër duke luajtur pa dirigjentin e saj, por ORBP arriti ta magjepsë audiencën duke sfiduar veten.

“Më pëlqeu momenti kur luajtëm së bashku pa dirigjent në fund. Na u desh të punonim së bashku për ‘Vallëzimin Hungarez’ dhe mendoj se shprehëm gëzimin e këtij projekti të mrekullueshëm”, thotë Marta Dettlaf, duke treguar sesi bashkëpunimi mund t’i transformojë realitetet dhe mundësitë./ata/KultPlus.com

Të enjten mbrëma, nis festivali më i madh i muzikës klasike në vend, ‘Chopin Piano Fest’ 2024

 “Chopin Piano Fest Prishtina”,  festivali më i madh i muzikës klasike në vend  të enjten mbrëma nis edicionin e 14- të festivalit, duke sjellë edhe këtë herë magji të lojës me piano nga artistët vendorë e ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

Edicioni i 14-të i “Chopin Piano Fest” do të prezantojë 14 koncerte me program të pasur artistik jo vetëm me veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorëve të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qëndrore Universitare të Prishtinës.

“Për 14 mbrëmjet e festivalit, do të mund të dëgjoni një repertor të zgjedhur me kujdes, për t’i dhënë mbrëmjeve tuaja një përzierje të shkëlqyeshme të muzikës së bukur dhe interpretimit të saj në nivelin më të lartë botëror.

Bashkohuni me ne, për të përjetuar një eksperiencë unike muzikore në edicionin e 14-të të Chopin Piano Fest Prishtina”, thuhet në njoftim.

“Chopin Piano Fest 2024” mbahet nga data 9 maj deri më 9 qershor 2024/ KultPlus.com

Muzikantët e famshëm që kishin probleme me dëgjimin

Muzika mund të jetë vajtuese, e qetë, agresive, por mbi të gjitha ajo duhet dëgjuar me zë të lartë. Mendoni për koncertin më të mirë që ju keni marrë pjesë ndonjëherë. Muzika është melodioze dhe të bën për vete, por kur ktheheni në shtëpi, ju vëreni zukatje në veshë nga tingujt e fortë të melodisë.

Tani, imagjinoni muzikantët, që veshët e tyre kanë më shumë ekspozim, shumë më të shpeshtë me tingujt. Rasti më i veçantë i kësaj liste është ai Ludwig van Beethoven. Viti 1802 është një vit shumë i vështirë për të pasi e dashura e tij Xhulieta Guiciardi të cilës i kishte kushtua “Sonata nën Dritën e Hënës” e lë dhe bashkë me të edhe dëgjimi i tij, i cili kishte filluar t’i shfaqë probleme që prej vitit 1796.

Trishtimi i tij ishte aq i madh sa që kompozon “Testamenti i Hailingestatit” dhe ua dërgon dy vëllezërve të tij me lutjen që të lexohet dhe të kryhet pas vdekjes së tij. Fillon duke thënë: “O njerëz që më konsideroni dhe më gjykoni te ligë dhe gjysmënjeriu sa shumë padrejtësi më bëni. Zemra ime që kur isha fëmijë ishte e dhënë pas Mirësisë. Ndihesha gati të realizoja gjëra të mëdha. Por mendoni se këtu dhe gjashtë vite më ka goditur një fatkeqësi e pakorrigjueshme… Kisha vendosur të jepja një fund. Vetëm arti më përmbajti. Më dukej e pamundur të braktisja botën pa përfunduar çfarë isha destinuar të japë”. Megjithatë, këta muzikantë kanë arritur të krijojnë muzikë që do ta kujtoni për tërë jetën.

Neil Young

Neil Young (lindur më 12 nëntor, 1945), është një kantautor kanadez, i cili është konsideruar si një nga muzikantët më me influencë të gjeneratës së tij. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e muzikës dhe zë një vend të veçantë në muzeun e “The Rock and Roll Hall of Fame and Museum”, që ndodhet në Ohio, USA. Në këtë muze shpaloset historia e disa artistëve, producentëve më me influencë që kanë kontribuar në industrinë e muzikës dhe veçanërisht të zhanrit të muzikës Rock and Roll. Young ka qenë nderuar nga muzeu “Hall of Fame” si solo artist në vitin 1995 dhe si anëtari i bandës “Buffalo Springfiled”, grup amerikan i muzikës rok. Këngët më të bukura janë baladat “Heart of Gold” dhe kryevepra e “hard rock” është “Cowgirl in the Sand”, e cila ka pasur një kritikë të suksesshme dhe popullaritet të pabesueshëm.

Nëpërmjet të gjithave, ai ka vuajtur nga “tinnitus” – “zukatje në veshë”, shqetësim i përbashkët për muzikantët e muzikës rok and roll, e cila konsiston në një tringëllimë të vazhdueshëm në vesh. Young ka krijuar mbi 30 albume unike.

Ozzy Osbourne

John Michael “Ozzy” Osbourne (lindur më 3 dhjetor, 1948) është një kantautor anglez, karriera e të cilit shtrihet më shumë se 40 vjet. Osbourne konsiderohet si një nga pionierët e parë të bandës “Black Sabbath” të muzikës “heavy metal” dhe mbetet një nga muzikantët më të suksesshëm i të gjitha kohërave. Gjithashtu, ai është edhe organizuesi i “Ozzfest”, festival që zhvillohet çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila mirëpret grupe të ndryshme të muzikës “heavy metal”. Pavarësisht nga sukseset e tij, Osbourne vuan nga humbja e dëgjimit.

Në dhjetor të vitit 2010, Osburne shiti më shumë se 100 milionë disqe në të gjithë botën. Po në vitin 2010, fitoi “Literary Achievement”, çmim i dhënë nga Sony Pictures Studio, Kaliforni.

Phil Collins

Philip David “Phil” Collins (lindur më 30 janar të vitit 1951) është një kantautor, pianist, aktor. Këngëtari britanik u bë i famshëm si si vokalist dhe baterist me grupin e rrokut “Genesis”. Këngët e tij kanë qenë në vendet e para të hitparedeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe në periudhën midis 1978 dhe 1994. Mbas dyzet vitesh suksesi, muzikanti legjendar ka bërë të ditur se ai po vuan nga një sërë problemesh me shëndetin vitet e fundit. Dëgjimi i tij është dëmtuar nga të luajturit live dhe ka pasur shqetësime me shtyllën kurrizore, gjë e cila bën të pamundur uljen e tij sërish në bateri.

George Martin

George Martin (3 janar, 1926) është një producent, kompozitor dhe muzikant anglez. Shpesh herë ai është referuar si “the Fifth Beatle” – “Bitellësi i Pestë”, titull që i është vënë falë punës së tij si producent i albumeve origjinale të grupit të famshëm “The Beatles”. Gjithashtu, ai është konsideruar si një nga producentët më të mëdhenj i të gjitha kohërave, ku 30 herë radhazi ka qenë në krye të hitparedit anglez dhe 23 herë në hitparedin amerikan. Martin ka kompozuar edhe kolonat zanore të filmave “Yellow Submarine” 1968, dhe “Live and Let Die” 1973.

Ai ka marrë shumë çmime nderi ndër to më i fundit është “Doctor of Music” nderuar nga Universiteti i Oxford-it më 29 qershor të këtij viti. Si Collin ai është i detyruar të tërhiqet nga muzika për shkak se dëgjimi i tij është i dëmtuar.

Will.i.am

William James Admas, Jr (15 mars, 1975), njohur më shumë si will.i.am është kënge autor, aktor, producent dhe raper amerikan. Ai u bë më shumë i njohur si themeluesi i grupit të muzikës pop dhe hip hop “The Black Eyed Peas” së bashku me këngëtaren e muzikës pop apl.de.ap dhe “Taboo”, më vonë njohur si këngëtarja Fergie. will.i.am ka realizuar disa albume të suksesshme si “Monkey Business and Elephunk” 2003. Si producent muzike ai ka bashkëpunuar me artistë të njohur të muzikës si Britney Spears, U2, Rihanna, Justin Timberlake, Juanes dhe shumë të tjerë.

Çmimi i fundit ka qenë në 2010 si “Best Pop Performance by a duo or Group” me këngën “I Gotta Feeling”. Sipas will.i.am, çdo heshtje është e ndërprerë nga një tingëllim i dhimbshëm, e cila e frymëzon atë për të krijuar muzikë në të gjitha orët e ditës.

Brian Wilson

Brian Douglas Wilson (lindur më 20 qershor, 1942) është një muzikant amerikan, i famshëm si kantautori i grupit “The Beach Boys”.
Wilson si shumë të tjerë muzikantë ka pasur probleme me dëgjimin. Bob Dylan një tjetër muzikant i famshëm ka thënë për shqetësimin e Wilson-it: “ Jezus, shiko atë vesh.

Ai duhet t’ia dhurojë atë Smithsonian”. Smithsonian USA, është kompleksi më i gjerë kërkimor në botë ku përfshihen 19 muze, 9 qendra kërkimore dhe është binjakëzuar me më shumë se 140 muze në botë. Edhe pse me shumë probleme shëndetësore, ai orkestroi një nga albumet më të shkëlqyer i të gjitha kohërave “Pet Sounds”, 1966. Përveç çmimeve të tjera marra gjatë karrierës së tij, më 20 maj 2011, Wilson u nderua me çmimin “George and Ira Gershwin Award” nga Universiteti i Kalifornisë në Los Angelo-s.

Jeff Beck

Geoffrey Arnold “Jeff” Beck (lindur më 24 qershor, 1944) është një kitarist anglez. Karriera e tij filloi duke lozur me “The Yardbirds”, grup muzikor roku formuar në vitet ’60. Në të njëjtin grup kanë qenë edhe kitaristi i shquar Eric Clapton dhe Jimmy Page. Gjithashtu, Beck formoi edhe dy grupe të tjera muzikore “The Jeff Beck Group” dhe “Beck, Bogert&Appice”. Ai është renditur i 14 në listën e “Rolling Stone” (revistë muzikore amerikane) si një nga kitaristët më me influencë të muzikës rok. Kanali amerikan MSNBC e ka cilësuar si “kitaristi i kitaristëve”.

Shumica e këngëve të tij janë instrumentale. Stili muzikor i këngëve të tij janë jazz fusion, blues-rok dhe heavy metal. Në 4 Prill, 2009 ai u fut në “Rock and Roll Hall of Fame of Museum” si anëtari i grupit “The Yardbirds” në vitin 1992 dhe si solo artist në vitin 2009.

Eric Clapton

Eric Patrick Clapton ( lindur më 30 mars, 1945) është një kitarist, këngëtar dhe kompozitor anglez. Kitaristi legjendar ka qenë pjesëtar i grupeve rok “Cream” dhe “The Yardbirds”, në këtë grup ka qenë edhe Jeff Beck. Karriera e tij njihet më shumë si solist. Stili i muzikës që ai loz është blues dhe rok. Vitin që shkoi, nxori një album “antik”, ku përzgjodhi rreth 20 këngë të shkruara mes viteve ’30 dhe ’50.

Clapton thekson se ky album është si një lloj autobiografie. Në këto këngë të zgjedhura ka bluz dhe xhaz. Këngët e tij të famshëm janë “Layla”, “Wonderful Tonight”, “My Father’s Eyes”, ” Rock’ N ‘Roll Heart” ,”Crossroads”, “White Room” etj.

Pete Townshend

Peter Denis Blandford “Pete” Townshend (lindur më 19 maj, 1945), është një kitarist roku, vokalist, kantautor dhe është i njohur si kitaristi i grupit rok “The Who”. Karriera e tij në këtë grup vazhdoi për më shumë se 40 vjet, dhe ky grup është konsideruar si një nga grupet më me influencë në vitet ‘60 dhe ’70 dhe sipas Eddi Vedder (muzikant amerikan), ndoshta grupi më i suksesshëm që këndon live. Këngët më të suksesshëm janë “My Generation”, “Won’t Get Fooled Again” dhe “Pinball Wizard.
Muzika me volum të lartë, pajisjet piroteknike kanë shkaktuar efekte të mëdha negative për humbjen e dëgjimit të muzikantit të famshëm. Pavarësisht nga kjo vështirësi, ai, si çdo anëtar tjetër i kësaj liste, vazhdon të luajë nëpër koncerte ekstravagante live.

