Me sloganin ‘Muzika nuk vret’, artistët përsëri protestojnë në Shqipëri

Nën sloganin “Muzika nuk vret”, artistët janë mbledhur edhe sot në protestë para Kryeministrisë në Shqipëri, përcjellë KultPlus.

Protesta e artistëve nisi që pasditen e djeshme, pas vendimit të qeverisë për të mbyllur club-et dhe lokalet pas orës 20:00 të mbrëmjes, për shkak se cilësohen si burim i përhapjes së koronavirusit.

Gjatë protestës së sotme, ka pas dhe përplasje mes artistëve dhe policisë. Policia ka shoqëruar disa protestues. /konica/ KultPlus.com

Artistët protestojnë sot kundër vendimit të qeverisë me sloganin “Muzika nuk vret”

Vendimi i fundit i Qeverisë për rimbylljen e klubeve të natës, lounge-ve apo diskove, në kuandër të masave anti-covid, nuk është pritur mirë nga publiku. Ky vendim dëmton rëndë ekonominë e personave që punojnë në këto biznese, që nga stafet e punonjësve e deri tek këngëtarët e muzikantët, duke qenë se këto aktivitete i kanë si burim kryesor të ardhurash. Madje një pjesë e vendimit, ku thuhet se nuk do të lejohet muzika në asnjë vend pas orës 20:00, është bërë objekt ironie dhe talljeje në rrjetet sociale.

Ndërkohë, sot është parashikuar edhe një protestë para kryeministrisë në lidhje me aktin normativ të miratuar nga qeveria. Në orën 20:00, që duket si një simbolikë e përdorur nga artistët sërish për të ironizuar vendimin, muzikantët dhe të gjithë personat që i preket puna dhe të ardhurat nga bllokimi i lokaleve, do të mblidhen nën moton “Muzika nuk vret”. Nga posteri i publikuar, ata kërkojnë që të mos ndalet muzika, të përmirësohet kontrolli për masat ndaj Covid-19 dhe dalin kundër informalitetit, një temë e diskutuar shpesh herë dhe e përdorur kundër këngëtarëve.

Thirrja për protestë po shpërndahet në rrjetet sociale, ku deri më tani e kanë nxjerrë artistë si Eneda Tarifa, Eugent Bushpepa Dj Sardi apo Capital T, por edhe figura si Olti Curri, i cili u shpreh kundër vendimit të qeverisë më herët sot.

Sot në orën 20:00 përballë kryeministrisë. /News31.al /KultPlus.com