Lady Gaga u detyrua të ndalonte shfaqjen e fundit të turneut të saj Chromatica Ball në Florida pas një stuhie të fortë, transmeton KultPlus.
Ylli po i afrohej fundit të shfaqjes së saj kur rrufeja filloi të godiste rreth stadiumit Hard Rock të Majamit.
“Ne thjesht duhet ta ndalim shfaqjen për një minutë,” u tha ajo 65,000 fansave në shfaqje, duke i këshilluar ata që të jenë të qetë gjatë lëvizjeve të tyre.
Edhe pse ajo kishte shpresuar se stuhia do të kalonte, koncerti përfundimisht duhej të anulohej.
Gaga më vonë postoi një falje me lot për fansat në llogarinë e saj në Instagram.
“Ne vërtet u përpoqëm ta përfundonim shfaqjen sonte në Miami, por nuk mundëm sepse edhe kur shiu pushoi, rrufeja goditi deri në tokë aq afër nesh,” tha ajo, ende e veshur me veshjen e saj në skenë dhe duke fshirë shiun nga fytyrën e saj.
“Unë nuk e di se çfarë do të bëja nëse diçka do t’i ndodhte dikujt në audiencë ose ndonjë anëtari të ekuipazhit tim.”
Stadiumi Hard Rock postoi një deklaratë në Twitter, ku shkruhej: “Shfaqja sonte e Lady Gaga nuk mund të vazhdonte pas një pauze të shfaqjes në orën 22:50 në interes të sigurisë së tifozëve për shkak të motit të keq që përfshinte ndriçimin. Faleminderit për mirëkuptimin”. /KultPlus.com
Prej shekujsh muzika klasike mbart në vetvete një sërë misteresh dhe mesazhe të fshehura përmes notave, të kompozuara dhe të fshehura nga vetë kompozitorët, nga nënshkrimet e thjeshta muzikore, deri te shprehjet e dashurisë, përfshirë mesazhe të fshehura me natyrë politiko-fetare.
Përtej bukurisë zanore, jo rrallëherë muzika mund të përçojë në vetvete të gjitha llojet e imazheve, historive dhe referencave abstrakte, që shërbejnë për ta çuar atë më tej.
Gjithsesi, hera-herës ka mesazhe të fshehura, të futura me zgjuarsi nga kompozitori midis temave dhe zërave të ndryshëm muzikorë. Kjo surprizë e fshehur merr rëndom formën e nënshkrimit të thjeshtë muzikor të emrit të kompozitorit, një referencë personale e autorit, si në rastin e regjisorit Alfred Hitçkok, i cili shfaqet si figurant në filmat e tij.
Mjeshtri absolut i vetëreferencës është Johann Sebastian Bach. Muzika e tij është e stëpikur me motive kompozuar me shkronja të emrit: si bemol – la – do – si naturel, ose B-A-C-H në shënimet muzikore gjermane, që shërbyen si frymëzim për Art de la Fugue (Artin e arratisjes). Mirëpo, Bach nuk është i vetmi, përkundrazi. Edhe Robert Schumann fsheh një referencë të vogël në koleksionin për piano “Carnaval”, përmes notave S-C-H-A (mi bemol-do-si naturel-la). Dmitry Shostakovich gjithashtu luan me motivin D-S-C-H, duke përdorur D-në e emrit dhe tri shkronjat e para të mbiemrit në transliterimin gjerman, Schostakowitsch. Puna e tij është nën kërcënimin e vazhdueshëm nga diktatura dhe censura staliniste, si rrjedhojë motivi shërben si gjurmë e përhershme në disa prej veprave, përfshi Simfonitë nr.8, nr. 10 dhe nr. 15, apo në disa kuartete dhe koncerte për violinë dhe violonçel. Por jo vetëm, gjejmë po ashtu nënshkrime muzikore të Schubert (F-S-C-H), Schoenberg (A-S-C-H-B-E-G) dhe Béla Bartók (B-E-B-A ose B-A-B-E).
Mirëpo, përtej vetëreferencës së disave, të tjerët zbaviteshin duke fshehur mesazhe tejet të rëndësishme, qoftë për arsye admirimi profesional, dashurie apo faji, politike, devocioni fetar apo edhe për arsye ende të panjohura gati një shekull më pas. J.S.Bach duket si aktual, madje motivi B-A-C-H shfaqet në punët e shumë kompozitorë që dëshirojnë t’i bëjnë homazhe mjeshtrit të madh të muzikës, përfshi Schumann, Liszt, Rimsky-Korsakov, Honegger, Schönberg, Poulenc, Webern, Koechlin dhe Pärt. Veçse duket sikur referenca e parë e motivit B-A-C-H nuk është për Jean-Sébastien, por më shumë për një nga paraardhësit e tij (gjithashtu muzikantë shumë të njohur) nga kompozitori hollandez Jan Pieterszoon Sweelinck.
Emocioni më i fuqishëm dhe burim i pashtershëm frymëzimi, dashuria, mbetet burimi i veprave të panumërta muzikore. Kështu, të panumërt janë kompozitorët që shpalosin në kompozimet e tyre deklarata të vërteta miqësie dhe dashurie, si Robert Schumann. Kompozitor romantik i jashtëzakonshëm dhe adhurues i zjarrtë i enigmave muzikore, pra s’është për t’u habitur që ky i fundit të ketë luajtur me idenë e fshehjes në muzikë mesazhe dhe deklarata dashurie për dashurinë e tij të përjetshme, Clara.
Kështu, më 1841, Robert Schumann kompozoi brenda dy javëve një Fantazi për piano dhe orkestër, që më vonë do të bëhej lëvizja e parë e Koncertit të tij për piano në 1845, e kompozuar për Clara-n, me motivin C-H-A, një referencë për pseudonimin Clara, “Chiara”, që dominon lëvizjen e parë dhe punohet dhe ripunohet në mënyrë të përsëritur në forma të ndryshme. Për disa, një deklaratë dashurie. Për të tjerët, një miratim i një lidhjeje jashtëmartesore ose një dashuri e paharruar. Edward Elgar ishte një njeri i apasionuar pas enigmave, kriptogrameve dhe lojërave të fjalëve (për shembull, ai shkroi në 1897 një mesazh të koduar me 87 karaktere për shoqen e tij Dora Penny, i cili vijon të jetë i padeshifruar). Madje, për disa muzika shërben edhe si një mjet i shprehjes fetare, pavarësisht konteksteve politiko-fetare ndonjëherë shumë të rrezikshme për ata që nuk i përmbahen asaj.
Në shekujt 16 dhe 17, Anglia luhatej midis katolicizmit të Mbretëreshës Mary I dhe Protestantizmit të Mbretëreshës Elizabeth I, një autoritet monarkik me fare pak tolerancë ndaj refraktarëve. Një nga kompozitorët më të njohur nën Mary I, William Byrd, një katolik i supozuar, gëzoi mbështetjen dhe mbrojtjen e Mbretëreshës së re Protestante Elizabeth I, në sajë të talentit të tij muzikor. Kompozitor i Kapelës Mbretërore, ai kompozoi një sërë veprash muzikore për liturgjinë e Kishës Anglikane. Megjithëkëtë, ai kompozoi po ashtu, në kundërshtim me monarkinë protestante, vepra të shumta të muzikës së shenjtë në mbështetje të komunitetit katolik refraktar dhe klandestin në Angli, kundër protestantëve./Konica.al/ KultPlus.com
Ai vazhdon të mbetet “Mbreti i muzikës pop” për shumë arsye. Hitet mjaft të shitura, audienca maksimale në spektaklet ku ishte i ftuar, fansa të shumtë nëpër koncertet e tij, e bëjnë Michael Jackson një këngëtar model për gjithë këngëtarët e tjerë të muzikës pop. Madje, shumë artistë të rinj e kopjojnë Jackson për kërcimet e tij. Përmendim këtu Jason Derulo, Chris Brown, Justin Bieber etj. Ndër të tjera, Michael Jackson la në këtë botë edhe shumë thënie të bukura që na frymëzojnë të gjithëve në jetën tonë të përditshme. Më poshtë do të lexoni disa nga thëniet më të veçanta të tij.