Ludwig van Beethoven

Ludwig van Beethoven, lindi më 16 dhjetor, 1770 në Bon, Gjermani dhe vdiq më 26 mars të vitit 1827 në Vjenë, Austri. Beethoven ka qenë një kompozitor dhe pianist midis periudhave të Klasicizmit dhe Romantizmit në artin e muzikës perëndimore. Ai do të mbetet një nga kompozitorët më të shquar i të gjithë kompozitorëve i të gjitha kohërave. Aty nga viti 1800 filloi të humbiste dëgjimin.

Ai vuajti nga dëmtime të brendshme që i ja vështirësuan atij dëgjimin e muzikës. Mendohet se njëri nga shkaktarët ishte uji i ftohtë, në të cilin ai e vendoste kokën për të mos e zërë gjumi gjatë punës. Edhe humbja e dëgjimit të tij mbetet mister, muzika e tij do të jetojë përgjithmonë, dëgjuar dhe pëlqyer nga gjeneratat e reja. /albertvataj/ KultPlus.com

‘Kjo dorë që tundi djepin, gjithë botën e sundon’ (VIDEO)

Parashqevi Simaku është një këngëtare e njohur shqiptare ndërsa repertori i saj përfshin një numër të madh këngësh e interpretimesh.

Simaku njihet për zërin e saj të veçantë dhe të ëmbël, duke bërë kështu që arti i saj të frymojë ndryshe.

Ajo sot më së miri kujtohet më këngën “E duam lumturinë”, shkruan KultPlus.

Kënga “E duam lumturinë” është një këngë e kompozuar nga Pirro Çako. Këngëtarja Parashqevi Simaku, me po këtë këngë në vitin 1988 fitoi çmimin e parë te Festivali i 27-të i Këngës në RTSH. Kjo këngë për shkak të tekstit e interpretimit të fuqishëm është bërë një himn i dashurisë dhe sakrificave të nënave për fëmijët.

Kjo këngë fillon me një interpretim të këndshëm nga një kor që përbëhet nga fëmijët për të vazhduar më pas me interpretimin e këngëtares Parashqevi Simaku.

Sot, në Festën e Fëmijëve, KultPlus ju sjellë tekstin dhe videon e kësaj kënge:

Kur një zog, një pëllumb ne shikojmë
duam krahë si ata të fluturojmë
zemra jonë tik e tak kur troket
me zemrat flet

Në çdo stinë kudo janë pranverojnë
dhe në sy ata mbajnë jetën tonë
dashurinë, lumturinë e pafund
me ëndrra shumë

Kanë një botë me ëndrra
janë të vegjël shumë
mos lëndoni nënat
syrin e pagjumë

(2 herë)
Të gjitha do i dhuroja
kaq të lumtur ti shikoja
dhe fëmijët në gjithë globin
anembanë

Mos ja u prishni lumturinë
mos iu prekni dashurinë
as kërrkush mos ta provojë
se nënat s’ju lejojnë

Fjala “Nënë” kudo në botë
zgjon në zemra dashurinë
mirëmëngjes jetës i thotë
se nëna e lind njerinë.

Kjo dorë që e tundi djepin
gjithë botën e sundon

Mos ja u prishni ëndrrat
janë të vegjël shumë
Mos lëndoni nënat
syrin e pagjumë

(2 herë)
Të gjitha do i dhuroja
kaq të lumtur ti shikoja
dhe fëmijët në gjithë globin
anembanë

Mos ja u prishni lumturinë
mos ja u prekni dashurinë
as kërrkush mos ta provojë
se nënat s’ju lejojnë

Fjala “Nënë” kudo në botë
zgjon në zemra dashurinë
mirëmëngjes jetës i thonë
se nëna e lind njerin

Kjo dorë që e tundi djepin
gjithë boten e gëzon. / KultPlus.com

Muzika qytetare e Tiranës

Nga Vasil Tole

Muzika popullore e Tiranës është një fenomen konsolidohet në gjysmën e parë të shek. XX-të. Krijimi i saj u kushtëzua nga tre elemente thelbësore: nga hyrja e instrumenteve të temperuara evropiane, së dyti nga fqinjësia artistike me tre kultura të mëdha muzikore qytetare si ato të Elbasanit, Beratit dhe Shkodrës dhe së treti nga njohja dhe shpallja e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.

Kjo muzikë shfaq të njëjtat tipare strukturore dhe organizimi ashtu si pjesa më e madhe e muzikës dhe e këngëve qytetare të qyteteve të Shqipërisë qëndrore dhe veriore. Etnomuzikologjia jonë e ka klasifikuar gjithë zonën muzikore mbi lumin Shkumbin, kryesisht si zonë të njëzërëshit muzikor, e të formave të tij që shprehen si monodi, monodi me shoqërim apo edhe në homofoni. Muzika e re që pritej të krijohej në Tiranë nuk do të bënte ndryshim në këtë çështje, pra që do të ishte dhe strukturohej në tërësi si muzikë një zërëshe, ashtu siç është edhe sot. Përtej kësaj ajo i respektoi tiparet muzikore të zonës përreth edhe pse tash e tutje do të përcilleshin përmes veglave evropiane të temperuara.

Në fund të fundit, një qytet i ri si Tirana që po shndërrohej në një metropol, kishte nevojën për muzikën e re qytetare, për të provuar traditën shumëvjeçare dhe identitetin e saj të veçantën brenda identitetit kombëtar të muzikës popullore mbarëshqiptare. Ashtu siç natyrshëm, ajo kishte nevojë në përditshmërinë e vet për institucione shtetërore e kulturore, projekte moderne e tregti të zhvilluar, rrugë, parqe e sheshe publike, modë e shkollim me standarde etj. Si thoshte Lasgushi: … ç’domethënë zakon, traditë, tradicion? Zakon, traditë, tradicion domethënë Komb, domethënë Nacion, domethënë njeri i vetëdijshëm, njeri që e di veten e vet, që e njeh vetëveten. Kur ke tradicion, je Nacion, je Komb, jo popull, jo popullsi, jo popullatë. Një pjesë e njerëzisë (që s’ka traditë), një grup njerëzor (që s’ka traditë) është masë, është turmë, është popullatë, është popullsi – po nuk është komb, nuk është Nacion. Më tej theksonte nevojën që tradita, ky potencial kolosal i brumosjes së Nacionit, ka një kusht: të jetë e Shkrojtur. Se fjala e shkrojtur e shumëfishon, e qindfishon vepërimin e saj, e mijëfishon e milionfishon. Ajo, e Shkrojtur, bëhet verb, bëhet e pushtetëshme, bëhet e shenjtë, divine, divinisohet.

Pikërisht këto ishin vitet e “shkrimit” të traditës tiranase në muzikën qytetare. Sepse përmes “shkrimit” në nota e fjalë dhe dokumentimit të saj do të provohej se kur je grup me traditë je njëherazi edhe Nacion me traditë. Se grupi ka fuqi shpirtërore dhe spirituale dhe materiale dhe nuk është amorf. Se ai ka ekspresion, ka zhvillim, përparim, perfeksionim gjatë jetës së tij. Se ai e mbush, e përmbush, e realizon veten e tij, vetveten, për të shkuar drejt perfeksionit, drejt përsosjes. Domethënë ai e jeton Fatin e tij, Misionin e tij për të cilin është lindur në këtë botë. Se ai ka zhvillim, nuk mbetet në vënd, në vënd nëmëro! Se ai është njeri. Ai është, ai ekziston! Tradita është prova e pakontestueshme e Tij!

Pavarësisht faktit se veglat e temperuara erdhën në Shqipëri në gjysmën e dytë të shek. XIX-të, tradita e muzikës qytetare dhe e formacioneve muzikore të tyre ishte shumë e hershme, kjo jo vetëm e krahasuar me Tiranën, por edhe me qytete të tjera më të vjetra jashtë Shqipërisë. Qytete si Shkodra, Elbasani apo Berati kishin qindra vite që ekzistonin si të tillë. Në këtë kontekst është e pamundur që të mendosh jetën urbane qytetare pa vende të dedikuara argëtimi, të cilat lidhen ngushtësisht me artin dhe interpretimin e muzikës popullore. Qytetet që përmendëm më sipër, kishin me dhjetëra vende argëtimi ku muzika zinte vendin kryesor, e ndër to edhe Tirana nuk mund të bënte përjashtim.

Jules Alexandre Theodore Degrand (1844-1911), ish konsull i Francës në Shkodër, në veprën “Kujtime nga Shqipëria e Epërme” e botuar në vitin 1901, shkruan se:… një luadh i gjerë pranë shtëpisë së mikpritësit tim, rrethuar me qiparisa të admirueshëm, është lënë testament nga i ati, pasardhës i bejlerëve të shquar të Tiranës, për kremtimin e ahengjeve që shoqëronin këto festa, (ndër to edhe Bajrami dhe Kurban Bajrami-shënimi ynë), ku një pjesë e madhe e popullsisë mblidhej aty.

Ishte standardi i familjeve të mëdha të Tiranës, të cilët të lidhur fort me qytetin e tyre mbështetën dhe inkurajuan zhvillimin e muzikës popullore qytetare si pjesë të angazhimit të tyre për një qytet të kulturuar.

Tiranasit e kishin dhe e kanë të fortë kultin e shtëpisë, sepse ai përmbante në thelb kultin e familjes. Shtëpia tiranase ndërtohej me qerpiç dhe me breza druri. Dy qenë pjesët e shtëpisë që adhuroheshin në mënyrë të përditshme nga pjesëtarët e saj: carani i vatrës dhe pragu i hyrjes. Zjarrin që ndizej në caranin e vatrës, simbolizonte përfaqësuesin e perëndisë diell brenda në shtëpi…..Veç kësaj ai mblidhte rreth vatrës tre, nganjëherë katër brezat e familjes patriarkale. Rreth vatrës brezat e rinj mësonin doket, këngët përrallat, historinë, por edhe mitet, ritet, kultet dhe të gjithë elementet e tjerë të identitetit qytetar.

Hyrja e veglave muzikore evropiane si violina, klarineta, fizarmonika etj., në muzikën popullore, krijoi atë fenomen që etnomuzikologjia e konsideron si “hibridizim muzikor”, pra kur vegla të tilla kombinojnë veçoritë e tyre muzikore me tiparet muzikore të një kulture vendase me qëllim krijimin e një lloji të ri. Kështu ndodhi në muzikën me saze të qyteteve të Shqipërisë së Jugut në fund të shek. XIX, kështu po ndodhte edhe me muzikën e re qytetare të Tiranës. Një shenjë tjetër e “hibridizimit” ishte implementimi tek veglat e reja i mënyrave tradicionale të interpretimit në to. Prof. R. Sokoli ka konstatuar se ahengxhinjtë e qyteteve të Shqipërisë Veriore shartuan në teknikën e përdorimit të violinës disa veçori të teknikës së kemanxhes duke e mbajtur veglën vertikalisht të mbështetur në gju, ashtu siç mbahet lahuta e lahuria etj.

Ndryshe nga sa më sipër, ai konstaton se violinistët popullore të Shqipërisë së Mesme e mbanin veglën horizontalisht mbështetur në sup. Kjo gjë provohet të ketë ndodhur në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX. Tjetër aspekt i “hibridizimit” ishte mënyra e akordimit të violinës, sidomos kur interpretonin “Vallen e Pipzave”. Teli i parë dhe i dytë akordohej në unison, ndërsa dy telat e tjerë akordoheshin në kuintë. (la-la-re-sol)

Nga ana tjetër, ajo që mund të dukej si disfavor për Tiranën, pra që fillimi i shek. XX-të e gjeti në fazat fillestare të urbanizimit e të jetës qytetare, e kësisoj pa formacione e muzikë të konsoliduar qytetare, u pa se ishte vërtet një përparësi, kjo në pikëpamje të procesit të krijimit të muzikës popullore qytetare të pas vitit 1920.

