KultPlus, gazeta e parë online është drejt përgatitjeve të fundit për të sjell edicionin e gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, një ngjarje kjo që i sjell Prishtinës emocione të thella, shkruan KultPlus.
Edicioni i gjashtë i “Ta Zbardhi Ftyrën”, do të mirëpres një emër të madh të artit shqiptar, sopranon e njohur Elbenita Kajtazi. Kjo artiste e shquar, ka shfaqur talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës me zërin e saj të bukur dhe interpretimet e mrekullueshme.
Ky event ka shpërnda një valë entuziazmi në publik, duke bërë që të gjitha biletat të rezervohen në kohë rekord.
Organizatorët janë të befasuar dhe të lumtur nga kjo përgjigje e mrekullueshme nga publiku.
Për të gjithë ata që nuk kanë arritur të sigurojnë një biletë, organizatorët këshillojnë që të jenë të përgatitur për ngjarje të tjera të mrekullueshme të artit që KultPlus do ti sjellë shumë shpejtë.
Ky sukses i mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën” dëshmon se muzika e shquar shqiptare ka një vend të rëndësishëm në zemrat e publikut dhe dëshiron të përcjellë emocione dhe inspirim nëpërmjet artistëve të talentuar si Elbenita Kajtazi.
Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” vjen më datë 27 nëntor në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i rinisë) dhe do të jetë një mbrëmje e emocioneve të forta, bashkëbisedimit të thellë, dhe një performance të paharrueshme nga Elbenita Kajtazi ku kësaj radhe, zëri i saj, si asnjëherë më parë, në asnjë skenë tjetër, do të jehojë edhe përmes këngës shqipe. Në këtë ngjarje, publiku do të ketë rastin të ndjehet pjesë e një spektaklit të jashtëzakonshëm, ku arti, kultura dhe emocionet do të bashkohen në një harmoni të mrekullueshme.
Sopranon Elbenita Kajtazi do ta shoqëroj pianistja franceze Camille Lemonnier, ndërsa me një pikë do të prezantohet edhe solistja Anna Krasniqi. Ndërsa për t’i dhënë madhështi kësaj mbrëmje, në skenë do të ngjitet edhe Kori i Fëmijëve “Okarina”.
Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Radio Televizioni i Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës, Coca-Cola HBC – Kosovo. / KultPlus.com
Shkodra do të mirëpresë gjatë kësaj fundjave TUBA fest mes shumë aktiviteteve kulturore dhe sportive.
Bashkia Shkodër ka mirëpritur kërkesën e organizatorëve dhe ka ofruar bashkëpunim për realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore që pasuron jetën e qytetit dhe e promovon atë, sidomos te të rinjtë.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka zhvilluar një takim me Mersin Gogla dhe Endri Nasufi, përfaqësues të Concept Marketing Albania, të cilët e organizojnë këtë festival në qytetin e tyre të lindjes të cilët kanë ngritur edhe kompaninë e tyre në Tiranë.
Ky festival muzikor përgjatë dy ditëve do të sjellë në Kalanë e Shkodrës performancat live të artistëve dhe grupeve shqiptare më me zë.
Në bashkëpunim me organizatën “New Vision” dhe me mbështetjen e Ministria e Kulturës e të një sërë sipërmarrjesh private, TUBA Fest frymëzohet nga tradita shqiptare e muzikës dhe kohës mes miqve, por tashmë me një prekje moderne dhe që i fton të gjithë në datat 15-16 shtator në Kalanë e Rozafës. / atsh / KultPlus.com
Merita Halili konsiderohet si një nga interpretueset më të mira të muzikës së Shqipërisë së Mesme. Ajo lindi më 5 Prill 1966, në Tiranë dhe u rrit duke kënduar këngët lirike e rajonit të saj të lindjes së Shqipërisë së Mesme.
Debutimin e parë si artiste në tërë vendin e pati në vitin 1983, në Festivalin Kombëtar Folklorik në qytetin e Gjirokastrës.
Ndonëse veprimtarinë e saj e zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tash e disa vite, malli dhe dashuria për atdheun mbeti i pashuar gjithherë. Me zërin e saj të ëmbël ajo vazhdon të jetë prezente në zemrat e adhuruesve shqiptarë.
KultPlus ju sjell interpretimin e saj ‘E jotja jam’
E lindur në kryeqytetin e Shqipërisë, u rrit duke kënduar këngët lirike e rajonit të saj të lindjes së Shqipërisë së Mesme. Debutimin e saj në mbarë vendin erdhi në 1983, në në moshë të re kur ajo këndoi në Festivalin Kombëtar Folklorik në qytetin e Gjirokastrës. Bëhet fjalë për Merita Halilin, zëri i së cilës do të mbetet gjatë në historinë e muzikës shqipe.
Repertori për të cilin Merita është më e njohur është ai i qyteteve të Shqipërisë Qendrore (Shqipëria e Mesme), veçanërisht Tiranë, Elbasan, Kavajë dhe Durrës. Modeloi të kënduarit e saj jo vetëm në muzikë familjare edhe në regjistrimet e këngëtarëve më të vjetër.
Këto janë të incizuara në Institutin e Folklorit në Tiranë, dhe shfaqen në radiot shqiptare nga dy këngëtare të famshme të disa breznive Hafsa Zyberi nga Tirana dhe Fitnete Rexha nga Kruja e cila ishte dhe mësuesja e saj.
KultPlus sot ju sjell këngën “Erdhi Pranvera”, një këngë kjo e cila edhe pas kaq kohësh ndëgjohet e këndohet nga të gjithë.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:
Erdhi pranvera çeli qershia Dita filloj me ardh. Erdhi pranvera çeli qershia unë rri tu mëndu .
Kush t’mi qaj hallet e mija, ajo që desha u largu.
Ka shumë vite moj që po t’presë moj Du me t’pa me sy.
Nëna yte moj edhe baba moj t’kishin mbyll o me dry.
Vura kokën ne jastëkë Kujtova se binte shi. Por ata moj, ata ishin lotët e mi. / KultPlus.com
Kur mendojmë një këngë të moçme e cila ende na bie në mendje, jo rrallë ajo fillon me “Lotët thaji, e mos më trishto, je ëngjëll ti, je drita ime”.
Kënga e njohur e Eneda Tarifës, e kënduar vite më parë në Festivalin ‘Kënga Magjike’, u shndërrua asokohe në një hit të vërtetë.