“Përpara se të më gjykosh, përpiqu fort të më duash”.
“Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh”.
“Unë mund ta pranoj dështimin. Secili nga ne dështon në diçka përgjatë jetës së vet, por unë nuk mund ta pranoj dot të mos e provoj sërish”.
“Gjithmonë beso tek vetja. Pavarësisht nëse të tjerët rreth teje po tregohen negativë, apo po të përçojnë energji negative, mos i merr parasysh mendimet e tyre, sepse ti do të bëhesh, ashtu siç ti beson se do të bëhesh”.
“T’i japësh dikujt një pjesë të zemrës tënde, është shumë herë më me vlerë se t’i japësh gjithë pasurinë e botës”.
“Nëse ti nuk beson tek vetja jote, asgjë e mirë nuk do të të ndodhë në jetë. Nëse ti nuk beson tek vetja, kush tjetër do të të besojë ty?”
“Le të ëndërrojmë për një të nesërme ku do të dashurojmë me shpirt, dhe do ta njohim dashurinë si të vërtetën e vetme që buron nga zemra për çdo krijesë”.
“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët”.
“Dikush dikur tha “Shpirti është ai që ka rëndësi””.
“Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës”. / Bota.al
Në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, Kuinteti i Tunxhit i Filharmonisë së Kosovës do të paraqitet me tri performanca në tri lokacione të ndryshme në kryeqytet.
Prej orës 15:00, ansambli do të paraqitet me një mini-koncert në oborrin e shkollës fillore “Elena Gjika” për të vazhduar prej orës 15:30 në Parkun e Qytetit dhe duke e përmbyllur shënimin e kësaj dite prej orës 16:00 në platenë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com
Një punë ekipore dhe patjetër e ndërsjellë, mes dirigjentëve dhe muzikantëve që e ndjekin atë, e ka arritur me sukses kori “Siparantum” i drejtuar nga dirigjenti Memli Kelmendi. Edhe pse arti i dirigjimit ekziston prej shekujsh, në Kosovë nuk vlerësohet dhe diskutohet për të sa duhet. Dirigjimi përpos përgjegjësisë fillimisht, është një punë që në radhë të parë kërkon besim, inteligjencë dhe aftësi të shkëlqyera si njerëzore ashtu edhe muzikore. Kosova është ngritur në majat më të larta në botë sa i përket muzikës klasike përmes korit “Siparantum”, të udhëhequr nga Kelmendi, shkruan KultPlus.
Dirigjenti Memli Kelmendi ka arritur që të korr suksese të mëdha me korin që ai udhëheq dhe realisht, suksesi ishte gjëja për të cilën ai kishte punuar më së shumti.
I rritur në një familje muzikantësh, Kelmendi rrëfen për KultPlus se muzikën e ka të trashëguar nga babai i tij, Xhevat Kelmendi (kantautor), i cili mes tjerash ishte edhe kritiku më i madh në këtë fushë, derisa ai flet edhe për jetën e tij në fëmijëri, studimet në fushën e muzikës, punën e tij të parë, puna si një profesor dhe sukseset e jashtëzakonshme që ka arritur.
KultPlus: Memli, ju jeni një dirigjent i suksesshëm, i pëlqyer nga publiku dhe keni fituar çmime të shumta, a do të thotë kjo se edhe në kohën e fëmijerisë jeni shquar për muzikë?
Memli Kelmendi: Muzikën e kam trashëgim nga babai im, Xhevat Kelmendi (kantautor). Me muzikë jam rritur, babai im ka qenë çdoherë kritikuesi më i madh (në kuptimin pozitiv). Daja im i ndjerë, Refik Çakolli ka qenë këngëtar poashtu. Si fëmijë kam qenë pjesëmarrës në festivale të ndryshme, kjo ka bërë që unë të vazhdoj pikërisht muzikën. Dashuria për muzikën lindi që nga fëmijëria.
KultPlus: Cili mendoni se ka qenë momenti kyç kur ju keni filluar që të merreni me muzikë dhe realisht edhe ta studioni si lemi?
Memli Kelmendi:Siç e potencova më lartë, unë që në fëmijëri jam rritur nën ndikimin e muzikës së së bukur shqipe, serenatave korçare, këngëve arbëreshe, muzikës së lehtë. Muzikën klasike e kam pelqyer dhe kjo është dëgjuar në shtëpinë tonë, ndonëse në familjen time askush nuk ka studiuar për muzikën klasike. Regjistrova fakultetin e muzikës dhe muzika gjithnjë e më shumë bëhej pjesë e jetës.
KultPlus: A janë sfiduese studimet në fushën e muzikës?
Memli Kelmendi: Mendoj që po, veçanërisht këtu në vendin tonë. Kur isha student mendoja krejtësisht ndryshe, sot sigurisht që mendoj edhe më ndryshe. Ndoshta përvoja e ka bërë të veten apo kontakti me njerëz të fushës profesionale. Unë shpesh bisedoj me nxënësit apo me studentët për tema të tilla dhe të ndryshme të cilat lidhen me sfidat studimore. Pavarësisht jetës studentore, ne duhet të kërkojmë rrugë, rrugë të cilat na shpien drejt suksesit. Ato janë të shumëta!
KultPlus: Kur keni diplomuar, në atë kohë Kosova ishte e re si shtet dhe realisht mundësitë që të kyceshit në punë ishin më ndryshe. Kur dhe ku keni filluar punën tuaj të parë?
Memli Kelmendi:Pasi përfundova fakultetin, unë u punësova në Shkollën e mesme të muzikës “Halit Kasapolli” (2010) në Pejë. Në fillim ligjërova lëndët Teknologji muzikore dhe Lexim partiturave pastaj më vonë më është dhënë këndimi koral. Natyrisht që 12 vite më parë kishte më pak të diplomuar prandaj mundësia e punësimit ishte më afër.
KultPlus: Ka vite që tanimë po udhëhiqni korin “Siparantum”, por si ka qenë karriera juaj përpara këtij kori, çfarë keni bërë në profesion konkretisht?
Memli Kelmendi: Kori i shkollës së mesme të muzikës “Halit Kasapolli” ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e muzikës korale në Pejë. Janë mbajtur 7 edicione të muzikës korale, koncerte me vepra stilistike të periudhave të ndryshme, që nga renesanca deri tek muzika bashkëkohore. Çdo herë kam qenë insistues në përzgjedhjen e repertorit, stileve të ndryshme të repertorit koral botëror. Në vitin 2014 u nis një iniciativë vulletare në formimin e korit “Peja” (2014) , një frymë e re artistike për qytetin e Pejës. Me përkrahjen e Qendres Rinore “Atë Lorenc Mazreku” dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, menjëherë kori bëri lëvizjen e parë duke prekuar “Basilica di San Marco” Venecia, që ndryshe njihet si Pasuria e Njerëzimit, pastaj një koncert tjetër në “Mestre” dhe “San Lio” në Venezia. Në vitin 2017, u formua Kori Siparantum, gjithnjë duke u bazar në formë vullnetare me ide të promovimit të kulturës dhe muzikës korale shqiptare në vende të ndryshme të botës. Ide e cila rezultoi me shumë sukses.