Kjo përparësi lidhej me faktin se muzika e qytetit të ri të Tiranës do të krijohej edhe në kushtet e lirisë, në kuadër të një shteti shqiptar që po konsolidohej, me rrënjë dhe e mirë fokusuar në muzikën qindravjeçare të një terreni të virgjër si ishte muzika e fshatrave të Malësisë së Tiranës. E theksoj këtë fakt pasi muzika tradicionale e fshatrave të Tiranës (në këngë, melodi instrumentale e valle), ruan elemente melodike primitive të origjinës së lashtë arbërore, kjo e mbështetur mbi mode modale diatonike, pa ndikime të thekshme kromatike, të cilat si dihen, lidhen më së pari me shtresimet e mbishtresimet e gati 500 vjetëve pushtimi otoman në muzikën tonë qytetare.

Ernest Koliqi në qëndrimin e tij specifikon disa nga qytetet ku ky ndikim ka qenë më i madh. Sipas tij: … ndikimi turk në qytete u ba gjithnjë e ma i madh, veçanërisht në Elbasan, Berat e Shkodër. Kangët që këndoheshin me nji orkestër të vogël me pesë vegla muzikore (nji saze, nji mandolinë të vogël, nji violinë, klarinetë, nji tambureto dhe nji këngëtar), buçisnin festive martesore. Këto janë kopjue vullnetarisht mbi bazën e modeleve të lindjes (qaside, gazel) dhe të mbushuna me shprehi e vallzime turke, persiane dhe arabe.

Etnomuzikologjia jonë e ka trajtuar këtë fenomen që ka ndodhur në muzikën qytetare, kryesisht të Shqipërisë Qendrore dhe asaj Veriore. P.sh, në analizën që i kemi bërë repertorit të “Ahengut Shkodran”, kemi konstatuar në të katër shtresa muzikore: shtresa e vjetër origjinale e parapushtimit turk e muzikës modalo-diatonike të Shkodrës dhe rrethinave; shtresën e muzikës modalo-kromatike të cilën e përhapi dyndja e osmanëve edhe ndër ne, ashtu si në folklorin e viseve të tjera të Ballkanit; shtresën e muzikës mbarëballkanike; dhe shtresën që përfshin periudhën e quajtur “shkodranizimi i ahengut”, ose çlirimin e ahengut nga orientalizmat.

Tirana nuk përfshihej në listën e ndikimeve të drejtpërdrejta, për shkakun e thjeshtë se pushtimi turk në thelb ishte pushtim qytetesh e kështjellash të tyre, e së këndejmi u zgjerua pak nga pak duke u shtrirë edhe mbi katunde. Kjo sepse influenca turke ka qenë influence qytetare, thoshte Çabej. Aty ata vendosnin administratën dhe fuqinë ushtarake, së bashku me formacionet muzikore.

Shkrimtari Ismail Kadare i kushton një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij analizimit të këngëve popullore në kuadër të identitetit evropian të shqiptarëve, e posaçërisht të atyre gjasme popullore, duke ju referuar këngëve të zvargëta e molisëse të ashikëve dhe dylberëve si dhe këngët vulgare dhe amanetë. Sipas tij e ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë…. Ne i dëgjojmë këto këngë ende sot, por shtiremi sikur nuk i marrim vesh se ç’thonë. Ai e konsideron ato si nënkulturë të futur kontrabandë, nën pasaportën e artit popullor, si mbetje e rreckave të robërisë otomane. Për këtë, ashtu si fare rastësisht, në një reportazh të shkruar në qiell në vitin 1967, përgjatë një udhëtimi në kabinën e një avioni reaktiv të ushtrisë shqiptare, duke parë nga sipër rrugët e atdheut, thotë se ja që këtej mund të marrësh me mend udhët nga vinin karvanët e armiqve të nisur nga thellësitë e Anadollit, që zvarriteshin vargan nëpër tokë “me muzikë e me dajre”!

Ai e ka shumë të qartë statusin e këtyre krijimeve, kur i lidh ato me përdorimin e qëllimshëm të tyre prej administratës osmane për t’ia kundërvënë trashëgimisë kulturore dhe letërsisë shqipe, e cila pavarësisht pushtimit të gjatë, mbeti evropiane dhe homogjene përballë ndikimeve të kulturës pushtuese. Sipas tij:…  në shekullin XVIII u përpoqën të krijonin një diversion në letërsinë shqipe me anën e nxitjes së rrymës letrare të bejtexhinjve, e cila, duke mos pasur as peshën e as seriozitetin për t’i qëndruar përballë letërsisë shqipe, u harrua si një kujtim grotesk. Duke qenë prodhim i trysnisë së pushtuesit, megjithëse ata shkruanin shqip dhe kjo mund të konsiderohet një lloj jete e shkruar e shqipes në ato kushte, bejtexhinjtë e mbytën shqipen që përdornin në krijimtarinë e tyre me orientalizma.

Për fat, Tirana nuk ishte ende qyteti që mund të pushtohej e ndikohej muzikalisht. Ajo çka do të krijohej më pas si muzikë qytetare e Tiranës u pa se ishte një proces autentik dhe i vërtetë, i pëlqyer nga vetë tiranasit por dhe nga të tjerët. / KultPlus.com

Bie miti muzikor i Pitagorës

Pasi u bë makthi i të gjithë studentëve për teoremën e tij të famshme gjeometrike, Pitagora grek konsiderohet ende një nga mendjet më të shkëlqyera dhe më të shumëanshme të të gjitha kohërave, shkruan focus.it.

Themelues në shekullin e 6 para Krishtit. i njërës prej shkollave të para filozofike të antikitetit, gjatë jetës së tij ai u interesua për lëndët më të ndryshme, nga matematika në astronomi, duke ofruar bazën për themelin e mendimit perëndimor.

Pas mbi 2500 vjetësh, sot ka nga ata që e kanë mohuar (të paktën pjesërisht) mësimin e Pitagorës, i cili më shumë se çdo tjetër ka ndikuar në teoritë muzikore evropiane.

Sipas filozofit, formula perfekte për prodhimin e harmonisë muzikore, pra një tingull i këndshëm dhe jo i jashtëzakonshëm i përbërë nga disa nota, duhet të respektojë të ashtuquajturën “konsonancë”, pra një marrëdhënie të thjeshtë matematikore midis frekuencave që e përbëjnë atë.

Sipas këtij mekanizmi, ekzistojnë raporte të sakta që mund të prodhojnë intervale të konsideruara bashkëtingëllore: në oktavë, për shembull, një nga dy notat e pranishme në kordë ka saktësisht gjysmën ose dyfishin e frekuencës së tjetrës (raporti 1:2), ndërsa në të pestën raporti ndërmjet notave është 3:2.

Pjesa më e madhe e muzikës që ne njohim është ndërtuar mbi këtë parim të thjeshtë pitagorian, por në realitet duket se këto përmasa nuk janë gjithmonë të vlefshme, veçanërisht në kulturat që përdorin instrumente muzikore pak të njohura për traditën perëndimore.

Në studimin e tyre, një grup studiuesish nga universitetet e Kembrixhit, Princeton dhe Instituti Max Planck për Estetikë Empirike në Frankfurt, zbuluan se harmoni të ndryshme dhe po aq të këndshme ekzistojnë edhe jashtë bashkëtingëllimit pitagorian dhe se gjatë dëgjimit të një melodi, veshi ynë shpesh devijon nga marrëdhëniet “klasike” matematikore.

Për të demonstruar këtë, studiuesit përdorën një sërë testesh, duke përfshirë 4 000 njerëz nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut.

Në njërën prej tyre, pjesëmarrësve iu kërkua të dëgjonin disa akorde dhe të vlerësonin këndshmërinë e tyre, ndërsa në një tjetër njerëzit u ftuan të përdornin një regullator  për t’i ndryshuar ato dhe për t’i bërë ato më të këndshme për veshët e tyre.

Papërsosmëritë harmonike

Duke analizuar sjelljet e dëgjuesve, ekspertët zbuluan një preferencë të konsiderueshme për papërsosmëritë e lehta, ose “inharmonicitetin”, që në fakt dukej se e bënte muzikën edhe më të këndshme.

Eksperimentet e mëtejshme eksploruan gjithashtu perceptimin e harmonisë me instrumente muzikore të ndryshme nga ato perëndimore, të tilla si bonang (i përhapur në Indonezi dhe i përbërë nga një grup gongësh të vegjël) ose lloje të ndryshme, duke kuptuar se ata ishin në gjendje të krijonin modele krejtësisht të reja konceptesh e konsonancës në të cilat marrëdhëniet tradicionale matematikore nuk ishin më të vlefshme./atsh/KultPlus.com

‘Kam një mall e kam një zjarr’ (VIDEO)

Liliana Çavolli ishte artiste e cila për 5 dekada kultivoi këngën e lehtë qytetare. Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.

Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës kosovare.

Sonte, KultPlus ju sjell ‘Kam një mall e kam një zjarr’, ndër këngët më të njohura e më të dëgjuara të Çavollit. Kjo këngë vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite.

‘O Margjela e malësisë, thuja kangve të çobanisë’ (VIDEO)

KultPlus ju sjellë këngën e vjetër “Margjelo” e cila i ka rezistuar kohës dhe vazhdon të këndohet nga këngëtarë të ndryshëm.

Moj margjel mori malsore
ku po shkon me at kosore
ku po shkon moj tuj vrapue
a po me pret o vash dhe mue
bashkë të shkojmë me punue
bashkë të korrim tuj këndue

Margjelo mori Margjel
çilma synin që më ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve të çobanisë

Margjelo mori Margjel
çilma syrin që m`ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve të çobanisë

Moj margjel mori fisnike
bija e malësisë kreshnike
mos t`lshoj zemra ble sonjike
trim i mirë që shkon si erë
mendjen kthyer ka gjithherë
e tash kthen sot bëhet verë

Margjelo mori Margjel
çilma syrin që m`ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve që mban ise./ KultPlus.com

‘Një lulishte me trëndafila’ nga Merita Halili (VIDEO)

Merita Halili është një nga këngëtaret më të njohura shqiptare dhe konsiderohet mbretëreshë e muzikës së Shqipërisë së Mesme, shkruan KultPlus.

Ajo lindi më 5 Prill 1966, në Tiranë dhe u rrit duke kënduar këngët lirike e rajonit të saj të lindjes Tiranës.

Debutimin e parë si artiste në tërë vendin e pati në vitin 1983, në Festivalin Kombëtar Folklorik në qytetin e Gjirokastrës.

Nga repertori i saj i gjerë, sonte, KultPlus ka përzgjedhur këngën “Një lulishte me trëndafila” :

‘Kënga shpirtin ma rrëmben’ nga e mrekullueshmja Shpresa Gashi (VIDEO)

Shpresa Gashi është një ndër këngëtaret më të njohura të muzikës popullore shqipe, shkruan KultPlus.

Këngëtarja në fjalë talentin për muzikë e ka trashëguar nga familja e saj, e cila ndër breza ka kultivuar dashurinë për artin në përgjithësi.

Disa prej këngëve të saj të cilat ajo i ka interpretuar ndër vite janë: “Po derdh hana rreze t’bardha”, “Me mall të pashuar”, “Kroi i fshatit tonë”, “Këngë për Nënë Terezën”, “Hedhni valle vasha të reja”, “Mendoj në ty”, “Malli” etj.

KultPlus sot ju sjell këngën “Kënga shpirtin ma rrëmben” :

Biletë hyrëse në botën e kompozitorit Rauf Dhomi, aty ku noton me mjeshtëri çdo notë e jetës së tij artistike

Jeta Zymberi

Një natë e ftohtë dhjetori më hodhi në rrugën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për një takim me kompozitorin e shquar, akademikë Rauf Dhomin. Kjo ishte biletë hyrëse për një udhëtim të papritur në botën e pasur të muzikës dhe pasionit të palodhur të tij.

Profesori Rauf, i cili më priti me elegancën e një artisti të vërtetë, ishte vetë një vepër arti. Ai ishte përgatitur që vetëm pas pak të drejtojë Korin e Burrave në një koncert festiv të Akademisë. Por megjithatë, me një bukuri dhe harmoni që i takonin një dirigjenti, me një karizëm që nuk mund të kalonte pa u vërejtur dhe një pasion të flaktë për zanatin e tij që reflektonte pashmangshëm në të, ai më uroi një mirëseardhje plot nderim.