Kënga e Enedës dëgjohet edhe sot dhe jep një emocion të veçantë. Eneda ka vazhduar karrierën e saj muzikore, ka prekur edhe skenën e Eurovizionit, ka provuar edhe rolin e moderatores dhe po bën këngë të tjera që kanë marrë vëmendjen dhe cmimet e merituara muzikore.
Po e sjellim sot në një verzion më të ri këngën e njohur e cila gjithmonë na kthen pas. / KultPlus.com
Hafsa Zyberi është njëri ndër bilbilat e muzikës së mirfilltë shqipe. Ajo ka interpretuar kryesisht këngë të Shqipërisë së Mesme, të cilat këngë e bënë të pavdekshme për publikun shqiptar, shkruan KultPlus.
Në kohën e saj Zyberi ka interpretuar me këngëtaret tjera të shquara po ashtu, si: Fitnete Rexha, Nexhmije Pagarusha, Fatime Sokoli etj.
Hafsa Zyberi ka qenë gjithashtu edhe mësuesja e bilbilit aktual të këngëve të Shqipërisë së Mesme, Merita Halili.
KultPlus ju sjellë një nga interpretimet e saj më të bukura, këngën ‘Spaske pas një pikë mëshirë’:
‘Spaske pas një pikë mëshirë’
s’paske pas një pik mëshire, qysh mësova unë ksi soj, xhanëm aman qysh mësova unë ksi soj.
(ref.) s’pres prej teje farë të mire vec me fol o njëher me goj xhanëm aman. vec me fol o njëher me goj.
pse m’ke marrë kaq shumë mëri s’shkohet jeta me inat xhanëm aman s’shkohet jeta me inat
(ref.) fol me gojë o syni i zi mos ki frikë se ben mëkat xhanëm aman mos ki frikë se bën mëkat
paske pas moj zemrën hekur qysh durove mori xhan xhanëm aman qysh durove mori xhan
jam betu se nuk du tjetër trëndafile o në Elbasan xhanëm aman trënadafile o në Elbasan/KultPlus.com
Avni Mula është këngëtar dhe kompozitor i famshëm shqiptar. Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Karrierën e tij e nisi si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shqipëri. Pas vetes la një veprimatri të bujshme dhe shumë këngë të famshme mbajnë firmën e tij.
Vajza me kaçurrela:
Po ecja që më natë mes shkrepave pa udhë Takova tek burimi një vajze tu mbush ujë I thash se mu dogj xhani moj vajzë me kaçurrela Pak uje partizanit, te lutem nga bucela (X2)
Ajo nuk tha një fjale dhe uji i fresket rrodhi Shikimin vale vale mu duk se vajza më hodhi Në sytë e mi e ne faqe kur ngrita dy bucela Më ra një tufë manushaqe te verdhat kaçurrela
Shkembyem buzëqeshje dhe djersa krejt mu ter Mu shkrin tere malet dhe udha mu bë det Dhe ika nëpër pyje mes pritave me tela S’më hiqeshin prej syve të verdhat kaçurrela (x2)/KultPlus.com
Sonte institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, do të performojë në qytetin e Gjakovës vepra nga kompozitorët Brahms, Weber dhe Dvorakv, shkruan KultPlus.
Në rolin e solistit do të paraqitet klarinetisti Ardit Ibrahimi, përderisa koncerti do të dirigjohet nga Lirjona Sylejmani.
Koncerti do të organizohet në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi në ora 20:00./KultPlus.com
Eli Fara është një artiste që në trojet shqiptare njihet me zërin e saj unik, dhe cilësohet si një nga këngëtaret më të njohura të ‘serenatës’, përcjellë KultPlus.
Ajo është shpallur Artiste e Merituar e Shqipërisë nga qeveria shqiptare para vitit 2000. Ndërsa në vitin 2012, ajo u shpall finaliste në festivalin, Kënga Magjike, me këngën “Romale”, një këngë e përzier me zhanre të ndryshme.
Eli Fara ka lindur më 21 maj 1968 në Korçë, por me origjinë është nga Dhoksati i Gjirokastrës.
Fillimisht ajo ka qenë mësuese e gjuhës shqipe në një shkollë fillore në Drenovë. Rrugëtimi i saj shënoi një pikë kthese kur ajo filloi të interpretonte këngë popullore urbane të rajonit të saj./KultPlus.com
Më poshtë gjeni interpretimin e Eli Farës, Kapërolle:
Pas katër edicioneve të suksesshme, KultPlus nesër po sjellë edicionin e pestë me radhë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.
“Ta zbardhi ftyrën” është një prej ngjarjeve më të bukura që përjetohen në kryeqytetin e Kosovës pasi që deri më tani ka arritur të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar të cilët kanë dhuruar emocione të forta e kanë rrëfyer histori të padëgjuara më herët.
Pas katër edicioneve të suksesshme me artistë që kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare, si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, këtë vit vjen baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa.
Emocion, bashkëbisedim dhe performancë ju pret në këtë mbrëmje të veçantë, ku baritoni Myshketa, do të shoqërohet nga pianistja e mirënjohur Lule Elezi.
Perlat shqiptare do të ju rrëqethin gjatë kësaj mbrëmje e për t’i dhënë edhe më shumë madhështi, në skenë do të ngjitet edhe grupi i fëmijëve “Okarina” të cilët do të këndojnë bashkë me baritonin Myshketa.
Kjo mbrëmje ka sponsor medial Radio Televizionin Publik të Kosovës dhe do të transmetohet direkt prej orës 20:10 minuta.
“Ta zbardhi ftyrën” vjen nesër, më datë 7 dhjetor 2022, në ora 19:30 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.
Hyrja do të jetë e lirë, por për të rezervuar vendin tuaj, ju lutem shkruani në emailin [email protected] pasi vendet janë të limituara.
Edicioni i sivjetmë i “Ta zbardhi ftyrën” mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Vaçe Zela, këngëtarja e njohur shqiptare e cila njihet për zërin e saj madhështor, me të cilin arriti të mahnitë publikun shqiptar edhe sot e kësaj dite, shkruan KultPlus.
Njëra ndër këngët më të njohura të saj, është kënga ”Moj e bukura Shqipëri”. Këngë kjo që Vaçe Zela e interpreton me një lehtësi të këndshme.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës. / KultPlus.com
Në breg pulëbardhat çajnë fluturim si kënga jonë plot mall. Këndojmë nga larg me dashuri, moj Arbëri.
Të parët tanë me brengë të lanë, sa kohë më nuk të panë? por sot si lule më je ti, moj Shqipëri.