KultPlus: A mund të na tregoni ndonjë rast vështirësie ose veçantie qe lidhet me punen tuaj si dirigjent? Njerëzit që merren me muzikë në Kosove kryesisht përballen me situata të vështira, a ju ka ndodhur juve që të përballeni me ndonjë situatë të veshtire ose diçka të ngjashme?
Memli Kelmendi: Hmmm, vështirëssitë janë të ndryshme, të natyrave të ndryshme. Profesioni i dirigjentit në vendin tonë është vërtetë i vështirë. Kërkon punë, sakrificë dhe sigurisht që është sfiduese. Kushtet dhe rrethanat që ne rrethohemi si shoqëri, sigurisht që është vështirë. Nganjëherë është më vështirë të dëpërtosh këtu (në Kosovë) se kudo tjetër në botë. Puna është se ne jetojmë të rrethuar me gjëra të vogla ndërsa bota është vërtetë e madhe. Sigurisht që ballafaqohem me sfida të ndryshme. Fokusi im/ynë është që duke e ditur që ky profesion kërkon përkushtim dhe sfidë, ne duhet punuar maksimalisht pavarësisht problemeve të cilat mund të paraqiten gjatë rrugëtimit me qëllim të promovimit, zhvillimit të kulturës sonë në vende të ndryshme të Evropës. E përmenda më lartë, jeta e artistit në Kosovë është vërtetë e vështirë. Duhet punuar disa punë, disa projekte për të bërë një jetë solide. Mbi të gjitha rëndësi ka që shpirtësisht jeta e artistit është e pasur, me ide për të sjell dicka të bukur për shoqërinë tonë.
KultPlus: Ju keni arritur që të fitoni shumë çmime nëpër festivale të ndryshme nëpër Evropë dhe jo vetëm, a keni menduar se do ta arrini gjithe këtë sukses ndonjë ditë?
Memli Kelmendi: Me punë, sakrificë dhe përkushtim arrihet çdo gjë. Unë besoja në suksesin, puna sjell sukses. Nuk do të besoja që brenda një periudhe kaq të shkurtër do të prekim suksese të tilla sepse problemet me të cilat rrethohemi shpeshherë vështirësojnë rrugëtimin e suksesit, që nga procesi i vizave deri tek gjëra të tjera. Ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë. Kemi punuar vërtetë shumë, shumë, shumë! Pjesëmarrja e korit në festivale të ndryshme ka ndikuar vërtetë shumë (për të mirë), kemi mësuar shumë nga kjo përvojë përgjatë këtyre viteve, megjithatë ne ende jemi të rinj.
KultPlus: Kori “Siparantum”, po vazhdon që t’i sjell Kosovës çmime të ndryshme, a keni marrë mbështetje të mjaftueshme nga Qeveritë e Kosovës ndër vite?
Memli Kelmendi: Do të thoja që tani është më mirë se herave të tjera. Qasja ndaj korit është shumë më mirë, njerëzit kanë kuptuar rëndësinë e punës që ne bëjmë, në formë vullnetare. Kori Siparantum tashmë ka hyrë në rrjetin e koreve evropiane, botërore. Për të realizuar një projekt jashtë vendit, duke marrë parasysh që në korin tonë janë mbi 45 persona, atëherë vërtetë kjo kërkon fonde të mëdha. Falë përkrahjes institutionale dhe duke mos harruar sponzorëve dhe artdashësve, ne po arrijmë që ëndërrat tona t’i bëjmë realitet.
KultPlus: Cili është çmimi më i madh që e keni fituar të cilin ju e veçoni dhe nuk do ta harroni asnjëherë?
Memli Kelmendi: Ndonëse ne kemi dal të paret me pikët maksimale në festivalin “Zlatna Lipa Tuhlja” në Kroaci në mesin e 16 koreve pjesëmarrëse, së fundi në Europian Festival for Young People – EMJ në Neerpelt ne kemi fituar Kategoritë (vendin e parë) G dhe F (kategoria më e vështirë), për neve çmimi më emocional dhe më i rëndësishëm mbetet fitorja në kategorinë “Musica Contemporanea” në WORLD CHOIR GAMES 2021. Sigurisht, vet pjesëmarrja qe një rezultat i madh për ne, muzikën korale dhe shtetin tonë. Ishim tejet të lumtur që për herë të parë në historinë e muzikës korale ne arritëm të vendosim shtetin tonë përbrenda garës më të madhe korale në botë. Të gjithë e donim suksesin, kjo vërehej në fytyrën e secilit anëtarë të korit. Ne donim që vendit tonë t’i sjellim fitore, kështu ndodhi. Jam tejet i lumtur që puna jonë është vlerësuar shumë nga kritikë të shumtë të muzikës që ishin nga mbarë bota, kjo tregonte rëndësinë e punës që ne po bëjmë. Kemi punuar gjatë, e në fund ezultuam me suksese. Ne kemi hyrë në Top 1000 best choirs of the world të INTERKULTUR dhe akutalisht ne renditemi në pozitën 460. Vërtetë ky është një sukses tepër i madh për vendin tonë! Duhet cekur poashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së Korit Siparantum muajin e kaluar në sallën më të njohur me akustikën më të mirë në botë, Berlin Philharmonie e cila konsiderohet ëndërr e çdo artisti. Jemi tejet të lumtur që arritëm të prekim njëren prej skenave më të rëndësishme të muzikës, skenë në të cilën kanë kalaur artistët më të mëdhenj botërorë.
KultPlus: Në korin “Siparantum” ka anëtarë të shumtë dhe performancat e juaja gjithnjë sjellin dicka të re, e energji të madhe te publiku, sa është e veshtirë që të punosh me shumë njerëz dhe si e vlerëson suksesin e këtij kori?
Memli Kelmendi: Me formimin e korit Siparantum, ideja ishte që të bëjmë diçka më ndryshe, diçka që do të ngacmonte audiencën. Kjo ka funksionuar. Kori tashmë identifikohet me levizje koreografike, gjëra të papritura të cilat ndodhin gjatë përformancës. Muzika në fakt duhe të prek emocionin, nese këtë e arrijmë të bëjmë përmes tingullit atëherë mendoj që kemi arritur sukses. Programi ynë është laramani stilesh të ndryshme, ne duam që të gjithë të marrin dicka nga paraqitja jonë. Kështu në këtë formë ne aplikojmë edhe kur jemi në festivale garuese, ne tashmë kemi ndërtuar stilin tonë. Për korin kjo pjesë është vërtetë e lodhshme sepse fokusi nuk është vetëm vokali, por koristët këtë e bëjnë me shumë dashuri.
KultPlus: Tutje, përpos punës suaj si një dirigjent, ju jeni edhe profesor në universitetin AAB, si është të edukosh kolegët e tu të ardhshëm?
Memli Kelmendi: Ne u referohemi literaturave, hulumtimeve të ndryshme por gjithnjë ne diskutojmë dhe analizojmë edhe përvojat tona këtu. Puna me studentë është vërtetë impresionuese. Për mua është një përgjegjësi sepse profesioni i të qenurit dirigjent është vërtetë dicka komplekse, prandaj unë cdoherë mundohem maksimalisht që të bazohem në praktika të ndryshme me qëllim që studentët të përfitojnë prej këndvështirmeve të ndryshme. Sot kemi vërtetë gjenerata të mira, por ajo që unë insistoj është që atyre të ju japim shpresë dhe t’u tregojmë që sukseset kulminante mund të prekën edhe nga këtu, vetëm duhet punë!