Nën hijen e muzikës që dëgjohej nga provat e koncertit dhe ambientin solemn të akademisë, ne filluam një bisedë të këndshme me profesorin Rauf i cili nuk është thjeshtë një kompozitor, por një udhëheqës i fushatës së krijimtarisë artistike në Kosovë dhe përtej saj. Ai na çoi në një udhëtim emocionues përmes ujërave të jetës, ku notonte me mjeshtëri çdo notë e jetës së tij artistike.

Në këtë bashkëbisedim motivues, Rauf Dhomi ndau me ne ndjenjat dhe shpirtin e rrugëtimit të tij. Kjo nuk ishte thjesht një intervistë, por një eksperiencë që na kujtoi se pas çdo melodie artistike ka një histori unike dhe një pasion të patundur për të ndarë bukurinë e muzikës me botën.

Me profesorin Rauf ke se çfarë të flasësh, i lindur në qytetin e Gjakovës më 4 dhjetor të vitit 1945, ai i përket plejadës së kompozitorëve të Kosovës, të cilët ndërtuan artin muzikor në vend. Ai ka zhvilluar karrierën e tij në një periudhë aspak të lehtë për historinë e Kosovës, mirëpo përkundër kësaj, ai ka vazhduar në secilën periudhë të shpreh emocionet e tij përmes muzikës duke krijuar kështu një portofol të pasur me vepra të shquara.

Kjo intervistë e rrallë, shumë e rrallë e kompozitori Dhomi, është një udhëtim në thellësinë e mendjes krijuese të tij, një krijues që ka hapur degë të reja në pemën e muzikës klasike shqiptare duke u bërë i pari kompozitor kosovar që ka shtuar në portofolin e tij një operë të lavdishme.

Nga fillimi i tij në botën e kompozimit deri në arritjet e tij më të fundit, ne eksploruam çdo nuancë të pasionit të tij për muzikën dhe impaktin e tij të madh në skenën muzikore.

Krijimi i Institucionit të Operës në Kosovë: Arti i mirëfilltë vazhdon të zvarritet

E nisëm këtë bisedë me një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore që ka ndodhur sëfundmi, me krijimin e Institucionit të Operës në Kosovë, një iniciativë kjo të cilën profesori Rauf e kishte nisur qysh në vitin 2003, kur edhe themeloi trupën e Operës së Kosovës, dhe me 1.01.2004 themeloi Konservatorin Artistik pranë këtij Institucioni.

“Në vitin 2003, ish-presidenti Ibrahim Rugova më autorizoi të themeloj Institucionin e Operës. Në atë kohë unë dhashë tri opera. Kjo ishte një iniciativë e madhe, filluam të mbajmë koncerte gjithandej, kemi shkuar në Turqi, Kalabri, Greqi, Shqipëri e nëpër qytetet e Kosovës”, thotë profesori teksa në këtë pikë nuk harron të përmend edhe publikun që i ka dhuruar emocionet më të mëdha.

“Shumë shpesh kemi shkuar në Mitrovicë sepse Mitrovica e ka publikun shumë të mirë, por publikun më të mirë në Kosovë e ka Suhareka. Nuk e keni idenë! Kanë disiplinë të përkryer. Më të mirë në kulturë, nuk ke”, thotë Dhomi.

Por, kjo iniciativë e bukur që nisi për operën kosovare, ishte jetë shkurtër. Sipas profesorit Rauf, jetën ja shkurtuan udhëheqësit e institucionit të kulturës dhe që nga ajo kohë, iniciativa ra poshtë.

“Jam shumë i lumtur që tashmë është themeluar Institucioni i Operës, por nuk janë duke bërë operë. Për të pasur një shtet operë, fillimisht i bëhet shtëpia. Vetëm tek ne ndodhë e kundërta”.

Kompozitor i operës së parë kosovare, në kohën kur e ka krijuar këtë vepër, asnjëherë nuk e kishte menduar që viti 2023 do të na gjente pa një sallë operash.

“Kur e kam krijuar operën “Goca e Kaçanikut”, kam menduar që vetëm pas 2-3 viteve Kosova do të ketë Institucionin e Operës. Por që na gjen viti 2023 pa një shtëpi të operës, këtë se kam menduar asnjëherë.”

Rasti i shtëpisë së operës, është dëshmia më e fortë që në vendin tonë arti i mirëfilltë vazhdon të zvarritet. Por derisa jemi në pritje të krijimit të saj, ne u kthyem pas në kohë e folëm për një vepër të kompozuar në vitin 1978, për “Gocën e Kaçanikut”, një operë në dy akte dhe tri tablo, e kompozuar nga akademik Rauf Dhomi, me libret Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi, vepra shpalosë luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës.

Kjo vepër shënoi një kthesë të re në krijimtarinë muzikore në vendin tonë dhe për herë të parë u inskenua në manifestimin për 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit në Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë në vitin 1979. Padyshim, ky ishte një moment i veçantë për krijuesin e kësaj vepre i cili bashkë me miq e kolegë u nisëm me një autobus nga Kosova për në Shqipëri, për të përjetuar këtë shfaqje.

“Shfaqja në atë kohë u dha me suksesin më të madh, më thirri edhe presidenti Enver Hoxha në atë kohë për të më falënderuar. Pastaj, nga viti 1988 deri në 2004 shfaqja është dhënë rregullisht, çdo mysafir që ka ardhur nga vendet ndërkombëtare, çdo delegacion është mirëpritur me “Gocën e Kaçanikut”. Ishte një nder për mua”, thotë kompozitori.

Opera e parë kosovare, “Goca e Kaçanikut”, pas gjysmë shekulli do të inskenohet në vendlindje

Por, përkundër faktit që “Goca e Kaçanikut” është opera e parë kosovare, ajo vetëm tani, pas gjysmë shekulli, po inskenohet për herë të parë në vendlindje. Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, përgatitjet për premierën e kësaj shfaqje kanë filluar, rolet janë ndarë dhe gjithçka pritet të vijë premierë në muajin shkurt, për festën e madhe të Pavarësisë së Kosovës. Kjo lëvizje e re nga Institucioni i sapo themeluar i Operës së Kosovës e ka gëzuar profesorin Rauf.

“Kur më than që do ta ekzekutojnë “Gocën e Kaçanikut” nuk e besova. Mezi po pres të shoh premierën. Regjisori është një mjeshtër i madh tek i cili besoj shumë. Më kanë ftuar edhe mua, por nuk dua të ndikoj, unë e kam shkruar dhe kaq mjafton. Do të shkoj ta shijoj premierën.”

Por një operë e tillë kombëtare, një ditë do meritonte të jetësohet edhe në ndonjë skenë ndërkombëtare, një synim të tillë nuk e kam vetëm unë, por edhe kompozitori i cili kishte pasur një tentativë të tillë por që nuk u realizua asnjëherë. Rreth viteve 86’-88’ ai kishte udhëtuar për në Kalabri dhe Sicili për të mbledhur folklor për “Dasmën arbëreshe” dhe bashkë me kryetarin e komunës të asaj kohe, i cili ishte arbëresh, u dakorduan që “Gocën e Kaçanikut” ta inskenojnë në Itali, por gjithashtu u dakorduan që ata të financojnë një pjesë dhe Kosova pjesën tjetër.

“Kërkesa jonë nuk u mor parasysh në Kosovë sepse në atë kohë përkraheshin këngët popullore dhe opera nuk njihej nga udhëheqësit tanë. Ndodhë që në të ardhmen edhe do të inskenohet në ndonjë skenë të tillë, por për mua do të jetë vonë sepse nga ajo kohë e deri më sot kanë kaluar shumë vite. Por për historinë e operës kosovare nuk do të jetë vonë, kurdo që do të ndodhë do të ishte diçka e bukur”.

Kori i Burrave, një simbol i kulturës së Gjakovës

Krahas punëve të vazhdueshme si pedagog e krijues, Rauf Dhomi aktivisht ka punuar edhe me “Korin e Burrave” të Gjakovës, ansambël të cilin e formoi më 1965 e i cili vazhdon të jetë aktiv edhe sot. Për të, Kori i Burrave është një histori më vete, një sukses i jashtëzakonshëm për atë kohë, një simbol i kulturës së Gjakovë.

“E kam formuar në vitin 1965, kur kam qenë nxënës i shkollës së mesme. Atëherë kur nuk ka mundur askush të këndojë, në të gjithë bashkë kemi kënduar. “Këngën e Mortit” e kemi kënduar për të gjithë ata ushtarë që jepnin jetën, edhe pse i kishim tytat mbi kokë por asnjëherë nuk jemi frikësuar”, pohon Dhomi duke potencuar rëndësinë e kësaj vepre sepse sipas tij “I vetmi solemnitet në jetë është vdekja”.

Krijimtaria e profesorit Rauf është një maratonë e gjatë dhe e larmishme. Ai ka kompo­zuar në të gjitha gjinitë e muzikës. Krahas operave “Dasma arbëreshe”, “Muzat e Kalasë”, baletit “E bukura More” e shumë vepra të tjera muzikore vokalo-instrumentale, korale, orkestrale, gjithashtu muzikë për filma e shfaqjet teatrale (rreth 300 shfaqje) që përbëjnë krijimtarinë artistike të profesorit Rauf, një kontribut të madh ai e ka dhënë edhe në muzikën pianistike. Ai ka bërë shtatëdhjetë vepra për piano dhe këtë e konsideron një volum të mirë për vendin tonë. Por ai nuk beson se do ti kthehet më krijimit të veprave pianistike. Ajo që tash po i sillet në hapësirë është krijimi i një tjetër opere, operë për Mbretëreshën Teutë.

“Kam libreto të ndryshme, po nuk e kam ende atë që dua, jam duke e kërkuar”, thotë profesori i cili tutje foli edhe për krijimin e meshës së parë kosovare, të cilën e kishte shkruar për akademikun Gazmend Zajmin. Me këtë krijim, ai kishte prekur edhe më nga afër një prej gjinive muzikore të trajtuara nga kompozitorët më të mëdhenj botërorë.

“Atëherë isha pranuar në Akademi të Shkencave dhe Arteve, Gazmendi ishte në Zagreb, ishte sëmurë dhe u pritke vdekja e tij. Ai ka qenë i veçantë dhe unë doja të veçantën për të, andaj krijova këtë meshë dhe e këndova ‘Këngën e Mortit’ në varrimin e tij. Po flasim për vdekjen, që është një dhimbje e madhe, por kënga u mirëprit jashtëzakonisht mirë dhe që nga jo kohë hyri në program”, tregon Dhomi.

Krahas këtyre krijimeve, ai nuk anashkalon as botën fëmijërore, një fond i konsiderueshëm i veprave është rezervuar edhe për ta, të krijosh për të vegjlit, për të nuk është vetëm kënaqësi por edhe obligim.

“A ka engjëj më të mirë se fëmijët. Të krijosh për engjëjt ke mundësi edhe me qenë aty afër tyre, është ngrohtësi, po është edhe obligim. Se ata nuk kanë literaturë, literatura botërore për ta nuk ekziston. Atëherë pse mos të krijoj unë dhe kolegët e tjerë për ta.”

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, roli i këtij institucioni në zhvillimin e artit dhe kulturës

Të jesh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ashtu siç është profesori Rauf që nga viti 1996, është një përgjegjësi jo e lehtë duke pas parasysh edhe kritikat e vazhdueshme në adresë të këtij institucioni. Por megjithatë, profesori mundohet të jetë objektiv kur vlerëson rolin dhe kontributin e këtij institucioni në zhvillimin e artit dhe kulturës në Kosovë. Përkundër faktit që këtë pyetje e quan provokuese ai thotë: “Rrallë ndonjë seksion, se mos të themi anëtar, mendon për këtë çështje. Apo më mirë të themi nuk mendon fare. Më vjen keq që e them këtë, por janë dhjetëra akademikë që janë të rregullt, marrin rroga, por nuk vijnë fare këtu”, por sipas tij kjo gjendje nuk është vetëm në Akademi, por në të gjitha sferat, diku më shumë, diku më pak, por jemi njëjtë, thotë ai.