Valët e detit shkumojnë plot dallgë, bashkë me shokët në breg kemi dalë. Sa kemi mall s’ka deti valë, o moj e bukura Arbëri. Shikojmë nga larg, mendojmë për ty, o moj e bukur Shqipëri.
Këtej ne degë, ti rrënjë matanë, N`mes deti me stuhi. Shkuan kaq mote e degët s’u thanë, moj Arbëri!
Kjo kënga jonë, për ty përherë na djeg si zjarr në gji. Tek zjarri yt ne jemi përjetë, moj Shqipëri!
Valët e detit shkumojnë plot dallgë, bashkë me shokët në breg kemi dalë. Sa kemi mall s’ka deti valë, o moj e bukura Arbëri. Shikojmë nga larg, mendojmë për ty, o moj e bukur Shqipëri. /KultPlus.com
Me muzikë, shfaqje e ekspozitë, mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” u bë hapja zyrtare e festivalit “Summer Cult”.
Ngjarja filloi me shfaqjen teatrore të dy aktoreve, Arbnore Nuha dhe Blerina Veseli të cilat shkëlqyen para publikut ndërsa vazhdoi me performancën e mrekullueshme muzikore nga Diellza Dedushi dhe Bulza Havolli.
Pjesëmarrësit po ashtu patën mundësi të shohin ekspozitën “Beyond Borders”, një ekspozitë kolektive e artistëve të rinj.
Në hapje të festivalit morën fjalën këshilltari i ministrit Çeku, Liburn Jupolli dhe drejtoresha e festivalit, Elmaze Nura, ndërsa pjesëmarrës ishin regjisorë, aktorë, muzikantë, studentë e qytetarë.
Përgjatë dy ditëve në vazhdim artdashësit do të mund të shijojnë programin e “Summer Cult” i cili përmban ekspozita, punëtori, shfaqje filmash dhe afterparty.
Lokacionet ku po zhvillohen këto ngjarje janë Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fakulteti i Arteve dhe Kino Armata.
“Summer Cult” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Tryeza diskutimi, maratonë e filmave, bisedë e njëanshme me psikologë, performime poezish, natë rrëfimesh dhe koncerte muzikor, janë këto aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të Javës së Terapisë të Artit, shkruan KultPlus.
Java e Terapisë do të fillojë me një tryezë diskutimi të titulluar ‘’Shëndeti fundaMental’’, ku do të shqyrtohen çështje rreth nevojës për art, posedimit të veprave artistike, rëndësisë së artit për mirëqenien psikologjike, ndikimit psikologjik në krijimin dhe interpretimin e artit, rëndësisë së shëndetit mendor, vlerësimit së artit në shoqërinë tonë dhe jo vetëm.
Pjesë e tryezës së diskutimit do të jenë: Lirie Lokaj, Psikologe; Vigan Behluli, Psikolog; Teuta Krasniqi, Aktore; Leonora Aliu, Gazetare dhe Nesim Maxhuni, Artist. Ky event do të mbahet më 12 maj në Sallën e Kuqe në orën 18:00.
Në eventin e dytë të radhës do të zhvillohet një maratonë e filmave të titulluar ‘’3,2,1… Merr Frymë’’, ku do të shfaqen filmat si: “We are not Super Heroes” me regji të Lia Bertels, që tregon për vizualizimin e momentit të ndjeshëm gjatë të cilit realiteti dhe fantazia e ëndrrat shkëputen nga njëra-tjetra; “Listen Papa!” me regji të Olga Poliektova dhe Tatiana Poliektova, që tregon për fjalë të pathëna që marrin fuqinë e tyre në letrën e një djali drejtuar babait të tij; dhe “Verso le Stelle (To The Stars)” me regji të Antonello Piccione, që tregon për vizualizimin e arratisjes si rruga e vetme për një jetë më të mirë në mjerimin e pamëshirshëm të luftës.
Këta 3 filma do të zënë vend në orën 20:00 më 13 maj në M Club Prishtinë dhe Kino ‘’Jusuf Gërvalla’’ në Pejë. Ndërsa, më 14 maj në orën 18:00 do të shfaqen në Diakonie Youth Center në Mitrovicë.
Si aktivitet i tretë me radhë do të realizohet biseda e njëanshme me psikologun të titulluar ‘’Blind Confessions’’, ku do të flitet për gjërat që mund të jenë duke e munduar çdo njeri. Kjo ngjarje është menduar për ta lehtësuar barrën e bartjes të të gjitha atyre mendimeve e ndjenjave të cilave u kemi dhënë fuqi e kanë marrë fuqi mbi ne, apo thjesht të merret perspektiva e një personi të dytë mbi ato mendime dhe ndjenja.
Përgjatë “Blind Confessions”, të pranishmit kanë mundësi që të shkruajnë çdo mendim e gjë që ata duan të lexojnë në një copë letër dhe ti diskutojnë ato nga profesionistët e ftuar të shëndetit mendor për këtë event. Të gjitha gjërat e shkruara në letër do të jenë plotësisht anonime.
Këto biseda do të zhvillohen më 13 maj në orën 20:30 në M Club, Prishtinë me Urata Gjergjizi dhe në Kino “Jusuf Gervalla”, Pejë. Ndërsa më 14 maj në Mitrovicë në orën 18:30 do të zhvillohet në Diakonie Youth Center me Xhevahire Balaj në Diakonie Youth Center.
Ngjarja e katërt në kuadër të Javës së Terapisë të Artit është titulluar “Bardh e Zi me ngjyra”, ku flitet për artin dhe shëndetin mendor nga perspektiva e një artisti.
Të menduarit bardh e zi ose i njohur ndryshe si të menduarit e polarizuar është konsideruar se ka të bëjë me tendencën tonë të të menduarit përmes ekstremeve, si p.sh., “Asgjë nuk ka kuptim” apo “Çdo gjë është perfekte”. Kjo mënyrë e të menduarit na e vështirëson ta shohim botën në nuanca të tjera, me ngjyra të tjera, përveç atyre bardh e zi.
“Bardh e Zi me ngjyra” do të realizohet me Ilir Muharremin, i cili do t’i shtojë Javës së Terapisë së Artit nuanca të reja në aspektin e perspektivave të reja.
Kjo ngjarje do të zë vend më 15 maj në orën 19:00 në 1 8 Prishtinë.
Aktiviteti i pestë me radhë përfshinë performime poezish nga performues të shumtë të cilët do të ndajnë shkrimet e tyre poetike me audiencën prezente në “Slam Poetry” në ditën e dytë të Javës së Terapisë së Artit.