KultPlus: A mendon se shkollat e muzikës po sjellin kuadro mjaftueshëm të kualifikuar në Kosovë?
Memli Kelmendi: Unë mendoj që shkollat e muzikës duhet të punojnë më shumë në zhvillimin e muzikës korale dhe vecanërisht krijimin e orkestrave dhe kuadrove të reja të cilat janë në nevojë. Çdo qytet potencialisht do të duhej të ketë një orkestër, asnjëherë nuk është vonë. Unë e di që në shkollat e muzikës punohet maksimalisht por mendoj që fokus kryesor do të ishte zhvillimi i kuadrove në nevojë, drejtime të reja të cilat janë në mungesë në vendin, e qytetin tonë.
KultPlus: Në fund, por jo nga rëndësia, cilat janë planet e tua të ardhshme që mund t’i ndash me lexuesit e KultPlus, çfarëdo qoftë edhe nga koncertet e radhes apo edhe karriera jote?
Memli Kelmendi: Me datën 18 qershor në Pejë ne kemi koncertin që shenon 5 vjetorin e themelimit të Korit Siparantum. Jemi duke punuar shumë dhe gjatë për këtë koncert. Pastaj, në fillim të muajit të ardhshem do të jemi në Prishtinë, në fillim të muajit korrik.
Dirigjentët janë profesionistë që nuk lavdërohen kurrë siç duhet për punën që bëjnë. Në hap me muzikantët, dirigjentët jo vetëm veprojnë si udhërrëfyes, por edhe zgjedhin punën që bëjnë këta të fundit. Lajmet si “Kori Siparantum nga Kosova merr çmimin e parë/kryesor” në festivale të ndryshme prej kohësh tradicionalisht janë bërë të pranishme muaj pas muaji e festival pas festivali nëpër portalet e vendit, e gjithë kjo falë punës dhe suksesit të madh që ky kor ka arritur dhe po arrin ndër vite. Në anën tjetër, promovimi i vlerave kulturore të Kosovës në skenat më të mëdha botërore, mbetet misioni kryesor i tyre. /KultPlus.com
Studentë dhe njohës të fushës së muzikës u bënë bashkë për të ndjekur nga afër promovimin e librit “Historia e Muzikës Shqiptare” të profesorit Nestor Kraja. Libri është i ndarë në 12 kapituj duke përfshirë muzikën e periudhave të antikitetit, mesjetës, rilindjes kombëtare, pavarësisë, mbretit Zog, Luftës së dytë botërore dhe të epokës së socializmit, shkruan KultPlus.
Ky libër vjen pas mungesës 40 vjeçare të botimeve të kësaj natyre, e për herë të parë ndonjëherë trajtohet edhe fusha e muzikës nga vitet e 90-ta, gjer në ditët e sotme.
Profesori universitar, Valton Beqiri, fillimisht bisedoi për biografinë e autorit, e më pas edhe për punën e tij ndër vite.
“Nestor Kraja u lind në Tiranë më 03/08/1959. Me artin muzikor gjegjësisht me mësimet në piano i fillon që nga mosha 6 vjeçare. Në vitin 1983 diplomon në degën e kompozimit në Akademin e Arteve të Tiranës në klansën e kompozitorit Feim Ibrahimi (me veprën koncert për piano e orkestër). Në vitin 1998 i përfundon studimet e magjistraturës në drejtimin kompozicion dhe analizë në Akademinë “AIDA” në Romë në klasën e kompozitorit Edgar Alandia. Që nga viti 1992 është i angazhuar si pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, Pas magjistraturës, nga viti 2003 rikthehet në Akademi dhe vazhdon punën si pedagog për lëndët kompozim, histori muzike, muzikologji dhe solfezh. Përveç aspektit krijues dhe veprat e interpretuara në rajon si dhe Gjermani, Itali, Austri etj. Prof Nestor Kraja shquhet edhe me aktivitetin e tij shkencor, hulumtues dhe organizativ”, thotë ai.
Kraja gjithashtu në sirtarin e tij ka edhe shkrime e kritika rreth ngjarjeve e aktiviteteve të ndryshme muzikore.
“Libri Historia e Muzikës Shqiptare në esencë pasqyron zhvillimet e muzikës shqiptare që nga shkëndijat e para e gjerë në ditët e sotme. Ky përshkrim dhe evidentim realizohet përmes informacioneve dhe referencave të studiuesve muzikorë por edhe vlerësimeve dhe analizave mbi muzikën artistike shqiptare”, thotë tutje Beqiri.
Siç e thekson edhe vetë autori, faktet, nuk janë vetëm datat, autorët apo veprat e tyre, por edhe shkaqet, rrjedhojat, dhe dukuritë tjera shoqërore dhe politike të këtij rrugëtimi historik.
Një element po ashtu i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga të gjithë është edhe prezantimi i këtij materiali përmes botimit online në faqen e Universitetit, dhe kërkesa apo ndryshe ta quaj edhe oferta e autorit që kolegët ta lexojnë e të japin sugjerimet e tyre para botimit final.
“Në fund edhe një herë ta theksoj se botimet e kësaj natyre, janë të një rëndësie të veçantë jo vetëm për studentët dhe studiuesit muzikor, po edhe për shkak të ri definimit të dijeve tona rreth historisë sonë muzikore dhe hapjes së rrugës për pasurimin e saj të mëtejshëm”, u shpreh Beqiri.
Muzikologia dhe pedagogia Rreze Kryeziu, shprehi mirënjohje në emër të departamentit të artit muzikor, për profesorin Nestor Kraja, për punën e tij të jashtëzakonshme në këtë libër.
“Një nga mangësitë e problematikat më të mëdha me të cilat jam shoqëruar në formimin tim profesional por edhe që sot vazhdojnë të shoqërojnë zhvillimin e muzikës artistike/profesionale në vend është pikërisht mungesa e dokumenteve, publikimeve, literaturës përkatëse muzikore”.
Kryeziu tutje thotë se në një mjedis ku ata punojnë, ekziston një nevojë e jashtëzakonshme për shkrime muzikore e sidomos me një përparësi të lartë në botime.
“Njëkohësisht është një mjedis i frikshëm për ata që marrin guximin të angazhohen në këtë fushë, dhe kështu hapësira për një zhvillim të shpejt të saj ka qenë edhe vazhdon të jetë e kufizuar”.
Ky botim, sipas asaj, u jetësua përmes studimeve të realizuara mbi kulturën muzikore, mbi faktorët kyç për ekzistencën e saj siç janë kompozitorët, duke analizuar historikun e jetës dhe paraqitjes së tyre profesionale por edhe aspektin formal e stilistik të opusit të tyre krijues.
Ndërkaq, Profesori Nestor Kraja në një intervistë për KultPlu deklaron se studentët e shtynë që të punojë më shumë në këtë libër dhe të sjellë diçka për të cilën ka shumë pak informacione.
“Objekti i parë në të cilin kam menduar përpara se të filloja të shkruaja librin, kanë qenë studentët. Ata janë të parët dhe të duhurit për të ditur rreth muzikës shqipe. Muzika është e lidhur ngushtë me kulturën dhe ne duhet ta ruajmë e njohim mirë atë, sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të projektojmë trajektoren e zhvillimeve të mëvonshme të vendit. Përmes kësaj trajektore duhet t’i shohim rrugët dhe mundësitë për të implementuar një rrugëtim sa më të suksesshëm në jetë. Për muzikantët e rinj, muzika është një pjesë thelbësore, njësoj si busulla për detarin”.