Djegia e Muzeut të Muzikës, turpi i Gjakovës

Duke shtrirë bisedën në pika të ndryshme, ne shkuam edhe në vendlindjen e profesorit Rauf. Në Gjakovën e artit dhe kulturës, në vendin i cili ishte përkrahësi më i madh i rrugëtimit të kompozitorit, mbështetja kryesore e të gjitha koncerteve të tij. Por, ndodhia e fundit në këtë qytet, djegia e Muzeut të Muzikës, për Dhomin ishte turpi i Gjakovës.

Në këtë muze, ndër të tjera ishte edhe piano në të cilën profesori kishte kompozuar operën “Goca e Kaçanikut” e shumë e shumë vepra të tjera. Impakti i humbjes së një trashëgimie të tillë kulturore padyshim që më së shumti e ka prekur kompozitorin sepse me djegien e këtij muzeu, u dogj një pjesë e historisë.

“A ka fjalë? Jo, nuk ka. Si mund ta përshkruaj këtë fatkeqësi. Të kaplohet nga zjarri instrumenti, edhe atë jo nga një zjarr i rastësishëm, por një zjarr i menduar. Unë them se Gjakova e ka humbur autoritetin me këtë rast sepse historia nuk fshihet. Aty ka qenë pianoja ku e kam punuar “Gocën e Kaçanikut”, “Dasmën” e shumë e shumë vepra të tjera. Rrugën e Çabratit ku kam qenë në atë kohë, e kam frekuentuar çdo ditë në mëngjes dhe i frymëzuar jam kthyer e kam kompozuar në atë piano. Unë dhe pianoja kemi qenë vëlla e motër. Ka qenë një instrument shumë i vjetër dhe të zhbëhet në këtë mënyrë është turp për Kuvendin e Gjakovës sepse Gjakova ka investuar shumë në kulturë, e sot të ndodh kjo nga moskujdesi, është shumë e dhimbshme.”

Një trajtim i tillë nuk i bëhet as artit, as trashëgimisë e historisë në vendet e civilizuara të botës, vende këto që kanë hapur dyert edhe për artistët tanë duke ju dhënë shkëlqimin e trajtimin e duhur. Artistët nga Kosova tani kanë një prezencë të rëndësishme në skenat ndërkombëtare dhe arritjet e tyre janë shpresa dhe gëzimi i profesorit Rauf.

“Sa mirë që është bota dhe këta talent kanë mundësi të ekspozohen nëpër skenat më të mira botërore sepse ata dinë të vlerësojnë. Tek ne vlerësohesh në bazë të shoqërisë dhe jo të talentit.”

Kompozimi – një fushë që po përballet me mungesë të kuadros

Krejt në fund të bisedës tonë, ne u ndalem te një çështje e rëndësishme dhe e përfolur, ajo e kompozitorëve. Kompozimi, një fushë e pasur me talente në Kosovë, po ballafaqohet me sfidat e mungesës së infrastrukturës dhe iniciativave mbështetëse. Edhe pse ekziston një numër i konsiderueshëm talentesh, Dhomi e shpreh shqetësimin e tij se ende nuk ka mekanizma dhe nisma që mundësojnë zhvillimin dhe nxitjen e krijimtarisë në këtë fushë të artit.

“Vetëm fakulteti ka kapacitetin për të nxitur krijimtarinë në fushën e kompozimit. Tek ne ka shumë talente por është e nevojshme që Fakulteti i Arteve të krijojë katedra të specializuara për kompozim, dirigjim, dhe degë të tjera të lidhura. Mungesa e konkurseve për pozitat e kompozitorëve ka sjell këtë rezultat”, thotë profesori teksa krejt në fund të kësaj bisede ky kapërcyem periudha të ndryshme të jetës së tij, ai më kërkoi falje për intensitetin e zërit gjatë intervistës, duke e shpjeguar atë si shprehje të mllefosjes që ishte akumuluar brenda tij për gjithë këto vite që sipas tij “arti vazhdon të zvarritet”. / KultPlus.com

‘Dikur u takuam sytë unë prapë t’i pashë, shumë fjalë nuk t’i thashë’ (VIDEO)

Motivi i dashurisë shtrihet më së bukuri në çdo fushë të artit, duke bashkëdyzuar dimensione të ndryshme, shkruan KultPlus.

Disa kanë shkruar për ndarje, disa kanë pikturuar një pamje magjepsëse, e disa i kanë kënduar mallit të zemrave.

Një këngë tejet e veçantë në këtë rrafsh mbetet “Buzët më ishin tharë” nga Eranda Libohova, e cila nën tekstin e Ardita Jatrus sjell një nostalgji tejet sentimentale.

KultPlus ua sjell tekstin dhe interpretimin e Libohovës të këngës “Buzët më ishin tharë”:

Ika dhe të lashë unë, sytë më nuk ti pashë
Oh sa të kam dashtë, oh sa të kam dashur ty
Edhe pema ku ne putheshim më parë
Degët ishin tharë, degët ishin tharë për ne
Më dhe një shami ti si kujtim të parë
Me lotë e kam larë, me lotë e kam larë për ty.
Nuk të kisha pranë unë si një vit më parë
2X Buzët më ishin tharë, buzët më ishin tharë për ty


Dikur u takuam sytë unë prapë t’i pashë
Shumë fjalë nuk t’i thashë, shumë fjalë nuk ti thash unë ty
Lotët ishin tharë dhe gjumë nuk kish në sy
Erdha të t’jap ty,  erdha të t’jap ty këtë natë
Ëndërr e pafund kjo nata jonë e parë
Dita nuk po zbardhë, dita nuk po zbardhë për ne
Une të kisha pranë si një vit më parë
2X Buzët më ishin tharë, buzët më ishin tharë për ty


Ika dhe të lashë unë, sytë më nuk ti pashë
Oh sa të kam dashtë, oh sa të kam dashur ty
Edhe pema ku ne putheshim më parë
Degët ishin tharë, degët ishin tharë për ne
Më dhe një shami ti si kujtim të parë
Me lotë e kam larë, me lotë e kam larë për ty.
Nuk të kisha pranë unë si një vit më parë
2X Buzët më ishin tharë, buzët më ishin tharë për ty . / KultPlus.com

‘Shkel’ e Armend Rexhepagiqit, kënga që vazhdon t’i mbijetojë kohës (VIDEO)

Armend Rexhepagiqi, një nga këngëtarët më të njohur të muzikës në Kosovë, ka ditur përherë të mahnit publikun me prurjet e tij. “Shkel” është një ndër këngët më të njohura të tij e cila ka bërë shumë zhurmë në skenën muzikore, shkruan KultPlus.

Kjo këngë është shkruar nga vetë këngëtari dhe përcjell mesazhe të forta për të gjithë dëgjuesit.

Kënga përshkruan situata të ndryshme të jetës dhe sfidat që një person mund të hasë në rrugën e tij drejt dashurisë, apo më saktësisht për zhgënjimin që njeriu has në dashuri.

“Shkel” është bërë në një nivel të lartë profesionalizmi me një interpretim të shkëlqyer nga artisti, ku edhe sot vazhdon të dëgjohet e pëlqehet.

“Shkel” është një këngë që ka të gjitha elementet e një këngës të suksesshme, andaj ka arritur t’i mbijetojë kohës. Me një tekst të fortë, një muzikë të fuqishme dhe një video kreativ, kjo këngë ka bërë një impakt të fortë te publiku andaj KultPlus sot ju risjellë që ta shijoni edhe njëherë.

Teksti i këngës:

Ktheva, gjërat nëpër vende t’veta
Mblodha nëpër dhomë ca dromca dashurie
Ktheva, ktheva ta kërkoj e t’gjeta
S’gjeta asnjë dromcë të vetme lumturie

Sa i vetmuar jam, mure anë e mbanë
Shtrëngoma dorën si dikur
Një çast për t’fluturuar

O pse aq vrazhdë dënon çdo gjë që është e jonë?

Shkel dhe vetëm shkel
Asnjë fjalë nuk do të del
Asgjë pos kësaj kënge, shkel
Se faj kam unë, pse të desha shumë
Pse aq shumë të dua
Shkel, dhe prapë më shkel
Asnjë britmë s’do të del
Asgjë pos kësaj kënge, shkel
Se faj kam unë, pse të desha shumë
Pse aq shumë të dua

Ishe e vetmja dashuri e imja
Ishe dashuri e kohëve të vështira, ishe
Si kalimthi t’ledhatova
Për një çast i kujtova ditët e mira
Kot ti je si acar,
Si të ish janar
Heshtje e përbetuar
Shkoftë ky vit aq i mallkuar
Dhembjen me çka ta mas
T’përmbahem mos t’pëlcas

Shkel dhe vetëm shkel
Asnjë fjalë nuk do të del
Asgjë pos kësaj kënge, shkel
Se faj kam unë, pse të desha shum
Pse aq shumë të dua
Shkel, dhe prapë më shkel
Asnjë britmë s’do të del
Asgjë pos kësaj kënge, shkel
Se faj kam unë, pse të desha shumë
Pse aq shumë të dua

Vetëm vetëm shkel
Shkel dhe vetëm shkel
Asnjë fjalë nuk do të del
Asgjë pos kësaj kënge, shkel
Se faj kam unë, pse të desha shumë
Pse aq shumë të dua
Shkel, dhe prapë më shkel
Asnjë britmë s’do të del
Asgjë pos kësaj kënge, shkel
Se faj kam unë, pse të desha shumë
Pse aq shumë të dua. / KultPlus.com

Një performues i guximshëm që sfidon vetën dhe audiencën, La Fazani: “Oj Kosovë”, kangë që e kish kallë Eurovizionin

Jeta Zymberi

Në botën e festivaleve, konsideruar si një vend më i rreptë, tradicional dhe i rezervuar, artistët janë gjithnjë të gatshëm të thyejnë tabutë dhe të shprehin artin e tyre në mënyra të reja dhe provokuese.

Këto ditë, drita ishte kthyer kah muzika dhe fokusi depërtoi në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Tri netë magjike, që ishin më shumë se thjeshtë një festival. Ato ishin një shfaqje e fuqishme e artit dhe kulturës shqiptare, shkruan KultPlus.

Në një sallë në Pallatin e Rinisë, ku jetonin vetëm gjurmët e zjarrit, u rimodelua një skenë e madhe për të mbetur një vend historik ku zjarri i zemrave të artistëve do të vazhdojë të flakërojë përgjithmonë.

E një zemër artisti që do të mbetet në histori si fituesi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Kosovë, ishte ajo e Arbër Salihut, i njohur me emrin artistik si, La Fazani.

Ai është një zanatçi i muzikës që rrethohet me misterin e saj. Një eksplorues i të panjohurës, gjithmonë në kërkim të tingujve të rinj, duke krijuar harta të reja për zemrat tona. Nëpërmjet notave dhe tingujve të tij, ai dokumenton pasionet e thella dhe ndodhitë me të cilat ne jetojmë si individë dhe si shoqëri.

La Fazani, një artist që shquhet për guximin e tij të rrallë, edhe në këtë paraqitje dëshmoi se është një performues që nuk njeh kufij, gjithmonë gati të sfidojë veten dhe audiencën me muzikën e tij të mrekullueshme. Për të, çdo shfaqje është një aventurë e re, një udhëtim në një botë të panjohur të emocioneve dhe tingujve të veçantë.

Me këngën e tij fituese “Oj Kosovë,” ai ka kapur një kontrast brutal të realitetit të shoqërisë sonë. Ai përdor ironinë në mënyrë të guximshme për të nxjerrë në pah kontradiktat në të cilat jetojmë. Por është refreni i këngës që na kujton se nën sipërfaqen e shurdhër të realitetit, ka një burim të pafund dashurie dhe pasioni që shpërthen zemrat tona.

Kjo intervistë me La Fazanin, sot kur pretendojmë që emocionet e skenës kanë pushuar paksa, na sjell në fokus gjithçka rreth këtij festivali, botës artistike të këtij artisti dhe këngës fituese që për shumë kënd ishte një nismë interesante për festivalin dhe një rrugë e hapur për artistë kaq eksplorues si ai.