Ky event do të mbahet më 14 maj në orën 18:00 në M Club.
Ndërsa si aktivitet i gjashtë do të zhvillohet një natë e rrëfimeve e titulluar ‘’Netët pa gjumë”, ku folës do të jenë: Adriana Matoshi, Argenita Fetahu dhe Leart Rama.
Në këtë natë të pranishmit do të kenë mundësi të shpalosin përvojat e tyre nëpërmjet rrëfimeve të cilat do të japin një kuptim të ri netëve pa gjumë.
Eventi do të mbahet më 14 maj në orën 20:00 në M Club.
Akitviteti i fundit i cili do të përmbyllë Javën e Terapisë së Artit është koncerti muzikor me titull ‘’Festivali i Mendjes”, ku do të performojnë artistët si: SKAG Band, Gjina Kelmendi, Fjolla Shaqiri, Liridona Selmani, Lekë Gjurgjiali and Band, Florent Abrashi, dhe Nora Konjuhi.
Ky koncert do të zhvillohet më 16 maj në orën 19:00 në Teatrin Oda.
Java e Terapisë së Artit është organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Qendra për Informim dhe Përmirësim Social./ KultPlus.com
Pas një mungese të gjatë në skenën muzikore, rok grupi shqiptar “Humus” kanë vendosur të ritakohen me dëgjuesit e tyre, nëpërmjet këngës të sapolansuar “Ëndërroj”, shkruan KultPlus.
Kënga e cila nis nën tingujt që dalin nga kitarat elektronike dhe bateritë kombinohen me një lehtësi melodie që shfaqet sapo të filloj performancën e tij në mikrofon vokalisti i grupit Adnan Dragaj.
“Ëndërroj” e cila është pjesë e albumit të tyre i cili do të lansohet në vitin 2021, sjell një ndjenjë të mallëngjyeshme dhe të veçantë te publiku, po sikur rikthimi i “Humus”.
Për grupin “Humus”, kënga “Ëndërroj” është një këngë e cila adreson rëndësinë e qëndrimit besnik ndaj ëndrrave në mënyrë që të tejkalohen vështirësitë dhe betejat me të cilat të gjithë përballen në jetë.
Kënga refreni i së cilës thotë “E vetmja gjë që më mban në jetë, ëndërroj” është regjistruar me xhirime në Prishtinë, prodhuar nga “Turma Ideas”.
Bandi “Humus” i përbërë nga nga Adnan Dragaj – vokal, Blerim Azizi – bas kitarë, Nderim Ramadani, kitarë, dhe Pat Neziri – bateri, deri më tani ka publikuar dy albume, Dyfishohem (2003) dhe Intermezzo-in (2005) dhe poashtu 2 single./KultPlus.com
Dragana Miliq, pedagoge e diplomuar e muzikës në Fakultetin e Arteve në Mitrovicë dhe një këngëtare e mrekullueshme, do të sjellë një performancë të saj me 16 shtator, prej orës 20:00, si pjesë e programit të ngjarjeve të Europe House – Shtëpia e Evropës në Kosovë.
Dragana, për më tepër, ka diplomuar në studimet e saj edhe në Fakultetin e Arteve në Zveçan. Ajo është pjesë e Korit ‘Branislav Nusic’ për më shumë se dhjetë vite, kor me të cilin ajo ka performuar në Serbi e në Mal të Zi, si këngëtare por edhe si dirigjente. Ajo luan në piano, kompozon dhe e shijon secilin moment muzikor. Dragana thotë se është gjithmonë në kërkim të eksplorimit të potencialit të saj në disa drejtime muzikore.
Performancën e saj muzikore mund ta shijoni me 16 shtator në ora 20:00 në Facebook, në faqet e Europe House Kosovo dhe European Union Kosovo. / KultPlus.com
Djaloshi 11-vjeçar Thomas Ormond, me origjinë shqiptare, ka organizuar shfaqje muzikore nga ballkoni i shtëpisë së tij në Highgate të Britanisë së Madhe, në shenjë falenderimi për të gjithë mjekët që po luftojnë në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19.
Gazeta britanike “Ham and High” ka shkruar se 11-vjeçari shqiptar përmes shfaqjeve të tij me violinë, ka arritur të grumbullojë 1000 paund, fonde të cilat do t’u dhurohen mjekëve.
Ai shprehet se ndihet shumë i lumtur ndërsa thekson se do të vazhdojë nismën e tij që të mbledhë para për të gjithë personelin mjekësor gjatë periudhës së izolimit.
Për një gjest kaq human nëna e 11-vjeçarit shqiptar shprehet se ndihet krenare që djali i saj po shfrytëzon kohën dhe talentin e tij për t’u ardhur në ndihmë njerëzve gjatë kësaj krize të pandemisë Covid-19.
“Ndihem shumë krenare që ai po përdor kohën dhe aftësitë e tij për të bërë diçka në të mirë të njerëzimin”, është shprehur Kim.
Ndërsa për Thomasin mbledhja e fondeve në mënyrën e vetme që ai ka mundësi është e bukur, sepse do të ndihmojnë vërtet shumë njerëzit dhe mjekët që të jenë të sigurt në këto ditë të vështira, prandaj ai ndihet i lumtur për këtë fakt.
“Mendova se do të ishte një gjë e bukur të mbledhësh para për NHS. Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që po e bëj këtë për NHS”, ka thënë ai. / KultPlus.com
Marsi është muaji kur vjen pranvera. Por para saj, Prishtina Jazz Week rikthehet për një edicion të tretë i cili premton të na i lulëzojë shpirtrat përpara se të lulëzojnë lulet, përcjellë KultPlus.
Pesë ditë plot me muzikë, punëtori me muzikantë të nivelit botëror dhe jam sessions.
Organizuar sërish në ARMATA, Prishtina Jazz Week 2020 do të jetë nikoqir i një kolektivi magjepsës të xhaz muzikantëve për t’i dhënë kuptime të reja fjalës llunapark.
Më poshtë po ju sjellim programin e “Prishtina Jazz Week”:
02/03/2020:
Kristóf Bacsó Quartet (Hungary)
03/03/2020: Elif Çaglar Quartet (Turkey)
04/03/2020: Marcos Varela (USA)
05/03/2020: Broken Circles ft. Joel Ross (USA)
06/03/2020: Prishtina Big Band (Kosova)
Të gjithë jam sessions mbahen në Zanzi Jazz Club pas koncerteve.
Ndërsa orari i punëtorive do të postohet në javët vijim.