Kraja vlerëson se në vitet e fundit ka pasur evente shumë të mira, të cilat i ka ndjekur me shumë interes.
“Një nga problemet e këtij libri, është se flet vetëm për muzikën e Shqipërisë. Mendoj që në të ardhmen duhet të projektojmë idenë e muzikës kombëtare, sepse ajo do të na bëjë të vetëdijshëm që jemi vërtet një komb, ne nuk mund ta konsiderojmë dhe nuk duhet ta konsiderojmë vetëm të ndarë. Pavarësisht që historia na ka ndarë në forma e mjete të ndryshme, neve na ka mbetur një gjuhë, na ka mbetur dashuria për njëri tjetrin, e respekti për njëri tjetrin. Në këtë drejtim duhet të shohim edhe kulturën që u japim të rinjve, ta kemi të unifikuar”.
I pyetur se cilën periudhë e sheh si më të frytshmen, profesori Kraja thotë se ajo pas viteve 90’ e ka intriguar që të punojë më shumë në pjesën të cilën e ka quajtur pas viteve 90’.
“Që nga viti 1990 e deri tani nuk kishte ndonjë informacion konkret për muzikën shqiptare, çfarë u bë me muzikën, si u organizua muzika pas 90-ave, ishte një dije që lundronte vetëm në mendjen e pak njerëzve. Studentët nuk dinë për këtë pjesë, prandaj unë kam vendosur që të shkruajë për këtë periudhë kohore. Mendoj që unë vetëm kam hedhur një gurë përpara, pra, vetëm një hap, pres që të tjerët të bëjnë edhe më shumë.
Kraja vlerëson shumë pjesën e zhvillimit të muzikës në Kosovë, ku thotë se ka pasur përpjekje të vazhdueshme që të ketë përfshirje të të gjitha fushave, duke filluar nga muzika korale, opera, baleti e shumë të tjera.
“Jemi vonuar në aspektin e bashkëpunimit në fushën e muzikës mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kemi profesionistë të shumtë dhe bashkëpunimi duhet të rritet. Pres që brezat e rinj të shpërthejnë”, përfundoi ai.
Libri po ashtu përmban edhe portretet e kompozitorëve shqiptarë, si dhe është i plotësuar me rubrika mbi etnomuzikologjinë, muzikologjinë si dhe historinë e institucioneve kryesore në Shqipëri. /KultPlus.com
Grupi “Jericho”është rikthyer fuqishëm pas tre viteve, duke publikuar këngën e tyre të re me titullin “Në garë për Qeveri”, shkruan KultPlus.
Muzika “rock” njihet prej kohësh si një lloji i zhanrit përmes së cilës është synuar gjithnjë që të përçohet mesazh i fortë në shoqëri, gjë që nuk mungon edhe në “rikthimin” e grupit JERICHO.
Jericho përbëhet nga: Petrit Çarkaxhiu, Leonard Canhasi, Edmond Gjinolli dhe Visar Rexha, derisa në këtë videoklip janë parë në ‘double-bass’ Enver Muhamedi dhe në ‘drums’ Ekin Cengizkani.
KultPlus ua sjell videon edhe tekstin e këngës më poshtë.
Në garë për qeveri
Zgjohu dhe vish një fytyrë të re Buzëqesh, jeto plot lumturi Vrapo kërko një sfidë te re Lufto t’jetosh plot kënaqësi
Ref:
Duhet të blesh makinë më t’mirë Ndërto shtëpi me një pishinë Po pate edhe një dëshirë Vrapo në garë për qeveri
Duhet të bleshë edhe një makinë më t’mirë Ndërto edhe një shtëpi me një pishinë Nuk mjafton të keshë veç edhe një dëshirë Vrapo të fitosh në garë për qeveri /KultPlus.com
Ceremonia e “Global Awards” feston yjet në muzikë, ‘podcast’-et e të tjera programe argëtuese dhe ditën e sotme (14 prill) janë shpallur fituesit e vitit 2022.
Në evenimentin madhështor ylli i muzikës pop, Ed Sheeran, ka fituar tri çmime të rëndësishme.
Coldplay, Anne-Marie, Dave dhe Mimi Webb janë gjithashtu ndër fituesit, ndërsa Lil Nas X fitoi ‘Çmimin Special’ për ‘Kreativitetin’.
Tani në vitin e tij të pestë, “The Global Awards” bashkon stacionet radiofonike të Global; Capital, Heart, Smooth, Classic FM, Radio X, Capital XTRA, Capital Dance dhe Gold, si dhe Global Player, për të nderuar yjet më të mëdhenj të muzikës dhe argëtimit.
Me albumin e tij të katërt solo, ‘=’, i lëshuar në 2021 me vlerësimin e kritikëve, Ed Sheeran fitoi shumë në “The Global Aëards 2022”, duke u shpallur ‘mashkulli më i mirë’ dhe ‘artisti më i mirë britanik’, me ‘Bad Habits’ të shpallur si kënga më e dëgjuar në radion e “Globar” në 2021.
Më poshtë ua sjellim listën e plotë të fituesve në “Global Awards 2022”:
Vaçe Zela lindi më 7 prill 1939, në qytetin e vogël të Lushnjës. Padyshim mund të themi se ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare.
Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.
Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë kohës komuniste dhe iu dha titulli ‘Artist i Merituar’ në vitin 1973 dhe ‘Artist i Popullit’ në vitin 1977.
Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.
Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.
U nda nga jeta më 6 shkurt 2014, në Bazel të Zvicrës.
Në vijim mund të lexoni se çfarë mendonin Dritëro Agolli dhe Nexhmije Pagarusha për Vaçe Zelën:
Dritero Agolli: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”
Nexhmije Pagarusha: “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela.” /KultPlus.com
Pink Floyd po publikon muzikën e parë të re në pothuajse tre dekada për të mbledhur para për popullin e Ukrainës, njoftoi grupi të enjten, përcjell KultPlus.
“Hey Hey Rise Up” përfshin anëtarët e Pink Floyd, David Gilmour dhe Nick Mason, me vokal nga këngëtari ukrainas Andriy Khlyvnyuk i grupit BoomBox.
Kënga paraqet Khlyvnyuk duke kënduar një këngë patriotike ukrainase nga një klip që ai regjistroi përpara Katedrales së Shën Sofisë në Kiev dhe e postoi në mediat sociale.
Gilmour, i cili performoi me BoomBox në Londër në vitin 2015, tha se videoja ishte “një moment i fuqishëm që e bëri atë ta rikthejë edhe në muzikë”.
Pas pushtimit të Rusisë, Khlyvnyuk ndërpreu një turne në SHBA për t’u kthyer në Ukrainë dhe për t’u bashkuar me një njësi të mbrojtjes territoriale.
Kënga do të publikohet të premten dhe grupi thotë se të ardhurat do të shkojnë për Fondin e Ndihmës Humanitare të Ukrainës.
Pink Floyd u themelua në Londër në mesin e viteve 1960 dhe ndihmoi në krijimin e skenës psikedelike në Mbretërinë e Bashkuar përpara se të publikonte albumet me ndikim të viteve 1970, duke përfshirë “The Dark Side of the Moon”, “Wish You Were Here” dhe “The Wall”.