Por, para se të kalojmë tek përgjigjet interesante të La Fazanit, dua të theksoj një detaj thelbësor që bëhet i qartë gjatë bisedës sonë. Ai ka dhënë përgjigjet e tij në dialektin gegë dhe ka kërkuar që të mos i ndryshojmë. Kjo kërkesë e tij na flet mbi thelbin e identitetit të tij artistik.

Le të eksplorojmë më shumë këtë artistë nëpërmjet bisedës sonë kreative.

KultPlus: Kënga “Oj Kosovë” është fituesja historike e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Cila ishte ndjesia në momentin e parë që dëgjuat emrin tuaj, dhe a ishte diçka e pritshme për ju?

La Fazani: Edhe pse gjatë rrjedhës së Festivalit gjithmonë e mbajsha të hapun mundësinë që muj me u shpallë fitues, kur praktikisht fillun’ me u nda çmimet për çfarëdo arsyje nuk e kisha ndjenjën se kom me fitu. Kur na thirrën në skenë mu edhe Angus Dei, ia nisa me vërejtë se mundet me ndodhë diçka magjike. Ndjenja osht’ e papërshkrushme, po besoj osht ngjajshëm si me e dhonë gollë në finale të ndonjë kampionati botëror.

KultPlus: Teksti i këngës “Oj Kosovë” është i ngarkuar me ironi. Çfarë të provokoi që të shkruaje një tekst me një temë të tillë?

La Fazani: Gjithmonë më ka interesu me përdorë kontraste ekstreme në pjesë të ndryshme të kangëve. Në rastin e “Oj Kosovë”, e eksplorova një kontrast brutal ku në strofa tentova me paraqitë ni interpretim skeptik por plot lojë të realitetit tonë, gjithmonë në vetë të parë ku provoj me deshifru mungesën e iniciativës konkrete për me kontribu në mirëqeniën e kësaj shoqërije. Kur po vjen refreni përplot fjalë dashnije e miradije, po e bjen një kontrast që po të shtin me një krizë identiteti e s’po e din as vet se prej kahit po vjen aj burim dashurije, por gjithësesi po osht’ aty dhe përplot pasion. S’po di… krejt ka ardhë natyrshëm, prej ni tentimi me eksploru ni kontrast brutal ndjenjash, por gjithashtu prej ekzistencës së disa sentimenteve që ashiqare i ndjej për kontekstin në të cilin jetoj.

KultPlus: A është teksti i këngës “Oj Kosovë” një reflektim i opinionit të përgjithshëm për situatën në vendin tonë?

La Fazani: Nuk e di. Në përgjethësi më duket se jemi të ngurrtë me e analizu sjelljën e vetvetës edhe nuk ndihemi rahat kur e bojmë atë sen. Por po më dokët se kemi fillu me u pjekë mjaftushëm që me mujte me ia pranu vetës atë fakt. Prandaj, po edhe jo… nuk e di.

KultPlus: “Se cilindo vend sonte me fitu. E di qe n’Eurosong une s’kom me knu”, është një pjesë e tekstit të këngës, po nëse do të ishte e kundërta dhe ju do të na përfaqësonit këtë vit në Eurovision, mendon që do të ishte kënga e duhur?

La Fazani: Besoj se në aspektin stilistik, energjik dhe interpretues do të ishte një kangë që e kish kallë Eurovizionin. Por, tematika osht’ paksa e lokalizume në një shoqëri të caktume, e nuk e di sa kish mujtë publiku jashtë shtetit tonë me u ndërlidhë me tekstin e kangës. Isha dashtë ndoshta me e ndryshu pak konceptin, me bo ma universal që ndërlidhet edhe me çashtje jashtë shtetit tonë që me mujtë me e kaplu publikun Europian. Por prap, krejt ndjenjat janë universale…

KultPlus: A mendoni se krijimi i këtij festivali do të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj muzikës kosovare dhe mund të ketë ndikim në shanset e Kosovës për përshpejtimin e hapave drejt pranimit në Rrjetin e Transmetuesve Evropian (EBU)?

La Fazani: PO!!!

KultPlus: Sot, kur po besoj veç janë qetësuar pak emocionet, nga perspektiva e një artisti pjesëmarrës, si e vlerëson organizimin e Festivalit të Këngës në RTK?

La Fazani: Mendoj se krejt jemi befasu për të mirë se çfarë super spektakli ka dalë me qenë ky edicion i Festivalit të Këngës. Osht’ ngritje marramendëse e standardit prej krejt manifestimeve paraprake që janë organizu në Kosovë. Mos të harrojmë, osht’ hera e parë që po bohët prej shtetit tonë. Për senet që s’kan shku mirë, kërkush ma mirë se vetë organizatorët nuk e dijnë, kështu që kom besim se krejt ato aspekte veç kanë me u përmirësu në vitet e ardhshme.

KultPlus: Konsideron që prurjet muzikor ishin në nivelin e duhur për një festival të tillë, e ndjeve konkurrencën?

La Fazani: Mendoj se shumë artistë që kanë bagazh të madh artistik nuk e kan pasë guximin me i besu pjesëmarrjës me sy mshelë këtij festivali, kryesisht për shkak se nuk e kanë pasë idenë se qysh ka me qenë standardi i saj. Në përgjethësi osht vrejtë se pjesëmarrësit kanë qenë ma të rinjë e jo me aq përvojë artistike. Tu e marrë parasyshë këtë, kanë performu në mënyrë të shkëlqyeshme e e kanë dëshmu vetën në nivelin ma të lartë. Falë suksesit të këtij edicionit, besoj se në vitet që po vijnë kemi me pa edhe emra ma të mëdhenj tu marrë pjesë.

KultPlus: Nga kjo garë ju dolët me dy çmime, jo me më pak peshë është edhe Çmimi i Kryeqytetit që ju nda nga kryetari Përparim Rama. Çfarë simbolizojnë këto çmime për ju?

La Fazani: Me thanë të drejtën, për këtë çmim jom gëzu poaq shumë sa për çmimin kryesor. Pothuajse krejt veprimtaria jem’ artistike buron prej dhe osht’ kriju në Prishtinë. Jom prishtinali krenar që e kom çu jetën tu provu me kontribu në këtë qytet, e nuk kish ndjenjë ma të mirë se me u vlerësu prej qytetin tond. E falënderoj prej zemrës Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Përparim Rama për këtë vlerësim, do ta gëzoj përjetë.

KultPlus: Si do të përshkruanit rrugën tuaj artistike deri në këtë sukses në Festivalin e Këngës? Çfarë sfidash keni përjetuar në këtë rrugë?

La Fazani: Rrugë me gunga si rruga Muharrem Fejza në vitet 2010 – 2022. Por edhe ajo rrugë tash po dokët që osht rrafshu, edhe pse dorën në zemër osht’ pak e ngushtë për gjithë atë qarkullim të kerreve. Sfida plot e përplot, por reagimi ndaj sfidave po osht’ çka po ta definon storjën e jetës.

KultPlus: Në rrugën tuaj muzikore, cili është artisti që ju ka inspiruar e vazhdon ta bëjë?

La Fazani: Ka tepër shumë. Kështu që po përmendi shumë: the Beatles, the Doors, Bob Dylan, Bob Marley, Miles Davis, Frank Zappa, David Bowie, Björk, Radiohead, Aphex Twin, Bon Iver, Frank Ocean, Kendrick Lamar, Beyonce, Kanye West, Rihanna, Doja Cat, Muharrem Qena, Gjurmët, Genc Salihu. Dhe normalisht, ETJ.

KultPlus: Si do ta përshkruanit veten si artist? Cilat janë vlerat dhe karakteristikat që ju shprehni në muzikën tuaj?

La Fazani: Muzikant eksplorues që gjithmonë synon gjetje të reja. Dokumentues pasionant i ndjenjave dhe ndodhive individuale e shoqërore. Performues i guximshëm që gjithmonë tenton ta sfidojë vetën dhe audiencën.

KultPlus: Krejt për fund, cilat janë planet tuaja të ardhshme në karrierën muzikore dhe cili është synimi juaj në muzikë?

La Fazani: Ma në fund po i vjen rradha lansimit të albumit që e kam nisë qe gati 5 vjet. Hala nuk po e kam ide se cili ka me qenë singli/videoklipi i ardhshëm. Synimi jem’ osht që me kriju një sistem ku muj me prodhu muzikë në mënyrë konsistente, e i cili ma siguron një jetesë të rahatshme – jo najsen luksoze, por qaq sa me ma mundësu krijimin pa u tutë se a duhna me e bo edhe naj punë tjetër. / KultPlus.com

174 vite nga vdekja e kompozitorit Frederic Chopin

Sot, janë bërë 174 vite nga vdekja e njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj të historisë, Frédéric Chopin.

Frédéric François Chopin konsiderohet gjerësisht si një nga kompozitorët më të mëdhenj në historinë e muzikës klasike. I lindur në Poloni në 1810, Chopin filloi të luante piano në një moshë të re dhe shpejt tregoi talent të jashtëzakonshëm. Ai studioi muzikë në Varshavë dhe më vonë në Paris, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij të rritur.

Muzika e Chopin është e njohur për elegancën, ndjeshmërinë dhe shkëlqimin teknik. Ai shkroi kryesisht për piano, dhe kompozimet e tij karakterizohen nga meloditë e tyre lirike, lulëzimi virtuoz dhe kompleksiteti harmonik. Shumë nga pjesët e tij, të tilla si “Nocturnes” e tij të famshme, janë shumë emocionale dhe ndjellëse, duke kapur një sërë humoresh dhe ndjenjash.

Muzika e Chopin ishte shumë me ndikim në zhvillimin e periudhës romantike në muzikën klasike, dhe ai shpesh konsiderohet një figurë kryesore në lëvizje. Veprat e tij ishin gjithashtu një burim frymëzimi për kompozitorët e mëvonshëm, duke përfshirë Debussy dhe Ravel.

Gjatë gjithë jetës së tij, Chopin luftoi me shëndetin e dobët, duke përfshirë tuberkulozin, i cili përfundimisht çoi në vdekjen e tij të parakohshme në moshën 39-vjeçare. Megjithatë, pavarësisht jetës së tij të shkurtër, trashëgimia e tij si kompozitor ka qëndruar dhe muzika e tij vazhdon të interpretohet dhe të festohet. Rreth botës. Sot ai mbahet mend si një nga kompozitorët më novatorë dhe më me ndikim në historinë e muzikës klasike. / KultPlus.com

Nexhmije Pagarusha jetësohet në skulpturë, e para që i dedikohet një artisteje në Kosovë

Jeta Zymberi

Një ngjarje emocionuese që do të ndodhë së shpejti do të ndryshojë pamjen e vendlindjes së saj. Nexhmije Pagarusha, e njohur si “Bilbili i Kosovës” do të jetësohet në një skulpturë të veçantë në vendlindjen e saj, në fshatin Pagarushë në Malishevë, shkruan KultPlus.

Kjo skulpturë është një frymëzim i artistit të njohur Agon Qosja dhe me aq sa kemi parë nga fotografitë e publikuara nga vetë skulptori, ajo do të jetë një pamje që na kujton kontributin e madh të Nexhmije Pagarushës në muzikën shqiptare.

Nexhmije Pagarusha është një ikonë e muzikës shqiptare, e njohur për zërin e saj të veçantë dhe interpretimet e mrekullueshme në muzikën popullore dhe opera. Kryevepra e saj konsiderohet ”Baresha”, por pa lënë anash edhe këngët si: ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”, “Dallëndyshe”, këngë këto që publiku vazhdon t’i dëgjojë me shumë nostalgji.

Kjo skulpturë dedikuar Nexhmije Pagarushës, padyshim do të jetë një ndër veprat më të rëndësishme artistike në Kosovë, veçanërisht në fushën e muzikës. Ky është një hap i madh në promovimin e artit dhe kulturës shqiptare, veçanërisht në një vend ku skulpturat kryesisht janë të dedikuara ndaj burrave të shquar të historisë së Kosovës.