Prishtina Jazz Week 2020 mbështetet nga: Ambasada e Hungarisë në Prishtinë dhe Ambasada e Turqisë në Prishtinë. Ndërsa, partnerët e festivalit janë: Komuna e Prishtinës, ARMATA, Zanzi Jazz Club, Dit’ e Nat’, Soma, RAVE Travel, Hotel Garden dhe trekuartista.
Biletat mund t’i gjeni online në: https://www.rave-travel.com/, ose offline në lokacionet e mëposhtme: Prishtinë: Rave Travel, Soma , Dit’ e Nat’, Zanzi Jazz Club, Prizren: Vector Diamond, Peja: Soho Bar, Tirana: Destil Hostel. Shitja e biletave fillon me 15 shkurt. / KultPlus.com
Wolfgang Amadeus Mozart u lind më 27 janar 1756. Të dhënat e pagëzimit japin emrin e tij si “Joannes Chrysostomus Wolfgangus Theophilus Mozart”. Ai në përgjithësi e quajti veten “Wolfgang Amadè Mozart” si një i rritur , por emri i tij nuk kishte shumë variante, shkruan KultPlus.com
Moxart tregoi aftësi të jashtezakonshme nga fëmijëria e tij e hershme. Ai kompozoi nga mosha pesë vjeçare dhe performoi para familjes mbretërore Evropiane. Në moshën 17 vjeçare, ai ishte angazhuar si një muzikant i gjykatës në Salzburg, por u rrit i shqetësuar dhe udhëtoi në kërkim të një pozitë më të mirë, gjithmonë kompozonte me bollëk.
Ndërsa duke vizituar Vjenën në 1781, ai u shkarkua nga posti i tij Salzburgut. Ai zgjodhi për të qëndruar në kryeqytet, ku ka arritur famë, por pak siguri financiare. Gjatë viteve të tij të fundit në Vjenë, ai i kompozoi shumë nga simfonitë e tij më të njohura, koncerte dhe opera, dhe pjesë të Requiem, e cila ishte në masë të madhe e papërfunduar në kohën e vdekjes së tij. Rrethanat e vdekjes së tij të hershme kanë qenë shumë më të mitologjizuara. Ai e la pas gruan dhe dy bijtë e Constanze.
Ai kompozoi mbi 600 vepra , shumica pranuan si kulme simfonike , koncertante , operës dhe muzikës korale . Ai është ndër më të popullarizuarit të kompozitorëve klasikë, dhe ndikimi i tij mbi të mëvonshëm muzikë artit perëndimor është i thellë; Beethoven i kompozoi veprat e tij të hershme në hijen e Mozart , dhe Joseph Haydn shkroi se ” Pasardhësit nuk do të shihnin një talent të tillë përsëri në 100 vjet”.
Ndër 19 operat me te njohura i dallojmë: ”Rrembimi nga Saraji”,”Dasma e Figaros”,”Don Zhuani”,”Keshtu bëjnë të gjitha”.
Mozart vdiq në shtëpinë e tij më, 5 dhjetor 1791./KultPlus.com
Muzika shqiptare, gjegjësisht zhanri rok dhe funky s’ka sesi të kishte shkëlqimin e saj sikur mos të ishte grupi “Telex”, shkruan KultPlus.
“Telex” u formuan në Shkup në vitin 1983, me anëtarët e formacionit të parë: Shpend Ahmeti, Sejat Jakupi, Enver Bunjaku, dhe Ismet Shaini.
Prirjet e tyre shkonin më shumë kah ritmet funky, duke pasur
si parabazë këngëtarin e famshëm Stevie Wonder, zëri i të cili ngjason me atë të
Sejat Jakupit.
Ata përmes teksteve të bukura dhe unike, të gërshetuara me ritmet moderne evropiane arritën të futen dhe të mbesin me vite të dëgjuar dhe të kërkuar nga të gjitha gjeneratat.
Janë shumë gjenerata që u rritën me këngët e tyre, e sot nuk
ka kujt që s’i kujtohen këngët legjendare si “Ta gjen mami një sheik”, “Vetëm për
ty”, “Vetëm ti e din”, “Qeshu”, e shumë të tjera…
“Qeshu” merret si kënga e tyre më e famshme, me një tekst të
bukur dhe melodi që të mbetet në mendje. Këtë këngë e kënduan dhe rikënduan
edhe shumë artistë tjerë të rinj.
Sot po e rikujtojmë këtë këngë duke ia bashkangjitur edhe
tekstin më poshtë:
Qeshu të lutem, mos pyet përse, e nesërmja, shpejt do t’vjen.
Qeshu të lutem, mos kërko kuptim, se çka mendoj, ti e din.
Ato dit’, që ne, i kalojmë’ së bashku, shumë’ shpejt’, harrohen, shumë’ shpejt’, harrohen, kur në buzët e tua, nuk ka qeshje.
Qeshu, qeshu, qeshu se do t’jetë vonë’, qeshu, qeshu, qeshu se do t’jetë vonë’ /KultPlus.com
Si një traditë e nisur 7 vite më parë, “Festa Përmetare” edhe këtë vit solli një atmosferë plot emocion dhe surpriza për banorët e zonës.
Festa përmetare i tha Përmetit ritmin dhe energjinë që kërkon vera. Përveç argëtimit , ky aktivitet jo vetëm promovoi vlerat, folklorin , kulturën dhe kulinarinë por bëri bashkë miqtë përmetarë ,turistët vendas dhe të huaj. Ndaj dhe kjo festë mund ta quhet festa e dashurisë , mallit dhe nostalgjisë.
Kryetarja e Bashkisë Alma Hoxha mirëpriti grupin e sazeve të Përmetit dhe gjatë takimit ju shprehu mbështetje për vlerat që mbartin ato , ruajtjen dhe vazhdimin e traditës përmetare.
Bashkia Përmet do t’i mbështes dhe inkurajoj këto lloj aktivitetesh jo vetëm thjesht si argëtim , por si mundësi për ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave përmetare dhe si mundësi për zhvillimin e turizmit .
Gjithashtu së shpejti qyteti i Përmetit do të ketë dhe një kalendar aktivitetesh të larmishme.
Në kuadër të ciklit “Sekrete mjeshtërie”, Ministria e Kulturës ka publikuar historinë e veçantë të Bledi Luzit të cilit të gjitha rrugët e jetës i lidhen me muzikën si dhe me pasionin e tij për akordimin dhe riparimin e pianove.