Anëtari origjinal Roger Waters u largua në 1985, dhe anëtarët e mbetur të Pink Floyd regjistroi për herë të fundit së bashku për albumin e vitit 1994 “The Division Bell”. /KultPlus.com
Kur janë bërë 2 vite që këngëtarja Dua Lipa ka lansuar albumin e saj “Future Nostalgia”, albumi po vazhdon që të thyejë rekorde të jashtëzakonshme, shkruan KultPlus.
“Future Nostalgia” ka kaluar tashmë 2 vjet në tabelën e Billboard 200.
Është albumi i parë i një gruaje i publikuar këtë dekadë që arrin këtë moment historik.
Përmes revistës “Billboard” publikohen edhe popullariteti i këngëve dhe albumeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në përgjithësi në botë.
Në anën tjetër, Lipa është duke e mbajtur këtë vit turneun nëpër ShBA dhe Evropë të albumit “Future Nostalgia”. /KultPlus.com
Çmimet e Muzikës iHeartRadio 2022 zbuluan sot listën e saj të mbushur me yje që do të performojnë në datën e ndarjes së çmimeve, përcjell KultPlus.
LL Cool J, Jennifer Lopez, Megan Thee Stallion, Jason Aldean, John Legend, Charlie Puth dhe Måneskin do të dalin në skenën e shfaqjes së çmimeve.
Përveç performancës, Lopez do të nderohet me çmimin prestigjioz iHeartRadio Icon 2022, për të nderuar atë se çfarë ka bërë ndër vite Lopez për kulturën, artin dhe muzikën në përgjithësi.
Lista e plotë e të nominuarve u shpall në janar dhe përfshin Dua Lipën, Justin Bieber, Olivia Rodrigo, Karol G, Drake, Ed Sheeran, Megan Thee Stallion, Bad Bunny dhe shumë të tjerë.
Këtë vit, dëgjuesit do të kenë mundësinë të vendosin fituesit në disa kategori të reja dhe të krijuara.
Votimi social filloi më 27 janar dhe do të mbyllet më 15 mars në orën 23:59 për të gjitha kategoritë.
Çmimet e Muzikës iHeartRadio 2022 do të transmetohen drejtpërdrejt nga Auditorium Shrine në Los Angeles, Kaliforni, të martën, më 22 mars në Fox. Ngjarja mund të dëgjohet gjithashtu në stacionet radiofonike iHeartMedia në mbarë vendin dhe në aplikacionin iHeartRadio. /KultPlus.com
Yjet kryesorë të popit janë zotuar se tani nuk do të kthehen më në Rusi për të performuar atje, për shkak të veprimeve që ka bërë kjo e fundit së fundmi, përcjell KultPlus.
Performanca në ahengjet luksoze të oligarkëve rusë ka qenë prej kohësh një tjetër anë fitimprurëse për disa nga yjet më të mëdhenj të popit të Britanisë. Kjo tani mund të jetë një gjë e së kaluarës.
Elton John dhe grupi rok Deep Purple, të cilët të dy janë paguar më parë për t’u paraqitur në ngjarje private për elitën e vendit, mbrëmë denoncuan pushtimin dhe kritikuan Kremlinin.
John, një kritik i hapur i qeverisë së Vladimir Putin, tha se ai nuk do të luante ndonjë shfaqje të mëtejshme në Rusi “ose për këdo që është i lidhur me regjimin”.
Deep Purple për vite të tëra është dashuruar nga Dmitry Medvedev, ish-kryeministri i Putinit, i cili tani po shërben si nënkryetar i këshillit të sigurisë të vendit. /KultPlus.com
Me zërin e saj unik, Dua Lipa, ka arritur që të bëjë njerëzit nga e gjithë bota të bien në dashuri me të dhe së fundmi ajo është paraqitur edhe si ylli i kopertinës dixhitale të revistës “Wall Street Journal”, e këta të fundit zhvilluan edhe një intervistë me yllin e muzikës pop, shkruan KultPlus.
Në intervistën e saj të fundit në Wall Street Journal, Lipa ndanë rrëfime nga jeta e saj personale dhe si arriti të bëhej një “brend” në industrinë e muzikës
Babai i Duas, Dukagjin Lipa, ishte këngëtar i një grupi rock në Kosovë. Por ndërsa tensionet u rritën në Ballkan gjatë viteve ’90, ai dhe nëna e Duas, Anesa, u transferuan në Londër, ku ajo lindi.
Duke u rritur, ajo kultivoi muzikën e artistëve të preferuar të babait të saj – Radiohead, Paul Weller, The Doors, Sting – ndërsa ishte e fiksuar pas muzikës pop që dëgjonte në radio.
Ajo ndoqi shkollën e teatrit Sylvia Young deri në moshën 11-vjeçare, kur ajo dhe familja e saj u kthyen në Kosovë. Në atë kohë lufta kishte mbaruar dhe vendi vazhdoi të shpallte pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.
E inkurajuar nga një mësuese në Kosovë, e cila e kërkoi të performonte hitet e Alicia Keys dhe Toni Braxton në shkollë, Lipa filloi ta merrte më seriozisht ëndrrën e saj në këndin e lojërave për të kënduar dhe i bindi prindërit e saj që ta linin të kthehej në Londër kur ajo ishte 15 vjeç. Duke jetuar me miqtë, ajo ia doli të kalonte shkollën e mesme, por dështoi në vitin e parë të A Levels pasi ndjekja e festave me miqtë e saj kishin përparësi përpara shkollës.
E turpëruar për t’u thënë miqve të saj, Lipa tha se gjeti një program intensiv studimi njëvjeçar, u drejtua në As dhe u pranua në katër universitete. Në vend që të qëndronte në shkollë, ajo filloi të punonte në një restorant në Londër, ndërsa regjistronte këngë të ndryshme dhe i postonte në rrjetet sociale. Ndërsa përpiqej të gjente rrugën e saj në biznesin e muzikës, ajo mori punë shtesë në modelim, duke përfshirë një paraqitje në një reklamë për The X Factor. Pasi kjo tërhoqi vëmendjen e dikujt në ekipin e Mawson (që punonte me kantautoren amerikane Lana Del Rey), ajo la punën e saj në restorant. “Ajo sigurisht që nuk ishte formuar plotësisht si artiste”, thotë Mawson.
“Ajo kishte një zë shumë të mirë, por këngët nuk ishin aty. Por ajo e përmendi Madonën si një person për t’u imituar, dhe mendova se ky ishte lloji i ambicies sime.”U desh pak kohë për të goditur hapin e saj; këngët e saj të para dolën mirë në Evropë, por asgjë nuk klikoi me të vërtetë derisa shpërtheu me këngën e saj të titulluar “New Rules” sfiduese në verën e 2017.
Videoja e këngës arriti një miliard shikime në YouTube dhe albumi i Dua Lipa përfundimisht kaloi pesë milionë shitje në mbarë botën .
Lipa ka ruajtur një lidhje të fortë me trashëgiminë e saj kosovare, duke organizuar një festival (ku ka paraqitur artistë të tillë si Miley Cyrus dhe Calvin Harris) për të mbledhur para për bamirësi lokale. Përpjekja u njoh me një çelës për kryeqytetin e Prishtinës.
Përpos gjithave, 26 vjeçarja ka arritur që të përfshihet edhe në botën e modelizimit, e për këtë gjë rrëfehet edhe pronarja e kompanisë së njohur, Donatella Versace, e cila e sheh stilin e Lipës që nuk mundohet shumë, por është gjithnjë e lezetshme.