Agon Qosja, skulptori i talentuar i kësaj vepre arti, ka punuar me pasion dhe përkushtim për të krijuar një skulpturë që reflektonë fuqinë dhe pasionin e Nexhmijes për muzikën dhe që përmes saj të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë.

Në vendin e saj të lindjes, kjo skulpturë padyshim që do të bëhet një pikë referimi për turistët dhe për vendasit që do të kenë kënaqësinë të shohin këtë pamje të mrekullueshme të një artisteje të madhe.

Njëkohësisht, kjo është një ndër veprat e rralla që i dedikohet kontributit të një gruaje në Kosovë dhe ndoshta një shembull i mirë për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontributit të grave në artin dhe kulturën shqiptare.

Kjo dhuratë e bukur për kulturën shqiptare do të përurohet më datë 21 Tetor në Pagarushë, Malishevë. / KultPlus.com

‘Vetë ke mbetë, për dashuri s’guxon ta lusish kënd’

Fillimi i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.

Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.

Nexhmije Pagarusha la pas vetës hite të mëdha që vazhdojnë të dëgjohen me nostalgji.

E shkëlqyer ajo ka qenë në interpretimet në muzikën popullore dhe në opera, por Nexhmije Pagarusha bëri karrierë të suksesshme edhe si aktore, në film dhe në teatër.

Janë rreth 150 këngë që ajo i ka interpretuar, mes tyre “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi.

Sot KultPlus e kujtojn këngën e saj “Vet ke mbet”, një lirikë e pastër e cila shpërfaq ndjenja melankolie të cilat i përçon tek publiku Nexhmije Pagarusha me zërin e saj unik, të papërsëritshëm.

Më poshtë videon dhe tekstin e këngës “Vetë ke mbetë”:

“Muzika është e vetmja gjë që kur të godet nuk të lëndon”

Bob Marley ishte këngëtar i muzikës reggae të cilën arriti ta bëj po ashtu të njohur kudo.

Shkroi qindra tekste unike, këngët e tij u kënduan e rikënduan. Sot po i sjellim disa nga shprehjet më të mira të Bob Marleyt:

“Nëse ajo është e shkëlqyeshme, ajo nuk do të jetë e lehtë. Nëse ajo është e lehtë, ajo nuk do të jetë e shkëlqyeshme. Nëse ajo nuk është e rëndësishme, ju nuk do të dorzoheni. Nëse dorzoheni, ju nuk do të jeni të rëndësishëm…. E vërteta është se të gjithë do të të lëndojnë; ju duhet vetëm të gjeni atë e cila është aq e rëndësishme për të sakrifikuar.”

“Era e cila do të na merr atë të cilën e duam, është ajo e njejta e cilat do të na sjellin neve diçka për të dashuruar. Prandaj nuk duhet të qajmë për gjërat të cilat kan ikur, sepse ajo që na përket neve me të vërtetë nuk largohet asnjëherë.”

“Ju thuani se e doni shiun, por ju e përdorni një çadër për të ecur përfundi saj. Ju thuani se e doni diellin, por ju kërkoni shtrehim kur shkëlqen. Ju thoni se e doni erën, por kur vjen ju i mbyllni dritaret. Prandaj friksohem kur më thua se më do.”

“Dashuria asnjëherë nuk do të na lë vetëm”

“Frikacaku më i madh i një njeriut është që të zgjojë dashurinë e një gruaje, pa qëllim për të dashur atë.”

“Kurrë nuk do të ketë dashuri në të gjitha.”

“Ajo nuk mund të jetë njëra ndër vajzat më të njohura ose më e bukura por nëse ju e doni atë dhe ajo të bën të buzëqeshë….ç’rëndësi ka tjetër?”

“Një dashuri, një zemër”

“Paraja nuk mund të blejë dashurinë as jetën.”

“Me të vërtetë besoj se vetëm njëherë në jetë ju do të gjeni dikë e cila do të rrotullojë tërë botën përreth jush.”

“Dashuro fortë kur ka dashuri për të pasur. Sepse djem perfekt nuk ekzistojnë, por gjithmonë do të jetë një djalë i cili do të jetë perfekt për ju.”

“Bukuria e dashurisë. Dashuria e bukurisë.” / KultPlus.com

Mbi dy dekada krahë pianos, Ardita Statovci: Jam krenare për promovimin që ia kam bërë muzikës sonë në nivel ndërkombëtar

Jeta Zymberi

Historia e saj është një udhëtim emocionues që fillon nga fëmijëria. E lindur në një familje ku pianoja ishte e lidhur me emocionet më të thella dhe momentet më të veçanta të jetës së tyre, Ardita Statovci nuk kishte si t’i ikte magjisë së këtij instrumenti.

Në familjen e Arditës, por edhe sot për vetë Arditën, pianoja, e njohur për vargëzimet e saj të bukura dhe tingullin e saj mahnitës, është më shumë se një instrument – ajo është një mjet që ka shërbyer si një udhërrëfyes i emocioneve të saj, një rrugë e çuditshme për të shprehur gëzimin, dhimbjen, pasionin, dhe ndjenjat e shumta që e kanë përcjellë në rrugëtimin e saj artistik, shkruan KultPlus.

Karriera e saj është një udhë e gjatë që ka përfshirë koncerte të mrekullueshme në skena mjaft prestigjioze ndërkombëtare. Krejt këto me një qëllim të qartë, që të jap kontributin e saj në promovimin e muzikës kosovare në nivel ndërkombëtar.

E lindur në Prishtinë më 2 mars 1982 si vajza më e re e dy profesorëve të Universitetit të Prishtinës, ajo filloi mësimet për piano në klasën e Hadije Gjinalit dhe më pas tek Lejla Pula në Prishtinë. Që në moshën 15 vjeçare ajo u pranua në Universitetin me renome “Mozarteum” në Salzburg të Austrisë ku në vitin 2007 përfundoi studimet e magjistraturës në klasën koncertale të Christoph Lieske, duke marrë vlerësimin maksimal nga juria internacionale.

Në vitin 2009 ajo studio me pianistin legjendar Menahem Pressler në Indiana University në Bloomington/SHBA. Përderisa studimet postgraduale ajo i bëri me Boris Petrushansky dhe Franco Scala në Akademinë Pianistike në Imola të Italisë.

Statovci ka performuar si soliste me orkestra të mëdha nëpër shtete të ndryshme të botës.

Rrugëtimi i saj nuk ka mbetur pa u vlerësuar edhe me çmime të ndryshme duke përfshirë këtu çmimin “Bösendorfer” nga Universiteti Mozarteum, e garës zgjedhore Yehudi Menuhin Live Music Now në Salzburg si dhe çmimeve “Talent i Kosovës”.

Paraqitjet e saj janë të vazhdueshme dhe tashmë janë bërë më shumë se dy dekada që kur Ardita me pasion dhe vendosmëri ka punuar për të arritur këtë nivel të jashtëzakonshëm të aftësive pianistike, dhe është bërë një figurë e rëndësishme në skenën muzikore.

Kur dëgjon tingujt e pianos së Ardita Statovcit, është e pashmangshme dëshira për të zbuluar më shumë rreth këtij pasioni frymëzues të cilin e nxjerr magjishëm nga ky instrument paqësor.

Në një intervistë për KultPlus, ajo ka treguar për ndjesinë e thellë që përjeton para çdo koncerti dhe përgatitjen e frytshme e momentet e mrekullueshme kur shfaqet para publikut. Në këtë udhëtim artistik, Statovci na ka ofruar pamje nga bota e saj muzikore, ku interpretimi i një note është një udhëtim emocional që e bën publikun të ndihet i lidhur me muzikën në mënyra të jashtëzakonshme.

Një fakt i veçantë është edhe kontributi i Statovcit në ngritjen e emrit të Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike. Ajo ka shpalosur për lexuesit e KultPlus edhe krenarinë e saj kombëtare duke interpretuar vepra të kompozitorëve kosovarë dhe duke i prezantuar ato në skena të mëdha ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, Statovci përvojën e saj mundohet ta ndajë me artistët e rinjë, duke i ofruar njohuri e duke i frymëzuar për të ndjekur ëndrrat e tyre. Së fundmi, një koncert bashkë me talentet e rinj, fitues të çmimeve të ChopinPianoFEST, Ardita e mbajti në Berlin, në sallën e bukur të Universitetit të Arteve Joseph-Joachim-Konzertsaal, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të jetës publike, diplomatë, përfaqësues të institucioneve, artdashës dhe studentë e pjesëtarë të diasporës tonë në Berlin.

KultPlus: Si e filluat karrierën tuaj muzikore dhe çfarë ju frymëzoi për të bërë muzikë profesionale?

Ardita Statovci: Piano luaj që nga fëmijëria e hershme. E kishim pianon në shtëpi, nëna dhe motrat e mia kishin vijuar shkollën e muzikës, ndërsa babi luante në mënyrë autodidakte. Loja në piano ishte fascinuese, frymëzuese dhe më rrëmbente tërë vëmendjen. Ishte mënyra më e bukur për të shprehur të gjitha emocionet, e këto ishin nga më të ndryshmet.

KultPlus: Mund të na tregoni për eksperiencën tuaj në koncertin e fundit në Berlin dhe reagimin e publikut aty? U prezantuat në këtë koncert bashkë me talente të rinj, si ishte ky bashkëpunim për ju?

Ardita Statovci: Koncerti në Berlin u realizua për të paraqitur gjeneratat e reja e të suksesshme të pianistëve të Kosovës. E veçanta e kësaj ishte Çmimi special “Chopin Piano Fest” i cili tash e 5 vite i është ndarë një pianisteje/pianisti të ri nga Kosova. Në bashkëpunim me një nga festivalet më të mira e më të respektuara të Kosovës, Chopin Piano Festin dhe drejtoreshën artistike prof. Lejla Pula dhe drejtoreshën menaxheriale prof. Besa Luzha, kemi formuar këtë çmim për t’i hapur dyert në botën e muzikës një pianisteje/pianisti të ri për të koncertuar në vendet gjermanofone dhe për të mbajtur masterklasë në një nga Universitet në këto vende. Çmimi është sponsorizuar dhe është mundësuar nga Herbert Groeger, një njohës dhe përkrahës i madh i të rinjve gjithandej nëpër botë nga fusha e muzikës klasike. Për të kurorëzuar punën 5-vjeçare, erdhi ideja që të mbajmë një koncert në Berlin dhe isha e nderuar dhe e lumtur që kësaj radhe pata rastin të ndaj skenën së bashku me të rinjtë tanë. Është ndjenjë e mirë që koncerti shkoi për mrekulli, ishte bukur dhe audiencë ishte shumë e këndshme. I jemi mirënjohëse institucioneve tona, Ambasadës së Kosovës në Gjermani, MKRS dhe MPJD që mundësuan realizimin e koncertit.

KultPlus: Keni pasur rastin të performoni në disa skena ndërkombëtare, na fol pak mbi këtë përvojë?

Ardita Statovci: Performimi në skena të ndryshme ndërlidhet jo vetëm me lojën para publikut por edhe me një sërë udhëtimesh dhe lëvizjesh nga vendi në vend. Takimet me njerëz nga kultura e prejardhje nga më të ndryshmet janë inspiruese. Ndjehem fatlume që kam koncertuar në pjesën më të madhe të shteteve europiane, në vende aziatike si Kina, India, Japonia dhe në SHBA. Ndër skenat e veçanta ku kam luajtur do përmend Elbphilharmonie në Hamburg, KKL në Luzern, Musikverein në Vjenë, Mozarteum në Salzburg, Pallati Mbretëror në Stockholm, Shtëpia e koncertit në Ankara, Sallat e koncertit në Shanghai, Nanchang, Mumbai dhe ka edhe shumë të tjera ku rikthehem me dëshirë.

KultPlus: Cilat janë inspirimet dhe influencat tuaja kryesore në muzikë?