Bledi Luzi është biri i një violinisti, që ka studiuar për oboe dhe punon si instrumenstist profesionist në Orkestrinën e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Në fillimet e karrierës së tij ishte kureshtja e përzierë me trashëgiminë, që më vonë do të kthehej në pasion dhe zanat.
“Kam kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve për degën: oboe. Prej 23 vitesh jam instrumentist në Orketrinën e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kohës që isha student më lindi një dëshirë, ndoshta e fshehur, që të studioja për akordimin dhe riparimin e pianove. Duke ndenjur pranë mjeshtërve profesionistë, u dashurova pas tij dhe sot e vazhdoj si një profesion primar”, shprehet Luzi teksa tregon për fillesat e karrierës së tij.
Luzi pohon se ka qenë një fëmijë mjaft kureshtar dhe me këtë profesion është dashuruar që në momentet e para.
Ai thotë se, “nuk mund të them se është i trashëguar plotësisht, është një profesion pas të cilit u dashurova që në momentin e parë. Edhe im atë ka qenë violinist pranë Ansamblit të Ushtrisë dhe në mënyrë autodidakte është marrë me riparimin e intrumenteve, të violinës, violës… Instrumentistët e oboes, në përgjithësi, kanë qëlluar tepër kërkues, kureshtarë, që duan të provojnë, të hulumtojnë. Unë kam qenë kureshtar që fëmijë”.
Kur flet për punën që i duhet për të diagnostikuar “sëmundjen” e një pianoje, duket sikur zhvendoset në një tjetër dimension.
“Sekretet janë disa, por të rëndësishme janë përqëndrimi dhe përkushtimi maksimal. Janë procese pa fund për riparimin e një pianoje. Janë rreth 9600 detaje. Gjithçka është shumë e imët, si një ekuacion me shumë të panjohura, por është shumë e veçantë dhe e bukur”, tregon Luzi.
Ai tregon se profesioni i tij është mjaft i veçantë në Shqipëri ku thotë se, “për këtë profesion në Shqipëri nuk ka, ndërsa në botë po. Të mësosh më shumë varet nga dëshira dhe pasioni i njerëzve, që merren me të. Sot, në kohët e zhvillimit të teknologjisë, gjithçka është e mundur. Ke mundësi të komunikosh dhe të konsultohesh me kolegë jashtë vendit për çdo lloj problemi apo të mësosh mbi të rejat e fundit”.
Për zanatin e tij për akordimin dhe riparimin e pianove ai ndihet si një kirurg që duhet të kujdeset për 9600 detaje.
“Çdo piano ka sekretet e veta, obsione të ndryshme, në varësi të markës, modelit, vitit të prodhimit etj. Ndërkohë që problematikat janë nga më të larmishmet. Duke qenë se janë shumë procese, që lidhen me njëri-tjetrin, është e vështirë të gjesh se ku qëndron problemi me vetëm një të parë. Janë si damarët e një trupi, që janë të shpërndara, por edhe të lidhura me njëra-tjetrën”, shpjegon Luzi.
Si një kirurg që kujdeset për pianot ai tregon në detaje dhe sëmundjet e tyre dhe sesi duhet të mirëmbahen ato.
Luzi thotë se, “lidhen shumë me ambientin ku mbahen, me temperaturën, lagështirën.. që janë armiqtë kryesorë. Pianoja si çdo gjë tjetër ka nevojë për mirëmbajtje. Për të qenë i sinqertë, kultura e mirëmbajtjes është shumë e ulët, në një kohë që është prioritare. Në momentin që ti merr një piano, ajo bëhet si pjesë e shtëpisë dhe ka nevojë të mirëmbahet. Me kalimin e kohës ka nevojë për zëvendësime, riparime, kontrolle teknike”.
Bledi Luzi gjatë këtij zanati mjaft interesant i cili kërkon përkushtim dhe pasion ka përjetuar momente të ndryshme për të cilat thotë se,” nuk mund të them se ka shumë momente “dramatike”, pasi me impenjim dhe përkushtim, i gjendet zgjidhja çdo lloj defekti. Do veçoja atë momentin kur e gjen defektin, e riparon dhe çdo gjë del perfekt, lumturia është e papërshkrueshme. Është zanat i lodhshëm, pasi kërkon një punë shumë të imët, kërkon kohë pa limit, duhet të bësh kërkime, hulumtime mbi markën, kontekstin etj., por shumë e bukur, që të jep një kënaqësi shumë të madhe, sidomos kur arrin të shohësh përfundimin dhe të bësh krahasimin mes asaj që ishte dhe që është. Po edhe më pas, kur merr edhe falenderimet e të zotit”.
Luzi vijon se, “shpesh herë na ka ndodhur që instrumentisti të jetë në dilemë nëse duhet ta mbajë apo ta shesë pianon, të investojë për ta restauruar ose jo. Unë gjithnjë u them të mos nxitohen dhe këtë e bëj, jo për të pasur punë, por sepse ndarja me një instrument si pianoja është e dhimbshme dhe sot gjithçka është e mundshme për të sjellë një ndryshim rrënjësor tek një instrument”.
Luzi tregon se më përpara pianot nëpër shtëpia numëroheshin me gishta por tani me ndryshimin e kohërave ato janë shtuar dhe ka një sërë të tillash me firma nga më të ndryshmet që gjenden në shtëpitë e shqiptarëve.
“Më herët piano kishin vetëm muzikantët, kompozitorë, instrumentistë, që ua jepte institucioni apo Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Numëroheshin me gishta.. Ndërsa sot kanë ndërruar kohët. Piano nuk kanë vetëm profesionistët, por edhe amatorët, madje përdoren dhe për arredim. Dhe nuk i gjen vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”, thotë Luzi.
Ai vijon se, “përpara viteve ’90 gjeje më së shumti pianon çeke “Petrof”, atë gjermane “August Forster”, kishte edhe piano kineze. Por mund të kishte edhe piano të vjetra të trashëguara nëpër shtëpi, të tipit “Hoffler”. Pas viteve ’90 pati prurje të markave nga më të ndryshme”.