“Ecja në një pasarelë nuk është aq e thjeshtë sa duket nëse nuk jeni mësuar me të dhe nëse të gjithë pas jush kanë ecur me qindra prej tyre”, thotë ajo. “[Dua] më dha një vështrim tjetër në etikën e saj të punës. Mënyra se si ajo e zotëroi atë moment është vetëm një shembull tjetër i talentit të saj dhe, në fakt, mund të themi me siguri se ajo e vrau atë me atë syrin para fotografëve.”
Lipa aktualisht është thellë në realizimin e albumit të saj të radhës. “Kam bërë një pjesë të madhe të shkrimit: Ka filluar të marrë formë; Unë kam shumë të regjistruara”, thotë ajo.
“Ka një vizion. Ajo ka një emër, mendoj – tani për tani. Ka qenë thjesht argëtuese duke eksperimentuar. Unë gjithmonë do të bëj muzikë pop, por ajo ka tingullin e vet unik, i cili është emocionues dhe diçka që ndihet si një lëvizje nga Nostalgjia e së Ardhmes. Albumi i ri është ende në formën e foshnjës, kështu që ne do të shohim se si përparon”, thotë ajo në fund.
Dua Lipa është shndërruar nga një fëmijë i “zakonshëm” në një yll të vërtet, duke përmendur gjithmonë faktin se puna me përkushtim ju sjellë detyrimisht suksesin. /KultPlus.com
Kritikat e vazhdueshme në rrjetet sociale rreth prejardhjes së saj, nuk e kanë penguar asnjëherë Dua Lipën që të shfaq rrënjët e saj të vërtetata dhe kësisoj të paraqitet në publik si një shqiptare nga Kosova, shkruan KultPlus.
Me zërin e saj unik, Dua Lipa, ka arritur që të bëjë njerëzit nga e gjithë bota të bien në dashuri me të dhe së fundmi ajo është paraqitur edhe si ylli i kopertinës dixhitale të revistës “Wall Street Journal”, e këta të fundit zhvilluan edhe një intervistë me yllin e muzikës pop.
Postimet e saj të hapura për pavarësinë e Kosovës, e cila mbetet një çështje e diskutueshme nëpër botë, janë përballur me kritika, ashtu si edhe deklaratat e saj pro-palestineze.
Kundërshtimi nuk e ka bërë atë të shqetësohet për adresimin e çështjeve politike. “Është një pjesë e madhe e asaj që jam,” thotë ajo. “Duke pasur parasysh prindërit e mi dhe mënyrën se si ata erdhën në Mbretërinë e Bashkuar, [situata e refugjatëve] ka qenë gjithmonë diçka që më është shumë afër zemrës.
Lipa tregon me vështirësitë të cilat ajo është përballur për shtetin e Kosovës dhe komentet e ndryshme që ka marrë gjatë rrugëtimit të saj në industrinë e muzikës.
“Kam lexuar komente nga shumë njerëz që më thonë se nuk kam shtet, nuk kam identitet, Kosova nuk ekziston. Kam jetuar në Kosovë, i di jetët që kanë humbur. Pra, që dikush të më mohojë identitetin dhe përvojën time, është e vështirë për mua të qëndroj prapa dhe të mos flas për këtë. Kështu që kjo është diçka që unë do ta bëj gjithmonë.”
Nëntorin e kaluar, ajo u nderua në Uashington, DC, nga Këshilli Atlantik, një institut kërkimor për çështjet ndërkombëtare, për angazhimin e saj për të “fuqizuar gjeneratën e ardhshme të liderëve dhe muzikantëve ballkanikë”. /KultPlus.com
Dua Lipa ka filluar vitin 2022 me këmbë të mbarë, duke shënuar një tjetër sukses të madh në platformën “Spotify”, shkruan KultPlus.
Kënga e saj “One Kiss” në bashkëpunim me Calvin Harris ka marrë më shumë se 1.3 miliardë dëgjime, duke u bërë kështu kanga e tretë e Lipës që arrin një shifër të tillë në “Spotify”.
Dua Lipa tani është artistja e parë grua në histori të kësaj platforme që ka arritur një shifër të tillë.
Albumi “Future Nostalgia” po vazhdon të dëgjohet shumë dhe Lipa shpesh herë po gjendet në top 10-shen e artistave më të dëgjuar brenda një ditë nëpër platforma të ndryshme të muzikës. /KultPlus.com
Viti 2021 ishte një vit i jashtëzakonshëm për këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa, e cila arriti që të shënojë disa suksese të mëdha, përcjell KultPlus.
Lansimi i albumit “Future Nostalgia” rezultoi të jetë njëri prej vendimeve më të mira që Lipa ka marrë ndonjëherë.
Ky album i vitit 2020 dhe shtatë muzika të reja të cilat u publikuan në vitin që lamë pas ia mundësuan 26 vjeçares që të jetë artistja grua e pestë më e dëgjuar në “Spotify.
Dua Lipa e mbylli vitin 2021 si artistja e 5-të grua më e dërgjuar, me 5.7 miliardë transmetime në platformën muzikore “Spotify”. /KultPlus.com
Këngëtarët shqiptarë që po vendosin vendin e tyre në majat më të larta të botës, Arilena Ara dhe Gjon’s Tears, kanë vazhduar bashkëpunimin e tyre duke sjellë videoklipin e këngës “Dance me”, shkruan KultPlus.
Kjo këngë është edhe pjesë e albumit të Arilenës, “Pop Art”, i cili u publikua në nëntor të këtij viti dhe shënoi suksese të bujshme.
Producent i këngës është Florent Boshnjaku, i cili u kujdes edhe për miksimin dhe masterizimin, ndërsa tekstin e ka shkruar Arilena Ara, Gjon’s Tears, Wendy dhe Florent Boshnjaku.
Kompania e produksionit “Imagine Films” kishte detyrë që të përkujdesej për anën vizuele të këngës. /KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe sekretari i përhershëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Bislim Bislimi, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për bashkëfinancimin e manifestimit kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2022”.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ka falënderuar MKRS-në për mbështetjen e këtij Manifestimi, i cili nëpërmjet vlerave kulturore, nderon dëshmorët e heronjtë e kombit.
“Sot kam nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Sekretarin e MKRS-së për bashkëfinancim të manifestimit “Flaka e Janarit 2022”. Në këtë edicion shënohet 40-vjetori i “Flakës së Janarit” si dhe i rënies së Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës. Rëndësia e kësaj ngjarje tejkalon qytetin e Gjilanit e shtetin e Kosovës. Ai është mbarëkombëtar. Flakadani i Flakës së Janarit, i Kadriut, Jusufit e Bardhoshit sikur tash e 40 vite, do vazhdojë prapë të ndizet!”, ka thënë kryetari Hyseni.
Manifestimi “Flaka e Janarit 2022” i cili mbështetet në katër shtylla, artin pamor, artin letrar, artin skenik dhe artin muzikor, nis më 11 janar me ndezjen e flakadanëve, ndërkaq përfundon më 31 janar me festivalin e muzikës popullore “Fest Flaka”.
Manifestimi mbarkombëtar i kulturës “Flaka e Janarit” u themelua më 18.01.1992, në 10-vjetorin e shënimit të rënies së heronjve Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, ndërkaq konsiderohet si Manifestimi më unik dhe i vetmi i këtij lloji në trevat e Ballkanit. /KultPlus.com
Lajme jo të mira për të gjithë fansat e “Coldplay”. Grupi britanik planifkion të mos bëjë muzikë të re pas vitit 2025.
