Doli: Sheshi ‘Skëndërbej’ do të jetë arena më e madhe e muzikës autoktone Shqiptare

“Muzika Shqiptare, përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit tonë. Studiuesit e huaj kanë arritur në konkluzionin se pasuria kryesore e Shqipërisë është Folklori Muzikor”, ka shkruar violinisti i njohur shqiptar Shkëlzen Doli i cili do të rikthehet sërish për publikun shqiptar, në një koncert të pagëzuar “Shkëlzen Doli – Albanian Soul”, që do të mbahet më 23 shtator në sheshin “Skënderbej”, shkruan KultPlus.

“Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur. Në 23 Shtator në “Sheshin Skëndërbej”, një pjesë e materialeve muzikore, pjesë e folklorit muzikor Shqiptar, do të interpretohet LIVE nga Maestro Shkëlzen Doli dhe orkestra. “Sheshi Skëndërbej” do të jetë arena më e madhe e muzikës autoktone Shqiptare”, ka shkruar Doli në facebook.

Prezantimi i fundit dhe shumë mbresëlënës te publiku shqiptar i violinistit Doli ishte ai në Pallatin e Kongreseve, mbrëmjen e 2 janarit.

Në shtator të vitit të kaluar Doli ishte dhe i ftuar special në koncertin e dhënë me rastin e Shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan. / KultPlus.com