Nëse këtë pasion të tij Luzi do ja trashëgonte fëmijëve të tij ai tha se, “me dëshirën më të madhe. Unë kam dy djem, të cilët kanë bërë kurse pianoje, jo për profesion, dhe të dy janë në hapat e duhur për vazhdimësinë e këtij zanati. Ata po e shohin edhe vet përkushtimin tim maksimal, përqëndrimin dhe transportimin në një botë tërësisht tjetër. Është si puna e një mjeku që duhet të bëjë ekzaminimet deri në qelizën e fundit, që të gjejë arsyen e sëmundjes. Dhe deri tani shoh që jo vetëm janë kuriozë, por edhe janë në hapat e duhur drejt këtij profesioni”. /a.a/
Gazeta “Zëri i rinisë”, të shtunën e 13 janarit 1973, botonte në faqen e brendshme të saj letrën e një grupi punonjësish të Fabrikës së Letrës në Lushnje, letër që i parapriu goditjes së Festivalit të XI-të të Këngës në RTSH, i zhvilluar më 22-25 dhjetor 1972 (letër që u përmend edhe në një fjalim të Enver Hoxhës). Pjesëtarët të kolektivit punonjës shprehin kësisoj kritikën dhe bëjnë ekspertizën e festivalit më të rëndësishëm që bëhej në atë kohë në Shqipëri.
Nga: Kastriot Dervishi
Pjesë nga letra: “Duam të shprehim mendimet tona”
“T’i këndohej edhe sukseseve të vitit 1972, heroikës së punës dhe jetës së klasës, apo të fshatarësisë kooperativiste (natyrisht jo me kantata). Mos vallë pak lirizëm dhe emocion kanë këto tema? Sikur bëjnë përpjekje, vuajnë e përpëliten disa këngëtarë për të imituar në interpretimin e këngëve. Disa shtrembërime zërash, ekzagjerime gjestesh të sforcuara, pa shije, që stonojnë qoftë me melodinë, qoftë me tekstin, përse hyjnë në punë?
Nga ana tjetër nuk kuptojmë se me kë bënin garë orkestrat në disa momente me ato ekzibicione e “virtuozitete” saksesh e daullesh?
Kostumet dhe tualeti i disa këngëtarëve jo vetëm që s’i përmbahej një linje, një koncepti, një kombinimi të drejtë, një logjike, një fantazie të shijeve tona, një mode që të kishte vulën tonë moderne shqiptare, por në disa raste flagrante, ishin imitim komplet, që në asnjë mënyrë nuk duheshin lejuar, si pantallonat kauboj prej basmaje me ngjyra, “pizhamet”, “robë dë shambret” e maksifundet. Zinxhirat e ngarkesat e tjera të tepruara prej xhingla-minglash, basetat e tualetet e ekzagjeruara.
Një farë gare për të evidentuar pikërisht këto shfaqje të huaja dhe imitime u vu re edhe nga ana teknike. Kameramanët sikur i hante meraku për të na i zmadhuar këto gjëra. Po këndej u hante ana edhe konferencierëve me atë tekst tepër naiv e plot imitime. Imitimi arriti deri te “pritja” e rezultateve nga makina llogaritëse, që së bashku me mjaft vogëlsira të tjera, duke shtuar dozën e imitimeve, ulnin vlerën e festivalit. Mos vallë spekulohet në këtë drejtim, se gjoja “kështu e do rinia”?
Në diskutimet tona mbi këto shfaqje, ne u ndeshëm në dy pikëpamje të gabuara. Ndonjëri nga ata “majmunët” tanë, ngriti kokën e tha: “E shikoni? Kritikat tuaja për modën e pahijshme janë konservatorizëm, sepse vetë televizioni ynë po e propagandon!”. Këtë pikëpamje ne po e godasim e po u themi atyre: “Nga pozitat e estetikës marksiste-leniniste ne ju kritikojmë edhe ju edhe televizionin”. Disa për t’iu kundërvënë liberalizmit, nxorën pikëpamjen: “Mos u kapni pas televizionit, se ai i lejon këto gjëra për t’i thënë botës së jashtme, që edhe ne mund të haheshim me ju!”. Edhe këtë pikëpamje ne po e godasim, sepse ne nuk zhvillojmë dy lloje artesh, dy lloje shijesh estetike, dy lloje kulturash, njërën për vete e tjetrën që të “hahemi” me borgjezinë e revizionistët.
Jo, ne zhvillojmë artin, shijen, kulturën tonë të madhe të proletariatit, që qëndrojnë nga çdo pikëpamje më lart. Kështu edhe për këngët e festivalit, për tekstet, interpretimin e këngëtarëve, orkestracionit, dekorin, kostumet, modën etj., nuk jemi për një nivel naiv artistik, për kallëpe dogmatike e për skematizëm, për rënie në shihet e vjetruara konservatore. Jo aspak. Edhe për ksenofobinë nuk jemi. Të marrim gjithçka të shëndoshë nga bota e jashtme. Ne jemi luftëtarë të flaktë të se resë, të novatores. Edhe eleganca e shkëlqimi i modës në jetë e në skenat tona le të lulëzojë, por gjithçka të jetë me përmbajtje të shëndoshë socialiste dhe e veshur me formën e me fantazinë tonë të pasur, të mbështetur fort në truallin tonë. Gjithçka të bjerë erë shqiptare.
Letra është nënshkruar nga një grup të rinjsh punëtorë të Fabrikës së Letrës në Lushnjë:
Në kalanë e Gjirokastrës është mbajtur “Çeço fest” një ngjarje muzikore rinore që mblodhi shumë të rinj nën ritme të muzikës elektronike drejtuar nga DJ të njohur.
Emri i festivalit është një memorje për heroin shqiptar të përpjekjeve kundër otomanëve Çerçiz Topulli, lindur dhe rritur në Gjirokastër. Organizatorët besojnë se festa që do të vazhdojë për dy netë do të ketë një impakt të madh në promovimin e monumentit dhe qytetit përgjatë sezonit veror.
10 artistë të muzikës elektronike janë pjesë e eventit që do të mbajë zgjuar ritmin edhe natën e së shtunës.
Pjesë e festës pritet të bëhen në vijim ekspozita të kostumeve popullore, kulinari, shfaqje filmash me në qendër figurën e Çerçiz Topullit ndërsa imazhi i tij është bërë tashmë shumë popullor në bluza, kapele e çanta. Ngjarja që është mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës pritet të mbledhë të shtunë rreth 1000 vizitorë në kalanë e Gjirokastrës.
Si ndodhi që një melodi e lehtë, e krijuar fillimisht nga fermerët mesjetarë, të pushtojë imagjinatat e aq shumë njerëzve? Pjesë të shkrimin të kritikut të muzikës Andre Valentino, Telegrafi sjell më poshtë.