Gjatë një interviste, vokalisti Chris Martin njoftoi se grupi po planifikon të publikojë një album të ri në studio, por ky do të shënojë herën e fundit që ata regjistrojnë së bashku si grup.
Njoftimi i madh vjen pak më shumë se dy muaj pasi “Coldplay” publikoi albumin e tyre të nëntë në studio, “Music Of The Spheres”, i cili u prodhua nga Max Martin, i cili është një producent i ri në diskografinë e grupit.
Ndërsa albumi i dhjetë në studio do të shënojë fundin e karrierës së regjistrimit të Coldplay si grup, kjo nuk do të thotë se ata do të ndahen fare.
Rezulton se ata ende po planifikojnë të luajnë shfaqje të drejtpërdrejta në të ardhmen e parashikueshme.
“E di që mund t’ju them se regjistrimi ynë i fundit i duhur do të dalë në vitin 2025 dhe pas kësaj mendoj se do të bëjmë vetëm turne”, tha Martin për Jo Gavay në “BBC Radio 2”.
“Ndoshta do të bëjmë disa gjëra bashkëpunuese, por katalogu i Coldplay, si të thuash, përfundon atëherë”, shtoi ai.
Duke u formuar në Londër, Angli në vitin 1996, Coldplay publikoi albumin e tyre debutues në studio, “Parachutes”, në vitin 2000, duke krijuar këngët “Shiver”, “Yellow”, “Truble” dhe “Don’t Panic”.
Debutimi ishte një sukses kritik dhe komercial pas komenteve pozitive. I certifikuar 9 herë platin në Britani dhe 2 herë platin në SHBA, “Parachutes” fitoi çmimin “Grammy” për albumin më të mirë të muzikës alternative në 2002. /KultPlus.com
Përkundër moshës së saj, Dolly Parton, ka shtuar edhe disa suksese të jashtëzakonshme në fushën e saj të muzikës, shkruan KultPlus.
Këngëtarja 75 vjeçare, ka pranuar së fundmi dy tituj të rinj nga Rekordet Botërore Guinness, lajm i cili është bërë i ditur nga faqja zyrtare e tyre.
“Shumica e dekadave në tabelën “Hot Country Songs”, është njëri ndër rekordet që theu ikona e muzikës.
Për më tepër, ajo qëndroi më së shumti si hiti i pari (artiste grua) i këngëve në tabelën Hot Country në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Parton theu gjithashtu rekordin e saj për më së shumti këngë në tabelë në përgjithësi, me 109 këngë që kanë hyrë në top-listën e Billboard.
Këtyre titujve i bashkohet edhe rekordi i mëparshëm i Dolly-t për shumicën e dekadave me një hit në Top 20 në tabelën e këngëve të Hot Country në SHBA në vendin e 6-të, të dhënë në 2018.
Duetet e saj të fundit me Michael Bublé në melodinë e festave “Cuddle Up, Cozy Down Christmas” dhe “Does He Love You” ndihmuan të zgjasë mbretërimin e saj në tabelën e këngëve ”Hot Country”. /KultPlus.com
Më 16 dhjetor 1770, në Këln, u lind Ludwig van Beethoven, kompozitor e pianist, figurë e rëndësishme në tranzicionin midis epokave klasike dhe romantike të muzikës, i cili mbetet nga më të famshmit dhe më me ndikim i të gjithë kompozitorëve.
Veprat e tij më të njohura janë 9 simfoni, 5 koncerte për piano, 32 sonata dhe 16 kuartetet, si dhe muzikë dhome, vepra korale dhe këngë.
Beethoven shkoi në Vjenë në 1792; studioi për muzikë, dhe shpejt fitoi reputacion si pianist virtuoz. Në Boston, më 1947, Fan Noli botoi monografinë “Beethoven and the French Revolution” duke mbrojtur argumentin se Revolucioni Francez dhe idetë republikane patën ndikim të thellë në muzikën e Beethovenit.
Noli, i njohur si republikan dhe anti-monarkist, thotë se kompozimet më të dobëta të Beethovenit janë ato të krijuara në Vjenë gjatë periudhës perandorake, kur kompozonte me kontratë për princër e perandorë, thjesht për para.
Biografët thonë se Beethoveni ishte tërhequr nga idealet e Iluminizmit. Në vitin 1804, kur ambiciet perandorake të Napoleonit u bënë të qarta, Beethoven i fshiu fjalët e përkushtimit për Bonapartin nga simfonia e tretë; më vonë ai ndryshoi edhe titullin (Sinfonia heroike për të festuar kujtimin e një njeriu të madh), dhe ia ripërkushtoi atë mbrojtësit të tij, Princit Jozef Franz von Lobkoëitz, në pallatin e të cilit sinfonia e tretë u interpretua për herë të pare.
Beethoven jetoi në Vjenë deri në vdekje (1827). Në dekadën e fundit të jetës ai u bë thuajse krejtësisht i shurdhër, u tërhoq nga jeta publike, por vazhdoi të kompozonte. Kritikët thonë se shumë nga veprat e tij më të admiruara vijnë pikërisht nga kjo periudhë nën ndikimin perandorak. /KultPlus.com
Në numrin e janarit, në shitje tani, Julia Llewellyn Smith ka një audiencë me Rina Lipën, aktoren përrallore magjepsëse në rritje dhe sensacion në Insta, transmeton KultPlus.
E stilizuar në Richard Quinn dhe Vivienne Westwood, ajo është padiskutim një figurë madhështore dhe madje ngjanë shumë edhe me motrën e saj Dua Lipën.
Në intervistë për gazetën Tatler, duke kujtuar fëmijërinë e saj, duke jetuar në Prishtinë, kryeqytetin e vendlindjes së prindërve, Rina thotë se argëtimi i saj i preferuar ishte të lundronte nëpër garderobën e motrës së madhe Dua.
“Unë kisha një admirim të madh për të. Përpiqesha gjithmonë të vishesha si ajo, t’i vidhja rrobat. Kur i vishja, do ndjehesha më e vjetër. Është ende kështu, kaloj nëpër dollapin e saj dhe i them: “Mmm, nuk e ke veshur për një kohë.” Ajo menjëherë më thotë “O Zot, ktheje atë!”
Gazetarja Llewellyn Smith bën krahasime midis familjes Lipa dhe Kardashians ose – ndoshta më saktë, Hadids, jo më ndryshe pasi Dua është në lidhje me Bella dhe vëllain e Gigi, Anwar, që dy vite.
Rina shpjegon sinqerisht: “Ne jemi të gjithë krijues. Ne shoqërohemi me Hadidët dhe ata janë vërtet të bukur.’
Gjatë intervistës, tutje Rina shpjegon se Dua i ka treguar planet e saj për t’u kthyer në Londër dhe për t’u bërë yll i popit që në moshën 15-vjeçare.
“Ishte e re, por ishte e pjekur, ishte gati”, thotë ajo. “Prindërit e mi nuk e lanë të ikte lehtë – gjithçka u bë në një mënyrë shumë të kontrolluar. Ajo duhej të kthehej në momente të caktuara dhe tëjetonte me një mik të familjes. Por ishte e vështirë. Më ka marrë malli për të. Ajo punoi shumë, shumë fort. Unë me të vërtetë e kam kërkuar atë për këtë dhe e bëj edhe sot e kësaj dite”.
Rina është padyshim një yll në rritje për t’u ndjekur: ajo do të shfaqet në një film thriller horror të ardhshëm të drejtuar nga regjisori italian Gianluigi Carella. /KultPlus.com