Ardita Statovci: Mendoj që nga fëmijëria kam pasur fatin për të mësuar nga figura e personalitete të jashtëzakonshme vendore e ndërkombëtare. Ndonëse pjesën më të madhe të shkollimit muzikor e kam bërë në Austri, Itali dhe SHBA, ku kisha fatin të mësoja me pianistë e pedagog legjendar Menahem Pressler, Christoph Lieske, Boris Petrushansky, unë me endje i kujtoj mësimet e para të pianos në Prishtinë me profesoreshat e mia Lejla Pula dhe Hadije Gjinali.

KultPlus: Si e përshkruani stilin tuaj muzikor dhe repertorin tuaj të preferuar?

Ardita Statovci: Repertori im pianistik përfshin vepra nga baroku e deri te kompozitorët e kohës së sotme. Ka shumë vepra që adhuroj, jo domosdoshmërisht vetëm pianistike, por edhe nga literatura simfonike, vokale, korale etj. Më pëlqen Bach, Schubert, Brahms, Gershwin… e shumë e shumë të tjera.

KultPlus: Cilat janë momentet më të rëndësishme në karrierën tuaj muzikore deri më tani?

Ardita Statovci: Secila paraqitje e ka një veçanti dhe një rëndësi në rrugën artistike e cila nganjëherë vjen në pah tek më vonë. Për një artist është e rëndësishme që ta tejkalojë veten në secilin koncert dhe secilën herë të jetë më mirë se ajo e kaluara. Paraqitja në salla të mëdha e të njohura ngërthen një rëndësi dhe përgjegjësi të madhe. Më kanë lënë mbresa paraqitja në Elbphilharmonie – një institucion gjigand kulturor i ndërtuar së fundmi, në Konzerthaus në Dortmund si soliste me orkestër derisa luaja koncertin për piano, trompetë e orkestër nga Shostakovich, koncertet në Kinë e shumë të tjera.

KultPlus: Si përgatiteni për një koncert të madh dhe si e menaxhoni emocionin para performancës?

Ardita Statovci: Mundohem të fokusohem jo vetëm në piano, por edhe në punën e analizës së partiturës dhe leximit të saj me vëmendje. Është e natyrshme që përgjegjësia e lartë, si paraqitjet në skenë të mëdha e të njohura, bëjnë që emocionet të jenë gjithashtu të forta – është ky një lloj gëzimi dhe një synim për të cilin njeriu punon – ai momenti unik i paraqitjes në skenë.

KultPlus: Cilat janë planet dhe projektet e ardhshme për ju në botën e muzikës?

Ardita Statovci: Do të kem koncerte në vende të ndryshme, do paraqitem me recitale solistike, si dhe me piano me katër duar së bashku me kolegen time zvicerane Ariane Haering me të cilën kemi duon pianistike Ariadita Duo. Krahas koncertimit do vazhdoj të jap kontributin tim edhe në fushën e mësimdhënies në piano në Washington Conservatory of Music në SHBA.

KultPlus: Si ndiheni për kontributin tuaj në promovimin e muzikës kosovare në nivel ndërkombëtar?

Ardita Statovci: Janë bërë tani më shumë se 25 vite që luaj muzikën e kompozitorëve tanë në nivel ndërkombëtar, nisur që nga viti 1997 kur shkova të studioja në Universitetin Mozarteum në Salzburg të Austrisë. Sot ka shumë e shumë kolegë që kanë studiuar jashtë dhe kanë krijuar karriera të respektuara. Ndërsa në atë kohë kur unë nisa studimet në Austri ka pasur fare pak ose gati se hiç muzikantë nga vendi jonë. Nuk është gjë e lehtë, meqë gjithçka duhet bërë në baza individuale, duke u nisur edhe nga ajo që të bindësh drejtorët artistik ose organizatorët e festivaleve që të luash muzikë nga kompozitor që ata mund të mos i njohin. Por unë me dëshirën më të madhe vazhdoj ta bëj këtë kudo që kam mundësi dhe jam shumë krenare për promovimin që ia kam bërë muzikës dhe vendit tonë në nivel ndërkombëtar tani për dy dekada e gjysmë.

KultPlus: Si do të përshkruani marrëdhënien tuaj me publikun dhe përkrahjen që keni marrë nga komuniteti i muzikës në Kosovë?

Ardita Statovci: E them gjithmonë që publiku në Kosovë është shumë i dashur, janë njerëzit që më kanë njohur dhe më kanë përcjellur që nga fëmijëria, andaj secila herë është një ndjenjë shumë e veçantë të koncertosh para këtyre njerëzve kaq të dashur.

KultPlus: Çfarë këshillash keni për të rinjtë që ndjekin ëndrrën e tyre në muzikë?

Ardita Statovci: Profesioni i pianistit kërkon shumë pasion, punë, përqendrim dhe një karakter të fortë. / KultPlus.com

Spotify nuk do të ndalojë muzikën e krijuar nga AI

Shefi i Spotify thotë se nuk ka plane të ndalojë plotësisht përmbajtjen e krijuar nga Inteligjenca Artificiale nga platforma e transmetimit të muzikës.

Në fillim të këtij viti, platforma nxori një këngë me zërat e imtituar me AI të interpretuesve Drake dhe The Weeknd.

Daniel Ek i tha BBC-së se kishte përdorime të vlefshme të teknologjisë në krijimin e muzikës – por AI nuk duhet të përdoret për të imituar artistë njerëzorë pa pëlqimin e tyre, transmeton Klankosova.tv.

Ek, tha se ai pa tre mundësi të përdorimit të AI: mjete të tilla si akordimi automatik që përmirësojnë muzikën, të cilat ai besonte se ishin të pranueshme, mjete që imitojnë artistët, të cilët nuk ishin, dhe një terren i mesëm më i diskutueshëm ku muzika e krijuar nga AI u ndikua qartë nga artistët ekzistues, por nuk i imitonte drejtpërdrejt ata.

“Do të jetë e ndërlikuar,” tha ai kur u pyet për sfidën me të cilën po përballej industria.

Ndërsa AI nuk është i ndaluar në të gjitha format në platformë, kompania nuk lejon që përmbajtja e saj të përdoret për të trajnuar një model të mësimit të makinerive ose AI, të ngjashmet e të cilave më pas mund të prodhojnë muzikë.

Artistët po flasin gjithnjë e më shumë kundër përdorimit të AI në industritë krijuese.

As Drake dhe as The Weeknd nuk ishin në dijeni të versioneve të klonuara të zërave të tyre që përdoreshin në këngën “Heart on My Sleeve”. Kënga u hoq nga Spotify dhe platformat e tjera të transmetimit në prill.

Krijuesi i saj, Ghostwriter, më vonë u përpoq që kënga të nominohej për një çmim Grammy, por ajo u refuzua.

“Ju mund të imagjinoni dikë që ngarkon një këngë, duke pretenduar se është Madonna, edhe nëse nuk është. Ne kemi parë pothuajse gjithçka në historinë e Spotify në këtë pikë me njerëz që përpiqen të luajnë me sistemin tonë,” tha Z. Ek.

Në maj, Financial Times raportoi se mijëra këngë ishin hequr nga Spotify pas një zbulimi se robotët po përdoreshin për të fryrë artificialisht shifrat e tyre të transmetimit. / KultPlus.com

‘Pompeii’ vjen pas 10 vjetësh me ripërpunim nga Hans Zimmer dhe Bastille

Bastille e kanë publikuar versionin e ri të këngës “Pompeii” në bashkëpunim me kompozitiorin e filmave, Hans Zimmer.

Ky ripërpunim shënon 10-vjetorin e publikimit të versionit origjinalk të këngës e cila e kishte arritur numrin dy në toplistën britanike.

Një projekt i tillë erdhi pasi që lideri i bendit, Dan Smith, po punonte në studio me Zimmerin në projekte të tjera./KlanKosova/KultPlus.com

“Shkodra Jazz Festival 2023”, bashkon muzikantë të njohur nga Shqipëria dhe bota

“Shkodra Jazz Festival 2023” përmbyll këtë fundjavë fazën dyjavore të “Rrok Academy”, që ofroi për dhjetëra muzikantë të rinj nga Shqipëria dhe disa vende të tjera, leksione intensive në muzikën jazz dhe klasike të drejtuara nga profesionistë të fushës.

Masterclasat e “Rrok Akademy” u zhvilluan në ambientet e disa institucioneve të artit dhe të kulturës në Shkodër, si Galeria e Arteve, Muzeu Historik, Biblioteka “Marin Barleti” dhe  Qenda Rinore Atelie.

Kryetari i bashkisë, Benet Beci ka përgëzuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e Shkodra Jazz Festival, për këtë veprimtari që përmes artit e bënë Shkodrën edhe më atraktive në këtë periudhë të sezonit turistik.

Në javën e tretë, “Shkodra Jazz Festival” do të vijojë me koncertet e “Shkodra Sounds”, në datat 19 dhe 20 Gusht, në oborrin e Shtëpisë Muze “Oso Kuka” si dhe  me shfaqjet përmbyllëse të festivalit, që do të zhvillohen në sheshin para bashkisë./atsh/KultPlus.com

46 vite nga vdekja e Elvis Presley

Sot 46 vite më parë ka vdekur këngëtari dhe aktori amerikan me famë botërore Elvis Presly, shkruan KultPlus.

I lindur më 8 janar 1935. Ai konsiderohet si një ndër figurat kulturore më të shquara të shekullit të 20, dhe njihet edhe si “Mbreti I Rock and Roll-it” apo thjesht “Mbreti”.

Presley kishte lindur në Tupelo, Mississippi, si një binjak-pa binjak, dhe kur ishte 13 vjeçar, ai dhe familja e tij u vendosën në Memphis, Tennessee. Karriera e tij muzikore filloi dikur më 1954, kur regjistroi një këngë me producentin Sam Philips nga Sun Records. Në bashkëpunim me kitaristin Scotty Moore dhe basistin Bill Black, Presley ishte ndër themeluesit e rokut, me uptempo, back beat me elemente të muzikës country dhe R&B. Ai u menaxhua nga Kolonel Tom Parker për më se dy dekada, me kontratën e nënshkruar nga RCA. Kënga RCA e parë e Elvisit , “Heartbeat Hotel”, u lansua në janar 1956 dhe u bë hiti numër 1 në SHBA. Ai fitoi titullin “Mbreti I Rock and Roll-it” pas një serie të suksesshme të paraqitjeve të tij në televizion dhe rekordeve të tij prijëse në top listat. Interpretimet e tij energjike të këngëve dhe stili I tij provokativ, i kombinuar me talentin e madh e bëri atë shumë të famshëm dhe kontroverzal (të diskutueshëm).

Në nëntor 1956, ai nxori filmin e tij Love Me Tender. Më 1958, u rekrutua nga shërbimi ushtarak. Ai vazhdoi karrierën e tij muzikore pas dy viteve, duke krijuar disa nga punimet e tij më të suksesshme komerciale para se të përkushtohej më shumë me filmat hollivudian si dhe albumet e tyre shoqëruese (vitet 1960), të cilat u përqeshën dhe u kritikuan. Më 1968, pas një ndërprerjeje shtatë vjeçare nga performancat e drejtpërdrejta, ai u rikthye në skenën me brohoritje të shumta për replikën e veqantë Elvis, e cila e dërgoi në një residensi koncertesh të zgjatura Las Vegase dhe një varg turnesh shumë fitimprurëse. Më 1973, Presley mori pjesë në koncertin e parë të transmetuar globalisht përmes satelitit, Aloha from Hawaii (Përshëndetje nga Hawaii). Disa vite abuzimi me drogë në formë barnash ndikoi në dobësimin e shëndetit të tij, dhe më 1977 ai vdes në moshën 42 vjeçare.

Presley është një ndër muzikantët më të njohur dhe më me ndikim të shekullit 20. Komercialisht i suksesshëm në shumë zhanre, duke përfshirë atë pop, blues dhe gospel, ai është solo – artisti më i shitur në historinë e muzikës me shitjet e regjistruara të vlersuara prej rreth 600 milion kopjeve në gjithë botën. Ai fitoi 3 çmime Grammy, dhe poashtu “Çmimin Grammy Të Arritjeve Të Jetës” (Grammy Lifetime Achievement Award), në moshën 36 vjeçare, dhe ka hyrë në sallat e shumta muzikore të famës./KultPlus.com