Është e lehtë sot të kesh informata për top-listat. A doni ta dini kush është artisti më i njohur në rrjetin Spotify? Vetëm pak klikime do t’ju çojnë tek Ed Sheeran dhe 72 milionë dëgjuesit e tij mujor. Po kënga më e njohur? Kënga e Sheranit, “Shape Of You” është e para që u dëgjua dy miliardë herë. Diku tjetër numrat janë edhe më befasues. “Despacito” nga Luis Fonsi dhe Daddy Yankee ka mbi 6.3 miliardë shikime në YouTube
Por, interneti nuk mund t’ju tregojë gjithçka. Për shembull, cila është melodia më e njohur e të gjitha kohëve? Jo kënga me më së shumti versione, se ajo është “Yesterday” e grupit The Beatles. Por, melodia më rezistuese, një temë e thjeshtë e modifikuar nga mendje e duar të panumërta. Një nga kandidatët është një melodi që pak e njohin. Megjithatë, për shekuj të tërë, “La Folia” ka mahnitur qindra kompozitorë dhe muzikantë. Historia e saj na flet shumë për historinë e muzikës dhe ndoshta edhe diçka për veten tonë.
“La Folia” ka një histori të gjatë. Akordet e saj dalluese u zhvilluan për herë të parë nga muzika popullore e Portugalisë, në fund të shekullit XV, ku u përdor në festivale popullore. Emri i saj – “folly” në italisht apo “marrëzi” – i referohet mënyrës sesi fshatarët i drejtoheshin muzikës. Shkrimtari i Rilindjes, Sebastian de Covarrubias, e përshkruan “La Folian” si “shumë të zhurmshme”, ndërsa një tjetër e thekson “gjallërinë dhe zjarrin” e saj, me valltarët “që bëjnë gjeste që zgjojnë epshet”.
Një shekull pas shpikjes, “La Folia” u përhap në Spanjën e afërt dhe më pas në Mesdhe. “Ka pasur shumë muzikantë spanjollë që kanë punuar në Itali, për shembull në Vatikan”, shpjegon Alexander Silbiger, profesor i Muzikës në Universitetin Duke. “Këngëtarët dhe muzikantët ishin spanjollë. Ky mund të ketë qenë faktor në përhapje”. Në këtë mund të ndikojë edhe fakti se Spanja atë kohë e sundonte Italinë e Jugut, duke e bërë më të lehtë shkëmbimin kulturor mes dy vendeve.
Në të njëjtën kohë, muzikantët filluan ta ndryshonin “La Folian” për ta përshtatur me shijet e ndryshme. Nga viti 1650, melodia e zjarrtë u zhyt në epokën e madhështisë, duke u ngadalësuar (versionet e mëparshme ishin më të rrjedhshme). Kjo ka kuptim: fryma e re e barokut nxiste më shumë hir sesa fshatarë e rëndomtë.
Sa e famshme ishte “La Folia” në kulmin e saj në shekullin XVIII? Është e vështirë ta thuash me siguri Statistikat në internet ende nuk janë të qarta dhe kompozitorët shpesh i referoheshin “La Folias” pa e emëruar. Edhe sot duhet të hulumtosh për të mësuar se një kantatë nga Bachu dhe një pjesë për tastierë nga Handeli e përdorën këtë temë. Thjesht, të kërkosh me “La Folia” nuk mjafton.
Megjithatë, ka të dhëna që tregojnë se tema ishte fenomen i veçantë. Midis viteve 1670 dhe 1700, pjesë të huazuara “La Folias” u shtypën kudo – nga Zaragoza deri në Berlin e Oksford. Deri më 1760, kishte arritur në Meksikë dhe në Bolivi. Në dekadën e parë të shekulli XVIII, rreth 20 kompozitorë u morën me të, nga Antonio Vivaldi tek Arcangelo Corelli.
Ndoshta e gjithë kjo ka të bëjë me përshtatshmërinë e “La Folias”. Melodia është aq e thjeshtë saqë muzikantët mund ta eksplorojnë me lehtësi në mënyra të ndryshme, duke shtuar harmoninë ose luajtur me shpejtësinë, e ku gjithmonë tema origjinale shkëlqen. Këto të ashtuquajtura “variacione” të “La Folias” – veçanërisht gjatë periudhës barok – janë disa nga arritjet më të mëdha në muzikë. Përpjekja e Corellit është spektakolare, me violinën që luan për 11 minuta dhe 23 variacione të akordeve origjinale. Ndaj, nuk është çudi që ata që donin të bëheshin violinistë e mësonin “La Folian” e Corellit para çdo gjëje tjetër.
“La Folia” nuk u ndal te muzikantë e klasit të lartë. U përdor në një baladë politike suedeze dhe një operë koti angleze. Madje, ka disa prova se u kthye tek rrënjët fshatare duke ndikuar te këngët popullore të Finlandës dhe të Norvegjisë. Ndërsa, me rënien e barokut tema mbijetoi gjatë shekullit XIX. Beethoveni, Berliozi, Brahmsi dhe Liszti e shfrytëzuan që të gjithë. Rachmaninoffi po ashtu, edhe pse ai ka menduar se Corelli ishte kompozitori.
Tema lulëzon edhe sot. Muzikantët modernë e përshtatin në mënyrat e reja. Disa e kanë luajtur me instrumente të pazakonta, përfshirë sitarin dhe ukulelen. Të tjerët e kanë ndryshuar zhanrin, duke e ndërruar barokun me metall dhe harpsikordin me kitarat elektrike. Në të njëjtën kohë, zhvillimi i kinemasë ka hapur një derë tjetër. “La Folia është përdorur në filma, shumë herë e në mënyra të ndryshme”, thotë Adam Grannick, regjisor dhe adhurues i “La Folias”. “Ishte një version i përdorur tek ‘The Addams Family’. Në filmin ‘1492’, tema kryesore është një version i ‘La Folias’”.
Si u bë që kjo melodi e krijuar nga fermerët mesjetarë, të nxisë kaq shumë artistë? Ekspertët kanë teoritë e tyre. John Williams, kitarist klasik nga Australia, thekson rreptësinë e saj. Të tjerët janë të nxitur nga krenaria kombëtare. Andres Segovia, një tjetër kitarist, e ka quajtur “La Folian” “në thelb spanjolle “. Silbiger ndjehet njëjtë kur e dëgjon. “Ka një nuancë të së kaluarës, të lavdive të Spanjës”.
“La Folia” është përdorur nga muzikantë të panumërt, sipas mënyrës së tyre, si një recetë ku secili shton diçka të tijën. Sidoqoftë, çështja kryesore është se përbërësit themelorë janë gjithmonë të njëjtë. /Telegrafi/